Lobi Euro – Atlantik Shqiptar kundër prekjes së kufijve, flet zëdhënësi Skender Musliu

Intervista

Lobi Euro – Atlantik Shqiptar kundër prekjes së kufijve, flet zëdhënësi Skender Musliu

Nga: Albulenë Muji Më: 26 shkurt 2019 Në ora: 16:38
Zëdhënësi i Lobit Euro – Atlantik Shqiptar, Skender Musliu

“Duke marrë parasysh faktin se mbi gjysma e popullit shqiptar gjindet jashtë atdheut, e në veçanti largimi pas viteve të 90-ta, me kërkesë të kohës dhe  Mërgatës shqiptare, u paraqit nevoja që e gjithë kjo energji e resurseve njerëzore, intelektuale, kapaciteteve ekonomike dhe  financiare të drejtohet nga një organizatë mbarëkombëtare që do ta udhëhiqte këtë potencial dhe pasuri kombëtare”, ka thënë në intervistën ekskluzive për gazetën “Bota sot”, zëdhënësi i Lobit Euro – Atlantik Shqiptar, Skender Musliu.

 

“Bota sot”: Fillimisht, si lindi ideja apo cili ishte shkaku për marrjen e nismes për t’a organizuar Mërgatën shqiptare?

Skender Musliu:  Pas demokratizimit të jetës politike në Shqipëri viteve të 90-ta, pas ushtrimit të dhunës sistematike dekada me radhë në Kosovë nga policia, paramilitarët dhe ushtria serbe, gjenocidit serb mbi popullatën e pambrojtur të Kosovës gjatë luftës të vitit 1999, diskriminimin e vazhdueshëm institucional të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, përmes proceseve të montuara politike me dënime drakonike, diskriminimin politik dhe dhunën ekonomike e sociale si dhe presionet e vazhdueshme të institucioneve serbe mbi shqiptarët e Luginës së Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës përmes policisë dhe xhandarmerisë serbe, ka bërë që një pjesë e shqiptarëve të  Ballkanit Perëndimor të shpërngulen nga trojet e tyre shekullore.

Duke marrë parasysh faktin se mbi gjysma e popullit shqiptar gjindet jashtë atdheut, e në veçanti largimi pas viteve të 90-ta, me kërkesë të kohës dhe  Mërgatës shqiptare, u paraqit nevoja që e gjithë kjo energji e resurseve njerëzore, intelektuale, kapaciteteve ekonomike dhe  financiare të drejtohet nga një organizatë mbarëkombëtare që do ta udhëhiqte këtë potencial dhe pasuri kombëtare.

Prandaj, me iniciativën e disa bashkatdhetarëve tanë të një koloriti të ndryshëm intelektual dhe profesional e sidomos me orientime kombëtare, vendosën të takohen dhe të bisedojnë  rreth organizimit të një organizate të tillë mbarëkombëtare.

“Bota sot”: Si u organizua procesi i themelimit të Lobit Euro – Atlantik Shqiptar?

Skender Musliu: Si rrjedhojë e kësaj që sapo thash, me 20 Shkurt të vitit 2016  në qytetin Lörrach të Gjermanisë, ky grup i bashkatdhetarëve, pas bisedave dy ditore, vendosën ta marrin iniciativën për themelimin e Këshillit të Përkohshëm Drejtues  i cili edhe mori vendimin që  organizata e ardhshme  të emërohet si : « Lobi Euro-Atlantik Shqiptar » ( LEASH ).

Menjëherë pas kësaj iniciative,  Këshilli i Përkohshëm Drejtues, arriti të themelojë disa Degë të kësaj organizate nëpër disa shtete të Evropës, sikurse në Gjermani, Norvegji, Belgjikë, Austri, Zvicrës, Suedi e tjera, të organizuara nën një strukturë të përbashkët.

Më pas, u formua Grupi Punues që morri obligim ta  organizojë  Asamblenë  e Parë Zgjedhore për themelimin e Lobit Euro – Atlantik Shqiptar.

Image
Anëtarët e Kryesisë së LEASH-it për vizitë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel.

Kështu, më 17 Dhjetor të vitit 2016, po ashtu në Lörrach, u organizua  Asambleja e Parë,  në të cilën morën pjesë përfaqësuesit legjitim të të gjitha Degëve që ishin themeluar gjerë atëherë duke përfshirë edhe Këshillin e Përkohshëm Drejtues me strukturat e saja.  Po ashtu, i bëmë ftesë publike edhe Mërgatës shqiptare që të jetë pjesë aktive e këtij tubimi mbarëkombëtar.

Në këtë Asamble, me vota të fshehta, me kundër-kandidatë dhe me një Komision zgjedhor të pavarur,  u zgjodh Kryesia e Parë e Lobit Euro – Atlantik Shqiptar. Ishte një Kryesi gjithëpërfshirëse sepse u përfaqësuan të gjitha Degët dhe anëtarët e kësaj Kryesie ishin nga të gjitha trojet tona etnike.

Në këtë Asamble njëzërit u miratua Statuti dhe Platforma e kësaj organizate me Komisionet e nevojshme.

Menjëherë pas themelimit të LEASH-it, u themeluan edhe disa Degë tjera, sikurse në Greqi, Itali, Kalabri, Këshilli Nismëtar në Kroaci dhe synimet janë që të shtrihemi edhe më tej Atlantikut.

“Bota sot”: Për ta kuptuar më lehtë dhe më mirë lexuesit tanë, si do ta kishit definuar domethënien e organizatës tuaj?

Skender Musliu: Vështirë është që të formulohet një definicion, por meqë më pyetët, atëherë  do të kisha thënë se: Lobi Euro – Atlantik Shqiptar është organizatë mbarëkombëtare, gjithëpërfshirëse, me karakter ndërkombëtar e Mërgatës shqiptare, që bashkon dhe organizon Mërgatën nën një strukturë të qëndrueshme dhe inkluzive, të vetme, por të përbashkët veprimi në të gjitha shtetet ku ajo punon, jeton dhe vepron, që synim kryesor ka të  kontribuojë drejt avancimi të çështjes kombëtare mabarë-shqiptare.

Jemi organizatë jopolitike dhe jofetare.

Lobi Euro – Atlantik Shqiptar është një Projekt jashtëzakonisht i madh dhe i fuqishëm, është një Mega Projekt,  shumë fisnik dhe kombëtar që Mërgata shqiptare  në këto dimensione, me këtë vizion dhe koncept të avancuar, nuk e ka pasur ndonjëherë gjatë historisë.

Lobi Euro – Atlantik Shqiptar është organizatë  legjitime, sepse Kryesia Qëndrore  është zgjedhur me vota të lira dhe të fshehta duke iu nënshtruar një procesi zgjedhor demokratik, me kundër kandidatë dhe me një Komision zgjedhor të pavarur. Nga kjo del se  legjitimiteti buron nga baza respektivisht nga Degët e organizatës tonë që shtrihen nëpër shumë shtete.

Lobi Euro – Atlantik Shqiptar është organizatë zyrtare, sepse jemi të regjistruar pranë gjykatës kompetente në Gjermani konform dokumentacionit  duke prezantuar Statutin dhe procesverbalin me nënshkrimet e nevojshme, e kjo është shpallur edhe në Gazetën zyrtare në Gjermani.

Jemi organizatë legale sepse puna jonë është publike dhe në bashkëpunim me autoritetet e shteteve ku neve jetojmë dhe  veprojmë. Puna jonë është shumë transparente dhe aktivitetet tona  mund të shihen në faqet tona zyrtare ku çdo kush mund t’i konsultojë ato, si për shembull në faqen tonë zyrtare të facebook: Lobi Euro-Atlantik Shqiptar zyrtar.

Organi më i lartë vendimmarrës është Asambleja, kurse organi më i lartë ekzekutiv është Kryesia e LEASH-it, që përbëhen nga përfaqësues të barabartë nga të gjitha Degët.

“Bota sot”: Më duket se ka patur tendenca nga persona tjerë se Lobi Euro – Atlantik Shqiptar i takon një grupi të bashkatdhetarëve tjerë, cili është mendimi juaj?

Skender Musliu: Është e vërtetë se ka patur tentativa që të përvetësohet organizata jonë nga të tjerët, por për fat të mirë Mërgata shqiptare nuk ka ra nën ndikimin e tyre. Neve siç thash më lartë, jemi e vetmja organizatë që ka karakter mbarëkombëtar dhe gjithëpërfshirës, e  organizuar me një strukturë të qëndrueshme, zyrtare, legjitime dhe legale  që ka për synim vetëm çështjen kombëtare, dhe përveç kësaj nuk ka tjetër. Të vetmet informacione  që janë zyrtare, me kompetenca dhe të  autorizuara janë ato të  publikuara në faqen tonë zyrtare. Të gjithë ata persona që nuk u janë nënshtruar proçeseve demokratike zgjedhore nuk mund të pretendojnë se janë pjesë e strukturave të organizatës tonë.

Në bazë të vlerësimeve tona, Lobi Euro – Atlantik Shqiptar, gjithnjë e më tepër është duke u konsoliduar dhe  fuqizuar, po bëhet një faktor relevant në senzibilizimin e një korpusi të proçeseve, prandaj konsiderojmë se ajo ka marrë një rrugë të mbarë drejtë realizimit të objektivave, synimeve  dhe Platformës tonë. Sigurisht se pa përkrahjen e parezervë të mërgatës që në vazhdimësi n’a jep, organizata jonë nuk do të ishte aty ku është sot.

“Bota sot”: Në Platformën t’uaj a keni paraparë dispozita lidhur me integrimin e mërgatës në shtetet ku ajo jeton?

Skender Musliu: Lobi Euro – Atlantik Shqiptar, ashtu siç është paraparë  edhe në Platformën tanë, zhvillon aktivitete të ndryshme me insitucionet e shteteve aty ku jeton dhe vepron mërgata shqiptare. Duke patur parasysh potencialin e jashtëzakonshëm intelektual dhe kapacitetet profesionale të profileve të ndryshlme të mërgatës shqiptare , neve rëndësi të veçantë  i kushtojmë integrimit të mërgatës nëpër strukturat e  institucioneve shtetërore ku ata jetojnë dhe veprojnë. 

Është evident fakti se Mërgata shqiptare nuk është më ajo që ka qenë para disa dekadave. Familjet shqiptare po i kushtojnë  rëndësi si kurrë më parë, shkollimit të gjeneratës së re. Prandaj sot nëpër Univerzitetet e botës kemi me dhjetra mijë student të dalluar shqiptarë, që paraqesin një potencial intelektual shumë të rëndësishëm për të kontribuar në çëshjen tonë. Prandaj neve jami të interesuar që këto kuadra t’i ndihmojmë në punësimin e tyre dhe integrimin sa më të lehtë dhe më të mirë në institucionet përkatëse.

Prandaj integrimi i Mërgatës shqiptare në shtetet ku ata jetojnë, për neve ngelë një prioritet i rëndësishëm dhe i vazhdueshëm.

“Bota sot”: Sigurisht se Lobi Euro – Atlantik Shqiptar bashkëpunon me organizata të ndryshme, çka mund të n’a thoni në këtë drejtim?

Skender Musliu: Pa tjetër, aktivitetet tona zhvillohen përmes formave të ndryshme të bashkëpunimit me organizata dhe institucione relevante në disa shtylla.

Së pari, Lobi Euro – Atlantik Shqiptar bashkëpunon me shumë organizata, shoqata, asociacione dhe klube të ndryshme të shqiptarëve. Kemi kontakte të vazhdueshme dhe organizojmë aktivitete të përbashkëta.

Së dyti, organizata jonë është shumë e interesuar të bashkëpunojë edhe me institucionet e shteteve tona amë, sepse në këtë mënyrë do të mund të koordinoheshin më mirë për aktivitetet tona në të ardhmen.  

Image
Kryetari i Lobit Euro – Atlantik Shqiptar, Shukri Ymeri me ish-presidentin e Shqipërisë Bujar Nishanin

Gjatë  aktiviteteve tona institucionale kemi patur kontakte me disa nga Ministritë e shteteve tona respektive, takime të drejtpërdrejta edhe me shumicën e presidentëve të Republikës së Shqipërisë nëpër takime të ndryshme. Nuk kanë munguar takimet edhe me kryeministrin e Republikës së Kosovës dhe ministra të kabinetit të tij, me deputet të Parlamentit të Kosovës dhe Shqipërisë si dhe me shumë personalitete tjera të jetës politike dhe publike.

Image
Zëdhënësi i Lobit Euro – Atlantik Shqiptar, Skender Musliu me ish-presidentin e Shqipërisë Bujar Nishanin

Së treti, Lobi Euro – Atlantik Shqiptar ka bashkëpunim dhe është në kontakte të vazhdueshme me Ambasadat tona respektive me të cilat jemi të interesuar të zhvillojmë aktivitete të përbashkëta. Dua të theksoj se Ambasadat tona kanë treguar gatishmërinë për këtë bashkëpunim, për çka  i falënderojmë. Vazhdimisht ftohemi nga Ambasadat në raste të ndryshme, por edhe neve i ftojmë ata në eventet që neve i organizojmë.

Image
Kryetari i Lobit Euro – Atlantik Shqiptar, Shukri Ymeri me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta

Së katërti, një rëndësi të veçantë Lobi Euro – Atlantik Shqiptar i kushton  komunikimit me institucionet e Bashkimit Europian, respektivisht me Parlamentin Europian, Këshillin e Europës, Komisionin Europian, Përfaqësuesen e Lartë për bashkëpunim dhe siguri si dhe Kombeve të Bashkuara me të cilët kemi kontakte të vazhdueshme përmes shkrimeve tona.  

Temat që kemi trajtuar me këto institucione kanë qenë gjithnjë të aktualitetit, sikurse : liberalizimi i vizave për Kosovën, formimin e bashkësive të komunave me shumicë serbe në baza etnike, përdhunimin e grave të Kosovës gjatë luftës, për të pagjeturit, për gjenocidin e ushtruar serb gjatë  luftës në Kosovës, për formimin e Ushtrisë së Kosovës, për delimitimin e kufirit detar mes Shqipërisë dhe Greqisë, për ngjarjet në Parlamentin e maqedonisë me ç’rast u sulmuan disa deputet shqiptar,  dhe së fundi për bisedimet Kosovë – Serbi, si dhe tema tjera të aktualitetit. Në këto shkrime neve kemi prezentuar pikëpamjet dhe analizat tona por edhe kemi propozuar zgjidhjet e tyre, gjithnjë duke patur parasysh interesin kombëtar.

Image
Zëdhënësi i Lobit Euro – Atlantik Shqiptar, Skender Musliu me eurodeputetin, Eduard Kukan

Në vazhdën e këtyre aktiviteteve, unë para disa kohëve, në cilësinë e zëdhënësit të LEASH-it, pata rastin të takohem dhe të bisedoj në Bruksel me eurodeputetin, Zotri Eduard Kukan si dhe ish eurodeputeten, që njihet edhe si mikeshë e shqiptarëve, Zonjën Urlika Lunacek, me ç’rast diskutuam temat që ceka më lartë.

Image
Zëdhënësi i Lobit Euro – Atlantik Shqiptar, Skender Musliu me mikeshën e shqiptarëve, Zonjën Urlika Lunacek

Vlen të theksojmë se për tema të caktuara i  jemi  drejtuar edhe kryetarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ministrit të Shtetit Amerikan, Kancelares gjermane, ministrit për punë të jashtme të Gjermanisë dhe personaliteteve tjera eminente botërore.

“Bota sot”: Gjatë kontakteve t’uaja me institucionet e shteteve tona respektive, çka keni biseduar,a keni patur ndonjë kërkesë të veçantë për Mërgatën?

Skender Musliu:  Duke patur parasysh nevojën dhe kërkesat e Mërgatës, me të cilën jemi në kontakte të vazhdueshme, Lobi Euro – Atlantik Shqiptar, i është drejtuar institucioneve të shteteve tona respektive  me disa kërkesa, ndër të cilat veçojmë:

1. Të ketë vendet të rezervuara në Parlament për Mërgatën shqiptare, 

2.  Ministri i Diasporës të zgjidhet nga rradhët e Mërgatës,

3.  Të bëhet sa më shpejtë regjistrimi i Mërgatës,

4 Të garantohet e drejta e votës për Mërgatën,

5. Të  thjeshtëzohen procedurat rreth votimit të Mërgatës,
6. Të zgjidhet problemi i sigurimit të makinave apo kartonit të gjelbërt,
7.  Krijimin e kushteve më praktike dhe më të shkurtra për lehtësimin e     procedurave juridike dhe  administrative për investime në vendlindje,
8.  Të bëhet depolirizimi i Mërgatës, si dhe shumë çështje tjera që prekin mërgatën, por duke patur parasysh kohën e shkurtër, nuk jemi të sigurtë që do të mund t’i prezentojmë të gjitha këto. Përveç këtyre kërkesave neve kemi trajtuar edhe shumë tema tjera me institucionet tona, që kanë rëndësi për veprimtarinë e Mërgatës.

 

“Bota sot”: Tani një pyetje për aktualitetin në Kosovë, cili është mendimi apo qëndrimi i LEASH-it lidhur me propozimin për ndryshimit e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, për të arritur një marrëveshje?

Skender Musliu: Lobi Euro – Atlantik Shqiptar në vazhdimsi i përcjellë  ngjarjet dhe zhvillimet, jo vetëm në Kosovë, por në gjithë hapsirat shqiptare dhe shpesh herë kemi shprehur shqetësimet tona lidhur me disa proçese retrograde që po i përcjellin ato.

Qëndrimet e Lobit Euro – Atlantik Shqiptar janë të njohura për publikun sepse kemi trajtuar disa herë këtë çështje. Neve jemi për vazhdimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me qëllim të arritjes së një Marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme dhe me garanci ndërkombëtare. Këto bisedime duhet t’i zhvillojë Komisioni Shtetëror i votuar nga Parlamenti i Kosovës me Platformën, e cila besoj se do të miratohet së shpejti  në Parlament, por në këtë Komision duhet të përfshihen edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetvendosja, sepse konsiderojmë se për marrjen e vendimeve për çështjet vitale, është i domosdoshëm koncenzusi politik.  

Në asnjë rast, nuk duhet të jetë pjesë e dialogut subjektiviteti, Rendi Kushtetues dhe  integriteti teritorial i Republikës së Kosovës, sepse kjo do t’a destabilizonte rajonin. Në bisedimet Kosovë – Serbi duhet të diskutohet, por vetëm, përveç tjerash,  për kërkim-falje nga Serbia për njohjen e gjenocidit të ushtruar në Kosovë, për të pagjeturit, për përdhunimet, për dëmet e luftës, si dhe tema tjera, por kurrsesi për ndryshim të kufijve. Neve konsiderojmë se nëse preken kufijtë, atëherë kjo do t’ia hapte rrugën e bashkëngjitjes të Republikës Serbe, Serbisë dhe sipas « efektit dominodo « do të shkaktonte ridizajnimin e kufijve në hapësirat e ish Jugosllavisë.

“Bota sot”: Dhe në fund, a keni ndonjë porosi për mërgatën shqiptare?

Skender Musliu: I ftojmë bashkatdhetarët tanë gjithandej botës që të n’a bashkangjiten dhe të bëhen pjesë aktive e jona dhe të rrugëtojmë bashkarisht drejt realizimit të idealeve tona që burimin e kanë thellë në shprtin shqiptar qysh para Rilindasve tanë si dhe  Nolit, Konicës dhe shumë patriotëve tjerë shqiptarë.

 Në rradhët tona gjithnjë e më tepër po vijnë njerëz të dëshmuar me orientime kombëtare që janë të gatshëm të investohen me  qenjen e tyre për realizimin e kauzës tonë. Prandaj edhe me këtë rast e ftojmë Mërgatën tonë në mënyrë solonele që  të n’a bashkohet sepse sa më shumë që jemi,  aq më të fuqishëm do të bëhemi.

Vlerësimet, mendimet dhe propozimet që mërgata n’a i bënë, n’a inkurajojnë dhe n’a japin një inpuls plotësuese që të vazhdojmë punën tonë të përbashkët duke ruajtur unitetin,  bashkë me juve.

Image
Kryesia qendrore e LOB-it

Po ashtu, shfrytëzoj rastin t’a falemnderoj Kryesinë Qëndrore të Lobit Euro – Atlantik Shqiptar, të gjitha Degët dhe Nëndegët tona për punën dhe kontributin që në vazhdimësi japin për realizimin e objektivave tona.

Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë.

“Bota sot”: Zotri Musliu faleminderit për intervistën.
Skender Musliu :  Kënaqësia ishte e imja dhe ju falenderoj për mundësinë që ma dhatë që t’i prezentoj disa aktivitete të LEASH-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat