Letra e Presidentit Trump, mesazh i fortë, marrëveshja Kosovë Serbi do celebrohet në Shtëpinë e Bardhë

Intervista

Letra e Presidentit Trump, mesazh i fortë, marrëveshja Kosovë Serbi do celebrohet në Shtëpinë e Bardhë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 26 dhjetor 2018 Në ora: 18:45
Emrush Ujkani

Dialogu duhet të përmbyllet me njohjen reciproke të dy vendeve dhe një gjë e tillë tashmë nuk është larg, meqë vetëm është filluar të flitet për të duke përfshirë këtu edhe lidershipin në Serbi. Kështu ka thënë njohësi i të drejtës së Bashkimit Evropian profesori Emrush Ujkani në një intervistë për gazetën “Bota sot”” ku sipas tij një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do ti hapte rrugën edhe vendeve që pyeten, si Rusia, Kina, dhe 5 vendeve të BE-së për ta njohur pavarësinë e Kosovës, dhe anëtarësimin e saj në familjen e Kombeve të lira në OKB.

“Bota sot”: Qeveria e Kosovës ka qenë mjaft kritike ndaj përfaqësueses së lartë të BE-së e cila ka një qëndrim tjetër sa i përket taksave por edhe procesit të dialogut. Si shihni rrugë zgjidhjen e këtij raporti realisht të ftohtë?

Emrush Ujkani : Pa dashur të lëshohem në kritika individuale, mendoj që vetë qëndrimi i institucioneve të Kosovës karshi raporteve tregtare me Serbinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën është i mjaftueshëm për të ngritur këto “tensione”. Megjithatë, ajo që është për të ardhur keq qëndron në faktin se si Bashkimi Evropian gjatë gjithë kësaj kohë që ekziston dhe “zbatohet” marrëveshja e CEFTA’s nuk e ka pa të arsyes për të ndërhyrë tek Serbia kryesisht për diskriminimin që ju ka bërë produkteve Kosovare. Si nuk ka reaguar në shumë masa të karakterit ekuivalente që Serbia vazhdimisht ka ndërmarrë ndaj Kosovës. Mbase ka qenë i arsyeshëm qëndrimi se CEFTA përfaqëson diçka jashtë BE-së por në qoftë se atëherë do vlente ky vlerësim atëherë me duket e paksa e ekzagjeruar qasje paksa agresive e BE-së ne rastin kur Kosova vendos zbatimin e taksës 100% në produkte serbe. Në asnjë mënyrë nuk dua të avokojë për këso masa qofshin edhe për ato që janë ndërmarrë nga ana e institucioneve të Kosovës por në rastin konkret mendoj që institucionet e Kosovës nuk kanë pasur ndonjë alternativë tjetër rrjedhimisht një qëndrim i tillë mendoj që është i qëlluar.

“Bota sot”: Institucionet vendore kanë kritikuar BE-në lidhur me procesin e liberalizimit të vizave. Pse kjo shtyrje nëse janë plotësuar të gjitha kriteret?

Emrush Ujkani: Bashkimi Evropian edhe mund të kritikohet për mungesën e konsensusit në kuadër të shteteve anëtare për dhe lidhur me mos-liberalizimin e vizave për Kosovën. Kjo shtyrje ndodh sepse kemi të bëjmë me një organizatë multilaterale e në të cilën jo të gjitha vendet anëtare të saj kanë qëndrim të njëjtë për Kosovën. Në të njëjtën kohë ndodh në kohen kur kriza e refugjateve (me saktësisht jo gatishmëria për të pranuar refugjatë në shtetet anëtare) është ajo që padyshim ka pasur një ndikim të madh. Por, sa i përket kritereve megjithëse vazhdimisht kam përkrahur institucionet shtetërore se së paku në çështjen e liberalizimit të vizave janë bërë hapa substancial mendoj dhe vlerësoj që veçanërisht në luftimin e korrupsionit duhet të behët edhe më tepër. Kjo madje edhe ishte një nga fjalët e para për të mos ekzagjeruar, të ambasadorit të ri të SHBA-ve. Kjo tregon që në këtë drejtim kemi ende shumë punë për të bërë. Nuk dua të konstatoj që një mungesë e tillë ka ndikuar në mos dhënien e statusit të lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës në zonën Schengen por për të mirën e vendit dhe fuqizimin e raporteve me Evropën perëndimore dhe SHBA-të, Kosova duhet të bëjë më tepër në këtë drejtim.

“Bota sot””: A do të vazhdoj dialogu në formatin aktual të BE-së apo mund të ketë ndonjë format tjetër marrë parasysh kritikat ndaj Mogherinit? Kur pritni të vazhdoj dialogu?

Emrush Ujkani: Nuk mendoj që shkaku i ngecjes në dialog është zonja Mogherini dhe assesi nuk e besoj që BE do ndryshoj formatin sepse neve po mendojmë që duhet të ndryshoj. Dialogu do të vazhdoj besoj shumë shpejt por që ndoshta përveç BE-së do mund të ketë edhe akterë të tjerë të involvuar, këtu kam parasysh SHBA-të, të cilat përmes letrës së dërguar nga Presidenti Trump dy presidenteve Thaçit dhe Vuçiqit, sikur na dha një mesazh të fort se megjithatë marrëveshja së paku do celebrohet në Shtëpinë e Bardhë. Si do qoftë ajo çka mendoj se duhet të nënvizohet është fakti se për Kosovën Bashkimi Evropian ka qenë dhe vazhdon të jetë njëri nga partneret strategjikë. Rrjedhimisht pa marrë parasysh kritikat apo ngritjen e tensioneve ashtu si po flitet mes Kosovës dhe BE-së, prapë se prapë BE dhe Kosova do jenë të orientuara rreth arritjes së synimeve të përbashkëta. Shteti i Kosovës duhet ti jetë mirënjohës Evropës dhe këtu mendoj kryesisht në Bashkimin Evropian, për gjithë mbështetjen që ka dhënë direkt apo indirekt në ndërtimin dhe fuqizimin e shtetësisë së saj.

““Bota sot””: Çështja e përfaqësimit në dialog a mund të qojë në përplasje të reja ndërmjet faktorëve të brendshme politikë?

Emrush Ujkani: Kjo tashmë që një kohë është temë e diskursit tonë të brendshëm politikë. E kam thënë dhe do e ritheksoj edhe njëherë, Kosovës sot i duhet konsensusi i brendshëm politik më shumë së në vitin 1999, më shumë së gjatë negociatave në Vjenë dhe me shumë se në kohen e shpalljes së pavarësisë në vitin 2008. Pra përfundimisht sot skena politike duhet të jetë unik si asnjëherë më parë. Unë do bëja një krahasim këtu, sikur kur zhvillohen gara sportive në nivel nacional kur natyrisht edhe mund të jemi kundërshtar të njëri-tjetrit dhe dikush të humbas dhe dikush të fitoj apo edhe të palët të ndahen barabartë kjo pra është sinonim i skenës politike të brendshme dhe qe do ishte krejt normale mirëpo në qoftë se garojmë me kombëtare atëherë neve për aq sa i takojmë dhe e duam atdheun tonë Kosovën duhet të jemi një. Dhe kjo është imperativë sot sepse kemi ardhur në finalen e madhe ku këtu na duhet koncentrim dhe investim maksimal i secilit, këtu nuk guxojmë as të mendojmë të jemi të ndarë përndryshe historia do na mallkoj gjithmonë. Një Kosovë evropiane e cila është e hapur ndaj të gjithë fqinjëve të vet por e cila respektohet njëjtë nga fqinjët e vet dhe në aleancë të përjetshme më SHBA dhe vendet evropianë duhet të jetë synimi dhe orientimi ynë.  

“Bota sot”: Çfarë rezultati prisni të prodhoj dialogu?

Emrush Ujkani: Dialogu duhet të përmbyllet me njohjen reciproke të dy vendeve dhe gjykoj që një gjë e tillë tashmë nuk është larg meqë vetëm është filluar të flitet për të duke përfshirë edhe lidershipin në Serbi. Këta ta fundit tani problemin e vetëm e kanë që nga e gjithë kjo situatë së paku të mos dalin duarthatë ky është interpretimi dhe logjika e tyre e të bërit politikë, por Kosova nuk ka s’ka ti ofrojë askujt e aq më tepër kur flitet për territorin e saj dhe token tonë të shenjtë.

“Bota sot”: A mund të ketë ndonjë ndikim përfundimi i dialogut tek pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës?

Emrush Ujkani: Pa dyshim që po, një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do ti hapte rrugën edhe vendeve që pyeten, si Rusia, Kina, e lëre më 5 vendeve të BE-së për ta njohur pavarësinë e Kosovës, dhe që Kosova të anëtarësohej në familjen e Kombeve të lira në OKB. Pra do kishte ndikim shumë të madh në këtë drejtim dhe besoj që secili është i vetëdijshëm për këtë.

“Bota sot”: A mendoni se BE dhe bashkësia ndërkombëtare do të lejojn dështimin e dialogut pasi që kanë investuar një kohë të tërë në arritjen e këtyre marrveshjeve?

Emrush Ujkani: Personalisht nuk e besoj dhe mendoj që vlerësimi nëse ka dështuar apo jo dialogu duhet ti paraprijë një analizë e mirëfilltë. Neve duhet ta kuptojmë që në secilin dialog mund të ketë përparime por edhe ngecje të cilat mund të manifestohen edhe në formën që po shfaqet tani. Por nuk e besoj që e gjithë ajo kohë dhe investim i bërë do lejohet të dështojë. Marrëveshja e Prillit të vitit 2013 mendoj është një dokument që do jetoj gjatë na pëlqeu apo jo. Çfarë do marrëveshje gjithëpërfshirëse që po quhet tani e që do mund të arrihet do e ketë si bazë atë marrëveshje pra atë të Prillit të 2013 dhe shumë të tjera që janë arritur në ndërkohë pa e anashkaluar as edhe atë për asociacionin e Komunave serbe.

“Bota sot”: Pas gjithë këtyre tensioneve të raporteve Kosovë – Serbi dhe Kosovë – BE, a mendoni se do të na kundërvihet BE në rrugëtimin tonë në proceset integruese për ne BE?

Emrush Ujkani: Jo nuk e besoj që BE do i kundërvihet Kosovës për aq sa 23 shtete anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën si shtet Sovran dhe që si e tillë Kosova mund të marr vendime të pavarura, për më tepër vendime këto të nxitura nga Serbia, e cila vazhdon të ketë pretendime territoriale ndaj Kosovës (shihe Kushtetutën e Serbisë ku Kosova paraqitet si Krahinë e Serbisë). Përkundrazi BE do vazhdoj të jetë njëri ndër aleatet kryesore të Kosovës dhe jo vetëm në rrugëtimin e integrimeve evropiane.

“Bota sot”: Dialogu me Serbinë është nisur, gabimisht pa një platformë paraprake të analizuar mirë në përputhje me konceptin strategjik të shtet formimit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës?

Emrush Ujkani: Mendoj që këtu keni të drejt kur thoni që është nisur keq por edhe kjo donë një analizë. Koha kur është lansuar kjo ide vjen menjëherë pas opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Korrikut të vitit 2010. Pas këtij opinioni gati secili në Kosovë ka qenë i bindur që dialogu me Serbinë do jetë fund e krye proces që do dërgon në njohjen formale. Thënë kështu kësaj i ka munguar strategjia adekuate dhe rrjedhimisht nga ato që do pasojnë më vonë në negociata do jetë Serbia e cila në njëfarë mënyre do dalë më fituese se vetë Kosova, kjo për arsye se ajo ka hyrë në një proces që nuk ka pasur çfarë të humbas veçanërisht pas procesit në GJND-së dhe disfatës së pësuar, kujtojmë proces ky i filluar nga vetë Serbia.

“Bota sot”: Si e shihni dështimin e Kosovës në anëtarësimin në organizatat si Interpol dhe UNESCO a mendoni se ka qenë goditje e rëndë për Kosovën?

Emrush Ujkani: Natyrisht që mos anëtarësimi i Kosovës fillimisht ne UNESCO e tash këtë vit edhe në Interpol është një dështim në përgjithësi i institucioneve tona shtetërore. Megjithatë institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës nuk guxojmë që të ndalen dhe tash ti vajtojnë këto dy ngjarje por duhet të marrim mësim që mos të përsëriten në të ardhmen dhe që sa më parë të fillojmë të përgatitemi dhe me një diplomaci mendjemprehtë të anëtarësohemi në këto dhe shume organizata të tjera.

“Bota sot”: Cilët nga faktorët po ndikon në tërheqjen e njohjes?

Emrush Ujkani: Faktori kryesor është sjellja e Kosovës jo si duhet në raport me vendet që na kanë njohur dhe e dyta një diplomaci shumë agresive e Serbisë e cila gjithashtu bien ndesh me marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013 ani pse e njëjta nuk e detyron të na njoh. Tek kjo çështje mendoj BE është dashur të tregohet pak më e rreptë ndaj Serbisë dhe të ja bëjë me dijë se nuk ekziston mundësia edhe BE-ja edhe Kosova, përkundër faktit se disa nga shtet kyçe të BE-së këtë e kanë potencua vazhdimisht sikur Gjermania p.sh e cila vazhdimisht Serbisë i ka tërheq vërejtjen se Serbia mund të anëtarësohet në BE vetëm duke e njohur Kosovën.

“Bota sot”: Kush duhet dhënë përgjegjësi për këtë?

Emrush Ujkani: Përgjegjësi duhet të japin bartësit e institucioneve tona shtetërore dhe jo vetëm kjo qeverisje tani. Kjo mendoj është e natyrshme sepse ata janë bartësit e përgjegjësive kushtetuese shtetërore dhe sigurisht që barra bie mbi ta.

“Bota sot”: Cili është mesazhi i juaj për vitin 2019?

Emrush Ujkani: Uroj që viti në të cilin po hyjmë vendit tonë Kosovën ta gjejë më mirë se sa në këtë vit që po e lemë, popullit tonë të shumëvuajtur dhe i cili definitivisht meriton një jetë më të mirë ta kenë shëndetin, të na sjell zhvillim ekonomik dhe prosperitet, të ketë mundësi më të mëdha për të rinjtë tanë dhe ajo që e them gjithmonë të kemi nivel të edukimi më të mirë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat