Bardhyli, Batoni, Dardani

Historia

Bardhyli, Batoni, Dardani

Nga: Prof. Dr. Rexhep Doçi Më: 30 tetor 2018 Në ora: 11:37
Prof. Dr. Rexhep Doçi

Për mbretin ilir Bardhylin kemi të dhënat nga vepra “Historia e popullit shqiptar” (I), ku pos tjerash shkruan: “Në fillim të shek. IV para e. sonë federata e enkelejve, në krye të së cilës ishte Bardhyli, u bë një fuqi mjaft aktive”. S’ka dyshim se antroponimi Bardhyl përbëhet prej dy fjalësh shqipe (i, e) bardhë dhe yll (il, hyll), që kuptojmë kultin ndaj yll-it, i cilin njëmend duket i bardhë, që është përdorë dhe përdoret në shumë emërtime, sidomos në kontinuitet në onomastikën historike. Po për zotësinë e sundimit të Bardhylit në Iliri, si dhe për etimologjinë e këtij emri Bardhyl kuptojmë deri diku nga mendimi i Faik Konicës, sipas të cilit: “Shkodra ishte kryeqytet i Ilirisë dhe qytet në lulzim në shek. IV p. e. s. I tillë ishte në kohën e Bardhylit (ose Ilit të Bardhë), kur mbretëria kishte arritur kulmin e zgjerimit që nga Triestja në perëndim e deri në  gjirin e Artës në Jug”. Format fonetike të tingullit –dh- në fjalën e moçme shipe  bardh,  p. sh. si –d-, -l-, -z- dhe –l-, i kam përimtuar në dy vepra të mia: “Onomastikë ilire-shqiptare në Ballkan”, dhe “Pellasdët (pellazgët) gjyshër të ilirëve dhe stërgjyshër të shqiptarëve” (f. 189-192).  

5) BATONI

Ndër antroponimet më të shpeshta ilire, si dhe të emrave të mbretërve ilirë është emri Baton. Që në fillim po bëj me dije se në veprën “Historia e popullit shqiptar” mësojmë për dy mbretër ilirë: “Udhëheqës kryesorë të kryengritjes që ishin dy Batont, njëri nga fisi i desiatëve të Bosnjës Qendrore e tjetri nga fisi i breukëve”. Porse, një mbret të tretë, të fisit dardan Baton, si i biri i mbretit dardan Longarus, e thekson Fanulla Papazogllu. Edhe arkeologët shqiptarë, Vangjel Toçi e Skënder Anamali e theksojnë antroponimin Bat-Baton të para erë sonë në qytetet ilire të Shqipërisë. I pari i përmend antroponimet: Bat në Kalanë e Irmajt (Gramsh) dhe Batuna e Batina të shek. III-I p.e.s. në Durrahun (Durrësin) antik, kurse S. Anamali e cek një antroponim Baton në Apolloni. Për përdorimin e antroponimit Baton nga Dardanët apo Trojanët paraantikë të Luftës së Trojës në Azinë e Vogël bën të ditur Zaharije Majani, i cili thotë: “Dardanët i japin emrin Dardaneleve. Shumë Trojanë mbajnë emra ilirë: Baton, Paris, Buninos”. Gjithashtu edhe Prof. E. Çabej thekson se ishte i pranishëm antroponimi “Bato (në Dardani, Dalmaci, Panoni)”, dhe se e përmend si një ndër fiset kryesore të ilirëve fisin “Bathiatët në luginë të Matit”. Kjo trajtë e fisit ilir pikërisht në krahinën e Matit të Shqipërisë Bathiatët sikur e dëshmon prejardhjen e këtij fisi dhe të emërtimeve të shpeshta të antroponimeve, patronimeve e oikonimeve me bazën bat- (për bathë, pasul, groshë), që hasen edhe në paraantikë, antikë, mesjetë e sot, se kanë prejardhje prej fjalës me prejardhje pellasde-ilire-shqipe bathë-a “pasul, groshë, fasule”, që sot ka mbetur fjalë e fjalorit të pasivizuar të shqipes në përdorim në onomastikë. Kjo prejardhje bëhet edhe më bindëse, nëse kemi parasysh se ekziston edhe batha e egër apo pasuli i egër nëpër male, që binë vetë, e pakultivuar. Kështu, të kësaj prejardhjeje ne i shohim patronimet e shqiptarëve: Batatina (Besianë – Llap), Batashi (dikur në Junik), Batku dhe Batha (në Shqipëri), si dhe emrat e fshatrave të Kosovës: Batusi (Fushë Kosovë), Batusha (Gjakovë) dhe Batahiri (Shalë e Bajgores), Batushica (në Sanxhakun e Nishit) etj. Sipas kësaj etimologjie, që s’është e pabazë, e kemi vështirë të pajtohemi me mendimin e Millan Budimirit për antroponimet ilire me rrënjorin bat-, i cili, duke cituar edhe studiues të tjerë, thotë: “Të njëjtin mendim si të Strabonit e ka edhe Novaku lidhur me përcaktimin e emrave të përkatësisë dardane. Edhe ai ka për bazë dokumentet gjuhësore dhe atë emrat Baton e Longarus, në bazë të cilëve edhe P. Kreçmeri dardanët i përcakton ilirë…nuk na ndihmojnë as 22 Batonat nëpër pjesë të ndryshme të bregdetit mediteran. As Oshtiri e as Novaku nuk dinë për domethënien e bazës Bat. Prandaj emrat tonë Brzak (Shpejtak – R. D.) ose Hitrac (Vrapues) janë të ngjashëm”. Etimologjia e këtyre mbretërve ilirë dhe të onomave të tjera nga fjala e protoshqipes bathë, që e kam shtruar edhe në më së 10 faqe të një libri, përforcohet edhe me mendimin e Prof. E. Çabej, se fjala bathë është e mbarë shqipes, si dhe me të dhënën e Petar Skokut, se kjo fjalë e shqipes është indoevropiane.

6) DARDANI

Është çështje e pakontestueshme se Dardani ishte mbreti i Dardanëve dhe i Dardanisë. Për Dardanin kanë shkruar shumë studiues, dhe ja si e paraqet J. G. Hahni: “Gojëdhëna e thotë se ai është djali i Zeusit edhe Elektrës. Straboni shkruan që dardanasit e vjetër banonin në Fushën e Kosovës, në Mezinë e sipërme, që i kishin marrëdhëniet nëpër tokë me dardanasit e Azisë së Vogël”. Sipas Prof. M. Domit, J. G. Hahni qe i pari, i cili afroi emrat ilirë “Dardania e Dardan me fjalën shqipe dardhë”. Në një mënyrë apo tjetër Dardani si mbret i dardanëve shfaqet edhe te Homeri, te “trojanët dardanë dhe portat dardane” të Trojës, që Homeri cek në “Iliadë”: “pas shtylle t’varrit që trojanët ia ndreqën atit të lashtë Il Dardanit”, dhe njofton më tej, që “Akil hyjnori qëlloi Laogonin tok me Dardanin”, si dhe na njofton për  “kalanë mbretërore të Priam Dardanit” etj. Po shihet qartë se Homeri përdor emrin vetjak si antroponim Dardan dhe si patronim: Il Dardani (për Yll Dardani-R. D.) dhe Priam Dardani. Edhe toponimi i tashëm Dardanelet, ndërmjet kontinenteve të Azisë dhe Afrikës (10 km afër rrënojës së Trojës), ka të bëjë me Dardanin dhe Dardanët, për të cilin toponim të ngulitur dhe përdorur nëpër mijëvjeçarë Enzo Gatti bën të ditur: “Dardanët arrijnë në ngushticën e Dardaneleve”. Ngjashëm për Dardanelet e dardanëve shkruan edhe Zaharije Majani, që thamë edhe më sipër se: “Një fis tjetër ilir, Dardanët vendosen në lindje, në Samotrakë e Troadë, ku i jepin emrin e tyre Dardaneleve”. Për Dardanin si mbret ilir sikur kuptojmë edhe nga mendimi i Arsim Spahiut që thotë: “M. G. L. Hammmond shkruan se Dardani është djali i madh i Ilirit. Në krye të herës dardanët zunë vend në afërsi të malit të Sharrit (Dardani)”.  Për kohën se kur ka sunduar si mbret ilir Dardani, ose njëri prej mbretërve ilirë me emrin Dardan, na thonë bashkautorët Patrick Colquhoum dhe Pashko Vasa, pas të cilëve: “Dardani thuhet të ketë mbretëruar më 1568 para Krishtit”. Ndërkaq, për dardanët si bashkëfisasë të trojanëve, si dhe për praninë e hershme të onomave që nga koha mbase parahomerike me bazën *dard- > dardh- bën të ditur prof. E. Çabej, p. sh. në trevat në Dardani, në Apuli të Italisë, në Tesali, në ishullin Lesbos etj. Sot ka sa e sa patronime të shqiptarëve me fjalën dardhë, por po i theksojmë vetëm disa emra të fshatrave me këtë fjalë dhe me trajta të nduarnduarta të kësaj fjale, si p. sh.: katundi Dardhë i rrethit të Korçës, katundi Darzë i anës së Ulqinit, si dhe katundi Darda në Kroaci, si afër qytetit Osijek. Dhe s’do mend se katundi Darda në Kroaci ka bazë antroponimike, i formuar në zanafillë nga një antroponim i farës Dard - Dardan, me kohë patronim, dhe më në fund oikonim, sepse në Kroaci ka sot përplot patronime të kroatëve me fjalën dardhë, që i përdorin si relikte të gjuhës së dikurshme pellasde-ilire-shqipe, p. sh.: Darda, Dardai, Dardali?, Dardi?, Dardeli?, Dardi? etj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat