Çfarë ka ndodhur më 18 shkurt?

Historia

Çfarë ka ndodhur më 18 shkurt?

Më: 18 shkurt 2018 Në ora: 07:15
Ilustrim

1129 – Jeruzalemi bie në duart e Frederikut II të Perandorisë së Shenjtë Romake. Fitorja në kuadër të kryqëzatës së gjashtë u arrit kryesisht falë një marrëveshjeje me el-Kamilin e Egjiptit që kishte nën kontroll këto territore. Si pjesë e kushteve të marrëveshjes, Frederik merrte edhe kontrollin e Sidonit, Xhafës, Nazaretit, dhe Betlehemit, duke u dhënë të krishterëve qasje në bregdet, ndërsa el – Kamili ruante kontrollin e Kupolës së Shkëmbit, Xhamisë el-Aksa, dhe Malit të Tempullit në Jeruzalem; të krishterët lejoheshin ta vizitonin.

1564 – Në Romë, vdiq Michelangelo Buonarotti, piktor italian, skulptor, arkitekt, poet. Një muaj më parë, pas shumë kritikave, kryesisht nga artiste xhelozë sesa nga Papa, pjesët lakuriq të pikturës së tij “Dita e Gjykimit” në tavanin e Kapellës Sistinë, u mbuluan. Mikelanxhelo vdiq i dëshpëruar. Si vetmitar ai ishte njohur edhe kur ishte gjallë (nga disa është parë si qëndrim tipik melankolik i periudhës së Rilindjes që prodhonte art).

1787 – Perandori austriak Jozef II ndalon punësimin e fëmijëve nën moshën 8 vjeç.

1828 – Më shumë se 100 anije shkatërrohen nga një stuhi e fuqishme në ngushticën e Gjibraltarit.

1861 – SHBA – Jefferson Davis bën betimin si president i Konfederatës, në Montgomery Alabama. Afërsisht dy javë më vonë, 4 mars, Abraham Linkolni do të përurohej si president i Bashkimit – Amerika po kapërcente ngadalë pragun e hyrjes në luftën e përgjakshme civile.

1879 – Arabët marrin peng kryeministri egjiptian Nubar Pasha – më pas e lirojnë. Nubar Pasha, i pari kryeministër i Egjiptit modern, ishte me prejardhje armene. Pa mbushur 18 vjeç Nubari, i pajisur me disa rekomandime (nga shqiptarë) la Stambollin dhe shkoi në Egjipt, ku filloi karrierën si sekretar i sundimtarit shqiptar – osman Mehmet Ali.

1884 – Gjeneral britanik Charles Gordon arrin në Khartum të Sudanit për të mbrojtur qytetin nga rebelët (një vit më pas, ai vritet i rrethuar prej tyre). Gordon (1833-1885) ishte i famshëm si ushtarak dhe administrator; Ai kishte luftuar në mbarë botën; i njohur si Gordon Pasha, Gordon i Kartumit, Gordon Kinezi. Gordon ishte mik i Ismail Qemalit (1844 – 1919). Në kujtimet e tij, themeluesi i shtetit Shqiptar shkruan : “…ndër kujtimet e mia më të mira është miqësia e sinqertë me të cilën Gordon më nderoi mua. Kënaqësia jonë më e madhe në ato ditë ishte kur Gordon na tregonte për të gjitha sa kishte bërë, si dhe rreth përvojës së tij në Krime, Armeni, dhe Kinë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat