Kosova Lindore duhet t`i bashkohet Kosovës, miqësia me SHBA nuk guxon të rrezikohet

Intervista

Kosova Lindore duhet t`i bashkohet Kosovës, miqësia me SHBA nuk guxon të rrezikohet

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 1 shkurt 2019 Në ora: 12:34
Lutfi Haziri

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, është shprehur i bindur se Mitrovica historike, ku bënë pjesë Zveçani, Boletini, Zhazha, Vllahia e deri tek Bistrica dhe Liqeni i Ujmanit, nuk mundet në asnjë mënyrë të negociohen sepse janë, jo vetëm tokë, por pjesë e pandashme e Kosovës. “Nuk mund ta gjymtojmë një pjesë të territorit për ta plotësuar pjesën tjetër të territorit”, ka thënë Haziri. Por, sipas tij ato komuna që në Kosovë janë imponuar për ndryshimet demografike në vitin 1956, janë subjekt i negociatave që duhet të pranohen nga të gjithë.

Po ashtu, Haziri ka folur edhe rreth zhvillimeve të fundit politike në vend sa i përket taksës ndaj mallrave serbe dhe atyre nga Bosnje e Hercegovina. Sipas tij, LDK nuk është pyetur kur është vendosur taksa, e as nuk po pyetet tash për heqjen e saj, por sipas tij, miqësia me SHBA nuk guxon të rrezikohet. 

“Bota Sot” Pas e lamë një vit ku edhe pse kishte shumë dështime, megjithatë ishin disa suksese si puna e ushtrisë, si e vlerësoni ju këtë fakt?

Lutfi Haziri: Miratimi i tri ligjeve në pako për transformimin e ushtrisë, e cila filloi në zbatim me 21 janar me inaugurimin e Ministrisë së Mbrojtjes, në hapi e  parë është detyrë e cila është kryer me mbështetjen e plotë të deputetëve të LDK-së, pa të cilët nuk do të mund të kryhej, sikurse edhe votimi i disa ligjeve sistemore dhe në interes për Republikën tonë. Në anën tjetër, Qeveria ka dështuar në arritjen e konsensusit më të gjerë për çështjen e dialogut me Serbinë, ka dështuar në marrjen e datës për liberalizimin e vizave dhe e kemi një dështim i cili po e arrin pikën kulminante me mos menaxhimin e pakënaqësive dhe paralajmërimeve të grevave të ndryshme që lidhen kryesisht me çështjen e ngritjes së pagave të qeveritarëve për nevojat e tyre, e që efekti domino tashmë ka arritur në shkallën më të lartë të pakënaqësisë që po shprehet në arsim dhe sektorët tjerë.

“Bota Sot” Si opozitë, e keni kritikuar qeverinë për dështime në UNESCO, INTERPOL si dhe në liberalizimin e vizave, nëse do të ishte LDK në pushtet, a mendoni se do të pranoheshim dhe cilët janë ato gabime që mendoni se i ka bë pushteti aktual në tentativë për tu anëtarësuar?

Lutfi Haziri: Natyrisht që të gjitha këto do të realizoheshin me qeverisjen e LDK-së. LDK e ka tërhequr vërejtjen që nuk ka qenë vit i mirë që Kosova të aplikojë tash për INTERPOL dhe gabimi I dytë në raport me INTERPOL-in është tërheqja e aplikacionit në vitin 2017 kur Kosova do ta merrte anëtarësinë. INERPOL, UNESCO dhe organizatat tjera ndërkombëtare që Kosova aspiron me qenë anëtare, pa ndihmën e Qeverisë së Amerikës nuk mund të realizohen. Në anën tjetër, mos interesimi i Qeverisë Amerikane në raport me këto organizata po shkon çdo ditë e më shumë, duke pasur parasysh edhe tërheqjen e fundit të qeverisë amerikane nga institucionet që mbulojnë të drejtat e njeriut.

“Bota Sot”: Jemi në vit zgjedhorë në LDK, a jeni të interesuar ta merrni timonin e subjektit më të madh opozitarë në vend?

Lutfi Haziri: Nuk shtrohet pyetja e marrjes së timonit në këtë fazë. Shtrohet çështja që LDK duhet të bëj një marrëveshje të brendshme politike, jo në dëm të demokracisë në asnjë mënyrë, por për të ardhmen e saj. Këto zgjedhje determinojnë dhe konfirmojnë LDK-në si partia më e madhe në të ardhmen, ndoshta edhe në regjion, e cila duhet të marrë përgjegjësi shtetërore që Kosova ta ketë të garantuar integrimin evropian, integrimin euroatlantik, marrjen e liberalizimit të vizave, bazën e zhvillimit lokal ekonomik dhe një perspektivë më të madhe në Kosovë. Mbetemi parti e besës dhe e shpresës, përfundimisht.

“Bota Sot”: Vendi po kalon nëpër një fazë ku opinione të ndryshme si nga politika ashtu edhe nga shoqëria civile janë më kundërthënëse se kurrë. Jeni ju apo ideja juaj që Presheva, Medvegja e Bujanoci t`i bashkohen Kosovës ku bën pjesë edhe Presidenti Thaçi dhe në anën tjetër skeptikët, të cilët shprehen se nuk guxon të preken kufijtë e vendit. Si e mendoni së do të zgjidhet kjo çështje. Çka do të duhej të jepte Kosova nga vetja për ta arritur këtë qëllim, apo mendoni se s`do të jap asgjë?

Lutfi Haziri: Nuk është ide e imja e as ide e z. Thaçi, në anën tjetër. Është vullnet i shprehur me referendum në vitin 1992, ku qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, kanë votuar për të drejtën e bashkëngjitjes Republikës amë, që është Kosova. Ky vullnet politik ka mbetur i pa-implementuar, përkundër luftës së UÇPMB-së, Marrëveshjes së Konçulit dhe proceseve tjera që kanë kaluar shqiptarët e lindjes së Kosovës. Unë e mbështesë këtë vullnet dhe në vitin 2013 e kam sponsoruar Rezolutën në Kuvendin e Republikës, e cila ka qenë gjithëpërfshirëse dhe është votuar nga të gjitha partitë politike shqiptare. Z. Thaçi më herët e ka kualifikuar si ide të rrezikshme dhe ka kërkuar nga LDK që të distancohet nga unë si nënkryetar i saj, ndërsa tash në vitin 2018 në parimin e reciprocitetit, në rast të ndryshimit të kufijve, Presheva, Bujanoci dhe Medvegja duhet t’i bashkëngjiten domosdoshmërish dhe është momentumi i vetëm që ata mund ta realizojnë këtë ëndërr. Kosova nuk guxon ta lëshojë këtë rast.

“Bota Sot” Të jemi më konkret kryetarë, edhe ju, njëjtë si presidenti i vendit keni folur me bindje kur keni thënë se Veriu i Mitrovicës dhe Liqeni i Ujmanit në asnjë mënyrë nuk do të negociohen, pra do ti mbesin Kosovës. Për cilën pjesë realisht është fjala se mund të sakrifikohet, Leposaviqin?

Lutfi Haziri: Nuk e di pse po e lidhni çdo pyetje me z. Thaçi. Këto mund t’ia adresoni direkt atij. Qëndrimi im karshi zgjidhjes së problemit është që të respektohet vullneti i shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ai vullnet nuk është i kushtëzuar. Nuk ka nevojë me dhënë e as me sakrifiku asgjë. Është çështje e negociatave se si do të përfundojë çështja e përcaktimit të vijës kufitare me Serbinë. A do të mbetet kufiri i vitit 1974 që ne e kemi shpallur deklaratën e koordinuar të pavarësisë, apo do t’i japim mundësi zgjidhjes së shqiptarëve në lindje. Nëse Serbia shpreh interes dhe gatishmëri që të diskutohet për çështjen e serbëve në Leposaviq dhe Zubin Potok, është çështje e Serbisë. Por, Mitrovica historike, ku bënë pjesë Zveçani, Boletini, Zhazha, Vllahia e deri tek Bistrica dhe Liqeni i Ujmanit, nuk mundet në asnjë mënyrë të negociohen sepse janë, jo vetëm tokë, por pjesë e pandashme e Kosovës. Nuk mund ta gjymtojmë një pjesë të territorit për ta plotësuar pjesën tjetër të territorit. Por, përfundimisht ato komuna që në Kosovë janë imponuar për ndryshimet demografike në vitin 1956, janë subjekt i negociatave që duhet të pranohen nga të gjithë.

“Bota Sot” A e vlerësoni si interes strategjik amerikan lëvizjen e kufijve, pra integrimin e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit brenda territorit të Kosovës dhe a do të mund të realizohen nëse nuk është interes edhe amerikan?

Lutfi Haziri: Në asnjë mënyrë kjo nuk mund të zgjidhet pa mbështetjen amerikane. Procesi i normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi dhe ndërtimi i raporteve mes Serbisë dhe Kosovës deri në një pajtim historik të shqiptarëve dhe serbëve në Ballkan, nuk mund të zgjidhet pa mbështetjen dhe udhëheqjen politike të qeverisë amerikane. Ndërsa, roli i BE-së është kritik. Ne jemi territor evropian dhe aspirojmë në integrimet në familjen evropiane. Është rrugë me një drejtim për Kosovën integrimi në BE sepse është familja jonë  dhe autoriteti i ndërmjetësuesit është i domosdoshëm.

“Bota Sot” Cili është mesazhi juaj për qytetarët por edhe për prijësit komunal në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, si duhet të sillen në këtë kohë kur mund të jetë rast I rrallë për ata njerëz atje?

Lutfi Haziri:  Unë e kam parë një lëvizje jashtëzakonisht aktive dhe mobilizim të udhëheqësve të subjekteve, në veçanti të Shaip Kamberit, Shqipërim Arifit, të ish kryetarëve Ragmi Mustafa e Ardita Sinani dhe të kryetari të Këshillit Kombëtar, Ragmi Mustafa. Po mungon shumë roli i Jonuz Musliut, tashmë i ndjerë, por që ka pasur një peshë jashtëzakonisht të madhe politike atje. Mirëpo, nuk po shoh lëvizje qytetare, nuk ka mobilizim qytetar. Unë kam marrë pjesë në takimin e shoqatës “Jehona” në Zvicër dhe këta bashkatdhetar janë komunitet i organizuar në Evropë. Besoj shumë që një lëvizje më e madhe e qytetarëve, klubeve dhe shoqatave të shqiptarëve, do të ndihmonte politiken në radhë të parë në Kosovën Lindore, që ata të jenë më të fuqishëm në prezantim dhe do të arsyetonin kërkesat edhe në Republikën e Kosovës më shumë. Ne shpeshherë kemi zëra kundërshtues që vijnë nga këto treva,  e që janë kundër çdo lloj ndryshimi e përpjekje për zgjidhjen e këtij problemi që është një anomali në shoqërinë tonë.

“Bota Sot”: E kemi një lloj ultimatum nga kryeministri Haradinaj, ku ka këmbëngulur se nuk e heq taksën, nëse nuk mbahet një konferencë ndërkombëtare me disa pika. Si e vlerësoni ketë hap dhe pikat të cilat i ka kërkuar kryeministri?

Lutfi Haziri: Nuk jam ithtar ta interpretojë letrën e kryeministrit që i ka adresuar QUINT-it, për të thënë me shaka, nuk i lexoj letrat e huaja. Në këtë rast, i bije që kryeministri e ka një iniciativë që dallon nga presidenti i Republikës dhe nga partnerët e koalicionit PAN. Kjo letër dhe iniciativë është përpjekje për të çuar drejt një procesi të normalizimit. Ndërsa, taksën vetëm ai që e vendos, mund ta heq. LDK nuk është pyetur kur është vendosur taksa, e as nuk po pyetet tash për heqjen e saj. Ne jemi solidarizuar dhe kemi bërë thirrje që miqësia me SHBA nuk guxon të rrezikohet. Letra e ambasadorit amerikan, shkëlqesisë së tij Kosnett, duhet të trajtohet nga të gjithë partnerët e koalicionit me seriozitet sepse kjo miqësi është e shenjtë. Dora që të ka ushqyer nuk bën të përbuzet, thotë populli ynë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat