Ideja e Thaçit e drejtë, por nuk guxojmë ta pranojmë zgjidhje të pjesshme për Kosovën Lindore - Bota Sot
Ideja e Thaçit e drejtë, por nuk guxojmë ta pranojmë zgjidhje të pjesshme për Kosovën Lindore

Intervista

Ideja e Thaçit e drejtë, por nuk guxojmë ta pranojmë zgjidhje të pjesshme për Kosovën Lindore

Kushtrim Maliqi Nga Kushtrim Maliqi Më 10 prill 2019 Në ora: 19:13
Foto ilustruese

Ibrahim Kadriu është nj nga themeltarët e organizimit më të rëndësishëm politik të Kosovës Lindore, referendumit të 1,2 Mars 1992. Ndonëse i shtyrë në moshë, ai mbanë mend në detaje mënyrën se si u organizua referendumi ku shqiptarët e Kosovës Lindore votuan pro bashkimit me Kosovën. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, prof. Kadriu, ka folur për shumë çështje që ndërlidhen kryesisht me të drejtat e cunguara dhe përpjekjet e pareshtura të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për t’u bashkuar me Republikën e Kosovës. Kadriu është shprehur përkrahës i idesë së Presidentit Thaçi për korrigjimin e kufirit, me ç’rast edhe bashkimi e Kosovës Lindore me Kosovën. Mirëpo, sipas tij, bashkimi i përgjysmuar i këtyre komunave me Kosovës, do të ishte “Fitore e Pirros”, çka nuk i duhet askujt.

“Bota sot”: Profesor, jeni ndër nismëtarët e parë të referendumit të 1,2 Marsit të vitit 1992 në Kosovën Lindore. Tash kur jemi 27 vite e më vonë, a mund të na shpalosni disa nga organizimi, cilat ishin vështirësitë, vullneti dhe pritjet nga ky referendum, qysh në fillim?

Kadriu: Me themelimin e pluralizmit politik të viteve të 90-ta edhe shqiptarët në hapësirën e tyre në Kosovë si dhe pjesën lindore të saj filluan të zgjohen do të thosha edhe partitë politike që u krijuan në atë kohë në Prishtinë, krijuan një trup të përbashkët në partinë politike që ishin në atë kohë LDK-ja, PDSH-ja, PVD-ja dhe Prosperiteti i shqiptarëve të Maqedonisë. U krijua pra një bërthamë e përbashkët politike dhe u themelua këshilli i partive politike, synimi i të cilave ishte organizimi i një referendumi pasi që tërë hapësirën e ish-Jugosllavisë në atë kohë, në Kroaci, Slloveni u themeluan referendume dhe shpallën shtetet e tyre, kështu që edhe shqiptarët u lypsej të mendonin për ardhmërinë e tyre, në këtë mënyrë vendosëm në atë këshill e partive politike që edhe shqiptarët ta shprehin vullnetin politik me këtë opsion: Kosova shtet i pavarur, kurse shqiptarët e Maqedonisë atë statusin që e kishin gjithmonë në qendër të vëmendjes, shtet formues në Maqedoni, ku prandaj edhe neve këtu në këtë pjesë të Kosovës Lindore u vendos që shqiptarët të deklarohen dhe morën qëndrim që të themelohet pra kuvendi i referendumit nga këto parti dhe shoqata, asociacione që në atë kohë ekzistonin.

“Bota sot”: A mund të na i thoni për mënyrën e organizimit, bashkëpuntorët, strategjinë, si në fakt ka ndodhur organizimi?

Kadriu: Organizatorë të themelimit të referendumit kanë qenë partitë politike sepse ata e kanë marrë detyrën dhe obligimin që ta organizojnë referendumin për ta senzibilizojnë çështjen e tyre, pra të popullatës në Kosovën Lindore. Pjesë e organizimit kanë qenë edhe shoqata të ndryshme, ndër to edhe “Nënë Tereza”, kështu u mbajt një kuvend ku u zgjodhën mbi 96 delegat dhe me 16 shkurt të vitit 1992, ku edhe u vendos që të artikulojnë vullnetin e tyre politik.

Vullneti politik erdh në shprehje me opsionin e mundshëm, autonomi politiko-territoriale, autonomi kulturore dhe bashkim me Kosovën, respektivisht ribashkim me Kosovën. U votua në kuvend për të gjitha këto opsione, por shumicën e votave i mori opsioni autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën dhe kështu filloi fushata për shprehjen e vullnetit politik me datën 1,2 Mars të vitit 1992.

Image
Ibrahim Kadriu

Popullata në atë kohë ishte e vetëdijesuar, por çka ishte shumë me rëndësi, ishte e sigurt se për herë të parë në historinë e këtij populli po iu mundësohej deklarimi politik për vetëvendosje, prandaj e pranuan me plot dëshirë dhe u deklaruan për opsionin në fjalë, atë për autonomi politiko-territoriale me të drejt bashkimi me Kosovën, me 97%. Kjo është një dëshmi që populli vendosi se çkado.

“Bota sot”: Kur po e potenconi atë se kanë votuar 97% pro referendumit, a mund të na thoni ju lutëm se nga ka buruar ai 3% i votave kundër, të asaj kohe?

Kadriu: Sigurisht se shumica e atyre që e përbëjnë atë 3% kanë qenë serb apo jo shqiptarë. Serbët normal se nuk kanë mundur ta pranojnë referendumin për arsye hegjenomiste, pansllaviste e kështu me radhë. Është një përqindje shumë e vogël sepse këto treva, Preshevë e Bujanoc përqindja por edhe në Medvegjë është e minoritetit serb e vogël. Në Preshevë kanë qenë dhe janë mbi 98% shqiptarë, në Bujanoc mbi 65%, ndërsa në Medvegjë kanë qenë gjithsej diku 35% shqiptarë, prandaj ka qenë kjo ajo arsyeja që i ka nxit shqiptarët sepse në këto treva kanë qenë të diskriminuar, gjithmonë kanë qenë të përbuzur, gjithmonë ndaj tyre është ushtruar dhunë, terror dhe gjenocidit, prandaj është momenti njëherë e përgjithmonë të ndahet nga shteti i cili i ka bërë të gjitha ato të zeza në mënyrë konstante ndaj popullatës shqiptarë. Serbia ndër vite e ka shfaqur nevojën e tyre për spastrime etnike, ata asnjëherë nuk kanë treguar mirësjellje ndaj pakicave, ajo shqiptarët vazhdimisht i konsideron si të rrezikshëm, ndonëse nuk është ashtu.

“Bota sot”: Për shkak të gjendjes aktuale në aspektin e popullatës shqiptare në Medvegjë, kur flitet sot për referendumi më shumë paramendohet Presheva e Bujanoci, e shumë pak Medvegja. Ju si pjesëmarrës në atë proces shumë të rëndësishëm, a mund të na thoni a ka qenë vullneti i njëjtë i çdo shqiptari për atë referendum, si i atij nga Presheva ashtu edhe nga Bujanoci e Medvegja?

Kadriu: Aspiratat e shqiptarëve gjithmonë kanë qenë të njëjta, të barasvlefshme, por struktura e popullatës nuk ka qenë gjithmonë njësoj, pasi që shembull pak më parë e thash që në Bujanoc ka pasur 65% shqiptarë sipas regjistrimit të popullsisë së vitit 1981. Mendoj dhe besoj se qëndron ajo hipoteza se shqiptarët gjithkund në trojet e tyre kanë pasur aspiratë të njëjtë, lirinë, çlirimin dhe bashkimin kombëtarë, prandaj tash ajo struktura e popullsisë që ka qenë atje më e vogël, del se nuk kanë mund të jenë në aspektin numerik më të madh, por aq sa kanë qenë gjithnjë janë deklaruar për ribashkim dhe kanë qenë pro me ngulm. Sot, situatën e kemi krejt ndryshe pasi që atë pjesë të Kosovës Lindore në Medvegjë është zvoglu dukshëm numri i shqiptarëve, ku sot atje nuk ka më shumë se 200 banorë shqiptarë. Ata që janë shpërngulur, këtë e kanë bërë për shkak se Serbia ka ushtru vazhdimisht dhunë, terror, presion. Kanë tentuar që ta bëjnë këtë pasi që e kanë parasysh që grupeve më të vogla gjithmonë është më e lehtë me iu kundërvu. Ata nuk kanë mundur të jenë më ndryshe nga ajo siç janë, gjithnjë kanë qenë pro ribashkimit me Kosovën, pro Shqipërisë etnike, bashkimit kombëtarë, por numri, siç e thash, numri ka qenë më i vogël për dallim prej Preshevës e Bujanocit.

“Bota sot”: Si e vlerësoni idenë e presidentit Thaçi, ku ai me anë të korrigjimit siç e quan ai, dëshiron që t’ia bashkëngjes Republikës së Kosovës edhe Kosovën Lindore, por kur thotë se nuk do të humb asgjë Kosova, kësaj nuk i beson askush. Në këtë kontekst, si veprimtar i kahershëm, a do t’ia vlente ndërrimi i komunave në Lindje të Kosovës, me Leposaviçin e Zubin Potokun, pa e prekur veriun e Mitrovicës dhe duke e ruajtur Liqenin e Ujmanit?

Kadriu: Ideja e kryetarit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçit është e drejtë, është imperativ e Thaçit por edhe gjithë shqiptarëve që kjo pjesë e Kosovës Lindore të jetë brenda tërësisë territoriale të Kosovës, sepse gjithmonë ka qenë e tillë, Kosovë dhe Shqipëri. Këtu populli është deklaru, siç e thash me anë të referendumit, prandaj patjetër duhet ta artikulojmë vullnetin politik. Nga ajo që nuk është realizuar vullneti politik i popullatës së kësaj treve, kemi ardhur deri tek lufta, pra edhe lufta e UÇPMB-së është ajo që e nxiti faktorin politik ndërkombëtarë që të tentojë ta zgjidhë çështjen e shqiptarëve në këto treva.

Në saje të luftës, gjakut por edhe të referendumi, kjo pjesë patjetër duhet ti bashkohet Kosovës. Ideja e Thaçit për korrigjimin e kufirit është e drejt, sepse padrejtësisht neve na kanë nda në kongresin e Berlinit në vitin 1878, konferencën e ambasadorëve të vitit 1912-13 dhe të konferencës së Versajës së vitit 1990, prandaj duhet patjetër që kjo treve t’i kthehet Kosovës, ribashkimi me Kosovën është zgjidhja e vetme e mundshme, e pranueshme nëse mendojmë të qëndrojmë këtu, për ndryshe Serbia do ta përsëritë atë avazin e vjetër, spastrimin etnik, dëbimin e shqiptarëve ashtu siç e ka bërë shembull në Sanxhakun e Nishit, kur kufiri ishte tek e ashtuquajtura Molla e Kuqe në Zajçar, aty ishte edhe pika kufitare Velika Pllanë, ku numri i popullatës shqiptarë para Kongresit të Berlinit ishte mbi 80%. Pra i humbëm të gjitha ato troje në një hapësirë gjeografike mbi 13 mijë kilometra katrorë, shumë më shumë se sa është sot hapësira gjeografike e Republikës së Kosovës.

Sa i përket asaj që thuhet se me këtë po vije deri tek shkëputja ose ndarja e territorit të Kosovës, do të thosha se në dialog me Serbinë, vetë faktori shqiptarë në Kosovë e ka nënshkruar asociacionin me Serbinë për komunat e banuara me serbë, ta kenë një status më të avancuar politik, e që edhe de fakto edhe de juro do të ishin shtete në miniaturë, prandaj a ka arsye të dyshohet se me këto cenohet tërësia territoriale e Kosovës? Edhe me demarkacionin e vërtetuan, ndonëse fillimisht këta sot që janë të zëshëm kundër korrigjimit, thoshin se po humbim territor me demarkacionin me Malin e Zi, mbi 8 mijë e sa hektarë tokë e në fund ia dhanë ia falën Malit të Zi dhe jo vetëm kaq, pasi që kjo ishte vetëm vazhdimësi e asaj që kishte ndodhë në raport me Maqedoninë, në komunën e Vitisë, fshati Debëllde.

Shumë herë u prish kufiri i Kosovës, mos t’ia falin nëse kanë mundësi. Ne gjithmonë e kemi përkrahë Kosovën si shtet me kufijtë e mëparshëm, por nëse faktori ndërkombëtarë vepron në atë mënyrë që gjenë zgjidhjen përmes këmbimit të territorit edhe për këtë pjesë veriore të Kosovës, nuk do të thotë se është humbje, pasi që edhe ashtu e kemi humbur.

Asociacioni i këtyre komunave serbe të cilin e ka nënshkruar faktori politik shqiptarë, është një shtet në miniaturë, prandaj Kosova dhe institucionet e Kosovës nuk do të kenë kurrfarë qasje aty, ato do të dominohen nga ligjet e Serbisë, si në gjyq, polici, arsim e shëndetësi.

“Bota sot”: Askush nuk garanton se Presidenti Thaçi do t’ia bashkëngjisë Republikës së Kosovës, Kosovën Lindore si tërësi apo jo. Meqë është kështu, cila do të ishte përgjigja që do të duhej t’ia jepnim të themi kushtimisht Medvegjës, apo atyre vendbanimeve që mund të mbesin nën Serbi, për dallim të disa pjesëve tjera që do t’i bashkëngjiteshin Kosovës. A do të duhej të pranonim bashkëngjitje të pjesshme të Kosovës Lindore me Republikën e Kosovës?

Kadriu: Për sa i përket kësaj pyetje, unë do të thosha se nuk është zgjidhje nëse vetëm Presheva i bashkohet Republikës së Kosovës, e Bujanoci e Medvegja mbetet edhe më tutje nën Serbi. Sipas mendimit tim do të ishte një “Fitore e Pirros”, sepse ne e kemi obligim moral dhe përgjegjësi morale që ta shpëtojmë atë pjesën territoriale të shqiptarëve, pra edhe Bujanocin dhe Medvegjën. Njëherë e mirë duhet t’i themi Serbisë se nuk lëshojmë pe për kombinime tjera. Shqiptarët e kanë artikuluar vullnetin politik me besim të madh se do të realizohen aspiratat e kahershme. Kjo tokë është e jona, e trashëguar nga paraardhësit tanë që prej Pellazgëve e Ilirëve, e duhet t’ua trashëgojmë pas ardhësve tanë, ndër breza.

Mendoj se alternativë nuk ka tjetër përpos kthimit në tërësinë territoriale të Kosovës, nëse tentojmë të mbesim këtu, e nëse dëshirojmë të na përsëritet historia, atëherë lë të veprojnë ndryshe, por do t’i gjykojë historia, populli por edhe Zoti. Nuk guxojmë ta pranojmë zgjidhjen e pjesshme të problemit të këtyre shqiptarëve, në asnjë mënyrë.

“Bota sot”: Derisa po flasim për ide dhe projekte të mëdha siç është bashkimi i Kosovës Lindore me Republikën e Kosovës, i cili është opinioni juaj për liderët aktual politik në këto komuna, a e kanë vullnetin dhe gatishmërinë për t’ia dhënë një dorë këtyre zhvillimeve historike?

Kadriu: Deri sot, e kaluara na ka mësuar se partitë politike në përgjithësi e në veçanti këto, këtu në Kosovën Lindore nuk kanë qenë të denja për çlirimin dhe bashkimin kombëtarë, për projekte madhore. Atyre në rend të parë iu intereson, kanë qenë të përkushtuar ta marrin pushtetin, të marrin nga ajo të mira materiale, të pasurohen, kurse zgjidhjen e çështjes kombëtare e kanë lënë në rënie të lirë. Kanë funksionuar në stilin “lidhe kalin ku thotë zotëria”, prandaj kurrën e kurrës nuk kanë qenë të denjë për me e materializu edhe vullnetin e popullit të shprehur me referendum, por edhe luftën, sakrificën e gjakun e dëshmorëve që kjo popullatë e ka derdhë për shtet, për liri, për bashkim kombëtarë e që do t’i gjykojë nesër jo vetëm populli, por edhe Zoti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...