Olimpia, Teuta, Rajani

Historia

Olimpia, Teuta, Rajani

Nga: Prof. Dr. Rexhep Doçi Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 15:31

Siç mësojmë nga vepra “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë” , një mbretëreshë ilire njihet me emrin Olimpia, e cila sundoi përafërsisht rreth vitit 320 p. e. s., dhe ishte “e bija e Pirros ilir, mandej edhe e shoqja e mbretit ilir Filip, si dhe edhe më me rëndësi, ishte e ëma e mbretit të famshëm ilir Aleksandër Mollosit apo Aleksandrit të Maqedonisë. Si mbretëreshë ilire del edhe në bazë të gjykimit të dhënë në veprën “Historia e popullit shqiptar”, ku shkruan: “Pas vdekjes së Aleksanrit, në Epir e morën pushtetin dy mbretër: Olimpia, e cila e la Maqedoninë për të qeverisur Epirin, dhe Ajkidi. Ajo u mund në betejë të dytë nga Kasandri dhe u ekzekutua (viti 317 p. e. s.”. Sa i përket prejardhjes gjuhësore dhe kuptimore të matronimit Olimpia, sa kam mundur të hulumtoj, studiuesit nuk sqarojnë sa e si duhet, pos që e përmendin Olimpin apo Malin Olimp si tempull apo seli të  zotërave apo të Zeusit, dhe atë jo vetëm në një mal në Greqi po edhe në Sicili, që konsiderohet, se është bukur bindës si vendbanim në kontinuitet pellasdo-iliro-shqiptar nëpër kohë e deri më sot. Për përdorimin e matronimit Olimpi në trashëgiminë shqiptare, ose ndër arbëreshët mesjetarë të Italisë sikur flet edhe personazhi i poems së Jeronim De Radës “Serafino Topia (1839-1843, me fragmente të këngëve të saj në shekullin XV”. Olimpia e De Radës paraqitet nëpër vendet e Olimpisë së moçme të viseve të Epirit, si në Janinë e Artë.

2O)  TEUTA

Mbretëresha e mirënjohur Teuta nuk përmendet posaçërisht as nga Karl Paçi e as nga Duje R. Mioçeviqi. Mirëpo, në veprën “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë” përmenden dy mbretëresha ilire me emrin Teutë: “Teuta, mbretëreshë e ardianëve (sundoi rreth vitit 229 p. e. s.)”, dhe “Teutana, mbretëreshë liburne”. Rrënjori teut- përdorej dendur sidomos në paraantikë e antikë, po edhe gjatë mesjetës e deri me sot sidomos në onomastikën shqiptare, ndonse e kemi vështirë të dimë për kuptimin e këtij emërtimi. Në veprën në fjalë (“Ilirët dhe Iiliria te autorët antikë”, f. 581) janë shënuar edhe onomat e kësaj fare: “Teutamidi, nip i Pellazgut, Homer; Teutiborgu-Teutibarku-Teutiborgion, qytet me kështjellë në Panoninë e Ultë; Teutiku, legat i Gentit; Teutramsi, qytet në Azi të Vogël”. Dhe, është fakt, që te Homeri ceken ”bijtë e Pellazgut Leto Teutamidit”. Shfaqet si patronim mesjetar i vitit 1313 edhe në anën e Vranjës. Për kuptimet apo trajtat e nduarduarta dhe të përafërta Teutana, Teudaris, Titus, Titini, Turan, Turanos na bën me dije pellasdologu Millan Budimiri në punimin e thuktë “Grci i Pelasti”. Për praninë e antroponimit Teuta në Itali flet gjithashtu M. Budimiri, pas të cilit: “Qyteti Piza (i cli ekziston edhe sot-R. D.) quhej më parë Teutana, e themeluan Pallazgët”. Si një fjalë e fjalorit pasiv të shqipes ne mendojmë, jo pa rezervë, se fjalën teut mund ta kërkojmë tek emrat e katundeve apo oikonimeve të Kosovës: Tushilë në Drenicë (nga Teutsh-Tush+Il-Yll, në fshat gjendet topogërmadha ilire); Shtuticë në Drenicë (nga parashtesa Sh+teut-tut +icë, fshati gjendet ngat fshatit Dubovë, ku gjendet rrënoja e kalasë që quhet Gjyteti); Shtitaricë, katund i Klinës (nga parashtesa Sh+ tit +ar +icë); Tugjeci, fshat i Dardanës – Gallap (nga Teut-Teutd-Teud-Tugj + -evc, -ec, në fshatin fqinj të Tugjecit, në Gmicë ndodhet rrënoja e fortifikatës ilire Mali Gjytetit); Tuçepi, katund i Podgurit – Istog (nga Teut>Teuti>Teutj>Tuç+ap, -ep “ujë”), etj. Gjasët janë se nëpër këto Kështjella Ilire sundonin sundimtarët, mbretërit pellasdë - ilirë me emrin Teutë-Teut gjatë qindëra apo mijëvjeçarëve dhe gjurmët e tyre të zbehura apo gati të humbura u ruajtën në gojën e pellasdo-iliro-shqiptarëve.  

21) TRAJANI

Për Trajanin ilir bëhet fjalë në veprën “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, për të cilin shkruan: “(M. Ulpius Trajanus), perandor në vitet 98 – 117…”. Porse, në një vend gjejmë të dhëna me interes për vendlindjen e tij në Mitrovicën tonë (Dardani-Kosovë), dhe se ka lindur në vitin 101, për të cilin  shkruan: “Trajan Decius. Lindi v. 101 në Budalia (Kos. Mitrovicë)”. Sipas këtij fakti, po del se Mitrovica deri në fillim të erës sonë është quajtur Budalia, oikonim me rëndësi, që mund të ndriçohet me anë të elementeve të gjuhës shqipe, por nuk po e analizojmë gjerësisht këtë herë. M. Grkoviqi mendon që “lat. Trajanus – emri i mbretit romak, ndërtuesit të urës së Danubit dhe pushtuesit të Dakisë”.  Trajani e ka ndërtuar edhe urën përmbi Danub, për të pushtuar provinca të tjera në fillim të shek. të II-të. Mirëpo, fitohet bindja se qysh atëherë mbreti ilir Trajani e kishte filluar përdorimin e administratës romake, mbase për ndryshimin e emërvendeve, përkatësisht të oikonimeve, duke i përkthyer emrat e vendbanimeve nga gjuha pellasde-ilire në gjuhen romane apo latine, dukuri të cilën e konstatojmë me mendimin e Anton Mayer-it, i cili thotë se emrin e qytetit ilir në Dardani Ulkiana (nga pell. Ilir. shq. ulk>ujk>uk), e kalkoi dhe e bëri  Ulpanium (“Ulcianum).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat