Lutfi Haziri tregon a do të garojë për kryetar të LDK-së dhe si do të bashkëpunojë me Vetëvendosjen

Intervista

Lutfi Haziri tregon a do të garojë për kryetar të LDK-së dhe si do të bashkëpunojë me Vetëvendosjen

Më: 4 mars 2019 Në ora: 11:16
Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri në pjesën e dytë të intervistës për FaktePlus, ka folur për procesin e bredshëm zgjedhor të partisë që pritet të fillojë së shpejti. Ai ka treguar edhe si mund të ndërtohet bashkëpunimi mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosjes. Sipas tij, bashkëpunimi me këtë parti mund të ndodh për interesa të caktuara, porse nuk ka qenë e as nuk është i sinqertë, madje jo vetëm me Vetëvendosjen, por as me partitë tjera.

Por, Haziri thotë se bashkëpunimi mes LDK-së e Vetëvendosjes mund të gjendet shumë lehtë, në qoftë se Vetëvendosje kërkon falje për veprimet që i ka bërë, e pranon himnin dhe flamurin e Dardanisë, të kaluarën e Ibrahim Rugovës dhe rolin e LDK-së në proceset historike.

Ndërsa, duke folur për zgjedhjet e brendshme të LDK-së, Haziri ka thënë se ato mund të fillojnë në këta dy muajt e ardhshëm, pasi kryesia ka mandat vetëm deri me 24 maj 2019.

Por, Haziri nuk e ka saktësuar nëse do të jetë kandidat për kryetar të LDK-së.

Ai ka thënë se tash ka ardhur koha që periudha post Rugoviane të hyjë në një fazë krejt të re me një marrëveshje të madhe politike, në mënyrë që LDK ta kthej Kuvendin e saj solemn politik, duke ndërtuar unitet dhe duke marrë rolin e partisë së parë për 20 vitet e ardhshme.

Z. Haziri po flasim pak edhe për zhvillimet në LDK. Ka filluar një bashkëpunim i LDK-së me Vetëvendosjen, si e shihni ju këtë bashkëpunim, kur kemi parasysh sulmet që kjo partia ia ka bërë z, Mustafa kur ai ishte kryeministër?

Haziri: Historia e kundërshtisë mes LDK dhe Vetëvendosjes është e madhe për shkak të reagimit me metoda jodemokratike të Vetëvendosjes, madje edhe të dhunshme skajshmërisht. Këtu hyjnë edhe ofendimet e linçimet publike. Por, për këtë fazë ne po bashkëpunojmë vetëm për çështjet që na bashkojnë. Ajo që na bashkon është ndryshimi i qeverisë, Kuvendit dhe skenës politike, të cilët në emër të vendimeve të mëdha, po sjellin vetëm dëme të mëdha.

A besoni në një bashkëpunim të sinqertë me Lëvizjen Vetëvendosje?

Haziri: Bashkëpunim të sinqertë as me Vetëvendosjen, e as me asnjë parti nuk ka pasur. Mundet me pasë bashkëpunim për interesa të caktuara. Nuk është e lehtë, por mund të gjendet një rrugë e bashkëpunimit mes këtyre dy partive. Për shembull, nëse Vetëvendosje kërkon falje për veprimet që i ka bërë, e pranon himin e flamurin e Dardanisë, e pranon të kaluarën e Ibrahim Rugovës, rolin e LDK-së në proceset historike etj. Janë çështje që mund të na afrojnë shumë shpejt nëse përballohen pa ato qarkoret e famshme që e kanë identifikuar LDK-në me ‘tradhëti’, ‘tradhëtarë’, ‘zagarë’ dhe ‘njerëz të Serbisë’.

Këtë vit LDK zhvillon zgjedhjet e brendshme, kur pritet të fillojnë?

Haziri: Mund të fillojnë në këta dy muajt e ardhshëm sipas kalendarit të qeverisë. Mandati i kësaj kryesie është deri më 24 maj të këtij viti.

A do të jetë Lutfi Haziri kandidat për kryetar të LDK-së?

Haziri: Unë jam për një marrëveshje politike. Kam favorizuar marrëveshjen politike në  vitin 2007 në mes të z. Sejdiu dhe z. Daci, duke u tërhequr nga çdo lloj kandidature, kam favorizuar, po ashtu, marrëveshjen politike mes z. Sejdiu dhe z. Mustafa duke vendosur një lloj ambienti të tillë. Nuk ka ndodhur ose nuk është mbajtur marrëveshja deri tani. Ka ardhur koha që periudha post Rugoviane të hyjë në një fazë krejtë të re me një marrëveshje të madhe politike, në mënyrë që LDK ta kthej Kuvendin e saj solemn politik, duke ndërtuar unitet dhe duke marrë rolin e opartisë së parë për 20 vitet e ardhshme./Fakteplus

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat