Memli Krasniqi: Të shkojmë bashkë në Bruksel, si atëherë, në Rambuje

Intervista

Memli Krasniqi: Të shkojmë bashkë në Bruksel, si atëherë, në Rambuje

Më: 27 dhjetor 2018 Në ora: 13:44
Memli Krasniqi

Situata e brendshme politike në Kosovë, në jo pak raste ka ndikuar në ecurinë e reformave dhe proceseve integruese të saj. Kjo është vënë në dukje nga shumë politikanë dhe studiues të ndryshëm. Por problematik mbetet fakti i rolit të Bashkimit Evropian në të. Marrëdhëniet me Serbinë janë një pikë kyçe për të çuar përpara proceset integruese të Kosovës. Deputeti i Kosovës dhe Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në një intervistë për  “Shekulli”, ngre shqetësimin e ndasive politike dhe rolit të Bashkimit Evropian në Kosovë.

Si e shikoni situatën aktuale politike në Kosovë? A e pengon fragmentarizmi i partive politike ecurinë e Kosovës?

Dallimet politike janë normale, bile edhe të dëshirueshme, por jo gjithmonë të arsyeshme, sidomos kur bëhet fjalë për tema dhe çështje të rëndësisë nacionale. Fragmentimi politik karshi dialogut me Serbinë është në kundërshtim me traditën politike në Kosovë, kur dihet se gjithmonë në të kaluarën kemi qenë bashkë sa herë që është dashur të negociojmë me Serbinë, qoftë në Rambuje, në Vjenë apo në Bruksel. Me vjen keq që kalkulimet e politikës ditore kanë bërë që të krijohet një situatë e tillë, ku dy parti të mëdha opozitare refuzojnë për t’u bërë pjesë e delegacionit shtetëror. Por, lajmi i mirë është se ne si koalicion qeverisës në Kuvend, bashkë me një pjesë të opozitës, kemi miratuar një Rezolutë dhe ekipin negociator për dialogun me Serbinë, si dhe bashkë po punojmë në finalizimin e platformës për dialogun. Ajo çka është e rëndësishme është fakti se për një mori reformash në drejtësi dhe ne agjendën evropiane të reformave kemi pasur konsensus me opozitën dhe kemi arritur progres të përbashkët.

Në lidhje me dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, mendoni se do të ketë ndonjë zgjidhje nga ato negociata? A është akoma shkëmbimi territorial në krye të agjendës së Kosovës?

Kosova është e interesuar që ta përfundojë sa më shpejtë çdo çështje të hapur me Serbinë dhe si dy shtete të ecim përpara. Kosova e ka të qartë qasjen e saj në këtë proces dhe nga këto bisedime ne presim që të kemi njohje reciproke, anëtarësim të Kosovës në OKB dhe përshpejtim të integrimit euro-atlantik. Është jetike për të dy vendet dhe për tërë rajonin tonë që të ketë një zgjidhje finale të çështjeve të hapura mes Kosovës dhe Serbisë.

Si ka ndikuar ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian në procesin e dialogut të Kosovës me Serbinë?

Dialogu i deritanishëm ka dhënë rezultate të prekshme në disa fusha, por duhet pranuar se në shumë prej tyre Serbia nuk ka treguar vullnetin që t’i zbatojë marrëveshjet e arritura. Në këtë frymë, ne kemi pritur dhe kemi kërkuar nga BE-ja që t’i bëjë presion Serbisë për zbatimin e plotë të marrëveshjeve, por kjo nuk ka ndodhur. Sidoqoftë, ne besojmë në frymën evropiane, por edhe në përkushtimin e tyre për të arritur një marrëveshje finale dhe obligative.

Tashmë Kosova ka një ushtri të sajën, një element kyç për sovranitetin e një shteti. A do të pranohet ky realitet nga shtetet e tjera?

Ushtria e Kosovës është realitet tani e disa ditë. Kjo nuk është bërë njëanshëm, por në koordinim të plotë me shumë prej partnereve dhe miqve tanë ndërkombëtarë. Dilemat që mund të jenë tek ndonjë shtet apo institucion besojmë se me kohën do të tejkalohen, meqë Ushtria e Kosovës do të jetë një partner i paqes dhe një aleat i NATO-s.

Mendoni se vitin tjetër Kosova do të mund të përfundojë procesin e liberalizimit te vizave me Bashkimin Evropian?

Kosova, si asnjë shtet tjetër në Ballkan, ka plotësuar numrin më të madh të kritereve për heqjen e vizave. Dhe kjo është konfirmuar nga Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian. Tani e disa muaj vendimi është puro politik dhe në duart e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian. Ka një hezitim nga shtete të ndryshme, hezitim që nuk lidhet me Kosovën drejtpërdrejtë, por me politikën e tyre të brendshme, përfshirë këtu edhe drojën nga rritja e partive të ekstremit të djathtë. Ne do të insistojmë çdo ditë që sa më shpejt të merret vendimi final për heqjen e vizave për qytetarët tanë, sepse është një e drejtë që na takon dhe për të cilën kemi kryer të gjitha detyrat e kërkuara. Nuk ka asnjë arsye, politike apo teknike, që edhe më tutje të mbesim vendi i vetëm në Evropë që nuk mund të udhëtoj lirshëm në zonën Schengen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat