Rrëfimi i rrallë për mbretëreshën Geraldinë nga vajza e rritur me të në manastirin e “Zemrës së Shenjtë”, në Pressbaum të Austrisë

Historia

Rrëfimi i rrallë për mbretëreshën Geraldinë nga vajza e rritur me të në manastirin e “Zemrës së Shenjtë”, në Pressbaum të Austrisë

Nga: Aurenc Bebja Më: 29 gusht 2018 Në ora: 08:55
Shkrimi i “Le Journal”

“Le Journal” ka botuar, të dielën e 9 prillit 1939, në faqen n°3, një intervistë të rrallë me Genevièvën, vajzën që ka jetuar me mbretëreshën Geraldinë në manastirin e Zemrës së Shenjtë, në Pressbaum të Austrisë.

Gazeta franceze, duke dashur të di më shumë për mbretëreshën shqiptare, e ka pyetur Genevièvën mbi përshtypjet që ajo i ka lënë gjatë kohës që kanë qenë bashkë.

Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”:

Kujtime në manastirin e Zemrës së Shenjtë, ku Geraldina e Shqipërisë ishte një vajzë e madhe pafundësisht e mirë dhe e urtë.

-Por, meqë e njeh mbretëreshën Geraldinë, na trego përshtypjen që ke ruajtur prej saj.

Genevièva e vogël, që intervistova, m’u duk e druajtur.

-Pra, ti je rritur në shoqërinë e saj në manastirin e Zemrës së Shenjtë, në Pressbaum; na trego kujtimet e tua.

-Oh! sidomos, m’u përgjigj Genevièva, ajo më bëri të haja atë që mund të më bënte të ha ! Ajo ishte presidentja (përgjegjësja) e tavolinës sime. Duhet t’ju them se në Zemrën e Shenjtë, vajzat e vogla, kanë gjithmonë një presidente, më të madhe, e cila vrojton mbi to. Kur ajo shfaqej, bisedimet mbaronin, sepse ajo ishte e urtë dhe e ashpër. Ajo e mbante kokën drejt dhe mundohej të drejtonte flokët e saj kaçurrela.

“Fëmijët e mi” – thonte ajo, “nëse nuk hani, ju do të jeni më vonë krimba të vegjël, por kurrë gra.”

-Dhe sidomos jo mbretëresha, përgjigjeshim ne atëherë; sepse e dinim, që një cigane e vjetër i kishte parashikuar Geraldinës se do të martohej me një mbret.

“Kur, për të bërë shaka, e thërrisnim “Mbretëresha Geraldinë”, ajo nuk protestonte, nuk zemërohej, por as nuk qeshte. Vajzave të rritura u dukej e bukur. Ajo ishte gjithashtu shumë e mirë. Kur një vajzë e vogël kishte një problem, Geraldina ishte gjithmonë e gatshme t’a ndihmonte.”

“Kur e morëm vesh në manastir, një vit pas nisjes së saj, që ajo po martohej me Mbretin Zog, nuk qemë të befasuara. Mbretëria e Shqipërisë na u duk paksa e vogël për Geraldinën. Ne menduam se ajo do të ishte së paku një ditë mbretëreshë e Amerikës apo Japonisë.”

“Nënat e shkreta (motrat e manastirit) ishin të pikëlluara dhe të mahnitura. Mendoni vetëm një çast, një nxënëse e Zemrës së Shenjtë që martohet me një mysliman ? Apo gati sa dhe kishin thënë se ajo ishte bërë myslimane?”

“Kjo nuk ishte e vërtetë. Geraldina erdhi në Austri disa javë para martesës së saj dhe nuk mungoi të shkonte për të parë nënat që e kishin rritur. A i bindi ato ? A e pranuan ato vendimin e saj ?”

“Kur ajo u nis për në Tiranë, mori urimet e mësuesve (edukatorëve) të saj dhe bekimin e rrëfyesit të saj.”

Genevièva nuk më tha asgjë më shumë. Ngjarjet në Shqipëri e trishtojnë atë, sikur të ishte vendi i saj. “E shkreta Geraldinë, përsëriti ajo, e shkreta mbretëreshë Geraldinë !”

Po, e shkreta Geraldinë, fatet mbretërore nuk janë për t’u patur zili sot. — D. A.

https://www.darsiani.com/la-gazette/rrefimi-i-rralle-per-mbretereshen-geraldine-nga-vajza-e-rritur-me-te-ne-manastirin-e-zemres-se-shenjte-ne-pressbaum-te-austrise/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat