Haziri: Kryetari i LDK-së duhet të zgjidhet me marrëveshje politike, 2006-ta i ka kushtuar shumë partisë

Intervista

Haziri: Kryetari i LDK-së duhet të zgjidhet me marrëveshje politike, 2006-ta i ka kushtuar shumë partisë

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 27 mars 2019 Në ora: 07:46
Kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, gjatë intervistës për gazetën “Bota sot”, me gazetarin Kushtrim Maliqi

Kosova shumë shpejt do ta ketë himnin dhe flamurin e saj të ri. Këtë e paralajmëron kryetari i Gjilanit dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Haziri ka folur rreth procesit të brendshëm zgjedhor të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai ka thënë se, do të kandidojë për të parin e LDK-së, në rast se kjo e fundit nuk arrinë të gjejë një konsensus paraprak për këtë çështje. Haziri i qëndron prapa idesë për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën. Haziri ka folur edhe për koalicionin e mundshëm qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje, ndërsa ka përmendur disa çështje (ndër të tjera edhe çështjen e flamurit dhe të himnit) të cilat sipas tij, duhet të zgjidhen para arritjes së një koalicioni me cilindo subjekt politik.

“Bota sot”: Cila është situata aktuale politike, në perspektivën tuaj si një nga figurat kryesore të LDK-së, subjektit më të madh opozitarë në vend?

Lutfi Haziri: Me të thënë të drejtën, pikërisht kjo javë shënon 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe qershori i ardhshëm shënon fillimin e debllokimit dhe bartjes përfundimtarë të Serbisë prej Kosovës. Nëse shohim nga kjo perspektivë 20 vjeçare, Kosova ka arritur që ta përmbyllë suksesshëm statusin politik të saj dhe njohjen ndërkombëtare, por nuk ka arritur ta realizojë plotësisht, as shkallën e pavarësisë duke mos siguruar vend nëpër institucione ndërkombëtare, nuk ka arritur as ta shtrijë sovranitetin për të gjithë qytetarët e saj në gjithë territorin e republikës, për demokracinë si shtyllë e tretë apo synim i tretë i yni, mos të flasim sepse ajo është në shkallën më të degraduar të mundshme sepse është shumë fragjile. Këto institucione të cilat i kemi ndërtuar sot janë në duart e partive që qeverisin nën siglën e PAN-it, apo subjekte politike të cilat janë të dala nga lufta, të cilët po udhëheqin apo menaxhojnë me institucionet e vendit, larg çdo koncensuzsi të arritur për interesa të përgjithshme, të përbashkëta dhe po shpresojë shumë që situata e tillë të përmirësohet vetëm përmes një procesi të ri zgjedhorë, legjitimiteti i të cilave do të ndikonte sigurisht shumë në rikthimin e madh të LDK-së.

“Bota sot”: Ditëve të fundit keni vendos të jeni pjesë e garës për të parin e partisë. Kur saktësishtë keni vendosur?

Lutfi Haziri: Të ju them të drejtën është e njëjtë, sikur herën e kaluar. Unë jam për një marrëveshje politike mes bartësve kryesorë të politikave të LDK-së, ku do të përfshinte të gjithë ata që kanë ndikuar apo marrë pjesë aktive në zhvillimin e kësaj partie 30 vjeçare. Unë personalisht gjithmonë e favorizoj një marrëveshje politike, jo në dëm të demokracisë të brendshme të LDK-së, as në dëm të kualitetit. Do të duhej të ishte një marrëveshje e cila do të kishte karakter manifestiv, solemn të zgjedhjeve brenda LDK-së, kuptohet për krijimin e mundësive për të rinjtë, grave e burrave të rinj në LDK, e jo si mundësi për eliminime e largime të njerëzve. Kështu që edhe më tutje mbetem titullarë i një marrëveshje politike sepse mos arritja e një marrëveshjeje të tillë edhe në vitin 2010 edhe në 2006, LDK-së i ka kushtuar shumë, jashtëzakonisht shumë. Unë kam thënë dhe përmes juve po e përsëris se nëse nuk arrihet një marrëveshje politike unë mund apo do të kandidoj. Por mund t`iu them se unë i nënshtrohem një marrëveshjeje politike, të cilën e kam propozuar dhe të cilës i qëndroj besnik deri në fund sepse nuk ka alternativë tjetër për LDK-në.

“Bota sot”: Cilat janë raportet tuaja me Vjosa Osmanin, kandidaten tjetër të mundshme për kryetare të LDK-së si dhe pjesën tjetër të të rinjve brenda LDK-së?

Lutfi Haziri: Raporti im me të gjithë është korrekt. Unë jam nënkryetar i LDK-së në këtë mandat, kam qenë nënkryetarë edhe në kohën e Presidentit Fatmir Sejdiu dhe besoj shumë që raportet njerëzore, raportet politike janë në shkallën e korrektësisë absolute. ne nuk kemi asnjë lloj inati apo mërie ndaj njëri tjetrit. Ne kemi ndërtuar unitet, qëndrim të përbashkët për shumë çështje dhe këtë unitet do ta ruajmë deri në fund sepse vetëm uniteti i LDK-së është kah i frikëson të gjitha partitë të cilat sot janë në qeverisje e që kundër LDK-së bëhen bashkë 24 orë para çdo procesi zgjedhorë, gjithmonë janë ata që janë bashkuar për mocion për ta rrëzuar LDK-në, janë bashkuar në koalicione parazgjedhore për ta fituar LDK-në si dhe po vazhdojnë me qëndruar të bashkuar. Kështu që, ne duhet të vazhdojmë ta ruajmë unitetin e të mos lejojmë asnjë lloj tendence të jashtme apo aspirate të brendshme me e thy këtë unitet sepse do të ishte i pa riparueshëm.

“Bota sot”: Nëse Vjosa Osmani i fiton zgjedhjet në LDK, a do ta gëzonte rrespektin tuaj si kryetare e partisë?

Lutfi Haziri: Nuk ka emër deri sot askush, përderisa nuk është deklaruar për shkak edhe të kohës, sepse ne e kemi një rregull që kandidaturat dalin vetëm kur përfundojnë zgjedhjet në të gjitha nivelet, deri atëherë as emri im, e as emri i askujt nuk është i lakuar për kryetarë të LDK-së. Ne e kemi kryetarin, kemi strukturat dhe të punojmë shumë në ruajtjen e këtij procesi zgjedhorë i cili e përsëris se do të duhej të ishte manifestim solemn, ku LDK rritet dhe forcohet më shumë.

“Bota sot”: Ditëve të fundit, nëpër media ka qarkulluar një fotografi e juaja në një darkë me Sami Lushtakun e disa figura tjera, foto kjo e cila në opinion është përfol shumë. Si ka ndodhë ajo foto dhe si i komentoni reagimet e masës?

Lutfi Haziri: Në fakt unë kam qenë në Zvicër për arsye familjare dhe e kam pa që është publikuar një fotografi gjoja se ajo dark ka ndodhur atë natë. Së pari mund t`iu them se ajo histori është ndërtuar mbi lajm të rrejshëm. E dyta është keqpërdorim i fotografisë, ajo ka qenë darkë private ku përveç Ukë Rugovës, ka marrë pjesë edhe ish-ambasadori i Kosovës në Tiranë Sylejman Selimi dhe ish-kryetari i Skenderajt Sami Lushtaku si mysafir në Gjilan. Por, krejt çka është pa kënaqësi apo zhgënjim i imi është se ajo fotografi është keqpërdorur me motive të ulëta politike, sepse fundja unë jam i nderuar për respektin që tregojnë mysafirët kur vijnë në Gjilan, prej presidentëve, kryeministrave, ambasadorëve apo autoriteteve e njerëzve jashtë e brenda Kosovës, të cilët e vizitojnë këtë qytet, kjo është nderë i veçantë për qytetarët e Gjilanit. Gjilani nuk ka pas miq deri vonë, kemi nevojë për edhe më shumë miq dhe ne miqtë i presim në mënyrë të veçantë. Por, keqpërdorimi i mysafirit për motive të ulëta politike edhe nga mediet, besoj që është deformim profesional, sepse asgjë nuk ndodhë jashtë asaj që publikohet, por vetë tendenca mbrapa është për tu zhgënjyer.

“Bota sot”: Ideja e përpjekjes tuaj të kamotshme për bashkimin e tri komunave shqiptare nën Serbi, Preshevës, Medvegjës e Bujanocit me Republikën e Kosovës, kohëve të fundit ka rastisur të jetë edhe përpjekje e Presidentit Thaçi që të njëjtën ta realizojë përmes korrigjimit të kufirit me Serbinë. Kjo, kohëve të fundit emrin tuaj e lakon si njeri të afërt më Hashim Thaçin, cilat janë opinionet tuaja me këtë rast?

Lutfi Haziri: E para, afërsia ime e vetme është me Zotin dhe familjen time. Kauza për shqiptarët e Kosovës Lindore, është çështje për të cilën kam punuar dhe kam me punuar edhe në vazhdim. Jam brezi i pestë në familje që kontribuojmë në zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve, ku Kosova Lindore ka mbetur keq, e nga kjo nuk do të tërhiqem asnjëherë. Në vitin 2011 e kam ri aktualizuar çështjen e të drejtave të shqiptarëve të atyre komunave, e cila lidhet edhe me përpjekjen e atyre qytetarëve atje edhe në mënyrë të armatosur, pra me luftën e UÇPMB-së, marrëveshjes së Konçulit dhe problemeve tjera që dalin nga kjo kauzë e pa zgjidhur. Në vitin 2013 e kam sponzorizuar rezolutën për të drejtat politike dhe civile të atyre qytetarëve, i cili është dokumenti i vetëm dokument i miratuar në kuvendin e republikës, e cila e shpreh vullnetin për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve atje, sipas referendumit që e kanë ata atje. Dialogu Kosovë-Serbi këtyre ditëve ka ardhur në nivelin e kundërshtive vetëm për shkak të asaj se kush po i udhëheq këto bisedime, pra më shumë është kjo çështje problem se sa substanca për çka unë e kam thënë mendimin tim, por jam lojal në qëndrimin e LDK-së. LDK e ka një qëndrim të sajin të cilin e ka edhe publik. Ajo gjithashtu ka treguar mirëkuptimin e plotë për qëndrimin tim të cilin unë e kam paraqitur si nënkryetarë, të cilin e kam mbrojtur deri në fund e gjithashtu kam me luftuar deri në fund, pasi që unë besoj shumë në atë se ditët e mira për zgjidhjen e këtij problemi po afrohen, me anë të tri parimeve kryesore, parimi i kufijve komunal, parimi i pronës dhe ai kadastral i plotësojnë kushtet që Presheva, Medvegja e Bujanoci ti bashkohen vullnetshëm dhe në pajtim nga ana e Serbisë, Republikës së Kosovës si zgjidhje finale e përhershme dhe e qëndrueshme. Kufiri i ardhshëm do të jetë në Ristovc, ai mes Serbisë dhe Kosovës dhe jo te dheu i bardhë siç është sot.

“Bota sot”: Kur jemi prapë të zgjedhjet e brendshme në LDK, ju keni thënë se zgjidhja më e mirë është marrëveshja politike. Sa jeni optimist në një zgjidhje të tillë?

Lutfi Haziri: Marrëveshja politike për zgjedhjet e LDK-së, nënkuptim që edhe njëherë këtyre zgjedhjeve t’i japim karakter solemn, festiv ku krijomë mundësi të reja kualitative për zgjerimin e të drejtave për përfaqësim gjinorë, të moshës, pra të prurje të reja, e jo si tendencë për me ngulfatë dhe me largu. Ne tash e një kohë kemi një bashkëjetesë të gjeneratave Brenda LDK-së. Prej themeluesve të LDK-së e deri tek gjeneratat e reja, është një histori apo rrugë 30 vjeçare, nëpër të cilën ne kemi kaluar. Jam pro një marrëveshje politike, jo në dëm të demokracisë, jo kundër votës së fshehtë, as në dëm të njerëzve që kanë qëllim dhe ambicie për me kandiduar, por mësime që kemi marrë nga e kaluara nga kuvendi i 2006 dhe 2010, pra jemi të shumë të interesuar dhe është e domosdoshme që një marrëveshje e tillë politike të arrihet mes figurave kryesore dhe njerëzve që mund të kontribuojnë në rritjen e unitetit, sepse ne jemi parti që pritet të vijë në qeverisje, por ndaj neve nesër mund të bëhen të gjithë kundër, siç janë bërë bashkë në mocionin kundër Isa Mustafës, siç u bënë bashkë në protestë rrugëve për të na dëmtuar dhe dëmtu imazhin edhe qeverisë edhe republikës, ashtu siç u bënë bashkë edhe PAN-istat për ta qeverisë vendin, e që është një qeveri autokrate.

“Bota sot”: Kohëve të fundit kemi parë një afërsi të Lidhjes Demokratike me Lëvizjen Vetëvendosje, cila është e vërteta e kësaj afërsie, në fakt?

Lutfi Haziri: Është në nivel të grupeve tona parlamentare një afërsi më e madhe, kanë qenë dy takime në nivel të liderëve të cilat kanë për qëllim koordinimin opozitarë karshi ndaljes së kësaj qeverie. Na ka bashkuar një interes, i kemi lënë anash ato që na dallojnë, që na pengojnë për të bashkëpunuar. Jemi afruar me një qëllim të përbashkët, e ai është ndryshimi i cili duhet të ndodhë në Kosovë, e që arrihet përmes një procesi të ri zgjedhorë, një legjitimiteti të ri edhe për kuvend edhe për qeveri, president e dialogun me serbi, edhe për flamurin e himnin e ri që besoj që shpejt do ta ketë Kosova. Ne nuk mundemi me hy në asnjë marrëveshje me parti politike nëse nuk kemi marrëveshje për këto çështje që janë kritike dhe që LDK-ja është vonuar që tu jap zgjidhje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat