Aliu: Koalicioni Vetëvendosje-LDK, për ta bërë ndryshimin e thellë në Kosovë

Intervista

Aliu: Koalicioni Vetëvendosje-LDK, për ta bërë ndryshimin e thellë në Kosovë

Nga: Kushtrim Maliqi Më: 1 prill 2019 Në ora: 14:29
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu dhe gazetari i Bota sot, Kushtrim Maliqi

Në pjesën e dytë të intervistës për gazetën “Bota sot”, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Liburn Aliu, ka folur për raportet e subjektit të tij me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku ka thënë se nëse gjejnë harmoni, e nëse veprojnë në bashkëpunim më të ngjeshur, në një të ardhme të afërt, pse jo edhe mund të bashkë qeverisin me vendin. Ai ka folur rreth idesë për shkëmbimin e territoreve me Serbinë, duke thënë se barazimi nënkupton heqje dorë nga terrori e gjenocidi që Serbia e ka bërë për vite e dekada me radhë.

“Bota sot”: Cilat janë raportet tuaja me Lidhjen Demokratike. Nënkryetari i saj Lutfi Haziri ditë më parë i ka thënë gazetës sonë se kanë bashkëpunim me Vetvëndosjen, por, për të ardhur deri tek një koalicion i mundshëm, duhet të merren vesh për disa çështje, ndër to edhe ajo e ndryshimit te flamurit dhe himnit të Republikës së Kosovës?

Aliu: Në të shkuarën kemi pasur periudha kur kemi pasur bashkëpunim. Gjithashtu kemi pasur edhe periudha kur me LDK nuk kemi pasur bashkëpunim, varësisht prej kohës. Kur kanë qenë në opozitë edhe në të kaluarën, kemi synuar të bashkëveprojmë, ti koordinojmë qëndrimet kundër qeverisë së atëhershme, të njëjtën gjë e bëjmë sot. Kjo është në nivelin e grupeve parlamentare, çka është krejt normale. Pra, për çështje të caktuara ne synojmë që të koordinohemi dhe të punojmë bashkë, por në anën tjetë, po ashtu ka hapësirë që mbase do të mund të koordinoheshim edhe për hapa të mëtejmë, pra jo vetëm për ta ndalë Thaçin dhe për ta rrëzuar qeverinë aktuale, për ta forcuar opozitarizmin karshi tyre, por, të shikohen edhe ideja e bashkëpunimit për të ardhmen për koalicion parazgjedhorë ose për koalicion qeveritarë. E jona është që të ulemi e të flasim, ti shohim mundësitë, nëse kemi pajtueshmëri që e kemi një qeveri të dëmshme, një president të dëmshëm, nëse pajtohemi që duhet të ketë ndryshim të thellë në Kosovë, ne natyrisht se duhet të provojmë të bashkëpunojmë sepse vetë nuk mund ta bëjmë qeverinë. Pra, e jona është që të përpiqemi, nuk e dimë a bëhet apo jo, por ne mundohemi dhe shpresojmë. Unë çështjen e flamurit s`po mund ta kuptoj, nëse mendojmë ndryshime të flamurit duke e ndryshuar hartën e Kosovës, pra po ndryshon harta e po e ndryshojmë flamurin, atëherë ai është ndryshim teknik. Unë kam problem konceptual me flamurin e Kosovës, për mua është një flamur i imponuar, tash është flamur shtetërorë me ligj dhe unë e kam obligim ta respektoj sepse e kam në pasaportë, dokumente që i nënshkruaj, por nuk pajtohem me këtë simbol. Unë nuk dua që këtë simbol edhe ta duam sepse thjeshtë ka qenë i imponuar.

Që flamuri i Kosovës duhet të ndryshohet në të ardhmen, këtu jemi plotësisht dakord, tash a duhet të bëjmë ndryshime teknike, të heqim apo të shtojmë ndonjë yll, apo t’ia ndryshojmë kufirin, atëherë ato janë ndryshime të natyrës tjetër.

“Bota sot”: A do ta përkrahte Vetvëndosje idenë e flamurit të Dr. Ibrahim Rugovës, flamurin e Dardanisë?

Aliu: Këto janë çështje të cilat nuk mund t’i diskutojnë partitë politike, nuk shkon kjo të pyeten partitë politike a e vendosim këtë apo atë flamur, këto janë çështje të cilat duhet të nxirren në referendum para popullit. Mos të harrojmë që flamuri i një vendi duhet ta ketë historinë e vetë, duhet simbolet e vendit të kenë rrënjët në historinë e vendit. Ne e kemi flamurin kombëtarë me shqiponjë, ka një histori flamur, nuk i ka ra dikujt rastëisht në mendje e ke nxjerrë veç hajt ashtu, ka një histori shekullore Brenda atij flamuri. Pra është simbol i mbjellë me kohë, nuk është çështje dizajni. Kjo duhet të diskutohet, të debatohet, të propozohet, e pse jo nëse ka pajtueshmëri të hidhet në referendum para popullit. Unë synoj, dua që në të ardhmen edhe Presheva edhe Bujanoci e Medvegja ti bashkohen Kosovës, Kosova bashkë me këto t`i bashkohen Shqipërisë. Unë ëndërroj që territoret e banuara me shqiptarë në territoret në Maqedoni e tjera vende ti bashkohen Shqipërisë. Dua ta shohë Ulqinin para bombardimit të anijeve Britanike kur ia ka dhënë në vitin 1878 Malit të Zi, sepse është i banuar me shumicë shqiptare, mbase këto në të ardhmen mund të ndryshojnë me ndryshime kufijve, nuk e di se si mund të modernizohet jeta, por aktualisht e imja është detyre e imja që të mendoj që shqiptarët në të ardhmen në Ballkan duhet të bashkohen, për shkak se duhet të sigurojnë paqe, të jetojnë në harmoni . Pra bashkimi i shqiptarëve jo vetëm që sjell mirëqenie, por edhe siguri, për shkak të kësaj shqiptarët duhet të synojnë bashkimin. Derisa të ekzistojnë rreziqet, e kërcënimit e Vuçiqit e ministrave të mbrojtjes që me ushtri kanë me e bë atë, e këtë, e kanë më u rikthy në Kosovë, këta kanë për ta kthyer historinë mbrapsht. Ne duhet të mendojmë si ta forcojmë ushtrinë, ekonominë e sfera tjera të jetës, kjo është plotësisht e drejtë e jona.

“Bota sot”: Nëse hipotetikisht metër për metër ndërrohet Leposaviqi e Zubin Potoku, pa e prekur Veriun e Mitrovicës dhe Ujmanin, me komunat shqiptarë në Serbi, a do të ishte dakord për një zgjidhje të tillë Vetëvendosje?

Aliu: Nuk mund të shtrohet kështu kjo çështje. Kur ndonjëherë të flitet për çështjen e bashkimit e Preshevës, duhet të vendosen parime, mbi cilat parime po veprojmë. Mos të harrojmë se historikisht edhe Leposaviqi edhe Zubin Potoku kanë qenë gjithmonë pjesë e Kosovës. Liqenin e Ujmanit, përpos që territorialisht gjithmonë edhe në kohën e Turqisë ka qenë në territor të Kosovës. Po ashtu, Ujmani ka qenë investim I Kosovës, ka qenë investuar në të tejmase, gjithashtu e tërë ekonomia e Kosovës është planifikuar në atë resurs ujorë.

Nuk mund të merren, të neglizhohen faktorët ekonomikë, njëjtë qysh nuk mund të neglizhohen as faktorët demografik dhe tjerë që lidhen me etninë, kulturën e gjuhën. Pra, nëse Preshevën, Medvegjën e Bujanocin i ki të banuar me shqiptarë autokton, shumicë në territorin e vetë, me të drejtat në pronat e veta të cilët duan ti bashkohen Kosovës, të cilët janë diskriminuar vazhdimisht, është bërë terror ndaj tyre sikur ndaj të gjithë shqiptarëve të Kosovës të cilët e kanë fituar pavarësinë, njëjtë është bërë edhe mbi qytetarët e atyre komunave, prej 1912 e këtej dhe vazhdon edhe sot e tutje ky diskriminim, pra këtu të gjitha kushtet bazike janë që atyre tu njihet një e drejtë për vetvëndosje që ti shkëputen Serbisë e ti bashkohen Kosovës. Kjo është një e drejtë jo që të na falen, por sepse janë bërë përpjekje të llojllojshme që ai vend të jetë i qetë dhe nuk e kanë lënë. Çka të bëjmë tash, duhet ta zgjidhim atë problem, për ta zgjidhur atë problem, duhet që gjërat ti shtrojmë parimisht, a kemi bërë presion mbi serbët e veriut ne?

Qysh mundet për shekuj të tërë veriu të mbesë i populluar me shqiptarë e serbë bashkë, askush nuk i ka nguc serbët, Kosova kurrë s`ka ushtru terror mbi ta, e ne të ngritemi e ti barazojmë veriun e Kosovës, me Kosovën Lindore.

Në momentin që ti barazon, ti heq dorë nga terrori e gjenocidi që Serbia ta ka bë mbi ty për vite e dekada me radhë. Kushdo që ka qenë në qeveri në Serbi apo Jugosllavi prej 1912, cilido mbret apo prijës politik, kanë qenë të këqinj karshi shqiptarëve të Kosovë, shqiptarët e Kosovës janë dëbuar prej vatrave të veta, janë terrorizuar, janë djegë fshatrat e tyre, në cilën do kohë që do ta marrësh shembull. Serbia për neve ka qenë e njëjta gjithmonë dhe nuk mund të krahasohet tash apo të barazohet të drejtat e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc me ata të serbëve në Veri, kur ne s`kemi bë terror ndaj tyre kurrë.

“Bota sot”: Në suksesin më të madh të Vetëvendosje, ajo pësoi një ndarje të figurave kyçe. Cila është situate aktuale apo pozita aktuale e Vetëvendosje në terren dhe sa jeni optimist se keni mbështetje tek masa, sa mendoni se hapja e madhe e subjektit tuaj ndaj prurjeve të reja, ju kanë kushtuar, sepse nuk keni pasur nëse mund të themi “filter”?

Aliu: Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë e hapur si gjithmonë, në subjektin tonë, kush pajtohet me programin tonë, deklarohet qartas për të shkuarën e vetë, apo kundër të shkuarës së vetë, i ka dyert e hapura, pastaj mund edhe të del. Daljet aktivistëve, disa prej aktivistëve të rëndësishëm nga VV në vitin 2018, kanë qenë tronditëse për Lëvizjen, i ka shkaktuar dëm, por dëme të rikuperueshme. Nuk ka sjellë ndarje, pasi që nuk ka dëmtim të strukturës së Vetëvendosje, është një pjesë e sekretariatit të përgjithshëm, deputetëve, është prek kryesisht përfaqësimi i cili sigurisht se e ka dëmtuar Lëvizjen, por nuk e ka dëmtuar në masën që nuk mund të rikuperohet, ai tashmë ka ndodhur. Mund të them se jemi në pozicion madje edhe më të mirë se që kemi qenë, kjo na ka marrë kohë sigurisht, do të kishim qenë edhe më mirë sikur të mos kishte ndodhur kjo, por jo që nuk na ka shkatërruar por as nuk na ka sjellë dëme të thella. Tash post-festum nëse mund ta shikojmë situatën, mbase kjo që na ka ndodhur mund ta cilësojmë edhe si produktive.

“Bota sot”: Si e keni parë deklaratën e fundit të Dardan Molliqajt ndaj Glauk Konjufcës të cilin e ka cilësuar publikisht si ish anëtarë të SHIK-ut?

Aliu: Unë nuk e di, nuk do të doja as të merrem me këtë çështje, ai ka gabuar rëndë me atë deklaratë, ndoshta e ka synuar dëmtimin e Vetëvendosje, por më shumë e ka dëmtuar vetveten.

“Bota sot”: Ku ka mbetur çështja e ekstradimit të shtetasve turq, pse nuk po përfundon?

Aliu: Është bërë komisioni hetimorë, ai nuk ka mundur ta kryej punën institucionalisht qysh është kërkuar prej tij, të dal me një raport për shkak të problemeve të brendshme në komision, për shkak të heterogjenitetit politik, por e vlefshme është që janë hasur shkelje të shumta të cilat janë bërë publike dhe janë dërguar edhe hetuesisë. Pra, komisionet hetimore nëse nuk mund të përmbyllin një hetim, së paku mund të i nxjerrin në shesh të vërtetat në prokurori, e ajo pastaj ta bëjë hetimi. Pra janë gjetur shkelje, nuk dua të flas as për Turqinë, as për Gylenistët sepse nuk e njoh mirë problemin, por këtu është problematike që disa persona në mënyrë të jashtëligjshme janë arrestuar dhe ekstraduar prej vendit në mënyrë të jashtëligjshme, kushdo që do të ishin ata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat