Bytyqi: Problemeve të studentëve nga Presheva, Medvegja e Bujanoci mund t’u japim zgjidhje, por duhet bashkëpunimi

Intervista

Bytyqi: Problemeve të studentëve nga Presheva, Medvegja e Bujanoci mund t’u japim zgjidhje, por duhet bashkëpunimi

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 27 shkurt 2019 Në ora: 07:46
Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyçi, gjatë realizimit të intervistës për "Bota sot", me gazetarin Kushtrim Maliqi

Në vazhdimin e intervistës, Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Byqyti, për “Bota sot”, ka thënë se, greva e ka dëmtuar më së shumti nxënësin. Ai ka theksuar se nuk do të lejojnë që tërë ato orë që janë humbur të shkojnë pa u kompensuar. Bytyqi ka theksuar se, kanë gjetur edhe mirëkuptimin  e mësimdhënësve, por edhe të prindërve, të cilët janë të gatshëm që gjithçka të kompensohet. Po ashtu, ai ka folur edhe për nostrifikim e diplomave të studentëve nga Lugina e Preshevës, duke thënë se po mundohen që t`iu gjejnë zgjidhje.

“Bota sot”: Gjatë kohës kur është mbajtur grevë, nxënësit pa fajin e tyre kanë humbur një pjesë të madhe të realizimit të planprogramit mësimorë. Kemi pa se keni paralajmëruar se të gjitha ato orë do të kompenzohen, a mund të na thoni ju lutem se si do të gjendet zgjidhja për këtë çështje?

Bytyqi: Ne, së pari kemi kërkuar të kemi informacionet e sakta se sa orë të humbura i kemi gjatë asaj periudhe në të gjitha shkollat ku kemi parë se kemi pas një numër tejet të madh të orëve të humbura. Pastaj jemi ulur bashkë me drejtorët ku kemi biseduar se si do ti qasemi kësaj problematike, pasi që është një numër shumë i madh i orëve, ku sigurisht se nuk guxojmë të tolerojmë të na iki ashtu pa u kompenzuar, ku tashmë jemi në përfundim të punës, unë së shpejti do të dal me një vendim i cili do ti obligoj të gjitha shkollat që ti kompenzojnë orët e humbura, kjo që po e them është edhe ekskluzive për ju, ne e kemi bërë një formulë se si do ta realizojmë këtë, pesë ditë të të kompensohen në pushimin pranverorë, pra nuk do të ketë pushim pranverorë, pesë ditë të tjera u kemi kërkuar që t’i kompensojnë në vikende, në mënyrë që të mos e ngarkojmë tepër as vikendet, ku shkollave u lihet e drejta që vetë të zgjedhin se cilat vikende do të punojnë, si dhe pesë ditët tjera, nga gjithsej 15 të cilat i kanë humbur në vazhdim të përfundimit të mësimit, pra nuk do të përfundoj semestri në datën në të cilën ka qenë e planifikuar, por një javë me vonesë dhe në këtë formë do të kompensohen të gjitha ato orë të humbura.

Ministria e Arsimit e ka për obligim të organizojë orarin për vitin shkollorë, ku në këtë mënyrë ne po e bëjmë një riorganizim, i cili i obligon të gjitha shkollat që ta respektojnë, konsideroj që edhe mësimdhënësit të kenë mirëkuptim, sepse kemi bërë një shpërndarje të mirë ku konsideroj që asnjë mësimdhënës nuk është i interesuar që nxënësit e tij të humbin mësim, e sidomos kur flasim për klasën e parë e cila është pjesa më e ndjeshme. Çka është për tu theksuar gjithashtu, është ajo se kemi një mirkuptim të fuqishëm edhe nga ana e prindërve që fëmijët e tyre të mos humbin asnjë orë mësimi.

Kjo pa dyshim që nuk është mënyra më e mirë e mundshme, si zgjidhje për këtë çështje, pasi që e mira do të ishte sikur mësimi të mbahej në kohë, por gjithsesi, mund t`ju them se ky nuk do të jetë thjeshtë kompensim formal, por do të kompensohen të gjitha orët e humbura ashtu siç duhet.

“Bota sot”: Ministër, kohëve të fundit jo vetëm në punë brenda ministrisë, por ju kemi parë edhe nëpër terren nëpër komuna të ndryshme duke iu dhënë mbështetje si drejtorëve të arsimit, ashtu edhe drejtorëve të shkollave, cila në fakt është e vërteta e këtyre takimeve tuaja në terren?

Bytyqi:  Realisht, mund të them që ka ekzistuar një hendikep, apo një boshllëk mes pushtetit lokal dhe atij qendrorë, sidomos në sektorin e arsimit, ku kemi vendosur që të krijojmë një standard të ri të funksionimit të këtyre gjërave. E para, shpesh publiku nuk e ka të qartë se një pjesë të përgjegjësisë goxha të madhe të shkollimit para-universitarë e ka pushteti lokal, duke përfshi kryetarin e komunës, kryetarin e DKA-së e pastaj edhe drejtorët e shkollave, por pa lënë anash ministrinë e arsimit e cila e ka një rrol kyç në këtë drejtim. Në këtë kontekst, kemi bë përpjekje që të vendosim një standard i cili do të ketë një bashkëpunim të ngushtë mes pushtetit lokal dhe atij qendrorë që ti harmonizojmë bashkë obligimet, në mënyrë që të ecim përpara në rrugën e ndryshimit të sistemit arsimorë para-universitarë gjegjësisht në ngritjen e cilësisë dhe sit ë bëhet kjo, kjo do të bëhet duke qenë bashkë dhe duke i identifikuar nevojat që i ka secila shkollë, secila komunë, ku mendoj se kjo ka rezultuar shumë pozitivisht, si rezultat, të gjitha vizitat të cilat i kemi realizuar deri tani e që do të vazhdojmë ti realizojmë në të ardhmen kemi marrë shumë informacione, qoftë nga shkollat direkt qoftë nga drejtorët e DKA-ve dhe është thyer ajo barrierë ku thuhet jo jeni fajtorë ju, jo s’jemi fajtorë ne, pra të ecim bashkë drejt rrugës e cila na qon tek ndryshimet e sistemit arsimorë.

E kam thënë shpesh, po e përsëris, arsimi është i të gjithë neve, nuk është as i ministrit, as i kryetarit të komunës e as i drejtorit të DKA-së, pra është obligim i të gjithë neve që ta ndryshojmë sistemin arsimorë për të mirë. Sistemi arsimor është vështirë të ndryshohet në mënyrë individuale dhe nuk ndryshohet menjëherë, pasojat me të cilat po ballafaqohemi ne në ministrinë e arsimit janë, kanë kërkuar një angazhim shumë të madh për ta ndryshuar gjendjen, por pa dyshim që rezultati nuk mund të jetë i menjëhershëm, pra duhet të presim vite, por duhet ta them këtë se çdo ditë e vonuar në marrjen e drejtimit të duhur, do të na kushtojë shumë rëndë.

Kjo pak a shumë është arsyeja pse ne kemi filluar me një standard të ri, ku pa dyshim ju kemi dhënë mbështetje edhe kryetarëve të komunave në mundësitë tona buxhetore si për infrastrukturë ashtu edhe për forma tjera në të cilat kanë nevojë shkollat, ne jemi duke punuar që shkollat të kenë një pavarësi shumë më të madhe se sa që kanë deri tani, me këtë udhëzimin e ri do të jetë krejt ndryshe në mënyrë që secili ti merr përgjegjësitë që i takojnë, por do të gjejmë edhe një formë që ata të cilët janë më të suksesshëm ti dallojmë, do të thotë ti shpërblejmë.

Këtë vit, kemi dhënë mirënjohje për të gjithë mësimdhënësit më të mirë që janë zgjedhë për vitin e kaluar nga DKA-të, ndërsa këtë vit, planifikojmë ti shpërblejmë edhe shkollat më të mirë, mësimdhënësit më të mirë, jo vetëm me mirënjohje por edhe financiare, në mënyrë që të nxisim një garë, një motiv më shumë që të gjithë ta japim maksimumin nga vetja e tyre.

“Bota sot”:  Si qëndrojnë punët në raport me komunat në lindje të Kosovës, Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, paraardhësit tuaj kanë bërë disa përpjekje që të dërgojnë libra atje, ende një numër i konsiderueshëm vazhdon të qëndrojë i mbyllur në shpedicion. Ju prej që keni ardhur në pozitën e ministrit, sa i keni lëvizur gjerat për të mirë?

Bytyqi: E para që mund ta them është ajo që, nëse ekziston për neve në Kosovë një pikë e dobët për të cilën nuk kemi bërë sa është dashur, atëherë ajo është Presheva. Pavarësisht që ne i kemi pasur disa takime, unë  dhe ministrja e arsimit në Shqipëri e kemi biseduar konkretisht për mundësinë se si mund të dalim nga kjo situatë në mënyrë që librat të gjejnë një rrugë që të depërtojnë në Preshevë, mirëpo që deri sot nuk kemi arritur që ta gjejmë këtë zgjidhje.

Unë nuk jam i prirur që të krijojmë spektakle, natyra ime e të punuarit nuk më lejon që të nisim maune me libra, pastaj të na i kthejnë e që pastaj të arsyetohem duke thënë se, ja unë i nisa por nuk po më lënë. Ideja ime ka qenë dhe vazhdon të jetë që ta gjejmë një zgjidhje të mirëfilltë, në mënyrë që vërtet librat të arrijnë tek nxënësit tanë atje e assesi të bëjmë spektakle. Fatkeqësisë deri tani nuk kemi arritur ta bëjmë një gjë të tillë, unë besoj fuqishëm që deri në vitin e ardhshëm bashkë me Tiranën do ta gjejmë një zgjidhje të dëshiruar. Nëse do të jetë më e lehtë që librat në Preshevë të shkojnë më lehtë përmes Tiranës, ne do ta bëjmë një gjë të tillë, duke i marrë të gjitha obligimet ne që të printohen e të bëhen gati për nxënësit. Vlen të theksohet se ne jemi në një fazë kur po përgatitemi që abetarja të jetë në mënyrë elektronike në Kosovë, në fakt ne po tentojmë që të gjitha librat ti bëjmë në mënyrë elektornike, por si hap të parë do ta bëjmë me abetaren, e pastaj kjo abetare, do të mundohemi që legalisht të përdoret edhe në pjesën e Luginës. Mendoj që e kemi obligim të gjithë, edhe unë si ministër, por edhe Tirana në anën tjetër e kemi një vullnet pozitiv që të punojmë në këtë drejtim, por do të kisha shtuar që edhe në Luginë, personat përgjegjës duhet të jenë më aktiv, fatkeqësisht deri sot me mua nuk është takuar askush nga atje lidhur me këto çështje, nuk ka pasur ndonjë interesim, ndoshta është dashur edhe ne ti ftojmë ata, nuk i lë vetëm ata fajtorë, por them se është mirë që të koordinohemi bashkë tria palët, Shqipëri-Kosovë-Luginë në mënyrë që fëmijët tanë ta paisen me libra shqip në atë pjesë shqiptare.

“Bota sot”: Studentët, të cilët nga këto tri komuna vijnë në Kosovë për ta ndërtuar një karrierë së pari duke studiuar, e pastaj edhe duke tentuar të avancohen ose të gjejnë ndonjë punë, shembull studentët të cilët kanë studiuar në Shqipëri, që vijnë nga Presheva, por që specializimet apo masterët duan ti kryejnë në Kosovë, sa po punohet që në këtë aspekt të krijohen lehtësira?

Bytyqi: Kur flasim për çështjen e nostrifikimit, është një problem aspak i lehtë, nëse flasim për Kosovë-Serbi, ndërkohë që nëse studentët e Preshevës përfundojnë studimet në Tiranë dhe vijnë i nostrifikojnë këtu në Prishtinë diplomat, është pak më lehtë, sepse me Tiranën i kemi raportet shumë më të mira dhe nuk e kemi ndonjë problem real, unë realisht nuk e di nëse ka probleme të tilla, mendoj që është mirë me ardhë me na prezantu një grup i caktuar e pastaj ne të marrim masa sepse ne jemi këtu për të lehtësuar procedura, e sidomos kur flasim për pjesët jashtë Kosovës, si Preshevën dhe Malin e Zi. Në mënyrën më të sinqertë dhe më serioze të mundshme iu them se, të gjitha problemet procedurale me të cilat ballafaqohen studentet nga Presheva, i lus që të vijnë në mënyrë të organizuar dhe do të gjendet zgjidhje në kuadër të ligjit, patjetër.

Problem tjetër goxha i madh, politik madje, është ajo se shteti Serb nuk i njeh diplomat nga Kosova, nga Universiteti i Prishtinës, çështje kjo për të cilën është arritur një marrëveshje në Bruksel, por e cila nuk është zbatuar asnjëherë në praktikë, nga ana e Beogradit. Pra ata vazhdojnë ta injorojnë këtë çështje edhe pse ka pas një tentativë vitin e kaluar nga një grup deputetësh serb që kjo të filloj sa më shpejt, për shkak se ka qenë edhe interes i tyre, prapë ka mbetur thjesht iniciativë, e nuk ka pasur lëvizje përpara, pra e kam frikën që deri në një zgjidhje të qëndrueshme politike, nuk do të mund të bëjmë zgjidhje alternative e teknike lidhur me këtë çështje. Unë e kam pasur edhe një takim me ministrin serb në Beograd, kur ishim në një vizitë atje, që kishte të bënte me shtetet e Ballkanit perëndimorë, lidhur me bashkëpunimin rajonal për arsim, ku kam kërkuar takim direkt me ministrin serb për të biseduar pikërisht për këtë çështje, ku kam pa se ai ministër nuk ka qenë i gatshëm që të na jep një përgjigje se kur mund të fillohet të bashkëpunohet që studentët e Luginës së Preshevës të kenë më lehtë të nostrifikojnë diplomat e tyre që i marrin në Kosovë, njëjtë edhe për serbët që mund të vijnë e të studiojnë tek ne. Unë po shpresoj që të arrijmë një zgjidhje politike, e kjo do të ofronte zbatim në praktikë, por prapë po e them se ajo që varet nga ne këtu, konsideroj që me një kërkesë që mund të na vije nga studentët e Preshevës, ne do të angazhohemi shumë seriozisht që ta rregullojmë, në mënyrë që ta lehtësojmë punën për ta. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat