Orient Ekspres, mbreti i trenave dhe treni i mbretërve

Historia

Orient Ekspres, mbreti i trenave dhe treni i mbretërve

Më: 2 gusht 2018 Në ora: 14:39
Orient Ekspres

Orient Ekspres. Një emër që bëri të ëndërrojnë gjenerata udhëtarësh, dhe ngacmoi imagjinatën e romancierëve, nga Agata Kristi me romanin “Vrasje në Orient Ekspres”, tek Jan Fleming me agjentin 007. Por ai është gjithashtu një emër, që ngjall historitë me spiunët e vërtetë, intrigat dhe misteret.

Aventura e madhe nisi më 4 tetor 1883, kur mes reve të avullit dhe bilbilit inaugurues, treni u nis nga stacioni Gare de l’Est në Paris, për të udhëtuar drejt Stambollit. Në turmën elegante që mori pjesë në ceremoninë inauguruese nuk munguan skeptikët, që ishin të bindur se “udhëtimi nga Parisi në Konstandinopojë, ishte një marrëzi, si të mendoje të shkoje në Hënë”- shkroi në artikullin e tij gazetari i “Le Figaro”, Edmond Abut.

Së bashku me shkrimtarë dhe personalitete të tjera, ai ishte pjesë e 40 miqve specialë, të cilët hipën në tren në udhëtimin inaugurues. Të gjithë ishin tejet të emocionuar për këtë përvojë të re, dhe rekomandimi për të pasur me vete nga një revolver, vetëm sa e shtoi eksitimin.

Por kush ishte arkitekti i këtij xhevahiri që ecte mbi shina? Një inxhinier i ri belg, Zhorxh Nagelmaker (1845-1905), që vinte nga një familje bankierësh. Gjatë një udhëtimi në Shtetet e Bashkuara, ai hipi në vagonat e pajisura me shtetër të kompanisë “George Mortimer Pullman”, ku mund të flihej, por pa ndonjë intimitet të vërtetë.

Ai mbeti kaq i impresionuar, saqë sapo u rrikthyer në shtëpi, themeloi kompaninë “Compagnie Internationale des Wagons-lits” për të prodhuar trena të klasit të parë, luksozë dhe të rehatshëm, për klientelën më të zgjedhur europiane.

Suksesi ishte i aq i madh, sa që midis viteve 1883- 1940 rrjeti hekurudhor kishte 29 linja që lidhnin Londrën me Parisin dhe Stambollin, Athinën, Damaskun, Teheranin. Por edhe me Madridin, Lisbonën, Romën, Nisën, dhe resortet e fashme të skive në Alpe (Leh, Insbruk etj).

Orient Ekspres, ishte një stoli e vërtetë e teknikës dhe elegancës. Vagonët u pajisën me krevate, që gjatë ditës shndërroheshin në divanë të rehatshëm.

Treni kishte një dhomë biblioteke, ku mund të pihej duhan, një sallë pritjeje për zonjat, dhe një zyrë për ata që donin të shkruanin apo të punonin në paqe. Në një vagon-restorant, një shef kuzhinier, gatuante ushqimet më të veçanta. Çdo gjë shërbehej në enë prej porcelani, me takëme argjendi, dhe të shoqëruar me verëra të shkëlqyera.

Treni i linjës Orient Ekspres, ndihmoi në nxitjen e modës ekzotike të një Orienti të ëndërruar dhe misterioz, dekadent por të rafinuar. Një fenomen i lindur në shekullin e XVII, që u përshkallëzua në shekullin XIX. Artistët dhe shkrimtarët si Ingres, Delakrua, Hygo dhe Bajron, u magjepsën nga bukuria e Konstandinopojës, qyteti i 100 xhamive, Bizantit të lashtë, pikëpamjet e të cilit ishin aq “çuditërisht aq të bukura, sa të vinin në dyshim realitetin”, shkruante poeti francez Teofil Gotie më 1853.

Bota elegante dhe kozmopolite e ‘Belle Époque’ (Epokës së Bukur), e bëri Orient Ekspresin shprehje të simbolit të saj. Karoli II i Rumanisë, Sulltan turk Abdyl Hamiti II, dhe Mbreti Leopoldi II i Belgjikës, ishin ndër udhëarët e shpeshtë. Dhe në një ditë, në vitin 1902, treni kishte në bord një shtëpi të plotë aristokratike:Dukën e Madh Perandorak Vladimirin e Rusisë, Albertin e Prusisë, Princin e Danimarkës, Princin e Monakos dhe Kontin von Moltke.

Që atëherë Orient Ekspresi, fitoi pseudonimin e “mbretit të trenave, dhe trenit të mbretërve”. Por në këtë tren, mund të takoje edhe personazhe të dyshimtë, si Bazil Zaharof, një tregtar shumë i fuqishëm armësh në kohën e Luftës së Parë Botërore.

Një tjetër personazh i pazakontë ishte armeni Kalust Gulbenkian, i cili në korrikun e vitit 1896 u ngjit në tren për t’i shpëtuar masakrës, që përfshiu bashkatdhetarëve të tij, duke marrë me vete, të mbështjellë në një qilim, djalin e tij Nubar. Gulbenkian, u bë më vonë shumë i pasur në biznesin e naftës.

Por Orient Ekspres u përdor gjithashtu nga spiunët dhe agjentët e fshehtë. Lorenci i Arabisë, që u bë në vitet e Luftës së Parë Botërore një nga udhëheqësit e revoltës arabe kundër sundimit turk, ishte në vitin 1909 ende një student. Ai kreu udhëtimin e tij të parë në këtë vend të largët, pikërisht në bordin e Orientit Ekspresit, dhe u rikthye atje shumë herë.

Në vitin 1910, balerina Mata Hari udhëtoi me trenin e famshëm, më pas u rekrutua si spiune nga gjermanët, dhe u pushkatua nga francezët më 1917-ën. Robert Baden-Pauell, i cili punonte për shërbimin sekret britanik (por që sot është më i njohur si themeluesi i Lëvizjes Skaut), udhëtonte shpesh me Orient Ekspres, duke u paraqitur si një koleksionist fluturash, në krahët e të cilave vizatonte në miniaturë hartën e fortifikimeve të armikut dhe pozicionimin e topave.

Më vonë do të jetë radha e Kim Filbit, Riçard Sorges, Naum Ejtingonit, Ramon Merkaderit:të gjithë agjentë të famshëm, në shërbim të Kremlinit. Në fund të Luftës së Madhe, Orient Ekspres pushoi së ekzistuari. Si pasojë e luftës, vagonët u dëmtuan rëndë ose u shkatërruan.

Kështu, ”Compagnie Internationale des Wagons-lits”, i zëvendësoi ata me vagonë të tjerë edhe më luksoze prej hekuri, për të eliminuar zhurmën që bënin vagonët prej druri. Edhe klientela ndryshoi. Gratë mbanin tashmë flokë dhe veshje të shkurtra; ndërsa burrat i mbanin flokët e lëpira pas skalpit të kokës.

Orient Ekspres, i rikthyer në modë, ishte simbol i dëshirës për të jetuar në vitet 1920. Por lufta kishte lënë tashmë gurmët e veta, dhe shpesh në trenat e tij takoheshin rusë të bardhë të dëbuar nga Revolucioni i Tetorit, apo anglezë, amerikanë dhe francezë të tronditur nga spektakli i Europës së shkatërruar.

Në marsin e vitit 1929 Trocki, i dëbuar nga Stalini, u ngjit në trenin Orient Expres për të udhëtuar nga Parisi në Stamboll. Këngëtarja e famshme gjermane Marlen Ditrih e përdorte vazhdimisht atë linjë, ndërsa Agata Kristi njohu aty burrin e saj arkeolog.

Por në vitin 1931, “treni i mbretërve” u godit nga një tragjedi:terroristët shpërthyen shinat në Biatorbagit të Hungarisë. Disa vagonë dolën jashtë shinave, duke shkaktuar rreth 20 të vdekur dhe 100 të plagosur. Pas Luftës së Dytë Botërore, asgjë nuk ishte si më parë.

Perdja e hekurt që ndau Europën Lindore nga ajo Perëndimore, vështirësoi lëvizjen e trenave, të detyruar t’i nënshtroheshin kontrolleve të shumta e të imtësishme. Ndërkohë edhe udhëtarët nisën të preferonin shpejtësinë e avionit. Kompania jo vetëm që “humbi” etiketën luksoze në vitin 1948, por u detyrua të shesë njëri pas tjetrit vagonat.

Gjithashtu u shtua edhe klasi i dytë, në një përpjekje për të tërhequr pasagjerë të rinj. Nga vitet 1960 e tutje, rënia u bë gjithnjë e më e dukshme, dhe më 19 maj 1977 “treni i mbretërve” i bërë “demokratik” më vonë, kreu udhëtimin e tij të fundit, në të njëjtën linjë që e bëri atë të famshëm, Paris-Stamboll. / bota.al

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat