Kalendar historik/Çfarë ka ndodhur më 24 janar?

Historia

Kalendar historik/Çfarë ka ndodhur më 24 janar?

Më: 24 janar 2018 Në ora: 07:38
Amadeo Modigliani

24 Janar 1920- Vdes piktori i njohur italian Amadeo Modigliani

Amedeo Modigliani, ishte një piktor dhe skulptor i njohur për format e tij të thjeshtuara dhe të zgjatura. Lindi në Livorno të Italisë, më 12 korrik 1884. Prindërit e tij ishin hebrenj, kambistë në profesion, por që ishin duke përjetuar kohë të vështira, kur duhej të rrisnin Modiglianin dhe tre vëllezërit e motrat e tij më të mëdhenj në kushte varfërie.

Një fëmijë i sëmurë, Modigliani u edukua kryesisht në shtëpi nga nëna e tij që e njohu atë me botën e letërsisë, filozofisë dhe artit, për të cilin ai krijoi një pasion të fortë dhe të hershëm. Në vitin 1898, pasi e mori disi veten nga sëmundjet e tij kronike, nëna e dërgoi të studionte pikturë me mjeshtrin vendas Guglielmo Micheli, i cili i mësoi Modiglianit bazat e artit klasik.

Nxënësi i tij i ri shfaqte një talent të madh, saqë Micheli i referohej shpesh me admirim si “Superman”. Mjerisht, në vitin 1900, braktis studimet kur u prek nga tuberkulozi dhe bashkë me të ëmën shkoi në Italinë e Jugut për t’u shëruar. Megjithëse ishte shpesh tepër i dobët për të punuar, Modigliani e vazhdoi edukimin e tij artistik përmes vizitave nëpër muzetë e shumta të Romës dhe të Napolit, dhe kur shëndeti i tij u përmirësua vitin e ardhshëm, ai ishte në gjendje të shkonte në Firence për të studiuar artin figurativ.

 Në vitin 1903, shkoi në Venecia, ku u regjistrua në Institutin e Arteve të Bukura. Atje, talenti i Modiglianit si një artist vazhdoi të dilte më në pah, por po kështu edhe veset e tij, dhe ai së shpejti nisi të pinte shumë alkool dhe hashash. Në vitin 1906, Modigliani u largua nga Italia për në Paris, e cila ishte atëherë qendra e lulëzuar e botës evropiane të artit bashkëkohor.

Ai studioi në Académie Colarossi, dhe u vendos në një lagje artistësh, ku u bë bashkëpunëtor me artistë të tjerë, duke përfshirë Pablo Picasso, Juan Gris dhe poetin Max Jacob. Por pavarësisht ekspozitave të shumta, punët e tij nuk ngjallën ndonjë interes të madh, dhe shpesh ishte i detyruar të shiste tablotë për nevojat më themelore të jetës së përditshme.

Megjithatë, ai u shpëtua nga varfëria e plotë nga patronazhi i qëndrueshëm i një doktori të ri të quajtur Paul Alexandre, i cili shfaqet edhe në disa nga portretet e Modiglianit në atë periudhë.

Në vitin 1909, perspektivat e Modigliani u forcuan më tej nga njohja me skulptorin Constantin Brâncu?i, i cili e njohu me artin tribal. Ndikimi i këtij të fundit mund të shihet në skulpturat e ndikuara nga Afrika që Modigliani, do të ekspozonte në Salon d’Automne në vitin 1912, kokat e gurta të zgjatura që tani konsiderohen si pjesë e punëve së tij më të rëndësishme.

Shpërthimi i Luftës së Parë Botërore në vitin 1914, shënoi fillimin e një periudhe tjetër të vështirë për Modiglianin, ku shëndeti i tij u përkeqësua më tej nga abuzimi i vazhdueshëm me substancat narkotike, por edhe jeta e trazuar me gratë. Megjithatë, ai prodhoi shumë nga veprat e tij më të mira. Duke sjellë me vete linjat e guximshme dhe abstraksionet gjeometrike që i kishte shfaqur në skulpturat e tij, Modigliani iu rrikthye portreteve, duke i bërë subjektet e tij – të cilat paraqisnin njerëzit nga lagja e tij, gratë e jetës së tij dhe miqtë e tij të shumtë në mesin e artistëve parizianë – me linja që paraqisnin fytyra të guximshme.

Në vitin 1918, ndërsa ushtria gjermane po i afrohej Parisit dhe shëndeti i Modiglianit vazhdoi të binte, ai kërkoi strehim në Nisë me një studente të re të artit me emrin Jeanne Hébuterne, me të cilin kishte patur një lidhje një vit më parë. Vajza e tyre, Jeanne, lindi atë nëntor.

Puna e Modiglianit nga kjo periudhë – e cila shpesh përmban bashkëshorten – tregon një gamë të ndritshme dhe linja më të buta, ndoshta duke reflektuar qetësinë e gjendjes së tij mendore. Por qetësia nuk do të zgjaste shumë. Për shkak të problemeve shëndetësore rrikthehet në Paris ku dhe vdes nga meningjiti tuberkular më 24 janar 1920. Nga hidhërimi, bashkëshortja kryen vetëvrasje, duke u hedhur nga ndërtesë e lartë, edhe pse ishte në muajin e nëntë të shtatzanisë me fëmijën e tyre të dytë.

24 Janar 1965- Vdes kryeministri legjendar britanik Winston Churchill

Churchill, që e udhëhoqi Britaninë e Madhe dhe aleatët gjatë Luftës së Dytë Botërore, vdiq në Londër në moshën 91-vjeçare. Pas shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë, Churchill zëvendësoi Neville Chamberlain në postin e kryeministrit në një qeveri të re koalicioni.

Në vitin e parë të administratës së tij, Britania qëndroi e vetme përballë Gjermanisë naziste, por Churchill i premtoi vendit dhe botës së tij, se populli britanik do të “nuk do të dorëzohej kurrë”. Ai tuboi rreth vetes popullin britanik në një rezistencë të vendosur, dhe bashkë me presidetin amerikan Franklin D. Roosevelt dhe atë sovjetik Joseph Stalin, krijuan një aleancë që e fitoi luftën

24 Janar 1972 – Gjendet ushtari japonez i fshehur në Guam

Pas 28 vitesh i fshehur në xhunglën e Guamit, fermerët vendas zbulojnë Shoichi Yokoi, një rreshterin japonez, i cili nuk ishte ende në dijeni se Lufta e Dytë Botërore kishte përfunduar. Guam, një ishull prej 200 kilometrash katrorë në Paqësorin perëndimor, u bë zotërim i SHBA-së në 1898 pas Luftës Spanjoll-Amerikane.

Në vitin 1941, japonezët e sulmuan dhe e pushtuan atë, dhe në vitin 1944, pas 3 vitesh të pushtimit japonez, forcat amerikane e rimorën ishullin. Pikërisht në këtë kohë Yokoi, i lënë pas nga forcat japoneze që u tërhoqën, hyri në brendësi të xhunglës në vend se t’i dorëzohej amerikanëve.

Në xhungël, ai improvizoi vetë mjetet e mbijetesës, dhe për gati 3 dekadat e ardhshme priti rrikthimin e japonezëve, dhe urdhërat e ardhshme të komandës. Pasi u zbulua në vitin 1972, ai u fal dhe u dërgua në shtëpi në Japoni, ku u prit si hero kombëtar. Më pas u martua, dhe u kthye në Guam për muajin e mjaltit.

24 Janar 41 – Perandori romak Caligula, i njohur për karakterin e tij të çuditshëm dhe despotizmin sadist, vritet nga rojet e tij të pakënaqur pretorianë.

24 Janar 1758 – Gjatë Luftës Shtatëvjeçarë, udhëheqësit kryesorë të Kënigsbergut i nënshtrohen Elizabetës së Rusisë , duke formuar Prusinë ruse (deri më 1763)

24 Janar 1835 – Skllevërit në Salvador da Bahia, Brazil, ngrihen në një revoltë e cila ishte e domosdoshme për t’i dhënë fund skllavërisë 50 vjet më vonë.

24 Janar 1939 – Tërmeti më vdekjeprurës në historinë kiliane godet Chillan, duke vrarë rreth 28.000 njerëz.

24 Janar 1943 – Lufta e Dytë Botërore: Franklin D. Roosevelt dhe Winston Churchill përfundojnë një konferencë në Kasablanka.

24 Janar 1946 – Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, miraton rezolutën e parë për krijimin e Komisionit të Kombeve të Bashkuara për Energji Atomike.

24 Janar 1989 – Vrasësi serial amerikan Ted Bundy, me mbi 30 viktima të njohura, ekzekutohet në karrige elektrike në Burgun e Shtetit të Floridës

24 Janar 2011 – Të paktën 35 njerëz mbeten të vdekur, dhe 180 të tjerë plagosen në një shpërthim me bombë në Aeroportin Domodedovo të Moskës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat