Një emër i ri që premton avancim të artit të baletit

Intervista

Një emër i ri që premton avancim të artit të baletit

Nga: Fadil Bytyçi Më: 30 mars 2019 Në ora: 12:53
Luljeta Braha

Luljeta Braha është një nga artistet e shquara  që i është  përkushtuar  artit të baletit klasik dhe modern. Ajo ka mbaruar studimet në këtë fushë,( bachelorin dhe masterin) në Universitetin e Arteve ne Tirane. Punon si profesoreshë që nga viti 2014 në shkollën e muzikës “Lorenc Antoni” ne Prizren, si dhe si prof. e baletit klasik në shkollën “Misbah & Friends”, në Prishtine.

Mesazhet artistike kanw obligim që të përcjellin dëshmitë e përpjekjeve të njeriut për të bukuren dhe të dobishmen, si parakusht të pazëvendësueshëm të humanizmit të shoqërisë së të nesërmes, në funksion të përsosjes së gjinisë njerëzore.  Zonjusha Braha këtë qëllim e materializoi me shfaqjen e fundit në Prizren përmes së cilës fuqishëm shpërfaqë idenë e lirisë për boten femërore në një shoqëri që ende  vuan nga qasja degraduese ndaj saj.

 Për gazetën “Bota sot” ajo me kënaqësi pranoi që të ofroj vizionin e saj për artin në përgjithësi dhe baletin në veçanti.

Bota Sot: Zonj. Braha, ne përcollëm shfaqjen tuaj me një titull mjaft sinjifikativ: ”Lidhmë mu”. Kah kjo ide dhe atë me një formë gegnishte?

Zonj.Braha:  Pikërisht pozita jo e mirë e femrës në shoqëri është arsyeja që me ka shty të shpërfaqë idenë e mobilizimit të saj, për tu zgjidh nga varësia e botës mashkullore .Ju mbase e pat hedhjen  me vrull të litarëve ,që simbolizonin çlirim e saj, me të cilët ishin të lidhura për këmbë të burrit. Përmes lojës skenike të një kërcimi bashkohor, qëllim kisha ta sjellë fuqinë e femrës kur është në pyetje liria e saj. Sa i përket titullit “Lidhmë mu” është thjesht një formë e komunikimit më të lehtë me opinionin publik.

Bota sot: Loja në skenë herë-herë ngjate si një shpërthim  vullkanik  ku” llava” e lëvizjeve të kërcimtareve shkaktonte drithërima të publiku. Ju bëtë koreografinë e shfaqjes, ishte kjo një klithje apo revoltë që kërkon dinjitet njerëzorë në shoqëri?

Zonj.Braha: Arti është një fuqi magjike që ndonjëherë përcjell mesazhet më sublime në funksion të lirisë. Loja në skenë, sipas kërkesës sime, ka plotësuar atë që ju e quani shpërthim vullkanik. Kur mohohet liria vie gjakimi pas saj, aty ke klithje aty ke revolt madje edhe shpërthim jo vetëm emocional.

Bota Sot: Në  këtë kohë artisti është I lirë të kërkojë madhështinë e artit jashtë së kaluarës dhe traditave. Ku e gjen veten në këtë aspekt?

Zonj.Braha: Vlera e artit qëndron në idenë e pasurimit shpirtëror ,në funksion të përsosjes së gjinisë njerëzore. Unë veten e gjej në një kombinim mes traditës në funksion të shikimit kah e ardhmja duke bartur dashurinë ndaj së bukures dhe të thjeshtës, humane.

Bota sot: Në traditën tonë, shprehja e artit të gjinisë që ju e kultivoni sikur nuk gjen vend meritor. Megjithatë salla ishte e stërmbushur. Jeni optimist se vlerat e artit po marrin kahjen e duhur?

Zonj.Braha: Jam e entuziazmuar me publikun që ishte në sallë. Kjo me jep forcë dhe me bindje them: Publikut po i ofrove vlera të mirëfillta artistike, ai shpejt do të mishërohet me to. Po i servon shunw dhe kaq ,demolon gjakimin për vlera të mirëfillta. Arti nuk i pranon produktet dhe rrjedhat adhoc sa për të thënë se po bëjmë art. Arti pranon vetëm ato vlera qe kapërcejnë momentin dhe interesin personal për të arritur në shkallën më të lartë që e quajmë humanizëm.

Bota sot: Në rrethanat kosovare, të merresh me arta ballafaqohesh me shumë sfida. Si I kapercen ato?

Zonj.Braha: Ka shumë vështirësi, por dashuria për artin I gjenë rrugët për të ecur para . Kam mbështetjen e familjes dhe miqve të mi, por shumë më pak të institucioneve. Mbase edhe i kuptoj sepse jetojmë në një kohë ku është komercializuar shpirti, fenomen ky që sikur zbehë interesimin institucional për avancimin e artit në përgjithësi. Por megjithatë po ja dalim, sepse vullneti për punë thyen barrierat.

Bota sot: Ju punoni si profesoreshe e baletit klasik dhe modern ne Prizren dhe Prishtine. Sa janë të mishëruar nxënësit tuaj me këtë art?

Braha: Ju i patë në skenë. Ata janë të rinjë por janë shumë serioz në punë. E duan baletin në përgjithësi dhe ne pedagoget e tyre kemi gjetur atë metodën më të mirë që të punojmë me përkushtim për ti quar përpara projektet tona. Pasioni i tyre për artin është kuptuar  si një ndihem që i ofrohet njeriut për të arritur pjekurinë intelektuale e shpirtërore duke ruajtur ekuilibrin ndërmjet mirëqenës material dhe kënaqësive intelektuale e morale. Me shfaqjen e fundit në Prizren besoj se publiku thjesht përjetoi këtë kënaqësi.

Bota sot: Faleminderit zonja Braha!

Braha: Ishte kënaqësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat