Përcaktimi i Presidentit Rugova ishte Kosova e pavarur e demokratike në kufijtë ekzistues

Intervista

Përcaktimi i Presidentit Rugova ishte Kosova e pavarur e demokratike në kufijtë ekzistues

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 31 dhjetor 2018 Në ora: 14:31
Muhamet Hamiti, foto nga Besnik Hamiti

Muhamet Hamiti, ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Presidentit Ibrahim Rugova dhe këshilltar politik i Presidentit Fatmir Sejdiu, ka thënë se Rugova kishte kundërshtuar të gjitha idetë e ndarjes së Kosovës, apo të prekjes së kufijve të saj.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Hamiti ka akuzuar presidentin e tanishëm Hashim Thaçi, se ka përdorur për hesape politike një pjesë të intervistës së çautorizuar të vitit 1994 të Rugovës, që e kishte bërë bashkëpunëtori i vet Blerim Shala.

Ambasadori i parë i Kosovës në Britani të Madhe, ka folur edhe për dështimin e diplomacisë së Kosovës në krye me Behgjet Pacollin, të cilin e ka quajtur të padijshëm e të paintegritet, me sjellje e deklarata skandaloze.

“Bota Sot”: Ju keni qenë bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Ibrahim Rugova. A ju kujtohet se çka kishte thënë ai për idenë e korrigjimit të territoreve me Serbinë, meqë presidenti i tanishëm Hashim Thaçi, insiston se ai e përkrahte një ide të tillë?

Hamiti: Unë kam punuar shumë ngushtë me Presidentin Rugova, burrështetasin e parë të Kosovës, gjatë gjithë viteve të nëntëdhjeta. Nga viti 2002 deri kur ndërroi jetë, në janar të vitit 2006, kam qenë zëdhënës dhe këshilltar politik i Presidentit historik. Ai nuk ka folur për ndryshim kufijsh me Serbinë. Përcaktimi i tij ka qenë Kosova e pavarur e demokratike në kufijtë ekzistues, si zgjidhje kompromisi. Në tetor të vitit 1991, Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavinë e atëhershme kishte miratuar platformën e ‘tri opsioneve” për çështjen shqiptare. Republika e Kosovës në kufijtë aktualë qe opsioni në rast se kufijtë e njësive federale të Jugosllavisë nuk do të ndryshonin. Ata nuk kanë ndryshuar, siç dihet. Përveç kësaj, duhet pasur parasysh faktin se në fillim të procesit të shpërbërjes së Jugosllavisë, Komisioni i Arbitrazhit i kryesuar nga Robert Badinteri, në fund të vitit 1991 e në fillim të vitit 1992, pranonte kufijtë e republikave jugosllave si kufij ndërkombëtarë. Prej ‘boundaries’ (kufij administrativë) bëheshin ‘frontiers’ (kufij shtetërorë), nëse përdorim terminologjinë në anglisht. Të gjitha republikat bëheshin sukcesore (trashëgimtare) të ish-RFSJ-së, qe opinioni i këtij Komisioni më vonë. Për fatin e keq tonin, kufijtë e Kosovës, mbasi ishte krahinë, ndonëse njësi federale, nuk u njohën si të tillë nga Komisioni Badinter. Ne duhej të bëheshim Republikë, dhe u bëmë, për të siguruar njohjen e kufijve tanë, që ndodhi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Dhe ky si rast ‘sui generis’.

Për t’u kthyer edhe një herë te pyetja juaj: Presidenti Rugova ka punuar me ngulm për pavarësinë e Kosovës në kufijtë aktualë, duke ditur se çdo përpjekje për ndryshim kufijsh, sidomos projekti serb për shpërkufizim ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve (‘razgraničenje izmedju Srba i Albanaca’ në serbisht është pikërisht terminologjia që po përdor Presidenti i Serbisë Vuçiq) është i drejtuar kundër pavarësisë së Kosovës, kundër identitetit të saj si njësi politike-kushtetuese me shumicë shqiptare. Këtë ide kishte dhe u përpoq ta shtynte ndërkombëtarisht shkrimtari shovinist serb Dobrica Çosiq, të cilin Millosheviqi e pati bërë kryetar të Jugosllavisë së cunguar (Serbi e Mal i Zi) në vitin 1992. Idetë e ndarjes së Kosovës, apo të prekjes së kufijve të saj, Rugova i ka kundërshtuar si çështje parimi. Kjo konstatohet lehtësisht nga qindra deklarata të tij publike.

Hashim Thaçi, duke gërmuar fort me bashkëpunëtorin e vet Blerim Shala, i përfshirë për një kohë të gjatë si koordinator në bisedat me Serbinë, ka gjetur së voni një frazë në dukje pajtimi të Rugovës, te një intervistë që kishte bërë Shala me të për “Zëri”-in në vitin 1994, se mund të merrej parasysh një opsion i këmbimit të territoreve. Kjo pjesë e intervistës ishte çautorizuar menjëherë nga vetë Presidenti Rugova, sepse dilte përtej qëndrimeve të tij sistemike dhe binte ndesh me qëndrimet ndërkombëtare, në radhë të parë amerikane. Thaçi e përdori për hesape të veta: për të gjetur justifikim për politikën e ndryshimit të kufijve, që po ndjek, duke u pasë pajtuar ashiqare me idenë e Vuçiqit e Daçiqit, dy anëtarëve të kabinetit të luftës të Millosheviqit në kohën e luftës së Kosovës.

“Bota Sot”: Cili është mendimi juaj për idenë e presidentit Thaçi rreth shkëmbimit të territoreve me Serbinë? A e zgjidh ai konfliktin mes të dyja vendeve?

Hamiti: Siç e thashë në përgjigjen e mësipërme, ndarja e Kosovës (‘razgraničenje’ në terminologjinë serbe, ‘shpërkufizim’ në përkthimin që i bën kësaj fjale akademik Rexhep Ismajli) është ide e moçme serbe, e cila, për fat të keq, ka mbirë edhe në kokat e dy liderëve shqiptarë, Presidentit të Kosovës e Kryeministrit të Shqipërisë,  Hashim Thaçit e Edi Ramës. Njëfarë shoqërie e këtyre të dyve me Vuçiqin ka lindur me gjasë atëherë kur ideja po piqej në fshehtësi, për t’u nxjerrë në publik në verën e këtij viti, në gusht-shtator 2018. Thaçi e ka përvetësuar – madje e quan ide të veten – me formulimin eufemist ‘korrigjim kufijsh’. Për çudi, ai për disa muaj rresht është tallur me inteligjencën e shqiptarëve, duke thënë se Serbia nuk do të na njohë Kosovën në kufijtë aktualë, porse, sipas tij, do të na njihte mbasi t’i bashkoheshin Kosovës komunat me shumicë shqiptare në Serbi, atë që ne e quajmë Lugina e Preshevës. Më vonë evoluoi qëndrimi i tij, duke e kthyer këtë korrigjimin në prerje kirurgjike të tokave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, që na i paska blatuar famëkeqi Rankoviq bashkë me Titon! Do të duhej të na vinte turp pse duam t’i mbajmë këto toka, sipas Thaçit!

Shkëmbimi i territoreve, siç e mendojnë serbët dhe me ç’gjë duket të jetë pajtuar Thaçi (them ‘duket’, sepse detaje të planit të pandehur nuk janë bërë ende publike), që me gjasë do të thoshte këmbim i katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës me 5-6 fshatra në Luginë të Preshevës, do të ishte në dëm të vendit tonë e të shqiptarëve përgjithësisht. Po të ishte në dobi tonë, fundja, Serbia nuk do të angazhohej për të, apo jo? Ideja se me këtë do të zgjidhej ‘konflikti shekullor’, se Serbia do të na njihte, e me këtë edhe Rusia e Kina, më duket një përrallë. Serbia nuk e ka në dorë, edhe po të donte, t’u diktojë Rusisë e Kinës, anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, të njohin Kosovën dhe ta lejojnë anëtarësimin e saj në OKB. Edhe vendet e BE-së që nuk na njohin aktualisht mund ta kenë edhe më vështirë ta bëjnë këtë nëse shohin se Kosova po bëhet burim precedentesh me ndryshim kufijsh. Me vështirësi të mëdha, Kosova ia ka dalë të bindë mbi 100 shtete të botës se thjesht ka legjitimuar kufijtë e saj ekzistues, gjë që, duke pranuar legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, e ka pranuar edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në korrik të vitit 2010.

Hashim Thaçi ka folur së fundi për nevojën që në fazën finale për arritjen e një marrëveshje obligative me Serbinë të diskutohen madje edhe çështje të rregullimit të brendshëm të Kosovës. Kjo është po aq e rrezikshme sa edhe vetë ideja e prekjes së kufijve. Përveç që do të zvogëlohej e varfërohej territorialisht e ekonomikisht, Kosova do të dobësohej edhe në rrafshin e brendshëm, duke dobësuar kohezionin e saj edhe ashtu të brishtë tani si rrjedhojë e kompromiseve të mëdha që ka bërë Kosova në procesin e Vjenës/Ahtisarit, duke u dhënë pakicave, serbëve e të tjerëve, të drejta të pakundshoqe, në fusha të caktuara edhe të drejta të vetos, që e vënë funksionalitetin e vendit në zgripc. Kompromise të reja eventuale në bisedat me Serbinë do të mund të çonin në krijimin e një shteti tërësisht jofunksional, për fatin e keq edhe me pajtimin e prijësve politikë të Kosovës. Do ta bënin vendin tonë një Bosnjë të dytë. Bosnja është shembull tipik i një vendi jofunksional shkaku i lëshimeve të mëdha që u janë bërë serbëve në vitin 1995 në konferencën e Dejtonit. Synimi imediat atëherë ishte të ndalej lufta në Bosnja. Lufta e Kosovës ështe kryer në qershor të vitit 1999.

“Bota Sot”: Kosova formoi ushtrinë e saj, përkundër paralajmërimeve të NATO-s që do të ketë pasoja për Prishtinën. Çfarë prisni të ndodhë?

Hamiti: Nuk pres të ndodhë asgjë spektakolare. Fillimi i transformimit të FSK-së në forcë mbrojtëse, sepse ky do të zgjasë nja 10 vjet, është gjëja e vetme e mirë që kanë bërë institucionet e Republikës sonë këtë vit. Vendi kyç i NATO-s, SHBA, e ka përkrahur këtë transformim. Edhe vende të tjera janë në favor. Ka vende që kanë shprehur rezerva për transformimin në këtë kohë. Të shohim në çfarë mënyre do të rikalibrojë bashkëpunimin e vet NATO (gjegjësisht KFOR-i) me FSK-në. Me politikë të mençur bashkëpunimi do të vazhdojë në të mirë të FSK-së e të Kosovës, por edhe të vetë NATO-s.

Do të doja të përkujtoja se transformimi i FSK-së në ushtri po ndodh pa kompromise të panevojshme me kontingjentin politik serb në Kosovë. Hashim Thaçi u kishte ofruar serbëve para disa vitesh vazhdimin e 10 vendeve të rezervuara në Kuvend në këmbim për përkrahje për këtë gjë. PDK-ja ishte në favor, më duket edhe AAK-ja e Haradinajt, ndërsa e kishte kundërshtuar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Ka bërë fort mirë LDK-ja që e ka kundërshtuar. Po të vazhdoheshin qoftë edhe për një mandat a dy vendet e rezervuara, kjo gjë, si e drejtë e fituar, do të mund të kthehej në normë kushtetuese të përhershme, duke e forcuar përtej çdo mase përfaqësimin serb në Kuvend në dëm të shqiptarëve.

Nuk duhet të bëhen zgjidhje për përfitime afatshkurtra me pasoja afatgjata. Ky është mësimi që duhet nxjerrë nga transformimi i FSK-së me ligj.

“Bota Sot”: Si i komentoni përplasjet e fundit me “letra” të kryeministrit Ramush Haradinaj me përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini? A mund të ngjallin këto ndjesi anti evropiane në Kosovë?

Hamiti: Këto letra nuk mund të ngjallin ndjesi anti-evropiane, besoj unë. Këtë ndjesi mund ta ngjallin politikat e BE-së ndaj Kosovës, mostrajtimi i saj si palë e barabartë me Serbinë në dialogun që në të vërtetë është pagëzuar dialog Beograd-Prishtinë! Me tonin që ka përdorur kryeministri Haradinaj në letër dhe në komunikime publike, ai ka përfituar në një afat të shkurtër simpatinë e elektoratit të vet, ndoshta edhe më gjerë. Sidomos në kontekst të mosliberalizimit të vizave për kosovarët, por edhe të përkrahjes që italiania Mogherini e austriaku Hahn i dhanë idesë për përfshirje të temës së shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që e ka kundërshtuar (dhe ka bërë mirë) Kryeministri Haradinaj fuqishëm deri tani. Pasi Kosova nuk ia doli të anëtarësohej në Interpol, në vazhdën e politikave agresive serbe kundrejt Kosovës, duke përfshirë edhe çnjohje të saj nga vende që e kanë njohur tashmë, Qeveria aplikoi taksën ndaj importeve prej Serbisë, sërish një masë e popullarizuar te populli. Me këtë, Qeveria Haradinaj po përpiqet të mbulojë dështimet e mëdha në të gjitha fushat e qeverisjes në vend. Të gjitha vendimet e mëdha të kësaj qeverie (me përjashtim të ushtrisë) kanë qenë në dëm të Kosovës.

“Bota Sot”: Serbia ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës tregtare. A mund të harmonizohen veprimet për vazhdimin e dialogut, edhe pa u hequr taksa?

Hamiti: Kosova s’është në zor të madh për të vazhduar dialogu. Ky që po zhvillohet tash pesë-gjashtë vjet me lehtësimin e BE-së i ka shërbyer më shumë Serbisë. Taksa ndoshta edhe do të hiqet pas presionesh të forta ndërkombëtare, por kjo nuk duhet të ndodhë pa zotim të Serbisë, verifikimin e të cilit duhet ta bëjnë shtetet mike të Qunti-it, se ajo heq dorë nga angazhimi për çnjohje të Kosovës dhe pengimi i anëtarësimit të saj në organizma ndërkombëtare. Po ashtu, duke zbatuar reciprocitet të plotë në marrëdhëniet Kosovë-Serbi në lidhje me qarkullimin e mallrave, të njerëzve, duke përfshirë vizitat e politikanëve, njohje ose mosnjohje të dokumenteve të udhëtimit, të targave, etj. Duhet aplikuar reciprocitet të plotë: çka s’lejojnë ata, s’u lejohet atyre!

“Bota Sot”: A duhet të përfshihet SHBA-ja, Gjermania apo Britania në bisedimet përfundimtare me Serbinë? Si mund të arrihet kjo e fundit?

Hamiti: Shtetet e Bashkuara duhet të përfshihen në bisedime, dhe në një mënyrë janë përfshirë. Le të kujtohet këtu letrat e Presidentit Trump për presidentët e Kosovës e të Serbisë të datës 14 dhjetor 2018: të ngjashme janë. Edhe përfshirja e Gjermanisë dhe e Britanisë do të ishte e vlefshme, sigurisht. Të dyja kanë mbajtur qëndrim kundër ndryshimit të kufijve. Britania e Madhe shprehimisht në favor të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë me njohje reciproke në kufijtë aktualë. Paradoksalisht, pikërisht pse kanë mbajtur këto qëndrime këto dy vende kyçe në Evropë, Presidenti Thaçi është përpjekë shumë për të siguruar përkrahje në SHBA për ulje të pazarit. Ambasadori amerikan Kosnett e bëri të qartë në një intervistë për RTK-në së voni se SHBA-të nuk janë angazhuar për ndryshim kufijsh, por ka lënë të kuptohej se nuk e përjashtojnë apriori këtë nëse palët pajtohen.

Duhet pasur parasysh se serbët mund të kërkojnë që edhe Rusia (madje edhe Kina) të përfshihen në finale të bisedave për arritjen e marrëveshjes obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kosova do të ngjitej lart në agjendë ndërkombëtare. Rezultat për Kosovën jo domosdo i mirë, për fat të keq, pasi tashmë çështja e Kosovës, e kufijve të saj, e rregullimit të brendshëm të saj, janë nxjerrë në tryezën e bisedimeve për fajin e establishmentit të saj politik të pas 2008-shit, që e ka katandisur vendin tonë keq, si brenda, ashtu edhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare.

“Bota Sot: Pse nuk po mund të arrihet konsensus i plotë ndërmjet partive politike në Kosovë për procesin e bisedimeve, marrë parasysh edhe qëndrimet e ndryshme të presidentit dhe kryeministrit që i kanë rreth këtij procesi?

Hamiti: Në Kosovë deri tani ka qëndrim të qartë të Presidentit Hashim Thaçi dhe të një pjese të PDK-së së tij që janë në favor të ndryshimit të kufijve dhe të bisedave me Serbinë, që në një mënyrë rihapin çështjen e Kosovës, që ishte menduar e zgjidhur me shpalljen e koordinuar të pavarësisë më 2008, dhe legjitimimin e saj nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, dhe pak a shumë të të gjithë të tjerëve, të LDK-së, si partisë më të madhe në vend, të Kryeministrit Haradinaj e partisë së tij, por edhe të subjekteve të tjera, duke përfshirë Vetëvendosjen, që kundërshtojnë bisedat mbi parametrat e mësipërm. Tashmë duket se situata po ndryshon. LDK-ja dhe Vetëvendosje, partitë kryesore në opozitë, vazhdojnë të jenë kundër, ndërsa të tjerët, Qeveria dhe PSD-ja e Shpend Ahmetit, duke caktuar dy bashkëkryesues të ekipit negociator për biseda me Serbinë, në të vërtetë, siç do të shihet, kanë caktuar dy asistentët e Thaçit, kryenegociatorit të preferuar nga ndërkombëtarët si njeri që është i gatshëm për kompromise të reja ndaj Serbisë.

“Bota Sot”: Tashmë është zyrtarizuar tërheqja e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Ishujt Solomon. A bëhet fjalë këtu për një diplomaci të fuqishme serbe, apo një diplomaci të dështuar të Kosovës?

Hamiti: Të dyja bashkë. Me Ministër të Jashtëm të Kosovës si Behgjet Pacolli, Serbia s’është e thënë as të ketë diplomaci të fortë për ta mundur Kosovën në çdo hap. Faji pse është Pacolli aty është i Thaçit, Veselit e Haradinajt. Ndoshta duke pasur afër një zëvendëskryeministër e ministër të jashtëm si Pacolli, të padijshëm e të paintegritet, me sjellje e deklarata skandaloze, ‘krerët’ e institucioneve duken më mirë në sytë e publikut.

Diplomacia e Kosovës, qoftë edhe me një ministër tjetër të jashtëm, më të mirë se të përparshmit, do ta ketë të vështirë të bëjë punën e vet për dy arsye. E para, përzgjedhja e shumicës së ambasadorëve është bërë vitet e fundit thjesht si pjesë e pazareve politike. Edhe stafi tjetër më poshtë, në pjesë të madhe, i tillë është bërë, për fat të keq, për t’u siguruar status e rroga të mëdha militantëve e farefisit të politikanëve. E dyta, politika e jashtme e çdo vendi është pasqyrë e politikave të brendshme. Me qeverisjen më të keqe në gjithë periudhën e pasluftës, me kapje të shtetit që tashmë është bërë gjendja e re normale (the new normal), vendi ynë do t’i ketë punët keq në rrafsh ndërkombëtar qoftë edhe me ndonjë ministër të jashtëm shembullor.

“Bota Sot”: A u tregua Evropa e padrejtë ndaj Kosovës me mosliberalizimin e vizave këtë vit, përkundër pohimeve nga zyrtarë të saj, se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret?

Hamiti: Kosova i ka përmbushur krejt kriteret, me gjasë veç njërit: luftimit të korrupsionit. Qeveria Haradinaj, me një të tretën e ministrave me aktakuzë të ngritur, kjo Qeveri që është shëmbëlltyra e korrupsionit, nuk mund ta luftojë korrupsionin. Mua më duket se BE-ja nuk është e gatshme të liberalizojë vizat jo shkaku i korrupsionit (me gjasë e kanë marrë të mirëqenë këtu, te ne, diçka si pjesë endemike të shoqërisë e të shtetit tonë), por nga frika e emigrimit të madh të kosovarëve, të humbur shprese në vendin e tyre të dashur. Kjo sidomos tash që forcat anti-imigracion po forcohen kudo në Evropë.

As elektorati i Kosovës nuk është krejt pa faj për mosliberalizim të vizave. Me votë të vet ka zgjedhur një establishment politik të korruptuar, të padijshëm e të pabesë, të cilit i ka besuar kur ka dhënë afate për liberalizim vizazh për qëllime elektorale tash e 10 vjet. Do t’u kujtohen atyre që mbajnë mend festat që kanë bërë udhëheqësit e PDK-së për gjoja liberalizimin e vizave, por edhe premtimi i Haradinajt në majin e vitit 2017 se tre muaj pas formimit të Qeverisë së udhëhequr prej tij ky liberalizim do të ndodhte. Ç’ është e vërteta, fjalë të kota për liberalizim të pritshëm kanë dhënë herë pas here dhe zyrtarët e BE-së, duke përfshirë Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme, Federica Mogherinin. Këtu gjejnë arsyetim e shfajësim politikanët tanë për politikat veta të dështuara.

“Bota Sot”:  Si e vlerësoni gjendjen aktuale në LDK? A duhet më shumë unitet brenda kësaj partie dhe a është e gatshme ajo të drejtojë Qeverinë e re të Kosovës?

Hamiti: Lidhja Demokratike e Kosovës hyri në vitin e tridhjetë të ekzistencës së vet. (Më 23 dhjetor, festoi 29-vjetorin e themelimit). Është partia e parë demokratike shqiptare pas Luftës së Dytë, nismëtare e pluralizmit, themeltare bashkë me prijësin e saj Ibrahim Rugovën e shtetit të Kosovës, e asaj që njihet si Republika e Kosovës e viteve nëntëdhjetë, e krijuar në kushte okupimi, por edhe lojtare kyçe, bashkë me forcat politike që dolën nga gjiri i UÇK-së, për këtë shtet që e kemi tash, Republikën e Kosovës, prej vitit 2008. LDK-ja ka udhëhequr Qeverinë ne ekzil në vitet nëntëdhjetë dhe Qeverinë në vitet 2014-17 bashkë me PDK-në. Tash është partia më e madhe, siPas sondazheve; në opozitë. I duhet ende punë për t’u rimobilizuar, sidomos në vitin 2019, kur do të ketë zgjedhjet e brendshme partiake. Me gjasë do të ketë edhe zgjedhje nacionale në vitin 2019. Kosova ka nevojë për një Qeveri të Shpëtimit Kombëtar, me këtë mision, nëse jo me këtë emër, me bazë të gjerë, pa PDK-në, që duhet të lihet në opozitë për të mirën e Kosovës. Këtë Qeveri do të duhej ta udhëhiqte partia më e madhe, LDK-ja, parti me traditë shtetformimi. Zgjedhjet duhet të nxjerrin udhëheqjen e re të LDK-së, duke përfshirë kryetarin, që duhet të mbledhë rreth vetes njerëz të dijshëm, me kredibilitet moral, të qëndrueshëm në linjën programore të partisë së qendrës së djathtë, në frymën e Ibrahim Rugovës sa u përket politikave nacionale, por edhe organizim më të mirë në strukturat vendore, në degë e nëndegë. Pa një rimëkëmbje të njëmendët mbi këto premisa, LDK-ja edhe mund të qeverisë (fundja cilado qeverisje e LDK-së është më e mirë se kjo që kemi), por nuk do të mund ta kthejë Kosovën në vend shprese për të rinjtë, vend zhvillimi ekonomik, kulture e arsimi, vend vlerash demokratike e sundimi të ligjit, shtet të dashur nga shtetasit, të respektueshëm në rajon, e të pranuar gjerësisht në botë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat