Çfarë ka ndodhur më 23 nëntor?

Historia

Çfarë ka ndodhur më 23 nëntor?

Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 08:05
Ilustrim

534 pes – Sipas disa burimeve të lashta greke, përfshi Aristotelin, Thespis nga Icaria (Dionisi i sotëm, Greqi) bëhet aktori i parë që luan në skenë. Në burime të tjera, thuhet se ai ishte i pari aktor kryesor, përveç korit. Thespis ishte këngëtar rapsod që shoqërohej nga kori me fjalë ose tingull zëri (iso). Duke përfituar nga suksesi, Thespis bëhet gjithashtu aktori i parë i shfaqjeve në turne. Në piktura, relieve a përshkrime të lashta Thespis shpesh paraqitet duke tërhequr një karrocë si aktor shëtitës.

1174 – Salahudini (Saladini) hyn në Damask, duke e përfshirë qytetin në zotërimet e veta. Saladini ishte sulltani i parë i Egjiptit dhe Sirisë; themeluesi i dinastisë Ayubid. Ai ishte me prejardhje kurde, dhe udhëhoqi myslimanët kundër kryqtarëve evropianë. Në kulmin e fuqisë, sulltanati i tij përfshinte Egjiptin, Sirinë, Mesopotaminë, Jemenin, dhe pjesë të tjera të Afrikës së Veriut. Duke u vënë në krye të ushtrisë, Saladini, mundi kryqtarët në betejën vendimtare të Hatinit në vitin 1187, duke hapur rrugën që myslimanët të ri marrin Palestinën nga kryqtarët që e kishin pushtuar atë 88 vjet më parë. Saladini është një figurë e shquar e kulturës islame dhe arabe. Fisnikëria e tij është vlerësuar edhe nga kronikanët e krishterë, madje edhe nga kundërshtarët e tij kryqtarë, përfshi Richard ZemërLuanin e Anglisë, që udhëhoqi kryqëzatën e tretë. Saladini vdiq në vitin 1193 në Damask dhe gjithë pasurinë ua la vasalëve të vet.

1644 – Poeti anlgez John Milton boton pamfletin Areopagitica – trakt në prozë kundër censurën dhe lejes për të botuar. Historikisht, Areopagitica është mbrojtja filozofike më me ndikim dhe më e zjarrta e parimit të së drejtës për lirinë e fjalës dhe të shprehjes. Areopagitica është konsideruar si një nga mbrojtjet më elokuente të lirisë së shtypit shkruar ndonjëherë, pasi parimet e shprehura formojnë bazën për arsyetimet moderne të kësaj të drejte. Areopagitica u botua në kulmin e Luftës Civile Angleze. Ajo titullohet Areopagitikos, sipas një kodre në Athinë – vendi i gjyqeve legjendare kundër shprehjes – ku Sokrati, (shek. V pes), zhvillonte tubimet dhe dialogët e tij. Milton nuk kishte ndërmend ta mbante fjalimin e tij me gojë, por e shpërndau atë në formë pamfleti, duke sfiduar me këtë botim të njëjtën censurë që e ndalonte të botonte pa leje.

1924 – Edwin Hubble shpall zbulimin e tij shkencor, duke thënë se Andromeda nuk është një mjegullnajë brenda galaktikës sonë, siç besohej deri atëherë, por është në fakt një tjetër galaktikë, Rruga e Qumështit, dhe kjo është vetëm një prej shumë galaktikave të tilla në gjithësi.

1936 – Revista amerikane LIFE rilind si revistë fotografike dhe gëzon sukses të menjëhershëm. Shqiptaro-amerikani Gjon Mili, punoi si fotograf për revistën LIFE nga viti 1938 deri më 1984, dhe u shqua për serinë e fotove sipas sekuencave të lëvizjes në film.

1940 – Lufta e Dytë Botërore: Rumania bëhet nënshkruese e Paktit Tripalësh, (Gjermani, Itali, Japoni) duke iu bashkuar zyrtarisht fuqive të Boshtit.

1959 – General Charles de Gol, President i Francës, mban një fjalim në Strasburg duke shpallur vizionin e tij për një “Europë nga Atlantiku në Urale”.

2006 – Në Londër, vdiq Owen Pearson, studiues kulturash latine, greke, evropiano lindore; prej viteve 1930 tepër i përkushtuar në historinë shqiptare. Lindur në vitin 1919, arsimuar në Londër, për rreth 40 vjet profesor i latinishtes dhe greqishtes; më 1947 fillon grumbullimin, seleksionimin, klasifikimin, ruajtjen e artikujve e lajmeve të prera nga një numër gazetash ku flitej për Shqipërinë; synimi i tij ishte hartimi i një historie të plotë të hollësishme të Shqipërisë moderne. Gjatë viteve, Owen Pearson krijoi 54 vëllime me artikuj gazetash, si dhe një bibliotekë personale prej mbi 700 libra e materiale studimore mbi çështjet shqiptare. Megjithëse historinë bashkëkohore të Shqipërisë, që i kishte vënë qëllim vetes, nuk arriti ta mateializojë, Owen Pearson bëri dicka tjetër, njësoj ose ndoshta më të rëndësishme; ai krijoi një kronologji të saktë të historisë së Shqipërisë nga viti 1908 – 1998. Kjo përpjekje monumentale plot pasion, mund e këmbëngulje pasqyrohet në më shumë se 1900 faqe në 3 vëllime në librin me titullin “Albania in the Twentieth Century: a History” (London 2004, 2006), që mendohet të jetë vepra më e detajuar mbi historinë shqiptare botuar ndonjëherë në anglisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat