Iliri, Ili, Ylli, Hylli

Historia

Iliri, Ili, Ylli, Hylli

Nga: Prof. Dr. Rexhep Doçi Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 14:51
Prof. Dr. Rexhep Doçi

S’do mend se paraprijësi, themeluesi, mbreti apo mbizotëruesi më i zoti i ilirëve dhe Ilirisë është Ili (Hyllus), për të cilin u fol edhe më sipër, dhe kujtoj se është nga fjala pellasde-ilire-shqipe il-yll-hyll ”trup qiellor”. Së pari, e dhëna më e fortë për emrin mbase e të parit mbret të ilirëve dardanë, si emër i moçëm, i thjeshtë Il, pa pjesën tjetër shtesë –ir, është Il Dardani, që përmendet në vargjet e veprës së mirënjohur botërore “Iliada” të Homerit: “Pas shtylle t’varrit, që trojanët ia ndreqen atit të lashtë Il Dardanit; nën mure t’Ilit, veç për nder të Tetidës”.  Nga Il Dardani, që u pa se e cek dy herë Homeri, mbase e mori emrin qyteti Ilion: “26. - Kalaja e Pergamit. Akropoli i kryequtetit të Trojës, Ilionit, që gjendej mbi një kodër”. Antroponimin Il e shohim edhe tek emërtimi Iliadë, vepra botërore e Homerit, e sajuar me fjalët e protoshqipes: Il “Yll” + ad “dhé, tokë”, pra, ylli i dheut, si mbret ilir në tokë, në krahasim me yjet e qiellit apo diellin në qiell si yll tek Ilioni në kodër, antroponimi Ili dhe prapashtesa –on.  Jo vetëm onomat e Homerit, antroponimi Il Dardani, qyteti Ilion dhe vepra Iliadë, po me këtë bazë Il-  në poemën “Iliadë”  theksohen si të njëjtë rrënjorët antroponimik Il-Hil në mesin e disa qyteteve të hershme në Beoti, siç ceket: “Iles, Eritre, Aleo dhe Hilë. Qytete të ndryshme të Beocisë në kohët e lashta”.  

Pos te Homeri,  këtë eponim apo antroponim Yll-i me trajta të ndryshme nëpër mijëvjeçarë, e gjejmë të strukur nëpër mote edhe në bazën e emërtimeve Ilirët dhe Iliria, për të cilat kanë shkruar edhe shumë dijetarë. Po e hapi këtë çështje komplekse, po me peshë  për të parët tanë të lashtë ilirët, me mendimin e H. Hecquard-it, që kujtoj se është i qëlluar: “Sipas autorëve të tjerë, si Palefati, Apoloni, Silaku, Ili (Hyllus), biri i Herakliut dhe i Melisës u vu në krye të vendit dhe të banorëve që u quajtën ilionas, prej nga rrjedh fjala Iliri…Farlati, duke e pranuar mendimin e Apolonit, e konsideron Ilin si mbretin e parë të Ilirisë”. Për Ilirin, përkatësisht Hyllin, të birin e Herakliut apo Herkulesit, si dëgjohet ndër shqiptarë, e kemi mendimin largpamës dhe të hershëm (1894) të koautorëve Patrick Colqukoum dhe Pashko Vasës nga Londra, të cilët pothuajse na e përshkruajnë në një mënyrë ose tjetër për krijimin e zanafillës së fortë të Mbretërisë Ilire, pra, të pesë (5) mbretërve ilirë apo gjeneratave ilire, mbetër që për 120 vjet bënë pesë luftëra të vështira nën udhëheqjen e Hyllit, në të cilat luftëra ata ranë heroikisht një nga një për dhé në tokat e tyre, Spartë, Peloponez, Trakini, Athinë, Athinë, Iliri dhe Trojë, nëpër të cilat vende edhe sot e gjithë ditën jetojnë pjesërisht shqiptarët autoktonë.

Për të parin e ilirëve, Hyllin e vrarë, apo për një të parë të ilirëve në jug të Ilirisë në kohën para erës sonë, dhe për disa vende me rëndësi për vështrime gjuhësore me rrënjorin il-hil, që mund të përqasen ndoshta me protoshqipen dhe shqipen e sotme yll - hyll, e kemi mendimin e thuktë të studiuesit kroat, Duje R. Mioçviq: “Në bazë të Periplusit, të traktatit gjeografik nga shek. IV p. e. s., si dhe të të dhënave të shumta të mëvonshme, i biri i Hilit (‘Ýλος) eponim i etnosit të ngushtë ilir, Hila (Yllos) është vendosur  në tokën ilire. Gjithashtu sipas traditës Hili që ka qenë eponim i Hilejve të Epirit, ka shkuar në Iliridë, që ta krijojë  një koloni, por aty është vrarë në grindje me banorët e atij vendi”. 

15) JUSTINI E JUSTINIANI?

Image
JUSTINIANI

Për sundimin e këtyre dy mbretërve ilirë Justin e Justinian, sidomos në Perandorinë Lindore mësojmë nga vepra “Historia e popullit shqiptar”, ku shkruan: “Të tillë qenë perandorët Justin (518 – 527) dhe Justiniani I (527 – 565). Historiani Prokopi nga Qezarea, duke folur për origjinën e perandorit Justin, ilir nga Dardania, na tregon se ky, së bashku me dy bashkëfshatarë e kishte lënë fshatin e lindjes, kishte arritur në këmbë në Konstanipojë, ku hyri në radhët e ushtrisë dhe mundi të arrinte deri në postet më të larta shtetërore”.

Mbretin ilir dardan Justinian e përshkruan gjerësisht Prokopi i Cezaresë në veprën “Mbi ndërtimet” të vitit 560, i cili mbret bëri ndërtime dhe fortifikime të shumta jo vetëm në Dardani, po në treva shumë të gjera ilire, për të cilin, ndër të tjera shkruan: “Diku tek dardanët europjanë, të cilët jetojnë përtej kufive të epidamnasve (durrësakëve-R. D.), pranë fortesës Bederiana, gjendet një fshat me emrin Tauris, ku ka lindur perandori Justinian, themeluesi i perandorisë botërore. Ai e rrethoi këtë në një kohë të shkurtër, me një mur në formë katrori dhe ngriti katër kulla në të katër qoshet…Ka pasur në Dardani, që prej kohëve të lashta, një qytet që quhej Ulpiana. Muret e këtij (që ishin duke rënë) ai i rindërtoi që të gjitha”. Justiniani bëri rindërtime dhe ndërtime të reja prej më së 360 fortifikatash nëpër tokat ilire, vëçmas si më afër vendlindjes së tij, si p. sh.: “Në Epirin (e Ri); Në Epirin e Vjetër; Në Maqedoni; Në Dardani; Në teritorin e qytetit Sardike; Në krahinën e Kabetzos; Në teritorin e qytetit Germene…; Në krahinën Skasetana; Në Krahinën e Remesianës; Në krahinën e qytetit Akue Timathohiom…”. Studiuesi maqedon Petar Hr. Ilievski emrin e sotëm të fshatit Taor në rrethin e Shkupit e identifikon me emrin e fshatit të sotëm Tauris, të vendlindjes së Justinianit të I-rë.

16) KONSTANTINI I MADH - KONSTANTIANI -KONSTANTI - KOSTANDINI

Image

Me trajta gjuhësore të nduarnduarta hasen shumë emra të mbretërve ilirë të tipit Konstantin, përafërsisht prej vitit 293 – 340 të erës sonë, që përdoren edhe gabimisht si perandorë romakë, ose si komandantë e prefektë të Bizantit, si p. sh. në veprën “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”. Por, në veprën “Hisotoria e popullit shiptar” përmendet mbreti ilir Kostadin, në mesin e emrave të disa mbretërve të tjerë ilirë gjatë periudhës së sundimit të tij, që cilësohet sundim romak, siç theksohet: “Në shek. III dhe në fillim të shek. IV, për afro 100 vjet i mbajtën frerët e perandorisë romake perandorë me origjinë ilire (pra, mbretër ilirë – R. D.) si p. sh. Deci, Klaudi II, Aureliani, Diokleciani, Kostadini etj.”. Për jetëshkrimin e Konstantinit të Madh ka shkruar bukur në imtësi Sazan Guri, sidomos për vendlindjen dhe vendvdekjen e tij,  si dhe për luftërat e tij në tokat pellasde - ilire – shqiptare: “Sipas studiuesit Agron Shaqiri, Konstandini i Madh lindi në Naissus (Nish) më 27 shkurt 272. Vdiq në Ancyra (Ankara) më 22 maj 337. Perandor nga viti 306 deri në vitin 337. Babai i Konstandinit të Madh ishte Perandori Konstanci I, e ëma Helena, e shpallur shejtore. Ishte perandori  i parë krishter dhe themeluesi i Konstandinopojës… Konstandini u angazhua në luftëra kundër uzurpatorit  Achilens në Egjypt dhe Palestinë. Konstandini udhëhoqi një fushatë të suksesshme kundër gotëve në Danub. Edhe në vitin 334 Konstandini luftoi kundër sarmatëve, duke futurë në kontroll pjesën më të madhe të Dakisë… Para së të vdiste mori pagëzimin si i krishter. Trupi i Konstadinit i futur në arkivol të artë u varros në Konstantinopojë, sipas dëshirës së Tij, ku ishin përgatitur dymbëdhjetë varret simbolike të dymbëdhjetë apostujve…Konstandini mbrojti me vendosmeri prejardhjen dinastike prej Perandorit Ilir Klaudi II. Vetë u martua me vajzën e Perandorit Maksimian dhe motren Konstantia e martoi me Perandorin Licinus. Nën sundimin e Tij, Bizanti i vogël u bë Roma e Re (Qyteti i Konstandinit)”. Siç po shihet në familjen e Konstandinit, pos Konstandinit, edhe emri i të atit të tij është i ngjashëm - Konstanci I, si dhe i këtij tipi emërimi është edhe emri i motrës së tij Konstantia”.

 Për historinë dhe sundimin e Konstantinit të Madh në Ilirik ka shkruar sidomos shkrimtari i vjetër Eutropi, i cili ofron edhe të dhëna të tjera me interes për mbretin ilir “Konstantini i I, i njohur si Konstantini i Madh, perandor që nga viti 305 e deri në vitin 337, dhe i cili mbret zaptoi province të shumta, gjithë Dardaninë, Myzinë, Maqedoninë…”.

Me emrin e Konstantinit të Madh, si duket janë krijuar edhe disa qytete, kështjella nëpër tokat ku ai ka sunduar, p. sh.: “Konstantina, kështjellë  dhe qytet në Mesopotami (Azi – R. D.); Konstantiola, qytet në grykë të Moravës; Konstantinopoli, Constanipolis, qytet, Stambolli i sotëm”. Për themelimin e qytetit të Konstantinopolit gjuhëtari bullgar Ivan Duridanovi thotë se u krijua mbi themelet e qytetit thrakas ” Byzantion (Hdt., Thuk., Ptol. etj.), Byzatium (Liv., Amin. Marc. etj.) – qyteti Vizantion në Bosfor (më vonë është quajtur Konstantinopolis)”. Në kontinuitet, si perandor shfaqet edhe më vonë një “Konstandini i VIII (1025 – 1028)”. Për historinë e bujshme dhe lidhshmërinë e mundëshlme të Konstanit të Madh në periudha të mëvonshme, si dhe të përdorimit të antroponimit pellasdo-iliro-shqiptar Konstanti, mbase bëhet e ditur përmes kultit të rinjohjes së burrit me gruan pas disa vjetësh mergimi të burrit, që nga paraantika, antika, mesjeta e deri më sot. Kjo dukuri vërehet sidomos në epetë e Homerit dhe në epin hindus “Ramayana”, si dhe në këngët popullore shqiptare dhe të popujve të tjerë, të cilën çështje e  shtron dhe vështron thukët Prof. E. Çabej në punimin “Konstandini i Vogëlith dhe kthimi i Odiseut”. Sa për prejardhjen gjuhësore, për nga kuptimi për antroponimin Konstantin, kroati Bratolub Klaiqi i shpjegon fjalët me prejardhje latine konstanta, konstantan “i pandryshueshëm, ekzistues, qendrues”, kurse antroponimin e shpjegon sa vijon: “Konst?ntin, -ina, lat. ekzistues, i pandryshueshëm”.  Mbase emrat vetjakë Konstantin e Konstantine, në bazë të kësaj etimologjie, mund t’i krahasojmë me emrat e sotëm në përdorim nga shqiptarët Qendrim e Qendresë (Qendrime). Për nga të dhënat e fonetikës historike, gjasët janë se nuk janë edhe krejt të pamundëshme krahasimet fonetike, që një k- ballore shndërrohet në q-, zanorja –o- gjithashtu në disa raste ka dhënë –a-, po edhe –e- (mora>marr>merr), dhe –t-ja të jetë sonorizuar në –d- (*Konstantin > Qendrim?). Për përdorimin e fonemës ballore si k-, po edhe si q-, edhe sot përdoren që të dy trajtat te disa fjalë dialektore të sotme të shqipes në Kosovë, që deri diku dëshmojnë fjalët: kingj – qingj; kije-qe; kumsht-qumsht; kânë-qenë etj. Pra, krahasimi Konstantin = Qendrim(?), mbetet për t’u thelluar dhe ndriçuar në të ardhmen, sepse, ka përplot onoma që përdoren me trajta të ndryshme, si formante të përdorura në mënyrë pasive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat