50 vjetori i hapjes së klasën së V-të, të ciklit klasor, në Dobrosin të Bujanocit

Historia

50 vjetori i hapjes së klasën së V-të, të ciklit klasor, në Dobrosin të Bujanocit

Nga: Sevdail Hyseni Më: 28 shtator 2018 Në ora: 08:17
Dobrosini vendbanim kufitar i Bujanocit

Para 50 vjetësh, pikërisht, në vitin 1968, në Dobrosin të Bujanocit, u hap klasa e pestë, cikli i ulët mësimor, paralele e ndarë e Shkollës Fillore “Muharrem Kadriu”, në Tërnoc.

Në këtë periudhë gjysmë shekullore, drejtor i shkollës qendrore në Tërnoc, ishte ish deputeti Ramdan Ahmeti – Daci, ish deputeti popullor në Kuvendin Republikan të Serbisë, tashmë i ndjerë dhe zëvendës drejtor Shaban Xheladini, veteran i arsimit dhe një veprimtar i devotshëm i çështjes kombëtare.

Për të mësuar më shumë rreth gjendjes së atëhershme të arsimit shqip në Dobrosin dhe rrethinë, biseduam me Halim Hasanin, mësimdhënës në shkollën fillore të këtij vendbanimi të brezit kufitar Kosovë – Serbi, një nga zonat më të bukura shqiptare jo vetëm në Luginë, por edhe më gjerë në hapësirat etnike.

Bashkëbiseduesi ynë, Halim Hasni, një mësimdhënës i lëndës së historisë dhe një krijues i aforizmit, autor i disa librave të zhanreve të ndryshme letrare, na bënë të ditur së për hapjen e klasës së pestë në Dobrosin, një kontribut të jashtëzakonshëm e kanë dhënë veprimtarët: Bejxhet Saqipi, Hamdi Jashari, Hevzi Ibrahimi, tashmë të gjithë të ndjerë.

Meqenëse, vetë bashkëbiseduesi ynë z. Hasani, ishte nxënës i gjeneratës së parë të klasës së pestë, të hapur para 50 vjetësh, nuk ngurron të flas me kënaqësinë më të madhe për shokët e klasës, të cilët disa prej tyre kanë mbarur fakultete të ndryshme, disa kanë shkuar në përdim për punë, e disa më nuk janë në mesin e të gjallëve.

Në vitin shkollor 1968/1969, klasën e V-të në Dobrosin e filluan katër gjeneratë, disa që e kishin mbaruar më herët klasën e IV-të e disa më vonë, të cilët për të mos udhëtuar në Pograxhë të Gjilanit, kishin pritur t’i ndjekin mësimet në vendlindjen e tyre.

Image
Halim Hasani, mesimdhenes dhe krijues i aforizmit - Bujanoc

Sipas të dhënave të Halim Hasanit, në bankat e klasës së V-të, patën fatin të ulen 14 nxënës prej tyre vetëm një vajzë. Gjithashtu këta nxënës patën privilegjin të kenë për mësues Qazim Lutfiun nga Konçuli, me vendbanim të përhershëm në Osllarë, tashmë veteran i arsimit.

Klasën e V-të të ciklit të ulët në Dobrosin e ndoqën: Halim Hasani, bashkëbiseduesi ynë, arsimtar i historisë, pastaj Hasan Sulejmani, arsimtar i BAT-it (Bazat e Arsimit Teknik), Miftar Beqiri, arsimtar i gjuhës angleze, Qani Mustafa, arsimtar i mësimit klasor, Vaxhide Saqipi, Isak Rashiti, punëtor në Zvicër, Hetem Bediu, Muhadin Neziri, tashmë të ndjerë, Ismet Emërllahu, punëtor në Amerikë, Adem Rexhepi, agjustator jeton në Gjilan, Hysen Beqiri, jeton në Zvicër, Limon Rexhepi, pensionit jeton në Zvicër, Rabit Saqipi, Sabedin Sahiti, Mustafë Rexhepi, Zymber Saqipi, bujk jeton në Dobrosin dhe Vasuf Sulejmani, punon në administratën komunale të Bujanocit. Disa nga punëtorët arsimorë të kësaj gjenerate të parë të klasës së pestë e zhvillojnë procesin arsimor në Dobrosin, Bujanoc e Gjilan.

Kontributin për hapjen e klasave të tjera nga e V-ta deri te e VIII-ta e kanë dhënë mësuesit nga Turia e Bujanocit: Habib Begzadi e Bajram Hebibi.  Dëftesa e klasë së VIII-të, janë lëshuar në qershor të vitit 1972.

Në përmbyllje të bisedës bashkëbiseduesi ynë Halim Hasani, shtoi se deri në vitet e 80-ta, kjo vatër arsimore kishte më shumë se 230 nxënës, kurse me keqardhje shprehet se nga viti 2000, në mënyrë drastike vije deri te zvogëlimi i numrit të nxënës, mësimdhënësve dhe paraleleve.

Ky zvogëlim i numrit të nxënësve dhe paraleleve, vjen si rezultat i migrimit të popullatës së Dobrosinit, në perëndim dhe Kosovë, për shkak kushteve të vështira ekonomike dhe presioneve të vazhdueshme politike nga ana e pushtetit qendror të Beogradit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat