Ankthi që krijoi Thaçi me Kutinë e Pandorës

Intervista

Ankthi që krijoi Thaçi me Kutinë e Pandorës

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 30 dhjetor 2018 Në ora: 07:51
Adem Salihaj dhe Hashim Thaçi. (Foto ilustrim nga "Bota sot")

Ish-zyrtari i lartë shtetëror dhe partiak i LDK-së Adem Salihaj, në një intervistë për gazetën “Bota sot”, ka fol për gjendjen aktuale politike në Kosovë, ku ka vlerësuar se viti që shkoi ishte i vështirë dhe me sfida të mëdha nga ankthi që krijoi Hashim Thaçi.

Salihaj, ka folur edhe për Gjykatën Speciale, e cila tashmë ka ngritur aktakuzat e para, për dialogun me Serbinë, ngecjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për shumë çështje të tjera.

Adem Salihaj, gjatë kësaj interviste ka folur edhe për raportet e kryeministrit shqiptar Edi Rama me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe me Aleksandër Vuçiqin.

“Bota sot”: Z. Salihaj, si e shihni gjendjen politike në të cilën është duke kaluar Kosova?

Adem Salihaj: Kosova po kalon një vit të vështirë, me sfida të mëdha. Ajo që e karakterizoi vitin 2018 është konfuzioni dhe ankthi i madh që krijoi Hashim Thaçi me hapjen e Kutisë së Pandorës për ndryshimin e kufijve, respektivisht për një copëtim të ri të Republikës së Kosovës. Që nga koha e hyrjes së NATO-s , Kosova nuk kishte një situatë më konfuze, më të paqartë dhe më të rrezikshme.

“Bota sot”: Proceset politike të brendshme gjatë këtij viti a ishin progres apo regres për shtetin tonë?

Adem Salihaj: Të gjitha ato që kishte arritur Kosova për dhjetë vite të pavarësisë, humbën brenda një viti, krejt këto për shkak të veprimeve të Thaçit. Kosova pësoi një kthim prapa,me rrezik të madh të humbjes së territorit dhe të vetë shtetësisë së saj. Rezultatet që kishte arritur Kosova për 18 vite,u vunë në pyetje me vetë faktin se vetë territori i shtetit u kontestua nga vetë presidenti i tij. Megjithatë, si një veprim balansues, u pa formimi i ushtrisë së Kosovës, e cila krijoi një situatë të re në rajon, duke iu falënderuar pothuajse kryekëput sekretarit të Mbrojtjes së SHBA-ve, Matis, por gjithsesi edhe me aprovimin e Presidentit Tramp. Por, asnjëherë nuk duhet harruar faktin se kjo assesi nuk do të ndodhte pa përkrahjen e fuqishme të sekretarit Matis. Largimi i tij do të krijojë hendikep të madh për Kosovën. Është fat i madh që ai nuk dha dorëheqje  para se të krijohej ushtria e Kosovës.

“Bota sot”: Kosova në arenën ndërkombëtare këtë vit dështoi në shumë procese, ku ishte problemi?

 Adem Salihaj: Kosova dështoi në shumë procese të rëndësishme si pasojë e qeverisjes pa vizion dhe pa sens.

Janë tri procese të mëdha ,në të cilat dështoi Kosova: liberalizimi i vizave,anëtarësimi në UNESCO dhe anëtarësimi në INTERPOL.

Dështimi i anëtarësimit në UNESCO dhe ITNERPOL nuk është vetëm pasojë e diplomacisë së dobët,por edhe e një qeverisjeje të dobët brenda Kosovës dhe një lobimi të dobët te shtete të ndryshme. Përderisa Serbia po përdorte çdo mjet për ta penguar Kosovë, për Kosovën pothuajse nuk pati kush të lobonte. Institucionet e Kosovës u përfshinë në një vorbull anarkie institucionale,pa qeveri efikase, me një parlament të bllokuar dhe një president që punoi kundër shtetësisë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni diplomacinë e Kosovës, e cila po na përfaqëson në arenën ndërkombëtare?

Adem Salihaj: Diplomacia e Kosovës ishte një diplomaci sharllatane, pa asnjë takt dhe pa sens, shumë e dobët dhe me kundërefekte. Vetë ministri i jashtëm Pacolli nuk ka asnjë njohuri se si zhvillohet diplomacia e një shteti, bëri tepër shumë veprime të gabueshme e qesharake, shumë gafe, të cilat mund t’i bëjë vetëm një njeri i padijshëm dhe pa sens politik. Në anën tjetër, Thaçi si president,nuk punoi asnjë moment për forcimin e shtetësisë së Kosovës, as nuk u mor me lobim te shtete të ndryshme për interesa të Kosovës. Të gjitha vizitat që pati në shtete të ndryshme, i bëri me qëllim që të gjente përkrahje për copëtimin e Kosovës. As vetë presidenti i Serbisë nuk loboi më shumë për copëtimin e Kosovës se sa vetë Thaçi. Kjo shkaktoi dilema të mëdha te shumë shtete se a do të mund të mbijetojë Kosova si shtet. Si pasojë e këtyre veprimeve, u ndal plotësisht procesi i njohjeve të reja dhe procesi filloi të degradojë, madje duke tërhequr njohjet disa shtete .

Vetë kryeministri pothuajse nuk u mor fare me kontakte e as me vizita jashtë shtetit,duke e lënë lobimin plotësisht në duart e Thaçit dhe Pacollit. Ai gjoja se po merrej me detyrat e shtëpisë.

“Bota sot”: Si e shihni dialogun e Kosovës me Serbinë, dhe përfaqësimin nga presidentin Hashim Thaçi?

Adem Salihaj: Dialogu me Serbinë degradoi dhe u kufizua në temën e vetme, pra në ndarjen e Kosovës. Në të gjitha takimet që pati Thaçi me Vuçiqin,e vetmja temë ishte ndarja e Kosovës. Në dialog interferoi edhe Edi Rama,edhe ai në shërbim të copëtimit të Kosovës. Madje pazari i Edi Ramës me Vuçiqin u bë në Nish, ku gjendet qendra e rrezikshme ruse e spiunazhit. Fatkeqësia e Kosovës u rrit edhe për faktin se përfaqësuesja e BE-së, Mogherini ishte një përkrahëse e flaktë e Serbisë dhe e orientoi gjithë dialogun në favor të Serbisë. Unë kërkova në vazhdimësi nga partitë politike, përfshirë edhe PDK-në,që të eliminohet Thaçi nga dialogu,sepse ai po tentonte ta shkatërronte vetë themelin e shtetit të Kosovës. Sado që filluan të deklarohen kundër ideve të tij për ndarjen e Kosovës,ende nuk ka kaluar ky rrezik i madh.

“Bota sot”: A duhet të ndërpritet dialogu pas fushatës serbe kundër Kosovës?

Adem Salihaj: Kosova ka pësuar katër goditje të forta nga Serbia: bllokimin e anëtarësimit në UNESCO, bllokimin e anëtarësimit në INTERPOL, bllokimin e liberalizimit të vizave dhe bllokimin e njohjeve të reja, e si pasojë, fillimin e procesit të tërheqjes së njohjeve. Duke marrë parasysh se edhe vetë Thaçi dhe Pacolli ishin në anën e Serbisë,ajo krijoi avantazh aq të madh,sa që mori guximin që t’i kërkojë edhe vetë Shqipërisë që ta tërheq njohjen e Kosovës. Madje, duhet pohuar se ishte vërtetë e pabesueshme një gjë e tillë, kur kemi parasysh se ne jemi një komb. Por, guximi i Serbisë shpjegohet me faktin se në krye të Shqipërisë është një kryeministër proserb. Asnjë shpjegim tjetër nuk mund ta ketë kjo kërkesë e Serbisë. Madje,duhet thënë se përgjigja e Ramës ishte mjaftë e zbehtë dhe jo energjike, sikur i vinte keq që nuk mund ta bënte tërheqjen e njohjes.

Kosova duhet ta ketë një qëndrim unik për çështjet e hapura, të cilat duhet të negociohen me Serbinë. Ndërpreja e dialogut ndoshta nuk mund të bëhet për shkak të presionit të madh ndërkombëtar që bëhet në vazhdimësi ndaj Kosovës,por mund të definohen qartë interesat tona kombëtare në këtë dialog. Në anën tjetër, Kosova nuk ka asnjë arsye të ngutet,sepse nuk po e pret asnjë lloj beneficioni nga Bashkimi Europian. Përkundrazi,është Serbia është ajo që po ngutet. Kosova duhet të kërkojë reciprocitet të plotë në të gjitha aspektet,duke përfshirë edhe të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Asnjë e drejtë nuk mund t’u jepet serbëve në Kosovës,nëse ajo e drejtë nuk u jepet shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Përfaqësuesit e Kosovës duhet të flasin me një zë, ndërsa Hashim Thaçi duhet të përjashtohet nga çdo mundësi e pjesëmarrjes në dialogun me Serbinë.

“Bota sot”: Si e shihni procesin e Gjykatës Speciale, a u formua kjo pas dështimit të Kosovës për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit?

Adem Salihaj: Gjykata Speciale është formuar drejtpërdrejt si pasojë e një klike kriminale që qëndron qe disa vite në krye të Kosovës. Në formimin e kësaj gjykate, pa dyshim  kishte ndikim fakti se gjykata e Kosovës ishin të kapura nga kjo klikë kriminale, por nuk ishte vetëm kjo. Krimet e shumta që kishin bërë gjatë luftës këta të vetëquajturit komandantë, i dhanë material Serbisë dhe kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës,që të kërkojnë themelimin e kësaj gjykate. Madje ,edhe vetë Thaçi ishte militant i formimit të gjykatës Speciale,me shpresë se do të dënoheshin shokët e tij, por ai do të shpëtonte. Gjykata Speciale u bë një e keqe e domosdoshme.

“Bota sot”: A pritni nga Gjykata Speciale që t’i dënojë njerëzit e merituar që kanë bërë krime dhe atentate në Kosovë, ku vranë shumë veprimtarë dhe mbeten të plagosur edhe shumë të tjerë? A do të zbardhen të gjitha krimet me Gjykatën Speciale?

 Adem Salihaj: Të shpresojmë se Gjykata Speciale do të bëjë diçka në luftimin e krimit dhe kriminelëve të shumtë në Kosovë. Pas luftës janë vrarë shumë personalitete që kanë pasur pas vetes një veprimtari të vërtetë kombëtare për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Unë jam i sigurt se edhe Thaçi, por edhe plotë të vetëquajtur komandantë, në fund do të dalin që kanë qenë të lidhur me Serbinë dhe kanë punuar kundër interesave tona kombëtare. Edhe vetë eksponentë të drejtpërdrejt të vrasjeve politike kanë deklaruar se kanë pasur plane dhe detyra për eliminimin e figurave eminente të LDK-së, një numër i madh i të cilave janë eliminuar. Strukturat kriminale të PDK-së,përfshirë Thaçin,Kadri Veselin dhe SHIK-un e tij drejtpërdrejt janë të përfshira në likuidimin moral, kombëtar, politik e fizik të figurave eminente të LDK-së,përfshirë edhe figurat ushtarake të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Duhet të shpresojmë se nga Gjykata Speciale do t’i vijë edhe ndonjë e mirë Kosovës në eliminimin e krimit të organizuar, i cili, siç e dimë, ka kapur majat e shtetit tonë.

“Bota sot”: Këtë vit në Kosovë, kanë ndodhur shumë gjëra negative, ku kemi potë raste të politikanëve dhe familjarëve të tyre të përfshirë në krim të organizuar, korrupsion, haraç, madje edhe disa prej tyre janë kapur nga Policia e Kosovës me armë, por pastaj shumica prej tyre janë liruar. Çka do të thotë ky sistem i drejtësisë në Kosovë, kur njerëzit e pushtetit lirohen pas çdo vepre kriminale të kryer në Kosovë?

Adem Salihaj: Këtë vit kanë ndodhur në Kosovë kanë ndodhur lloj-lloj ngjarjesh,që tregojnë se shteti ynë është i kapur plotësisht. Kapet njeriu me 113 kilogramë heroinë dhe asgjë nuk i ndodhë,rri pak ditë në burg dhe lirohet. Më vonë merret vesh se qenka njeri i Thaçit dhe Kadri Veselit. Kapet me drogë dhe armë pa leje djalit i drejtorit të Policisë së Kosovës dhe asgjë nuk i ndodhë. Djem të funksionarëve më të lartë të PDK-së rrahin policin në detyrë dhe asgjë nuk u ndodhë. Ministra e zëvendësministra gjuajnë nëpër ahengje me armë ilegale dhe asgjë nuk u ndodhë. Zbulohen biseda për punësime të jashtëligjshme e kapje të shtetit në nivelet e larta dhe asgjë nuk u ndodhë. Kjo tregon se në shtetin tonë sundon mafia dhe anarkia. Ne jemi ende larg sundimit të ligjit. Kur e dimë kush është në krye të shtetit,atëherë nuk duhet të çuditemi që po ndodhin të gjitha këto.

“Bota sot”: A do të ndodhë që liderët e Kosovës dhe politikanët e fuqishëm të arrestohen dhe të burgosen, apo këtë vetëm Gjykata Speciale mund ta bëjë?

Adem Salihaj: Në Kosovë nuk do të ndodhë arrestimi i ndonjë funksionari të lartë,sepse gjykatat dhe prokuroria janë të kapura. Kjo i bie sikur mafia politike e Kosovës të vendosë ta arrestojë veten. Ndonjë arrestim edhe mund të bëhet, por vetëm nëse ai person ose grup kriminal nuk është i lidhur me pushtetin, ose nëse vetë pushtetarët kanë vendosur ta sakrifikojnë ndonjë anëtar të tyre, për të lënë përshtypjen e rrejshme se po luftohet krimi i organizuar.

“Bota sot”: Kur jemi të Gjykata Speciale, a do të bien në “kurthin” e Hashim Thaçi shumë personalitete të luftës së Kosovës, shokë të tij për të shpëtuar vet ai, ashtu siç po deklarohet në opinion?

Adem Salihaj: Pavarësisht se nuk kam aq besim te Gjykata Speciale,mendoj se disa prej emrave të rëndësishëm të PDK-së do të arrestohen. Se sa do të dënohen nuk e di,sepse duhet ta kemi parasysh se do të ketë mjaftë dëshmitarë,të cilët nuk do të kenë guxim të dëshmojnë,për shkak të rrezikut për jetën e tyre. Ne të gjithë e dimë se janë vrarë numër i madh i dëshmitarëve. Deri tash,as shteti ,e as gjykatat ndërkombëtare nuk kanë treguar gatishmëri për mbrojtjen e dëshmitarëve. Një gjë është e sigurt, deri sa Thaçi të ketë ende shokë për të dërguar në Gjykatën Speciale,ai nuk do të arrestohet. Shpesh e kam thënë se Thaçi do të arrestohet i fundit, kur më të mos ketë shokë për të arrestuar.

“Bota sot”: Kosova gjatë vitit 2018 e votoi Demarkacionin me Malin e Zi në këmbim për viza, si e shihni tërë këtë proces?

Adem Salihaj: Procesi i liberalizimit të vizave ka dështuar plotësisht. Tash u pa përfundimisht se çështja e demarkacionit ishte kusht mashtrues,ashti siç kishim thënë shumë herë disa prej nesh. Pra, persona proserb në BE dhe në Kosovë,duke përfshirë edhe Hashim Thaçin,e kishin futur demarkacionin si kusht për liberalizim të vizave, vetëm që Kosova ta humbte një copë të territorit të saj. Ne, që e kemi kundërshtuar marrëveshjen e demarkacionit, e kemi thënë vazhdimisht se edhe nëse i japim 8200 hektarë të territorit të Kosovës,nuk do të bëhet liberalizimi i vizave. Kjo edhe ndodhi. Liberalizimi i vizave nuk duket askund në horizont dhe nuk duhet përjashtuar përsëri mundësinë se Thaçi ka nxitur Mogherinin dhe funksionarë tjerë proiserb në BE që të mos ia bajnë liberalizimin e vizave pa ia dhënë edhe një copë të madhe të territorit të Kosovës Serbisë. Siç duket misioni i Thaçit ka qenë prej fillimit gjymtimi i territorit të Kosovës, deri te shkatërrimi i bazamentit të saj shtetëror.

“Bota sot”: Kosova, vendosi taksë 100% kundër produkteve serbe, si e vlerësoni këtë çështje ju, çka duhet të veproj Kosova më tutje, cilat janë hapat e ri që duhet të ndërmarr ndaj Serbisë?

Adem Salihaj: Taksa 100 % ishte vendim i drejtë për shumë arsye. Përmes shitjes së mallrave në Kosovë,Serbia e eksploatonte Kosovën, duke e shndërruar jo vetëm në një lloj kolonie ekonomike, por edhe politike. Me rreth gjysmë miliardë euro nga shitja e mallrave të saj në Kosovë, Serbia luftonte kundër Kosovës në planin diplomatik dhe politik, duke e bllokuar në anëtarësim në institucione ndërkombëtare, por edhe në procesin e njohjeve. Shumë prej nesh kemi kërkuar bllokimin e eksporteve të Serbisë në Kosovë. Ky vendim është dashur të merret qysh moti. Kosova ka edhe mundësi për masa të tjera ekonomike dhe politike dhe duhet t’i përdorë të gjitha këto. Kosova duhet të aplikojë reciprocitet të plotë me Serbinë, përfshirë edhe tabelat e automjeteve dhe të gjitha ato masa që po përdor Serbia ndaj Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat