Maksimal arritja nga negociatat e Brukselit është bashkëngjitja me Kosovën, minimal arritja është reciprociteti

Intervista

Maksimal arritja nga negociatat e Brukselit është bashkëngjitja me Kosovën, minimal arritja është reciprociteti

Nga: Albulenë Muji Më: 14 janar 2019 Në ora: 07:53
Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi dhe gazetarja e gazetës "Bota sot", Albulenë Muji, gjatë realizimit të intervistës

Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim  Arifi, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot” ka folur rreth aktualizimit të çështjes së Kosovës Lindore, si dhe rreth kërkesës për përfshirjen e saj, në dialogun e Brukselit. Për kryetarin Arifi, bashkimi i Preshevës, Bujanovcit e Medvegjës, me Kosovën do të ishte plotësimi i maksimales së kërkesave të tyre. Ndërsa reciprociteti në trajtimin e tyre sikurse që trajtohen serbët në Kosovë, do të ishte plotësimi minimal i kërkesave të shqiptarëve të Kosovës Lindore. Arifi është shprehur pro taksës së qeverisë së Kosovës ndaj mallrave që vijnë nga Serbia, ndonëse ka thënë se e njëjta ka dëmtuar në masë të madhe edhe bizneset lokale të Komunës së Preshevës.

“Bota sot”: Z. Arfifi, si e komentoni idenë e Presidenti për “korrigjim të kufijve”, e cila sipas tij nënkupton bashkimin e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës me Kosovën dhe sa mendoni se do të jetë e realizueshme një gjë e tillë?

Arifi: Është një gjë të cilën ne e kemi përshëndetur gjithnjë . Ne e kemi mirëpritur iniciativën e Presidentit Thaçi . Unë mendoj se ai e ka bërë të veten dhe e ka hapur si temë, e tani po bisedohet për Luginën e Preshevës, kjo është për tu përshëndetur, se kishte rënë një kohë të gjatë nën hije Lugina e Preshevës, nuk ka gjënë as në agjendë politike, as në agjendë të negociatave, tani është në agjendë të negociatave. Nëpërmjet kësaj kemi arritur ta forcojmë pozitën e shqiptarëve të Luginës  së Preshevës në aspektin e sigurimit të reciprocitetit, gjë e cila është një minimal kërkesë e jona. Mua më pyesin shpesh a është e realizueshme, e unë shpesh e them nuk është çështje a është e realizueshme a jo, çështja është me qenë pragmatik edhe me kërkua, pastaj e shohim të gjithë ata të cilët marrin pjesë në këtë vendim, në këtë marrëveshje se çka thonë. Na duhet kërkojmë që Lugina e Preshevës të jetë pjesë e republikës së Kosovës. Ka qenë një luftë e trashëguar me qindra vite tek ne, e tani tek unë si kryetar, që është detyrë e imja që të luftoj në vazhdimësi që të jemi pjesë e Kosovës, edhe këtë do ta bëjmë kështu që në këtë drejtim presidenti Thaçi e ka aktualizuar këtë betejën tonë e këtë luftën. Mendoj, se suksesi është arritur që së paku po bisedojmë tani, së paku po negociojmë pastaj e shohim se a e kemi arritur kërkesën tonë edhe qëllimin tonë maksimal që të jemi pjesë e Kosovës. Kjo është një gjë e hapur jo e vendosur, askush nuk ka mundur të dal edhe të thotë se nuk mundesh me qenë, të gjithë po më pyesin se a është e realizueshme që nënkupton që ka mundësi, por, eja të bisedojmë për këtë,  të negociojmë për këtë, a është e realizueshme e shohim pas negociatave.         

“Bota sot”: A po përdoret Kosova e Lindore nga politika, duke u nisur nga presidenti Thaçi, i cili e ka dhënë idenë për shkëmbimin e territoreve, po ashtu është paralajmëruar se do të diskutohet në Bruksel për këtë çështje.

Arifi: Unë mendoj se fjala “përdorë” duhet të definohet. Mendoj që është opsion i negociatave në Bruksel edhe lugina e Preshevës,  ashtu siç është për momentin edhe veriu i Kosovës, normalisht që duhet të tematizohet edhe Lugina  e Preshevës për këtë arsyeje ne e kemi përshëndetur iniciativën e presidentit Thaçi në këtë drejtim, fundi-fundit ai e ka bërë të vetën edhe e ka tematizuar Luginën e Preshevës, gjë e cila është për tu përshëndetur. Tani jemi në një situatë ku dialogu është në fazën finale ka shumë gjëra të cilat duhet të diskutohen , nuk vetëm ajo që e kërkoj unë apo pala serbe, por me rëndësi është çfarë kërkon edhe pala jonë , e cila kërkon gjërat të cilat duhet të realizohen , për këtë quhen negociata. Termi negociata nënkupton që është “open-end” është përfundim i hapur kështu që gjithçka është e mundshme në atë drejtim që të realizohen. Për mua më rëndësi është që të realizohen kërkesat tona të Luginës së Preshevës  ose të shqiptarëve aty. Unë jetoj aty, ne jetojmë të gjithë aty, na dimë problemet të cilat i kemi në mënyrë të përditshme në aspektin teknik, por edhe në mënyrë të përditshme në aspektin e diskriminimit politik, që na bëhet neve. Edhe për mua është me rëndësi që të shfrytëzohet ky momentum që është hapur tema e Luginës së Preshevës tani edhe në nivel ndërkombëtar në Bruksel, pra në tavolinë. Edhe tash, normalisht që  Lugina e Preshevës është temë dhe nuk duhet të përdori temën “përdor” dua ta përmendi termin është opsion në tryezë në Bruksel, ku diskutohet edhe për çështjen tonë, gjë e cila është një përparim nga situata e para dy viteve.

“Bota sot”: A e përkrahni kërkesën e Kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa dhe të kryetarit të komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, që Lugina e Preshevës të përfshihet në fazën finale të dialogut?

Arifi: Pikë së pari duhet sqaruar se nuk është kërkesë vetëm e tyre , por është kërkesë e jona.  Unë para një vit e gjysmë e kam nisur këtë debat që të përfshihet edhe Lugina e Preshevës. Këtë në të cilën këta në mënyrë partiake e kanë inicializuar është formuar një qasje e cunguar aty në dokument të cilën e kanë paraqitur ata. Nuk është cekur as përfshirja e Luginës së Preshevës në Republikë të Kosovës, as  opsioni reciprocitetit që është një kërkesë e thellë e jona, si shqiptarë, si politikë në Luginë të Preshevës.  Kështu që në këtë drejtim nuk e kam mbështetur, nuk e kam nënshkruar, drafti ka pasur edhe gabime teknike për të cilat i kemi njoftuar edhe për pikët të cilat duhet përshihen, ata nuk kanë pranuar dhe kanë vazhduar vet.  Ata të gjithë janë anëtar të një partie politike të caktuar, e kanë interesin partiak më shumë në thekës së sa e kanë atë për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Në këtë drejtim unë nuk e kam përkrah, por çka është e qartë edhe pse janë kush janë na prapë jem dakord në atë që Lugina e Preshevës duhet me qenë pjesë e negociatave në Bruksel dhe duhet me qenë temë e rëndësishme, nuk po them super prioritet, por  të jetë prioritet në tryezën, në negociatat që po bëhen nga Republika e Kosovës ajo e Serbisë.

“Bota sot”: Çfarë prisni se do të ndodhë me Kosovën Lindore nëse përfshihet apo jo në negociata?

Arifi: Ka dy nivele minimal arritje  dhe maksimal arritje. Maksimal arritja është normalisht përfshirja e Luginës së Preshevës ose bashkëngjitja e saj me Republikën e Kosovës, por edhe këtë e kemi vendosur në kushte se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë mbi çdo çmim dhe kërkojnë t`i bashkëngjiten Republikës së Kosovës. Na nuk duam ta dëmtojnë në atë aspektin që të shkëmbejmë territore, na nuk duam ta humbin mbështetjen e ndërkombëtarëve, dhe sidomos nuk duam që të cungohet tërësia territoriale e Luginës së Preshevës, një pjesë  të mbetet atje, një pjesë të shkojë me Republikën e Kosovës, këto tre kushte të plotësohen, atëherë, maksimal arritja e negociatave me Preshevën është më u bashkëngjitë, minimal arritja është reciprociteti. Për këto ditë që kam qenë në Prishtinë, kam arritur të nxjerr si informacion që reciprociteti është një gjë që trajtohet seriozisht edhe nga pala serbe edhe që pranohet nga pala serbe. Reciprociteti është arritja minimale e këtyre negociatave, për arsyeje se na ngecemi  në të drejtat tona si minoritet , por edhe si shqiptarë në Serbi në të gjitha fushat, nga 16 minoritete, jemi minoriteti më i diskriminuar, e mos  të them vetëm në Serbi, por në të gjithë rajonin. E kjo formula apo parimi i reciprocitetit na ndihmon me i avancuar të drejtat tona,  me krijua një kualitet të jetës tonë më ndryshe.

“Bota sot”: Ju këtyre ditëve keni qëndruar në Kosovë, a keni zhvilluar takime me drejtuesit e dialogut për t`ua parashtruar atyre kërkesat për përfshirje në dialog?

Arifi: Jemi takuar kemi biseduar. I Kemi njoftuar ata për kërkesën tonë, na kanë njoftuar ekipi negociator gjithashtu se çka është biseduar në takimin e parë. Ky takimi i parë ka qenë njoftues, më shumë ku paraqiten temat të cilat duhet të diskutohen në të ardhmen. Normalisht ekipi negociator  e ka një mandat të kufizuar, i raporton Parlamentit të Kosovës, edhe kjo ia bën të vështirë me dal jashtë kornizave të negociatave, ku në këto korniza nuk është përfshirë, direkt për direkt  Lugina e Preshevës. Po ashtu, siç kam mësuar unë, ka gatishmëri në Bashkimin Evropian të diskutohet edhe për Luginën e Preshevës. Ka gatishmëri të diskutohet edhe për reciprocitet, do të thotë për shqiptarët në Luginë të Preshevës , dhe ky është një lajm i mirë, kjo është shumë mira. Por, prapë këto gjëra janë të hapura ende nuk kanë filluar. Por, është një aspekt kohor, të përfundojë gjithë kjo. Pikërisht për këtë po duam të jemi në azhur, për këtë edhe kërkesa jonë që shqiptarët e Luginës së Preshevës janë pjesë e bisedimeve, e negociatave në Bruksel.

Ajo është çështja e tyre, unë çka kërkojë është të jemi unikë dhe të qartë në drejtim që shqiptarët të jenë të përfaqësuar. Në çfarë forme është diskutim i brendshëm i Kosovës nuk është problem im, por që duhet me qenë  azhur nga prizmi i Luginës së Preshevës, ajo është obilgative. Kështu që, kërkojë nga pozita dhe nga opozita, pa marrë parasysh qëndrimet e  tyre ndaj njeri tjetrit, që të jenë unikë në atë që ne të jemi pjesë e ekipit negociator.

“Bota sot”: Pasi që ekipi  raporton në Kuvend , a keni mundur të merrni  ndonjë premtim ose diçka konkrete nga ky ekip që të propozojë ndonjë rezolutë në Kuvend? 

Arifi: Jo nuk kemi marrë ndonjë premtim, premtimi është i vetmi e kanë pranuar kërkesën time,  e kanë kuptuar se është serioze si kërkesë dhe se tani fillojnë bisedimet e brendshme për përfshirjen  e Luginës së Preshevës në dialog.  Kështu që tash është një fazë që ka filluar ne do të jemi një azhur e kësaj që po zhvillohet.

“Bota sot”: Ju keni thënë se nuk ka marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë pa Preshevën, çfarë keni nënkuptuar me këtë?

Arifi: Po e bëjë pyetjen kundër retorike,  a ka marrëveshje pa Presheve?

“Bota sot”: Në qoftë se kjo nuk bëhet, çfarë keni në plan ju?

Arifi: Unë nuk kam plan B, unë vetëm plan A kam, që është përfshirja e Luginës së Preshevës në dialog. Plan B  vendoset  pastaj kur ne e shohim se nuk jemi përfillur, jemi neglizhuar, por shpresoj shumë që plani A do të realizohet, edhe çka i kemi marr ato feedback-at nga bisedimet të cilat i kam pasur, janë pozitive edhe shpresoj seriozisht  që gjendet një formë që lugina të jetë pjesë bisedimeve , duhet të kuptoj gjithë secili kur Lugina e Preshevës ka qenë pjesë e problemeve në të kaluarën nuk mundet me qenë që Lugina e Preshevës nuk është më pjesë e zgjidhjes së të ardhmes, nuk ka logjikë. Çdoherë sa janë bërë kësi lloj negociata në botë, në histori edhe është lënë anash një grup, na nuk jemi vetëm një grup por një popull.  Kështu që ne po duam që të bëjmë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, e cila është fragjile, e cila është stabile, për këtë edhe kërkoj që Lugina e  Preshevës të jetë pjesë e marrëveshjes.

“Bota sot”: Kosova  kohë më parë i ka vendosur taksë 100% mallrave nga Serbia, a ka pasur pasoja kjo për shqiptarët e Preshevës?

Arifi: Ka pasur ndikim, ka dëmtuar direkt për direkt bizneset tona të mesme lokale, të cilat e kanë pasur tregun e Kosovës  si treg kryesor për prodhimet e tyre të shumëllojshme.  Bizneset janë dëmtuar në atë drejtim, pasi janë vendosur në një taksë tani. Ajo ia pamundëson që të kenë rentabilitet në prodhimet e tyre. Pastaj shkakton edhe largimin nga puna të të rinjve e të rejave. Por, duhet të theksoj edhe njëherë se ka pasur thashetheme nga disa media këtu për mua tendencioze në drejtim të asaj që a jam unë pro apo kundër taksës. Unë jam pro,  me PRO të madhe, pro vënies së taksës ndaj Serbisë për arsye se kanë zhvilluar një fushatë të egër kundër Republikës së Kosovës dhe nuk kanë qenë korrekt.

Por, gjithashtu jam kritik ndaj Qeverisë së Kosovës për arsye se është dashur të që të njoftoheshim shumë herët, në mënyrë që të themelonim një fond kombëtar të solidaritetit, i cili do të ishte mekanizëm preventiv për të balancuar humbjen e këtyre bizneseve. Do ta kishim krijuar një fond dhe në momentin e vendosjes së taksës do t`i subvenciononim ato biznese lokale të mesme, të cilat janë të dëmtuara nga taksa. Në  këtë drejtim unë i  njoh edhe zërat të cilët thonë se nuk ka kuptim që të na japin “lekë” për të krijuar, kur ne po diskutojmë për ndryshim kufijsh, unë nuk mendoj ashtu. Unë mendoj se edhe Serbia është duke shikuar për ndryshim kufirit, por jep para të mëdha në Kosovë, të cilat  ndikojnë negativisht këtu. Kështu që kishte me qenë vetëm një masë reciproke, të cilën e kishim vendosur me këtë fond, me këto para për të investuar në Luginë të Preshevës dhe është një gjë që sipas mendimit tim kishte shkuar edhe në favor të Republikës së saj dhe pozitës së saj në negociata.

“Bota sot”: A keni kërkuar takim me kryeministrin Haradinaj apo me ministrin Shala lidhur me këtë?

Arifi: Jo më Shalën, por me kryeministrin. Ajo çfarë e marrë unë si feedback është gjithmonë e njëjta, është punë e kryer  dhe nuk kemi çfarë të bëjmë. Për mu nuk është kjo e mjaftueshme. Unë mendoj se është dashur që kur të bëjmë politik të madhe të mendohen të gjitha sensibilitetet dhe të jemi preventiv. Pra, nëse e ke pasur ti niet që në nëntor të vendosësh një taksë, atëherë themelo edhe në shtator apo në tetor më së voni një fond , ku pastaj na do ti subvenciononim bizneset tona në Preshevë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat