Duro Shehu tregon brengën e jetës: Si nuk mora pjesë në varrimin e Mehmetit, mendova…

Historia

Duro Shehu tregon brengën e jetës: Si nuk mora pjesë në varrimin e Mehmetit, mendova…

Më: 31 dhjetor 2017 Në ora: 00:17
Duro Shehu dhe Mehmet Shehu

Duro Shehu, vëllai i ish-kryeministrit të vetëvrarë në rrethana të dyshimta, jeton prej vitesh në Kanada. Qysh nga koha kur është sistemuar aty, çdo 18 dhjetor pret vizita në nderim të vëllait, që ndërroi jetë në dhjetorin e largët të vitit 1981. Pavarësisht se atje larg janë të paktë në numër miqtë dhe shokët e tij, ai ndihet mirë që bashkë me ta risjellin detaje të ndryshme nga historia e Mehmetit dhe tragjedisë së tij. I telefonuam mbrëmë nga “Panorama” dhe ndamë me të, për disa çaste, përjetimet e trishta nga dita e mortit të të vëllait, vdekja e të cilit vijon të mbetet një nga ngjarjet më misterioze të regjimit komunist.

Duro Shehu shprehet se e ka peng të madh që nuk mori pjesë në varrimin e tij, i detyruar me urdhër të formës së prerë nga ish-ministri i Mbrojtjes, Kadri Hazbiu. Ai nuk e harron për asnjë moment takimin me këtë të fundit, natën e mortit në zyrën e tij. “Ishin çastet e rënda kur sa kisha marrë vesh lajmin e zi dhe kërkova të takohesha me Kadriun”, kujton vëllai i ish-Kryeministrit më jetëgjatë të regjimit komunist. “Kadriu, deri atëherë, ishte një nga miqtë më të afërt të Mehmetit dhe mendoja se do më sqaronte me dashamirësi, por çuditërisht, këtë radhë takova një Kadri tjetër”, shton Shehu i ngazëllyer. “Dëgjo Duro, më tha, ke ardhur për problemin e Mehmetit. Ai vrau veten për atë vajzën e Turdiut”.

“Tani, m’u drejtua, lajmëro vëllezërit dhe shkoni në shtëpi, te xhenazja. U thuaj se Partia nuk do ta varrosë. Është vetëvrarë, e kjo do të thotë tradhti. Pastaj, me ato që ka bërë, mund të dalë se ka qenë armik”. Desha t’i kërkoja diçka më shumë, por ishte e kotë. Atë çast, Kadriu u çua në këmbë, hoqi syzet dhe m’u drejtua përmbledhtazi: ‘Është urdhër. Kështu duhet bërë! Mirupafshim!’”.

Në largim e sipër, më tha që unë, si komunist dhe kuadër me përgjegjësi, nuk duhej të merrja pjesë në varrimin, që do të bëhej të nesërmen’”. Ndër momentet më dramatike të asaj ngjarjeje të rëndë, Shehu veçon detajet nga nata e mortit në shtëpinë e Mehmetit, ku bashkë me 12 familjarët e tij, ishin dhe 40 oficerë sigurimi, që e gdhinë te trupi i pajetë në vilën kryeministrore të rrethuar me autoblinda dhe pushkatarë të maskuar si në gjendje lufte. Po çfarë kujton tjetër vëllai i Kryeministrit, që u gjet i vdekur në dhomën e tij mbrëmjen e 18 dhjetorit ’81…

Shkuat atë natë në shtëpinë e Mehmetit?

Lajmërova vëllezërit dhe aty nga mbrëmja u nisëm për te banesa e Mehmetit. E gjithë rruga për aty ishte blinduar me policë e roje të armatosura. Në afërsi të vilës, dy autoblinda të Gardës ishin vënë në pozicion luftimi. Në të gjitha godinat përreth, pushkatarë e roje të armatosura vigjilonin si në momente luftimi. Kaluam mes tyre dhe u gjendëm në banesë. Arkivoli me trupin e pajetë të Mehmetit ishte vendosur në mesin e dhomës së madhe. Anash tij në karrige rrinte e shoqja dhe djemtë. Në shpinë të tyre disa njerëz të panjohur me revole në brez. Një pamje e rëndë, shumë e rëndë, me një heshtje torturuese, kishte pushtuar çdo gjë. Një moment iu afrova Fiqretit dhe e pyeta për çfarë kishte ndodhur. Ajo, në vend që të përgjigjej, zuri veshët me dorë për të më treguar se çdo gjë përgjohej, prandaj s’mund të fliste. U mundova pastaj të mësoja ndonjë gjë nga djali i madh Vladimiri, por edhe prej tij ishte e pamundur të sqarohesha. I zura me radhë të gjithë sa ishin aty, por askush s’ishte në gjendje të më shpjegohej.

Sa veta ishin natën e mortit në shtëpinë e Mehmetit?

Në dhomë ku kishin vendosur trupin e Mehmetit ishim ne të shtëpisë. Bëheshim gjithsej 12 vetë. S’bëhej fjalë për të tjerë. Ndërkaq, ishin dhe 30 oficerë të Sigurimit që rrinin në këmbë e përgjonin ne. Pas njëfarë kohe që ishim aty, kërkova përgjegjësin e tyre dhe i thashë “A mund ta shoh ku e ka marrë plumbi Mehmetin?” Në asnjë mënyrë, më thotë prerazi. Qëndro e përgjoje aty. Vetëm kaq. Ndryshe…” Mirë, mirë i thashë për t’i vënë kapak bisedës dhe u ktheva prapë nga Fiqreti, mirëpo nuk zgjati shumë dhe m’u afrua njëri prej vartësve të tij, duke më komunikuar urdhrin më të fundit për të dalë jashtë. U përpoqa të mësoja më shumë për arsyen e largimit, madje i kujtova edhe urdhrin e Kadri Hazbiut për të qëndruar aty, por ishte e kotë. Desha nuk desha u ngrita dhe ika. Ika nëpër natë nën vëzhgimin e dhjetëra oficerëve të Sigurimit që më shoqëruan deri te hyrja e shtëpisë.

Po në varrimin e Mehmetit që u bë të nesërmen, më 19 dhjetor, morët pjesë?

Jo, jo, nuk mora pjesë. Kjo është brenga më e madhe e jetës sime. Në takimin e fundit që pata me Kadri Hazbiun ai më urdhëroi që, si kuadër me përgjegjësi dhe komunist, mos të shkoja në ceremoninë mortore. Ndryshe do të kisha pasoja të rënda. Kështu duhej të bëja. Ajo ishte një gjëmë e madhe dhe me mendimin për të shpëtuar çfarë mund të shpëtonim nga ajo që na kishte zënë, vendosa të mos shkoja…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat