Veprimet populiste nuk i mbulojnë abuzimet e Qeverisë Haradinaj - Bota Sot
Veprimet populiste nuk i mbulojnë abuzimet e Qeverisë Haradinaj

Intervista

Veprimet populiste nuk i mbulojnë abuzimet e Qeverisë Haradinaj

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 19 mars 2019 Në ora: 07:00
Natyra Kuçi

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Natyra Kuçi, ka thënë se klientelizmi, korrupsioni e interesat personale kanë qenë fjala kryesore që e ka përcjellë Qeverinë “Hardinaj”. Ajo ka thënë se mungesa e një plani, por edhe udhëheqja nga interesat grupore ka degraduar institucionet, ndërmarrjet dhe të mirat publike të vendit.

Në një intervistë të dhënë për gazetën “Bota sot”, zëdhnësja e PSD-së, Natyra Kuçi ka deklaruar se asnjë veprim populist si dhe asnjë rrezik i projektuar nga jashtë nuk mund t’i mbulojë abuzimet që po i bëhen shtetit nga qeveria aktuale.

Duke folur për dialogun me Serbinë, ajo ka theksuar se partia e saj është e angazhuar për ta dhënë kontributin e saj në këtë proces të rëndësishëm.

Kuçi ka folur edhe për raportet e fundit mes partive të koalicionit qeverisës, për të cilat ka thënë se subjekti i tyre nuk është i interesuar për të kuptuar se çfarë po ndodhë brenda tyre.

Tutje, ajo ka nënvizuar se Ligji për Dialogun nuk është në shpërputhje me Kushtetutën. Sipas saj, dy partitë tjera opozitare nuk kanë asnjë kundërshtim parimor rreth dialogut.

 “Bota sot”: Znj. Kuçi, Qeveria “Haradinaj” në vazhdimësi është kritikuar për mënyrën e qeverisjes së vendit nga dy partitë opozitare. Cili është mendimi i juaj, si është qeverisur me vendin deri më tani?

Natyra Kuçi: Qeverisja Haradinaj është qeverisje shkel e shko, e karakterizuar nga improvizimet. Mungesa e planit, por edhe udhëheqja nga interesat grupore ka degraduar institucionet, ndërmarrjet dhe të mirat publike. Klientelizmi, korrupsioni e interesat personale kanë qenë fjala kryesore e qeverisjes. Asnjë veprim populist, asnjë rrezik i projektuar nga jashtë nuk mund t’i mbulojë këto abuzime.

“Bota sot”: Si i ka parë Partia Socialdemokrate këto zhvillime e fundit brenda koalicionit “PAN”. A ka ftohje të raporteve në mes të partnerëve kryesorë?

Natyra Kuçi: Nuk e dimë nëse ka prishje të raporteve brenda PAN, as nuk jemi interesuar për të kuptuar.

“Bota sot”: Në rast të prishjes së koalicionit aktual dhe krijimi i një qeverie të re gjithëpërfshirëse. Partia juaj, a do të jetë pjesë e kësaj qeverie?

Natyra Kuçi: Duke qenë se është një proces sa i rëndësishëm aq edhe i pashmangshëm, PSD është angazhuar për ta dhënë kontributin e vet në procesin e dialogut. Secilin veprim të PSD duhet parë në këtë drejtim. Rezoluta, Platforma dhe Ligji janë kontributi direkt i PSD-së në këtë proces. Aty ku kemi pasur hapësirë kemi shtyer përpara çështje që janë pjesë e konceptit tonë politiko-ideologjik, siç janë Ligji për Pagat dhe çështja e pagës minimale.

“Bota sot”: Dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje po konsiderojnë që Ligji për Dialogun është në kundërshtim me së paku 8 nene të Kushtetutës së Kosovës dhe për këtë arsye e kanë dërguar në Kushtetuese në mënyrë që kjo e fundit të rrëzojë këtë Ligj. Mendoni se Projektligji për Dialogun është i dëmshëm dhe i vetmi që po përfiton nga ai është presidenti Hashim Thaçi?

Natyra Kuçi: Ligji për Dialogun nuk është në shpërputhje me Kushtetutën, përkundrazi. LDK dhe VV nuk kanë asnjë kundërshtim parimor rreth dialogut. Që të dyja thonë se arsyeja e dialogut duhet të jetë njohja e ndërsjellë, por pa u përfshirë për ta ndihmuar procesin. Ata rrinë anash duke u lutur që marrëveshja eventuale të dalë e dëmshme për të përfituar elektoralisht. Por, kjo nuk do të ndodhë sepse për secilën marrëveshje do të shprehen qytetarët në referendum.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...