Prezenca e bashkëpunëtorit të Stanishiqit e bën të dyshimtë projektin e Thaçit për korrigjim

Intervista

Prezenca e bashkëpunëtorit të Stanishiqit e bën të dyshimtë projektin e Thaçit për korrigjim

Nga: Kushtrim Maliqi Më: 30 mars 2019 Në ora: 07:50
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu dhe gazetari i Bota sot, Kushtrim Maliqi

Në një intervistë ekskluzive për “Bota Sot”, deputeti i lëvizjes Vetëvendosje Liburn Aliu, ka folur gjatë për gjendjen aktuale politike në vend, me theks të veçantë për bisedimet me Serbinë, për normalizimin e raporteve mes dy vendeve respektivisht njohjen reciproke. Ai ka thënë se është gabim i madh i Presidentit Thaçi dhe Rama që përmes bashkëpunëtorit të Stanishiqit të tentojnë që me Serbinë të arrijnë ndonjë marrëveshje, e cila paramendohet të jetë pozitive për shqiptarët.

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale politike në vend, pas parasysh që jeni ndër figurat kryesorë të Lëvizjes Vetëvendosje?

Aliu: Situata politike në Republikën e Kosovës është vërtet shumë e rëndë, për dallim prej situatave të më hershëm që po ashtu kanë qenë të rënda, por, tash jemi në një situatë edhe më kritike se në të shkuarën. Pra, Kosova, shteti i Kosovës, Republika e Kosovës fatkeqësisht që nga themelimi deri tani, një ndër prioritetet kryesore që e ka pas si një litarë nëpër këmbë që e ka penguar më së shumti kanë qenë negociatat me Serbinë. Të mos flasim për problemet tjera që lidhen me korrupsionin, nepotizmin e keq qeverisjen dhe tash jemi në një situatë kur të gjitha këto kanë degraduar tej mase.

Deri më tani, Kosova ka shkuar në negociata me Serbinë pa ndonjë kusht të qartë në ato negociata, është ulë si palë e pabarabartë, ka përfunduar me marrëveshje të dëmshme për Kosovën, me disa marrëveshje të cilat mbase kanë qenë të dobishme për Kosovën, por të cilat asnjëherë nuk janë zbatuar dhe tash jemi në një fazë kur kjo synon të degradoj edhe më tej duke krijuar një situatë konfuze ku është e paqartë se kush e përfaqëson Kosovën në këto negociata, a do të bëhen ato, si do të bëhen. Ka rrezik që mbase Kosova mund të qitet para akteve të kryera, por fakti që ka edhe faktor politik mjaft të vetëdijshëm, është edhe një shpresë, pasi që në anën tjetër e kemi një vetëdijesim të madh të qytetarëve karshi këtyre proceseve negative dhe tash kjo është një shpresë që mbase Kosova mund të ketë edhe një moment kthese të rëndësishme. Nëse mund të themi se e keqja ka filluar të trashet në vazhdimësi, tash siç duket kjo e keqe prej së trashi do të këputet.

“Bota sot”: Së fundi,u formua delegacioni për bisedimeve në Bruksel, për të cilin ju keni pasur kritika të vazhdueshme. Të paktën në mënyrë deklarative iu është ofruar mundësia që ju të udhëheqni apo të keni rrol kyq në këto bisedime. Cilat janë ato arsye që e pengojnë Vetvendosje t’i udhëheqë negociatat me Serbinë?

Aliu: Aktualisht, pra nëse në të shkuarën kemi pasur negociata pa kushte në të cilat Kosova është përfaqësuar përmes qeverisë e kryeministrit, sot kemi një problem se kemi një ligj i cili defato synon të vazhdojë një mënyrë të njëjtë negocimi me Serbinë, ku e kemi një delegacion shtetëror i cili është votuar me një shumicë të thjeshtë në kuvend, është sjellë një ligj i cili prapë atij delegacioni ia siguron një të drejtë që mos të jetë plotësisht transparent karshi kuvendit, ndërkohë thuhet non-stop që kuvendi do ta ketë monitorimin e këtij procesi negociator po në bazë të ligjit shihet qartë që ai proces nuk do të mund të monitorohet si duhet. Lëvizja Vetëvendosje konsideron që duhet të kemi një ndryshim thelbësorë në mënyrën se si komunikojmë ne me Serbinë. Ne me Serbinë së pari duhet të ulemi si palë e barabartë në tavolinë, një ndër kushtet themelore që duhet ti shtrohet Serbisë është njohja nga ana e sajë e Republikës së Kosovës, pas njohjes atëherë do të mund të krijoheshin kushte që ne do të mund të negocionim me Serbi, në përputhje me ligjet që i kemi. A është e mundshme njohja e Kosovës nga ana e Serbisë para fillimit të negociatave, kjo është çështje që ne konsiderojmë që është plotësisht e mundshme, meqenëse në një fazë kur Serbisë iu janë vënë kushte për integrim në Bashkimin Europian, është kapitulli 35 i cili e definon qartë dhe e detyron qartë Serbinë që të përcaktojë qëndrimin e saj karshi Kosovës, karshi kufijve të sajë dhe ky është një rast i mirë për Kosovën që të mos ngutet në negociata me Serbinë, por të pres që të ndodhë njohja e Kosovës nga ana e Serbisë dhe kjo njohje pastaj të mund të sillte situatë të negocimit të shumë çështjeve që kemi me ta.

Kjo do të krijonte mundësi që ne me Serbinë të ulemi si palë të barabarta dhe të kemi marrëdhënie të plotë reciprociteti me ta. Pra jo të flitet me Serbinë vetëm për Kosovën, por ne ulemi me ta si palë e pa barabartë dhe flitet vetëm për ne, por të ulemi me Serbinë si palë e barabartë dhe të flasim edhe për Kosovën edhe për Serbinë për të gjitha çështjet. Të mos harrojmë që duke mos qenë kusht çështja shqiptare, të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, këto kanë përfunduar duke mos qenë fare temë në negociata. Pra ne kemi negociuar me Serbinë, ndërkohë që shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc janë diskriminuar vazhdimisht dhe nuk është fol asnjëherë për ta.

Nëse ne me Serbinë do të uleshim si palë e barabartë dhe do ti fusnim temat edhe të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, atëherë do të ishim në një situatë krejt tjetër. Kështu nuk ka garancë, mund të ketë mashtrime të ndryshme, jemi mashtruar shumë herë dhe nuk do të donim të mashtroheshim sërish.

“Bota sot”: E cekët më lartë se Serbia është në përpjekjet e saja kryesore për integrim në BE, cka do të thotë se Serbisë i ngutet. Nga pala jonë, nëse nuk jemi në momentin e duhur për të negociuar me Serbinë, cila është arsyeja që po nguten, pse po ngutet Kosova në bisedime me Serbinë?

Aliu: Kjo pyetje që sapo ma bëtë është pikërisht pyetja kyçe, kujt po i ngutet për këto negociata, çka është ky presion kaq i madh që të kemi negociata, kujt po i ngutet? A po na ngutet neve? Neve si shtet i Kosovës nuk do të duhej të na ngutej si shtet i Kosovës, ne do të duhej të venim kushte sepse Serbia dëshiron të integrohet shpejt në BE. Sot, më shumë se Serbisë askujt nuk i ngutet për tu integruar në BE, të përpiqet të gjejë rrugë të shkurtra për marrëveshje e cila do ta mundësonte që ti shmangej disa çështjeve siç është ajo e njohjes së Kosovës, por unë mendoj që ngutia e saj që të bëjë negociata me BE-në, kur Kosova nuk është në pozicion shumë të mirë, me probleme të brendshme është moment i levërdishme për ta, ku shpresojnë që në negociata me Kosovën do të mund të shmangin disa probleme thelbësore siç është edhe njohja. Në ndërkohë që këtu na thuhet non-stop që negociatat duhet të përfundojnë me njohje.

Marrëveshjet nuk do të duhej të vlenin nëse në fund nuk ka njohje, kjo është thënë vazhdimisht, kjo është thënë edhe përpara edhe Thaçi kur ka shkuar më parë në negociata me Serbinë, premtimi i tij ka qenë që në fund të këtyre negociatave do të bëhet njohja. Ne çka duhet të bëjmë tash, ne duhet të vendosim kush njohjen, para fillimit të negociatave. Unë mendoj që po i ngutet Serbisë, mbase po i ngutet edhe presidentit të Kosovës i cili po këmbëngul që të bëjë negociatat me Serbinë, në ndërkohë që nuk ka marrë mbështetje nga kuvendi, nuk ka qenë transparent fare për këtë çështje dhe duke pasur përvojën e kaluar ku ka qenë negociatorë i dobët dhe ka sjellë marrëveshje të dëmshme, një gjë e tillë nuk është normale ti lejohet atij. Prandaj, mendoj që këtu po i ngutet Vuçiqit por edhe Thaçit, por ne nuk do të duhej të ndaleshim thash tek personat të cilëve iu ngutet.

“Bota sot”: A ka mundësi që Thaçit po i ngutet për ta përfunduar dialogun për shkak të Gjykatës Speciale?

Aliu: Gjykata Speciale është e padrejtë, Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar prej fillimit këtë gjykatë. Është pikërisht presidenti i Republikës së Kosovës, i cili e ka shty çështjen e gjykatës speciale, janë mbase deputetët e Partisë Demokratike dhe të tjerët të cilët e kanë votuar gjykatën speciale, kjo tepër e dëmshme për shqiptarët, e cila e gjykon vetëm UÇK-në. Nuk e di sa qëndron çështja e frikës së presidentit nga gjykata speciale, po flitet një gjë e tillë, është fol vazhdimisht që mund të jetë ky shkaktari i vërtet që këtij po i ngutet të krijoj një situatë të re dhe të imponohet si krye negociatorë që të shmangë gjykatën speciale, por ta shmangë atë personalisht, ndërkohë që ajo arreston dhe ngre akt akuza për ushtarët e UÇK-së, nuk e di mbase mund të jetë një gjë e tillë.

“Bota sot”: Sa e ka kryeministri Haradinaj mbështetjen e Vetëvendosjes në rastin e vendosjes së taksës 100% ndaj produkteve Serbe dhe atyre të Bosnjës?

Aliu: Sa i përket taksës, Haradinaj e ka përkrahjen e plotë. Mbase taksa ka qenë një veprim i menduar jo mirë, nuk e di a e kanë menduar pasojat e çështjes së ngritjes së çmimeve të artikujve ushqimorë për qytetarët të cilët janë të varfër, por si veprim është i drejt dhe si i tillë nuk duhet të tërhiqet. Ne e mbështesim dhe nuk lejojmë, nuk votojmë çfarëdo lloj tentative që qeveria Haradinaj të bie për shkak të taksës, qeveria Haradinaj duhet të bie për diçka tjetër, por jo për shkak të taksës. Nëse qeveria Haradinaj bie, do të duhej që taksa të mbetej, pra jo të ndodhë çfarëdolloj riformatimi i qeverisë mbi idenë e gjetjes së mundësisë për heqjen e taksës, kjo do të ishte tejet e gabueshme dhe ne në këtë pikë kundërshtojmë.

“Bota sot”: Si i komentoni raportet tejet të acaruara ndërmjet Kryeministrit Haradinaj dhe Presidentit Thaçi, ku ky i fundit po insiston që do t’ia dalë ta bashkë ngjesë Kosovën Lindore me Republikën e Kosovës pa dhënë asgjë, ndërkohë kryeministri Haradinaj është i palëkundur në qëndrimin e tij që të ruhet integriteti i vendit?

Aliu: Sa i përket korrigjimit të kufijve, ne, unë personalisht kemi kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që të jetë transparentë në këtë pikë, të bëjë marrëveshje konkrete me përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit se çka konkretisht është duke thënë sepse ne nuk po e kuptojmë. Nëse ai thjeshtë do të thotë thjeshtë më lejoni të shkoj në negociata sepse aty unë do ta kërkoj bashkimin e Kosovës me ato tri komuna, ne po e kemi të qartë që ai po kërkon që ne ta miratojmë shkuarjen e tij në negociata, atij po i intereson një arsye që të ketë mbështetje të shkuarjes së tij në negociata, në ndërkohë që nuk është fare transparent në çështjen se çka do të jap në momentin që do t’i marrë ato tri komuna. Madje, nuk është e qartë nëse do ti marrë ato tri komuna si tërësi, apo do ta marrë vetëm Preshevën, apo gjysmën e Preshevës apo çerekun apo çfarë është puna sepse nuk guxojmë të harrojmë se ne jemi kundër ndarjes së Luginës së Preshevës, ajo nuk duhet të ndahet, duhet ta kemi të qartë se për qytetarët e atyre komunave kjo çështje është e ndjeshme dhe ne duhet ta shtyjmë këtë çështje përpara. Kjo punë nuk është lojë, është lehtë të manipulohet me ndjenja të qytetarëve, të thuhet unë do ta bashkoj dhe këta tjerët nuk po më mbështesin, sepse në fund mund të përfundojmë me veri të dhënë, me Ujman të dhënë ku mos të harrojmë që e gjithë ekonomia e Kosovës është e projektuar mbi ujin, në ato 13 m/3 ujë për sekondë që të gjithë liqenet tjera bashkë, as për së afërmi nuk mund t’i afrohen atij kapaciteti ujorë, që në momentin që do të mendonim që nuk do të kemi kontroll mbi Ujmanin, duhet të heqim dorë nga prodhimi i energjisë. Janë shumë elemente të cilat na bëjnë që ne të shqetësohemi, të ndihemi të shqetësuar sepse bëhet fjalë për një person i cili në të kaluarën ka shkuar ka negociu me Serbinë , ka bërë marrëveshje të dëmshme dhe dëshiron ta bëjë të njëjtën prapë. Nuk mund të mbështetet personi i cili ka shku vazhdimisht në negociata me Serbinë dhe nuk ka folur kurrë për Preshevën, unë nuk mund ti besoj, por pse unë nuk mund ti besoj nuk do të thotë që ai nuk mund të bëj diçka, për këtë ne kemi kërkuar që ai të jetë transparent, të dal e të thotë konkretisht çka, çka do të marrë e çka do të japë, e në fund të ndalemi e të shikojmë. Mbase do të ishte e lëverdishme për neve.  Askush nuk është kundër bashkimit të atyre tri komunave me Kosovën, kjo është një e drejtë e qytetarëve atje, ata janë shprehur me referendum në vitin 1992, kanë dhënë qartë pozicionet e tyre shumë herë përgjatë viteve, mos të harrojmë se atje ka ndodhur një luftë, ajo e UÇPMB-së, janë shumë elemente të cilat i japin të drejtën qytetarëve atje, pra e ndërtojnë një bazament të fortë që të drejtat e tyre të shqyrtohen duke pasur parasysh deri shkëputjen e atij territori dhe bashkangjitje me Kosovë. Ajo është një e drejtë për të cilën duhet të luftojmë dhe të përpiqemi, por jo të futemi në avantuara në emër të asaj të drejte. Republikës së Shqipërisë dikur iu janë ofruar pjesë të Kosovës, ndër të tjera ka qenë edhe takimi Millosheviq-Nano, takimi i cili ka qenë teje i kritikuar, ku Millosheviqi i ka ofruar Nano-s pjesë të Kosovës, por Prishtina të mbetet me Serbi, edhe diçka në Maqedoni edhe pse nuk e ka pasur në kontroll Maqedoninë. Një gjë të tillë Fatos Nano e kishte refuzuar dhe erdhi koha që Kosova u pavarësuar, flitet që edhe në kohën e komunizmit ka pasur oferta të tilla, ku Prizreni, Gjakova e Dibra do të mund ti bashkoheshin Shqipërisë por pjesa tjetër të mbetet Jugosllavi, edhe asaj kohe është refuzuar, e ja ku jemi sot me Kosovën e pavarur e cila në një të ardhme mund ti bashkohet Shqipërisë.

Mos harrojmë që kemi shqiptarë që jetojnë në trevat e veta në Maqedoni, e të cilët ende nuk e kanë të zgjidhur problemin e vetë, nuk e dim se si do të zgjidhet në të ardhmen, por ne do të mundohemi gjithmonë për të mirë. Pra, nuk duhet të futemi në avantura dhe të luajmë me ndjenjat e shqiptarëve atje, të hapim nëpër fshatra të atyre komunave tema se a do të bashkohet fshati im apo i yti Republikës së Kosovës. Duhet të shqyrtohet qartë edhe baza e të drejtës së atij populli, legjitimiteti i qytetarëve atje që ka bazë për atë punë, por në anën tjetër duhet të shikohen edhe rrethanat politike për të parë se sa reale është ajo çështje. Ne nuk duhet të heqim dorë asnjë herë, mbase mund t`i vije momenti asaj pune, por një gjë e tillë nuk do të duhej të iniciohej para njohjes së Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë.

“Bota Sot”: Cili është opinioni juaj për Baton Haxhiun, i cili konsiederohet si një urë lidhëse mes trinomit Vuçiq-Thaçi-Rama. Cili është opinioni juaj për të dhe punën që ka marrë përsipër ta bëjë?

Aliu: Unë mund të flas për raportet e Baton Haxhiut në të shkuarën, të cilën e ka pohuar edhe vetë. Unë nuk do të mund t’ia besoja fatin e Kosovës në dorë të një këshilltari siç është ai. Ai nuk do të duhej të figuronte aty as si këshilltarë i Edi Ramës, e as ndonjë figure e cila do të mund ta lidhte Vuçiqin-Ramën dhe Thaçin. Nuk iu bën nderë as Ramës e as Thaçit, madje komplet projektin e bënë të dyshimtë vetë prezenca e Baton Haxhiut. Kur ti në një proces kaq të rëndësishëm e nxjerr një person i cili në të shkuarën ka pasur komunikim dhe ka ndërmjetësuar takime të Stanishiqit me persona tjerë, pastaj merr pjesë në takime të larta mes Vuçiqit e Ramës, ku ky është aty prezent, për mu kjo është e frikshme, për mu është shqetësuese. Ne e dimë kush ka qenë edhe Serbia edhe sigurimi shtetërorë i saj, kush ka qenë Stanishiqi, ne e kemi përjetuar në lëkurën tonë, njerëzit të cilët kanë bashkëpunuar me të nuk dua ti shohë në pozicionit kyçe të shtetit shqiptarë dhe mes njerëzve kyç të Kosovës. Kjo e ve në dyshim përpjekjen e tyre dhe seriozitetin e tyre.

Edhe Kosova edhe Shqipëria karshi Serbisë do të mund të forcoheshin jo me njerëz të cilët dikur kanë qenë bashkëpunëtorë të Serbisë, por me njerëz të cilët dalin nga populli nga ajo pjesë e cila ka sakrifikuar e ka luftuar gjithmonë, aty duhet, te elementi patriotik e i ngritur duhet të gjinden ata njerëz.

Mbase këtyre mund t’iu nevojitet Baton Haxhiu dhe lidhjet e tij të së kaluarës, por ajo është qasje e gabuar për një proces kaq të rëndësishëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat