Takimi i Berlinit, pikënisje për një dialog më serioz ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Intervista

Takimi i Berlinit, pikënisje për një dialog më serioz ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 28 prill 2019 Në ora: 08:24
Ahmet Isufi

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi në një Intervistë Ekskluzive për Bota sot” ka thënë se është obligim i tyre dhe i institucioneve përgjegjëse të vendit që të punohet sa ma shumë, në mënyrë që të krijojnë kushte në mënyrë që rinia të mos ikë nga Kosova. Ai ka thënë se, Kuvendi i Republikës së Kosovës është duke funksionuar me gjithë brishtësinë që e ka në raport të forcave pozitë- opozitë.

Në anën tjetër, sipas tij, koalicioni qeverisës është stabil dhe nuk ka ndonjë problem në funksionim. Isufi ka theksuar se, takimi në Berlin mund t`i jap kahje fillimit të një dialogu të mirëfilltë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Bota sot”: z. Isufi si e vlerësoni gjendjen aktuale në Kosovë?

Isufi: Gjendja aktuale në Kosovë është me specifika të veçanta dhe me një zhvillim të avancuar institucional për shkak të vendimeve të cilat kanë ndodhur këto kohët e fundit. Kur e them këtë kam parasysh vendimet që janë marr sa i përket krijimit të Ushtrisë së Kosovës, taksës 100%, statutit të Trepçës, Ligjit për Kryeqytetin, Ligjin për pagat, si dhe vendimet tjera, të cilat e kanë forcuar nivelin institucional të Kosovës. Megjithatë sfidë mbetet zhvillimi ekonomik i vendit, papunësia, politika e jashtme si dhe migrimi i të rinjve, tema këto të cilat duhet të jenë fokus i drejtpërdrejt i institucioneve tona. Ky vit është shpallur vit i ekonomisë dhe qeveria duhet të bëjë hapat konkret, për nisjen e rimëkëmbjes dhe investimit në resurset të cilat duhet të ngritën për të pasur një mirëqenie më të mirë qytetarët e Kosovës.

“Bota sot”: Cili është mendimi dhe vlerësimi juaj për ecurinë e punëve në Kuvendin e Kosovës aktualisht?

Isufi: Kuvendi i Republikës së Kosovës është duke funksionuar me gjithë brishtësinë që e ka në raport të forcave pozitë- opozitë. Një numër i balancuar i votave me një dallim të vogël të përparësisë së pozitës bënë që në momente të caktuara të mos ketë kuorum edhe për shkak të sjelljes së opozitës, e cila nuk është e gatshme ti votojë ligjet. Kurse, sa i përket funksionimit të koalicionit, është stabil dhe i koordinon angazhimet e përbashkëta përmes shefave të grupeve parlamentare, por megjithatë duhet një vullnet dhe një angazhim më i madh bashkëpunues, në mënyrë që të shikohen interesat shtetërore dhe qytetare dhe jo kapicat e interesat e ngushta politike.

“Bota sot”: Sa e keni të vështirë ta bindni opozitën për votimin e ligjeve të ndryshme, meqë si pozitë arrini vetëm deri tek shumica e thjeshtë në numra?

Isufi: Në Kuvendin e Kosovës komunikojmë me të gjithë spektrin politik, gjithashtu edhe me opozitën dhe sidomos për temat e rëndësishme nacionale, projektligjet të cilat ka nevojë të aprovohen me dy të tretat e votave bëhet një komunikim më i ngjeshur dhe kërkohet harmonizimi që deri më tani ka rezultuar pozitivisht dhe në këtë drejtim falënderojmë opozitën për kursin konstruktiv të tyre. Po ashtu projektligjet që kërkojnë shumicën e thjeshtë ato të cilat i vlerëson opozita se janë të dobishme për ti përkrahur sepse kanë edhe interesin e tyre kalojnë ndërsa të tjerat pozita detyrohet të ketë votën e vet me ndonjë nga partitë opozitare sepse tani lista serbska nuk merr pjesë vazhdimisht në seanca, megjithatë mund të themi se kuvendi është duke funksionuar mirë edhe pse në momente të caktuara ka mungesë kuorumi.

“Bota sot”: Si po ecën bashkëpunimi me partnerin qeverisës PDK-në dhe të tjerët?

Isufi: Deri tani ka një koordinim dhe bashkëpunim me partnerët e koalicionit qeverisës, me të gjithë nuancat dhe dallimet që ekzistojnë për tema të ndryshme ka edhe dallime por megjithatë janë të kuptueshme dhe jemi dakorduar që të mbajmë qëndrimet politike dhe të mos ketë pengës në funksionim.

“Bota sot”: Po flitet se ka luhatje ndërmjet jush dhe PDK-së për shkak të taksës ndaj mallrave serbe, si po arrini t`iu bëni ballë këtyre mospajtimeve?

Isufi: Taksa është vendosur unanimisht në qeverinë e republikës së Kosovës madje ka pasur tendenca që edhe të mirët primat se kush e ka vendosur taksën pas interesimit të publikut, mediave dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe presionit që ka vazhduar kanë filluar të paraqiten dallimet se a duhet të mbetet apo të pezullohet (hiqet) taksa, megjithatë kjo nuk ka bërë që të luhatet koalicioni sepse në temat tjera ka unitet dhe ka koordinim të veprimeve në koalicionin qeverisës. Derisa koalicionin e udhëheq kryeministri Haradinaj atëherë është në kompetencën e tij për të vendosur për taksën dhe normalisht qëndrimi i tij është i qartë se taksa nuk hiqet mund të themi që koalicioni është stabil dhe nuk ka ndonjë problem në funksionim.

“Bota sot”: Opozita vazhdimisht po kërkon zgjedhje të reja, madje LVV ka nisur edhe tubime me qytetarë për këtë qëllim, si i komentoni ju këto kërkesa?

Isufi: Opozita ka të drejtë të mbajë qëndrim kritik ndaj qeverisë dhe madje një opozitë e fortë është e shëndetshme për shoqërinë sepse bëhet korrigjuesë dhe kërcënuese për qeverinë nëse ajo nuk korrigjohet dhe nuk vepron sipas interesave të qytetarëve. Metodat dhe mjetet që i përdorë opozita janë të parapara me kushtetutën dhe ligjet në fuqi dhe duhet ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre që protestat të jenë përmbajtjesore dhe paqësore. Është e ditur që opozita shfrytëzon instrumentet dhe metodat që i përshtaten asaj. Kosova ka nevojë për ndryshime në kuptimin kualitativ dhe duhet të përkrahet pozita atëherë kur bënë veprime në dobi të qytetarëve dhe të vendit por edhe të kritikohet atëherë kur ka vend për kritikë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni largimin e të rinjve, në masë të madhe ditëve të fundit, a po bëhet Kosova një vend i padëshiruar z. Isufi, dhe kush duhet të bartë përgjegjësi pare këtë?

Isufi: Migrimi nga Kosova ka ekzistuar edhe në të kaluarën në rrethana dhe për motive të ndryshme por tani është vërtet e dhimbshme që njëzet vjet pas luftës dhe njëmbëdhjetë vjet pas pavarësisë të rinjtë tanë nuk po mund të gjejnë vende pune në atdheun e tyre. Është obligim i yni dhe i institucioneve përgjegjëse të vendit që të punohet sa ma shumë që të krijojnë kushte e të mos ikin rinia e cila është vitale e sidomos njerëzit me profile kreative dhe konkurruese të mos ikin por ti kontribuojnë vendit të tyre. Për këtë përgjegjësinë kryesore e bartin institucionet dhe të gjithë ata që kanë marrë përgjegjësinë për udhëheqjen e vendit. Megjithatë migrimet nuk mund të ndalen vetvetiu sepse njerëzit kanë nevojë të lëvizin dhe të kërkojnë jetë më të mirë por kjo dukuri duhet të ndalet me masa ekonomike e sociale që të përmirësohet jeta në Kosovë.

“Bota sot”: Pikërisht në ditët kur rinia po largohet masivisht nga vendi, u publikuan raporte të shumta për punësime familjare nëpër institucionet publike nga Qeveria Haradinaj, si e komentoni ju këtë?

Isufi: Punësimet në Kosovë kanë ekzistuar edhe në baza të familjarizimit dhe partiakizmit dukuri kjo që nuk ka mundur të eliminohet edhe në rrethana të sotme. Më e mira do të ishte që tani të bëhet një vlerësim për të gjitha periudhat dhe të merreshin masat në mënyrë që nga kjo praktik e dëmshme të fillojë një proces në të cilin do të vendoseshin kritere dhe të krijohej rregullsi strikte në sistemin e konkurrencës në mënyrë që në vendet e punës të zgjidheshin njerëzit profesionist dhe me kualitete të avancuara në mënyrë që të përmirësohej edhe cilësia e punës. Nga kjo do të përfitonim të gjithë duke u nisur nga institucionet, shteti dhe shoqëria në përgjithësi.

“Bota sot”: Çfarë do të ndodhë me dialogun me Serbinë a mund të përfundoje brenda këtij viti?

Isufi: Dialogu Kosovë-Serbi, nuk do të jetë i lehtë duke pas parasysh përvojat e mëhershme të dialogut dhe duke u nisur nga premisa se udhëheqja serbe nuk ka ndryshuar qëndrimin madje është duke u shërbyer me logjikën e paraprijësit të saj Millosheviçit. Kur kemi parasysh se janë të njëjtit protagonist të luftës makabre dhe gjenocidale që kanë zhvilluar në Kosovë vështirë se mund të arrihet një marrëveshje e cila do të rezultonte me normalizim të marrëdhënieve dhe njohje reciproke mes dy shteteve. Po ashtu, një politikë dyfytyrëshe herë pro ruse herë pro Evropë është treguesi më i mirë se do të prolongohet procesi dhe zgjidhja do të jetë shumë e vështirë. Është shumë domethënës takimi në Berlin, i cili mund t`i jap kaheje fillimit të një dialogu të mirëfilltë meqë ka të bëjë me inicimin e faktorëve të fuqishëm siç janë Gjermania dhe Franca e që do të mundë të ketë një start serioz të zgjidhjes së problemeve që kanë Kosova dhe Serbia si dy shtete. Ky vit mund të jetë pikënisja e një dialogu më serioz, por zgjidhja mund të jetë me probleme që mund të prolongojnë procesin.

“Bota sot": Çështja e përfaqësimit të dialogut a mund të qojë në përplasje të reja ndërmjet faktorëve të brendshëm politik?

Isufi: Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar bazën e zhvillimit të dialogut që ka të bëjë me platformën, ligjin dhe ekipin e Kosovës për dialog. Rrethanat janë të ndërlikuara kur kemi parasysh angazhimin e presidentit dhe iniciativën e tij për korrigjim të kufijve e që është në kundërshtim me dokumentet bazë të shtetit dhe ekipin negociator, madje mospajtimin e të gjithë spektrit politik duke përfshirë edhe partinë prej së cilës ka dal presidenti. Megjithatë do të ishte mirë që lidershipi i Kosovës të bazohet në detyrimet që ka marrë nga Kuvendi dhe të dal me një zë.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gatishmërinë e vazhdueshme të BE-së dhe SHBA-së për një dialog përfundimtar?

Isufi: Ka qenë kërkesë e jona e mëhershme që në dialogun me Serbinë të jenë të angazhuara shtetet e bashkuara të Amerikës si fuqia e cila e bënë procesin ma serioz dhe garantimin e një zgjidhje të plotë të zbatueshme ligjore. BE-ja dhe SHBA-ja nuk duhet të jenë vetëm fasilitues por edhe garantues të një marrëveshjeje që do ti obligonte palët ta zbatojnë duke krijuar kushte që të ndalet armiqësia dhe të fillojë normalizimi i marrëdhënieve si dy shtete fqinje për tu ndihmuar reciprokisht për hyrje në bashkimin evropian, jo ashtu siç po vepron sot Serbia duke shkelur marrëveshjen për mos ndërhyrje dhe mos pengim të inkuadrimit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.

"Bota sot": Çfarë rezultati prisni të prodhojë dialogu?

Isufi: Nëse shtetet e bashkuara të Amerikës dhe BE-ja, kanë si synim përfundimtar të qetësojnë këtë pjesë të Ballkanit atëherë duhet të jenë me angazhim maksimal konkret që palëve tu ofrojnë zgjidhje të plotë pa dykuptimësi dhe me qartësi të përmbylljes së procesit e në këtë drejtim veçmas presioni duhet të shtohet ndaj Serbisë e cila nuk po heq dorë nga politika agresive ndaj Kosovës. Rezultati duhet të jetë në favorë të respektimit të ndërsjella duke i pranuar vlerat properëndimore dhe euroatlantike.

“Bota sot”: A ka AAK vija të kuqe për partner koalicioni, në rast të zgjedhjeve të parakohshme?

Isufi: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që nga krijimi i saj partitë politike në Kosovë i ka parë si partner politik e jo si kundërshtarë e më së paku me armiqësi në politikë. Gjatë gjithë angazhimit të saj aleanca ka ofruar bashkëpunime dhe vazhdon në ofrojë jo vetëm me partitë me të cilat ka bashkë qeverisur por edhe me spektrin tjetër të opozitës duke marrë për bazë interesat e vendit që shpeshherë kanë mund edhe ta dëmtojnë për momente të caktuara duke pas parasysh kundërthëniet politike që kanë ekzistuar në Kosovë. Tani kur jemi në qeveri ne kemi bashkëpunim korrekt me partnerët e koalicionit por mbajmë relacione dhe konsulta të vazhdueshme edhe me opozitën për shkak të interesave që i përmenda ma sipër. Është herët të flasim për zgjedhje sepse as një nga partitë politike nuk është e gatshme për zgjedhje qoftë për shkak të proceseve zgjedhore që kanë disa nga partitë, qoftë se ka subjekte që janë darë dhe u nevojitet konsolidimi, qoftë edhe për shkak të sondazheve me të cilin rast ndonjëra nga partitë nuk është në nivelin e votës që e pretendojnë. Tani më shumë duhet të merremi me angazhime të cilat i kemi obligim pavarësisht nga pozicioni pozitë opozitë. Herët është të flitet për koalicionet e mundshme por aleanca ka ofruar dhe ofron bashkëpunimin me të gjitha partitë me të cilat mund të arrijë qëllimin për të udhëhequr me shtetin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat