Ish komandanti i Batalionit Atlantiku: Nuk duam që kufijtë të preken, Gjykata Speciale e padrejtë - Bota Sot
Ish komandanti i Batalionit Atlantiku: Nuk duam që kufijtë të preken, Gjykata Speciale e padrejtë

Intervista

Ish komandanti i Batalionit Atlantiku: Nuk duam që kufijtë të preken, Gjykata Speciale e padrejtë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 20 prill 2019 Në ora: 08:20
Ish komandanti i Batalionit Atlantiku, Gani Shehu së bashku me bashkëluftëtarë

Ish komandanti i UÇK-së në Junik dhe më vonë komandant i batalionit Atlantiku, z. Gani Shehu, aktualisht kryetar i Shoqatës së Atlantiku, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka rrëfyer momente të luftës, bashkëngjitjen e Batalionit Atlantiku në luftë, si dhe ka vlerësuar gjendjen politike në vend.

Shehu që ishte ushtarë i lirisë që nga fillimi i luftës, u plagos në Kosovë në vitin 1998, e ku shërimin e kishte gjetur në SHBA, e më pastaj kur ishte kthyer prapë në frontin e luftës, kishte marrë me vete edhe Batalionin Atlantiku, ku edhe u bë komandant i tij.

Komandat Shehu ka folur edhe për idenë e korrigjimit të kufijve, ku ai në emër të Batalionit thotë se ata respektojnë kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, duke iu referuar dispozitave themelore të nenit 1 të kushtetues së Republikës së Kosovës si dhe nenit 2.

Shehu ka folur edhe për rolin e SHBA-së në Kosovë, të cilin e konsideron vendimtar.     

“Bota sot”: Z. Shehu, çfarë emocioni ju sjellë juve kremtimi i 20 vjetorit të Batalionit Atlantiku në Kosovë?

Gani Shehu: Natyrisht se kemi emocione të mëdha pasi e kujtojmë një rrugëtim jo të lehtë, me sfida, me të panjohura, por gjithmonë me dhimbje dhe natyrisht me krenari dhe është nj kënaqësi e veçantë të jemi në Kosovë.

“Bota sot”: A mund të na kujtoni momentet nga dita kur vendosët t’i bashkoheshit luftës në Kosovë?

Gani Shehu: Unë kam qenë në luftë që nga fillimi dhe kam qenë i plagosur në vitin 1998, e për këtë kam shkuar për shërim në Amerikë, e pas ndërhyrjeve kirurgjike që kam pas, jam kthyer përsëri në luftë, por kësaj radhe me Batalionin Atlantiku.Gjithashtu, më kujtohet momenti kur këta djem që sot kanë ardh në Kosovë, nuk i kam njohur në atë kohë, por i kam takuar për herë të parë në atë kohë, ku jemi bërë bashkë dhe kemi ardhur në Kosovë në frontet e luftës.

“Bota sot”: Si e shihni Kosovën 20 vite pas luftës, kryesisht në skenën politike?

Gani Shehu: Kosova ka ecë shumë përpara, Kosova ka shumë të arritura që janë të prekshme, por politika është diçka që mund të jap mendim por jo gjykim, pra mendoj se partitë politike në Kosovë duhet të bëhen bashkë kur është në pyetje interesi nacional dhe interesi i përgjithshëm. E kemi përballë një armik siç është Serbia, e cila apetitet e saja asnjëherë nuk i heq nga mendja dhe që pretendon gjithmonë ta kthej Kosovën. Në këtë kontest gjithmonë shqiptarët duhet të bashkohen dhe përballë Serbisë të jemi sa më unik dhe më të fuqishëm, si në kohën e luftës.

“Bota sot”: Cili është mendimi juaj për dialogun Kosovë-Serbi, në veçanti për idenë e korrigjimit të kufijve?

Gani Shehu: Unë nuk mund ta di saktë se si tingëllon ideja për korrigjimin e kufijve Kosovë-Serbi, por Kosova është, ka kushtetutën, ka ligjet dhe pavarësia e Kosovës është një kompromis dhe si e tillë ne e çmojmë dhe e respektojmë në tërësi kushtetutën dhe ligjet e vendit, pra siç thotë kushtetuta, ne e jemi pas saj dhe nuk duam që ajo të shkelet.

“Bota sot”: Z. Shehu, si e vlerësoni Gjykatën Speciale, e cila ka filluar punën dhe ka marrë në pyetje dhjetëra ish pjesëtarë të UÇK-së?

Gani Shehu: Gjykata Speciale është një padrejtësi shumë e madhe, një selektim i padrejtë ndaj luftëtarëve të lirisë. Ne kemi bërë luftë mbrojtëse, ndërsa ata që duhet të gjykohen janë serbët dhe kriminelët serb që kanë kryer dhunime, masakra, gjenocid e shumë krime të tjera, dhe konsiderojë që është edhe një dështim drejtësisë ndërkombëtare kjo gjykatë speciale.

“Bota sot”: Si e vlerësoni rolin dhe kontributin e SHBA-së për Kosovën, që nga lufta e deri më sot?

Gani Shehu: Roli dhe kontributi i SHBA-ve për Kosovën, është vendimtar. Ne kemi bërë punën tonë, kemi sakrifikuar e kemi derdhur gjak, por pa mbështetjen dhe përkrahjen e SHBA-ve ne nuk do të ishim ku jemi dhe ndihma dhe mbështetja e SHBA-ve vazhdon edhe tash dhe komuniteti shqiptarë në Amerikë bën shumë dhe punon shumë që të lobojë dhe të angazhohet në çdo aspekt për Kosovën, sidomos sa i përket ushtrisë, sa i përket infrastrukturës, e në veçanti përkrahjes politike dhe mendoj se Kosova duhet të jenë krenare për miqtë në Amerikë ai është fat i yni.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...