Jam rritur dhe kalitur me frymën rugoviane

Intervista

Jam rritur dhe kalitur me frymën rugoviane

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 1 janar 2019 Në ora: 17:58
Valentina Bunjaku Rexhepi

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku Rexhepi në një intervistë në edicionin festiv të gazetës “Bota sot” ka zbuluar shumë të pathëna për jetën e saj publike dhe private.

Ajo ka për “Bota sot” ka rrëfyer për fillimet e saj të para në politik, si dhe për sfidat nëpër të cilat ka kaluar.

Po ashtu, ajo ka folur edhe për familjen e saj, si dhe për jetën e saj jashtë politikës.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen politike sot në Kosovë?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Gjendja politike në Kosovë është e pashpresë, me plot zhgënjim të përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës, të vetmit pa liberalizim vizash për në vendet e Bashkimit Evropian (BE) dhe me papunësi e varfëri të pandryshuar. Kosova ka nevojë urgjente për zgjedhje të jashtëzakonshme, apo qoftë edhe të parakohshme, sepse klasa politike që e udhëheq aktualisht, nuk është as me legjitimitet qytetar pas shumë zhvillimeve e vendimeve problematike; as nuk është me kuadro të duhura profesionale dhe akademike, gjë që aktualisht e posedon opozita, përkatësisht Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Kosova ka hyrë në disa zhvillime politike të vetëkontestimit të pavarësisë nga vetja e saj, për herë të parë në historinë e vet. Ka shumë pasiguri tani për tani, se çfarë do të bëhet në pjesën e parë të vitit 2019. Mungesa e transparencës nga lidershipi aktual në Presidencë, Qeveri e Kuvend, e kanë rritur pasigurinë dhe frikën e qytetarëve se kah po shkon Kosova dhe si po e humbim aq shumë përkrahjen e aleatëve tanë të përjetshëm, për të cilën diplomaci, bëri aq shumë ish-Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova.

“Bota sot”: Si e kujtoni startin tuaj në politikë, si vendosët të merret me këtë fushë dhe sa keni pasur përkrahje?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Që e vogël, e rritur nga prindërit e mi duke folur për politikën dhe angazhimin në çështje të lirisë dhe shtetformimit, ishte më se e kuptueshme se do të ishim edhe ne pjesë aktive e politikës. Babai im ishte ndër themeluesit e LDK-së dhe kjo ishte edhe pikënisja e marrjes me politikë. Më inspironin vlerat, traditat, mendimet dhe filozofia e ish-Presidentit historik, Ibrahim Rugova. Me thënë troç, e rritur dhe e kalitur me frymën rugoviane në shtëpi dhe e inspiruar nga babai im, politika do të ishte aktiviteti im më i preferuar, ndonëse isha për shumë vjet edhe në arsim. Më së shumti isha e angazhuar në rolin e rëndësishëm që duhet ta ketë gruaja në politikë dhe angazhimet tona në Forumin e Gruas në Degën e LDK-së. Pastaj, ndër kulmet e suksesit ishte udhëheqja si Kryesuese e Kuvendit Komunal të Gjilanit dhe tash deputete e Kuvendit të Kosovës. Por, nuk po shkëputem ende nga arsimi sikur isha dikur mësimdhënëse, pasi që jam e angazhuar sidomos në Komisionin Parlamentar për këtë fushë. Arsimin e konsideroj faktorin më jetik bashkë me shëndetësinë.

“Bota sot”: Në Kosovën e pasluftës janë vrarë shumë figura të larta politike. Kur mendoni se do të zbardhen këto vrasje? A keni informacione, nëse do të merret Gjykata Speciale me zbardhjen e këtyre vrasjeve, apo do të zvarriten edhe më tej, siç ka ndodhur deri më tani?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Të shpresojmë se Gjykata Speciale, qoftë direkt, qoftë indirekt do të zbardhë vrasjen e figurave të larta politike, kryesisht në radhët e LDK-së. Në realitet, viktima më e madhe e këtyre vrasjeve ishte LDK-ja. E kur themi LDK-ja, themi populli, sepse kjo parti ishte ndër më të përqafuarat nga populli. Sa i përket informacioneve, nuk kemi, por nga ajo që është thënë deri më tash në media, ka shpresë.

“Bota sot”: Në Kosovë, përpos që mungon sundimi i ligjit, kërcënues për të ardhmen, paraqitet korrupsioni. Si duhet luftuar kjo dukuri dhe a ka shans që Kosova ta çrrënjosë këtë të keqe të madhe?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Korrupsioni nuk luftohet pa vullnet politik dhe pa pavarësi më të madhe të gjykatave. Korrupsioni në tërësi nuk çrrënjoset as në vendet më demokratike dhe më të zhvilluara ekonomike, por për dallim nga këto vende, korrupsioni kur kapet, akterët e saj dënohen dhe iu konfiskohet pasuria e paligjshme, diçka që nuk ndodh në Kosovë. Korrupsioni luftohet edhe me politikanë të ndershëm, profesionistë të mirë dhe të urtë. Vetëm të kthehemi në kohën e qeverisjes nga Isa Mustafa, nga ministrat e tij si Avdullah Hoti etj. Sa skandale kanë mundur të shpërthejnë në qeverisjen e tyre, e sa në qeverisjen aktuale?! Gati për çdo javë kemi parë skandale nga kjo Qeveri aktuale.

Bota sot”: Sa ka rëndësi imazhi i një politikaneje në politikë?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Imazhi kudo është përshtypja e parë që krijohet. Njerëzit janë të zënë me hallet e tyre dhe nuk mund të përcjellin përmbajtësish në çdo gjë, por krijojnë pikëpamje për ty në bazë të imazhit të përgjithshëm. Prandaj, imazhi ka shumë rëndësi për çdo politikan dhe politikane. Kudo në botë imazhi luan rol shumë të rëndësishëm, por nuk mjafton, nëse nuk jeni aktive në përfaqësimin e interesave të qytetarëve.

“Bota sot”: Cilat ishin momentet më të vështira nga ana emocionale në politikë?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Shumë momente ishin të vështira, sepse gratë në politikë kanë pasur sfida të shumta në fillimet e tyre në Kosovë. Pa përfshirë këtu edhe shumë momente të vështira gjatë fëmijërisë dhe rinisë sonë në kohë lufte, tranzicionit të rëndë pas luftës dhe shumë zhvillimeve të vonshme brenda e jashtë Kuvendit të Kosovës.

“Bota sot”: Cila është sfida më e madhe që e keni kaluar në jetë?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Nuk mund ta veçoj ndonjë, sa të më lë gjurmë të pashlyeshme. Ka pasur shumë sfida, por jo deri në atë pikë, sa të më shkaktojë transformime aq të mëdha. Më njohin edhe si tip e karakter shumë të fortë, prandaj sfidat para meje, kapërdihen më lehtë.

“Bota sot”: Si ishte viti 2018 në përgjithësi për ju? Po në sferën familjare?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Personalisht, ka qenë një vit i angazhimit të madh në Kuvend. Kam bërë shumë iniciativa për arsim më cilësor; kam dhënë kontribute në shumë ligje të Kosovës në mënyrë shumë aktive; kam bërë shumë pyetje parlamentare. Jam shumë e kënaqur edhe për vlerësimin si deputete shumë aktive dhe ky vit ishte shumë punë, por edhe shumë kënaqësi. Edhe në sferën familjare, ishte vit i shumë sukseseve të fëmijëve dhe bashkëshortit, të cilët më duan shumë dhe i dua pakufishëm.

“Bota sot”: Na flisni pak për jetën tuaj jashtë politikës. Si është një ditë e zakonshme e juaja?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Më pëlqen thjeshtësia. Jam e përkushtuar edhe në familje. Kalojmë shumë mirë me fëmijët e bashkëshortin. Dalim e shëtisim, luajmë me qenin tonë të mrekullueshëm. Dalim zakonisht në kafeteri e pimë kafe dhe në ndonjë restauront. Jemi të pasionuar edhe për të dëgjuar muzikë dhe shkojmë me shumë miq të argëtohemi. Më pëlqen të lexoj edhe biografi të politikanëve të mëdhenj, për të mësuar nga sukseset e tyre dhe sfidat. Po ashtu, më pëlqen shumë edhe diskutimi i gjatë për politikë.

“Bota sot”: Si i pret festat e fundvitit, familja Bunjaku-Rexhepi?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Natën e pare, si shumica e qytetarëve të Kosovës, e kalojmë në familje. Në mbrëmje të tjera festive, shkojmë me familjen e miqtë e shumtë, që të argëtohemi në ndonjë lokal të qytetit, për të dëgjuar muzikë të ëmbël shqipe.

“Bota sot”: Kush kujdeset për gatimet dhe gjërat tjera në këto festa? Kush përbën familjen tuaj?

Valentina Bunjaku Rexhepi: Jam shumë me pasion për të gatuar ushqime tradicionale. Më pëlqen shumë edhe puna e amvisërisë e gastronomisë. Jo vetëm gjatë festave, por sidomos në çdo fundjavë, më pëlqen të hamë së bashku me familjen në shtëpi dhe të përgatis diçka. Familja ime e ngushtë përbëhet nga bashkëshorti im – përkrahësi më i madh në jetën publike, Bekimi; dy fëmijët e mi që ma zbukurojnë jetën pa masë. Por pjesë të familjes e konsiderojmë edhe qenin, me të cilin heqim stresin të gjithë dhe kënaqemi duke luajtur me të.

“Bota sot”: Cila është marrëdhënia e juaj me fëmijët? Na tregoni më shumë për ta.

Valentina Bunjaku Rexhepi: Me fëmijët e mi jam edhe shoqe, edhe nënë. Jam shumë e hapur me ta, shumë liberale dhe po ashtu, fëmijët e mi janë shumë të dashur me mua. Djali im i madh, e ka emrin Leon dhe është 19 vjeç. I pëlqen skajimi, por edhe është në studime. Kolosi, djali im i dytë, është 13 vjeç. Kolosit i pëlqejnë shumë video-lojërat, por edhe ndër kënaqësitë e mëdha, e ka argëtimin me qenin shtëpiak. I do tejmase kafshët.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat