Serwer: Kosova s’ka nevojë të ngutet për marrëveshjen me Serbinë, taksa nuk po sjellë rezultate pozitive

Intervista

Serwer: Kosova s’ka nevojë të ngutet për marrëveshjen me Serbinë, taksa nuk po sjellë rezultate pozitive

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 12 prill 2019 Në ora: 20:08
Daniel Serwer

Eksperti i njohur amerikan për Ballkanin Daniel Serwer, ka thënë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, duhet të përfundojë me njohjen reciproke, shkëmbimin e përfaqësuesve në nivel ambasadorësh dhe hyrjen e Kosovës në OKB.

Mirëpo, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Serwer ka deklaruar se marrëveshja finale mes të dyja vendeve, është akoma disa vjet larg. Sipas tij, Prishtina nuk ka nevojë të ngutet për marrëveshjen me Serbinë.

Serwer ka komentuar edhe për idenë e shkëmbimit të kufijve, duke thënë se një gjë e tillë nuk do të ndodhë.

Eksperti amerikan ka theksuar se ka shumë presion nga miqtë ndërkombëtarë për heqjen e taksës, pasi ajo, sipas tij, është e pakuptimtë dhe më rezultate negative.

Serwer ka folur edhe për punën e Gjykatës Speciale, duke deklaruar se ajo tashmë po prek politikën në Kosovë, ku po krijon pasiguri të madhe.

Ai ka thënë se Kosova nuk po zbrazet, por duhet të bëjë më shumë për ta bërë ekonominë e saj të sigurojë vende pune për më shumë njerëz.

“Bota sot”: 11 vite nga shpallja e Pavarësisë, ku mendoni se gjendet sot Kosova?

Daniel Serwer: Kosova është e pavarur, por jo plotësisht sovrane, qeveris vetë në një sistem pak a shumë demokratik dhe gëzon marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët e saj, si me SHBA-të dhe shumicën e Evropës, përveç Serbisë.

“Bota sot”: Si mund të përfundojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë?

Daniel Serwer: Dialogu duhet të përfundojë me njohjen reciproke, shkëmbimin e përfaqësuesve në nivel ambasadorësh dhe hyrjen e Kosovës në OKB. Por, ajo ditë mund të jetë akoma disa vjet larg. Ndërkohë, ka shumë fusha në të cilat duhet të përmirësohet bashkëpunimi.

“Bota sot”: Administrata amerikane thotë se tani është koha për një marrëveshje, pse është momenti i duhur?

Daniel Serwer: Nuk e di nëse tani është koha e duhur për marrëveshjen, por nëse administrata amerikane thotë kështu, pyetni atë.

“Bota sot”: Një marrëveshje e nxituar mes të dyja vendeve, a do të kishte pasoja për Kosovën?

Daniel Serwer: Unë nuk shoh ndonjë nevojë të Prishtinës për një marrëveshje të nxituar.

“Bota sot”: Presidenti Hashim Thaçi, po pretendon që Kosovës do t`i bashkohet Presheva, Medvegja e Bujanoci e në anën tjetër nuk do të preket veriu? Sa ka gjasa të ndodhë një gjë e tillë, si e shihni këtë ide?

Daniel Serwer: Nuk do të ndodhë. Edhe një shkëmbim territori nuk ka të ngjarë.

“Bota sot”: A do të mund t’i bëjë ballë Kosova “presionit” të SHBA-ve dhe BE-së për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe? A po tregohet Qeveria e Kosovës “kryeneçe” duke mos iu bindur miqve të saj?

Daniel Serwer: Po, ka shumë presion për heqjen e taksës, pasi ajo është e pakuptimtë dhe provokative. Po, Kosova po tregohet kokëfortë, por pa ndonjë efekt të mirë. Unë e kuptoj impulsin për të përdorur fuqitë sovrane dhe madje e vlerësoj, por jo nëse rezultatet janë negative.

“Bota sot”: Kosova miratoi demarkacionin, por as edhe pas një viti, nuk ka liberalizim të vizave? A po tregohet e padrejtë BE me qytetarët e Kosovës?

Daniel Serwer: BE-ja premtoi heqjen e vizave në 2019. Por, Kosova po i dëmton shanset e saj për të fituar liberalizimin. Zgjohuni: është viti 2019.

“Bota sot”: Në Kosovë çdo ditë po alarmohet për largimin e të rinjve nga vendi. Ku qëndron problemi që Kosova po “zbrazet”?

Daniel Serwer: Jo, Kosova nuk po zbrazet, por duhet të bëjë më shumë për ta bërë ekonominë e saj të sigurojë vende pune për më shumë njerëz. Më pak korrupsion, më shumë vende pune.

“Bota sot”: Çfarë mendoni për punën e Gjykatës Speciale, a mund të ndikojë puna e saj në zhvillimet politike në Kosovë?

Daniel Serwer: Ajo tashmë po prek politikën në Kosovë, ku po krijon një pasiguri të madhe. Do të doja të shihja llogaridhënie, jo pasiguri. Dobia e Gjykatës Speciale varet nga bërja e diçkaje, jo nga varja e kokës së të gjithëve si tek “Shpata e Damokleut”.

“Bota sot”: Si i komentoni protestat e shumta në Ballkan, si në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi? Çka po paralajmërojnë ato?

Daniel Serwer: Unë dyshoj se po paralajmërojnë ndonjë gjë. Protestat janë të zakonshme në të gjitha shoqëritë demokratike. Ka shumë padurim në Ballkan: njerëzit duan që gjërat të përmirësohen më shpejt. Demonstratat janë një mënyrë e përpjekjes për ta bërë këtë të ndodhë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat