Limaj: Shpresoj të kemi një zgjidhje në përputhje me këshillat e SHBA-së - Bota Sot
Limaj: Shpresoj të kemi një zgjidhje në përputhje me këshillat e SHBA-së

Intervista

Limaj: Shpresoj të kemi një zgjidhje në përputhje me këshillat e SHBA-së

Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 17:22
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, i cili është edhe bashkëkryesues i Delegacionit shtetëror në dialogun me Serbinë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se taksa 100 për qind, e vendosur për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, duhet të jetë pjesë e negocimit në Bruksel dhe nuk duhet të jetë problem për vazhdimin e dialogut me Serbinë. Ai shpreson se lidhur me taksën të ketë një zgjidhje që është në përputhje me kërkesat e SHBA-së.

Radio Evropa e Lirë: Në cilën fazë është aktualisht platforma për bisedime me Serbinë dhe a prisni që ajo të miratohet në Kuvendin e Kosovës?

Fatmir Limaj: Platforma si draft i është dorëzuar Parlamentit të Kosovës. Kemi shpenzuar një kohë të mjaftueshme për të hartuar një dokument që besoj i ngërthen në vete, para së gjithash, Kushtetutën e Republikës së Kosovës, është e bazuar mbi Kushtetutën e Republikës.

Ka marrë parasysh shqetësimet dhe çështjet sensitive që po ballafaqohet opinioni në Kosovë, sugjerimet e partive politike që janë në Parlamentin e Kosovës. Praktikisht, është një dokument gjithëpërfshirës që për qëllim ka që Kosova ta nxjerrë një qëndrim zyrtar dhe të flet me një zë, të ketë një mesazh se si Kosova e sheh dialogun e ardhshëm. Gjithashtu, qëllimi i platformës është për të treguar edhe njëherë vendosmërinë e Republikës së Kosovës që po ne jemi për dialog dhe dialogu është me interes të veçantë për vendin tonë, dialogu nuk ka alternativë tjetër. Andaj, miratimi i kësaj platforme në Parlamentin e Kosovës do të dërgonte këtë mesazh.

Tani, presim që pasi të kalojë procedurat normale në Parlament, platforma shumë shpejt të gjendet para deputetëve, ku ata do të kenë rastin për të diskutuar dhe trajtuar platformën. Sigurisht, ne presim nga deputetët që të kenë sugjerime, të ketë vërejtje për platformën dhe në fund presim që ajo të miratohet dhe Kosova të ketë një dokument për bisedime.

Radio Evropa e Lirë: A e keni diskutuar këtë platformë me presidentin Hashim Thaçi, marrë parasysh edhe opinionet e ndryshme që shpesh janë ndarë në mes të bashkëkryesuesit të Ekipit negociator dhe presidentit në lidhje me çështjen e ndryshimit të kufirit?

Fatmir Limaj: Përveç përmbajtjes së platformës, ne kemi qenë shumë të kujdesshëm në konsultimin paraprak me të gjithë për hartimin e platformës. Thash, përveç përmbajtjes së platformës, synimi ynë tjetër kryesor ka qenë që ai dokument duhet të reflektojë unitet të klasës politike të Kosovës. Më shumë se kurrë ne na duhet një unitet rreth qëndrimit në raport me dialogun e ardhshëm me Serbinë.

Prandaj edhe i kemi dhënë kohë të mjaftueshme konsultimit me të gjitha institucionet. Në hartimin e platformës ka marrë pjesë aktive edhe Zyra e Presidentit. Përveç që ka marrë pjesë Zyra e Presidentit në hartimin e platformës, në fund ne ia kemi dërguar dokumentin presidentit, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit, duke kërkuar nga ata që të japin sugjerimet e tyre ose vërejtjet pasi ta kenë lexuar. Dhe, pasi që kanë marrë kohën e nevojshme për ta shikuar dokumentin, përsëri jemi takuar edhe me presidentin, kryetarin e Kuvendit e kryeministrin dhe kemi marrë miratimin e plotë të të tri institucioneve.

Kështu që, kjo platformë e ka mbështetjen e plotë edhe të presidentit, edhe të kryetarit të Kuvendit edhe të kryeministrit dhe presim që ta ketë mbështetjen edhe të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Opozita, përkatësisht dy partitë më të mëdha opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk kanë marrë fare pjesë në hartimin e platformës. Rrjedhimisht, prisni që opozita të mos iu mbështesë në këtë platformë?

Fatmir Limaj: Keni të drejtë. Ne presim që tani opozita në Parlament ta japë kontributin e vet. Kur platforma të jetë në rend dite në Kuvendin e Kosovës, ne presim që edhe dy partitë opozitare të japin kontributin e tyre në drejtimin e platformës, dhe në fund presim që të votohet edhe nga ta dhe të jetë një dokument i Kosovës. Shpresoj që kjo do të ndodhë.

Radio Evropa e Lirë: Kosova po harton platforma dhe ligje për dialogun, por dialogu nuk po vazhdon derisa mbetet në fuqi tarifa doganore dhe kjo është konfirmuar edhe nga Bashkimi Evropian. Si mendoni ta vazhdoni dialogun me Serbinë, kur nuk është marrë parasysh sugjerimi amerikan për suspendim të taksës, qoftë edhe përkohësisht?

Fatmir Limaj: Ajo që dua të them në përgjigjen time, do ta ndaj në dy pjesë. E para, ne në Bruksel dhe këtu në Prishtinë me miqtë tanë e kemi paraqitur qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës. Kemi kërkuar nga Brukseli që të mos lejojë kushtëzime për fillimin e dialogut.

Qëndrimi i Republikës së Kosovës është që është mirë që dialogu të fillohet pa kushte dhe mos të kthehet në pengesë të fillimit të dialogut taksa. Natyrisht, taksa mund të jetë pjesë e negocimit në dialog, por nuk duhet të kthehet në pengesë për fillimin e dialogut. Ky ka qenë dhe është qëndrimi zyrtar i Republikës së Kosovës që ia kemi bërë të njohur Brukselit.

Gjithashtu kemi kërkuar nga Brukseli që të ndikojë te pala serbe për t’i dhënë mundësi dialogut. Ne besojmë fortë se dialogu me kushte është dialog i vështirë, paraprakisht krijohen kushte për të dështuar dialogu. Në qoftë se ne e legalizojmë kushtëzimin në dialog, është vështirë të parashikohet suksesi në dialog sepse sot e bën një palë kushtëzimin, nesër mund ta bëjë pala tjetër.

Prandaj është shumë me rëndësi që palët që nëse vërtetë duan të kenë dialog, nëse vërtetë duan të kenë marrëveshje, ne, të dyja palët duhet të angazhohemi fuqishëm në mirëbesim, t’i heqim pengesat për t’i dhënë mundësi dialogut. T’i tejkalojmë kushtëzimet dhe unë personalisht besoj se nëse vërtetë jeni të interesuar për një marrëveshje, nuk do ta lejonit veten që përmes kushtëzimeve t’ia humbni një mundësi vendit tuaj ose rajonit, dhe këtë e kemi bërë të njohur në Bruksel.

Pjesa e dytë e përgjigjes është se tashmë është fakt i ditur që rreth taksës në Kosovë ka këndvështrime të ndryshme rreth asaj se si duhet të sillemi me taksën. Në fakt, ajo që ne besojmë është që duhet të jemi të kujdesshëm në raportet me miqtë tanë. Kemi një kërkesë, tashmë zyrtare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që kërkojnë suspendimin për një kohë të caktuar të taksës për t’i dhënë mundësi dialogut dhe, brenda faktorin politik këtu te ne ka këndvështrime të ndryshme.

Ne po punojmë që sido që të jetë vendimi rreth kësaj teme të jetë vendim shtetëror. Vendimi për taksën nuk ka qenë vendim individual, nuk ka qenë vendim i një grupit, ka qenë vendim i institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës dhe unë jam kundër që vendime të tilla shtetërore pastaj të kthehen në një lloj kampi tifozësh kush është për e kush është kundër.

Institucionet e vendit tregojnë pjekuri kur dinë të marrin vendime shtetërore çfarëdo qofshin ato vendime të vështira apo të lehta, duhet të jenë bashkë, sepse vetëm kështu unë besoj se mund të arrijmë objektivat tona që t’i japim mundësi dialogut. Shpresoj që këtu ende kemi kapacitete negociuese, brenda koalicionit, për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët i cili i jep mundësi edhe dialogut dhe ruan marrëdhëniet tona strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Radio Evropa e Lirë: Në situatën aktuale në të cilën ndodhet Kosovës a ka ndonjë iniciativë për të gjetur një rrugë dhe për të dalë nga kjo gjendje sa i takon taksës?

Fatmir Limaj: Ashtu siç e thash, ka këndvështrime të ndryshme rreth taksës, por qëllimi është i njëjtë. Nuk kemi çka të flasim për Serbinë. Serbia ka merituar një veprim të tillë nga ana e Kosovës, për faktin që për vitet të tëra e dimë sjelljen që ka pasur ndaj Kosovës dhe institucioneve të saj. Unë besoj se taksa duhet të jetë pjesë e negocimit për t’u larguar të gjitha arsyet që ne na kanë futur ta vendosim taksën. Ka qindra raste kur Serbia ka shkelur marrëveshje.

Më lejoni që t'i përmendi disa prej tyre. Vazhdojnë edhe sot qytetarët e Kosovës që mos t'ju njihen dokumentet, mallrat tona, dokumentet përcjellëse të transportit të mallrave tona në Serbi nuk njihen. Vulat e Kosovës nuk njihen. Sot një qytetar i Republikës së Kosovës për të udhëtuar në Serbi duhet t'i ndërrojë tabelat e veturave. Ne kemi problem me sistemin energjetik. Kosova humb 7 deri në 10 milionë para për shkak të mosintegrimit të sistemin energjetik në sistemin evropian. Kemi problemin e hapësirës ajrore. Do të thotë janë dhjetëra probleme që vendi ynë është ballafaquar për vite të tëra dhe për të cilat, fatkeqësisht nuk ka gjetur zgjidhje.

Prandaj, unë besoj fort që duhet të negociohet taksa për t’u larguar të gjitha arsyet për të cilat është vendosur, dhe unë i besoj dialogut, dhe unë i besoj negociatave, dhe unë besoj se duhet t'i japim rast negociatave është për taksën, si për dialogun.

Radio Evropa e Lirë: Padëgjueshmëria e Kosovës, nëse mund të themi, karshi kërkesës së SHBA-së, a mendoni se po rrezikon partneritetin mes dy vendeve?

Fatmir Limaj: Pak a shumë ju keni parë se është një kurs pak ndryshe i Qeverisë së Kosovës dhe nuk duhet parë si një mosdëgjueshmëri, duhet parë si një lloj situate ku Kosova po pozicionet në një moment kritik për veten e saj.

Kosova po bën përpjekje për të çuar mesazh se me të vërtet jemi një shtet dhe duam të trajtohemi si të tjerët. Kosova mesazhin që është duke e dërguar, si në rajon po ashtu edhe me gjerë, është se ne nuk po kërkojmë asgjë më tepër, por na trajtoni siç po u trajtojmë ju me respekt. Ky hap i Kosovës pastaj ... unë e kuptoj se ka dilema e shqetësime të ndryshme, por asnjë rast nuk duhet parë si mosdëgjueshmëri ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Nuk ka politikë, qoftë pozitë apo opozitë, por edhe qytetarët e thjesht të Republikës së Kosovës me kënaqësi dhe ndihen krenar për të pranuar se pjesë e lirës së Kosovës janë SHBA-të, bashkëpronar i lirisë së Kosovës, bashkëpronar i ndërtimit të shtetit të Kosovës. Dhe ne për asgjë dhe asnjë send nuk i cenojmë interesat tona strategjike dhe marrëdhëniet me SHBA-në.

Këshillat dhe sugjerimet sa here që na kanë ardhur prej Uashingtonit, kanë qenë në të mirën e kombit tonë dhe në këtë rast edhe të Kosovës, dhe për ketë janë të vetëdijshëm secili, këtë e dinë edhe politikanët. Prandaj edhe shumë seriozisht janë duke i marrë këshillat dhe sugjerimet e miqve tanë, në këtë rast të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shpresoj se do të kemi një zgjidhje e cila është në përputhje me këshillat që na i kanë dhënë SHBA-ja.

Radio Evropa e Lirë: E cila është kjo zgjidhje?

Fatmir Limaj: Zgjidhja është t'i jepet mundësi dialogut, të negociohet taksa dhe të ecet përpara. Nuk guxon taksa të kthehet në pengesë për vazhdimin e dialogut.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...