Rrëfen Komandanti Hisen Berisha: Beteja e Koshares ishte meritë e Sali Çekajt dhe organizimit institucional

Intervista

Rrëfen Komandanti Hisen Berisha: Beteja e Koshares ishte meritë e Sali Çekajt dhe organizimit institucional

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 4 maj 2019 Në ora: 17:07
Komandanti Hisen Berisha

Komandanti i Betejës së Koshares, Hisen Berisha, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, sjell rrëfimin e tij në 20 vjetorin e kësaj beteje, e njohur si njëra nga betejat më të përgjakshme dhe më heroike të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka deklaruar se kjo betejë e lavdishme ishte meritë e Sali Çekajt me bashkëluftëtarë e patriotë të devotshëm që iu përgjigjën vullnetarisht thirrjes për çlirim me luftë të Republikës së Kosovës.

Berisha në këtë intervistë ka thënë se roli i Ministrisë së Mbrojtjes në këtë betejë ishte furnizimi me mjete dhe me ushtarë, rol të cilin sipas tij e përmbushi pjesërisht.

Hisen Berisha që ishte njëri ndër protagonistët e kësaj beteje, ka thënë se tendenca e Serbisë çdoherë ishte për të fshehur numrin e saktë të ushtarëve të humbur në atë luftë, si një tendencë që të mos e njohin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si ushtri rivale.

Ndërsa, komandanti Berisha në këtë intervistë ka folur edhe për deklaratat e kolonelit shqiptar Dilaver Goxhaj, për të cilin ka thënë se është zëri i vetmuar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, që ju dha mundësia të bënte diçka për Kosovën.

“Bota sot”: Tashmë janë bërë plotë 20 vjet nga beteja më e lavdishme – Beteja e Koshares. Mund të na flisni z. Berisha, cilat janë emocionet tuaja dy dekada pasluftës?

Hisen Berisha: Njëzet vite pas lufte, ne po e argumentojmë mbështetur në formula ushtarake, suksesin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në këtë luftë. Krenaria u shtua pas dekoratës së presidentit të Republikës së Kosovës dhënë kësaj brigade. Sikur u ngjallën heronjtë nga varri.

“Bota sot”: Serbia asnjëherë nuk është ndalur duke propaganduar në forma të ndryshme lidhur me këtë betejë. Si i keni parë ju gjithë këto?

Hisen Berisha: Tendencë për të fshehur numrin e saktë të ushtarëve të humbur në atë luftë, tendencë që të mos e njohin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si ushtri rivale.

“Bota sot”: Kur jemi te propaganda serbe, mendoni se ju ka dëmtuar në luftën që është bërë?

Hisen Berisha: Propaganda Serbe ka qenë e pabesueshme për shqiptarët kudo në botë, mirëpo tash këtë propagandë nuk e beson askush as faktori ushtarak ndërkombëtarë. Prandaj, Serbia ka për aleatë e partnerë vetëm Rusinë e Kinën.

“Bota sot”: Beteja e Koshares, mendoni se ishte fatale për Serbinë?

Hisen Berisha: Po!

“Bota sot”: Z. Berisha është folur shumë në vitet e fundit rreth rolit të Ministrisë së Mbrojtjes në këtë betejë. Sipas jush, cili ishte roli i kësaj ministrie?

Hisen Berisha: Ministria e Mbrojtjes në këtë betejë kishte rolin e furnizimit me mjete dhe me ushtarë, rol të cilin e përmbushi pjesërisht.

“Bota sot”: Pasi jemi te bashkëpunimi, në anën tjetër, cili ka qenë bashkëpunimi me Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së

Hisen Berisha: I njëjtë me rolin e Ministrisë së Mbrojtjes, plotësonin njëra-tjetrën edhe duke u koordinuar.

“Bota sot”: Si e kujtoni rënien e Agim Ramadanit dhe Sali Çekajt, dhe si jeni ndjerë ju në ato moment më të marrë lajmin?

Hisen Berisha: Dhembja ka qenë paralizuese. Vetëdija se rënia e Agimit dhe Salihut në vijat e frontit kishte lëshuar hapësirë të madhe komandimit. Na ktheu në realitet me nevojën urgjente për zëvendësimin, për aq sa mund të zëvendësoheshin këta kolos të mendimit dhe drejtimit ushtarak për luftë në fushëbetejë.

“Bota sot”: Në këtë kohë, si udhëheqës i gjithë kësaj beteje, si kanë qenë raportet e juaja me Rugovën dhe Bukoshin?

Hisen Berisha: Si njësi të formuara me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi, kemi mbajt bashkëpunim institucional. Por, për detajet e këtij bashkëpunimi mund të flasë më shumë Komandanti i Brigadës apo thënë më qartë ishte Sali Çeku shtylla kurrizore e Ushtrisë së Kosovës dhe personaliteti rreth të cilit koordinohej çdo çështje që kishte të bëjë me institucionet relevante rreth organizimit ushtarak.

“Bota sot”: Z. Berisha, meritë e kujt ishte Beteja e Koshares?

Hisen Berisha: Sali Çekaj me bashkëluftëtarë e patriotë të devotshëm që iu përgjigjën vullnetarisht thirrjes për çlirim me luftë të Republikës së Kosovës.

“Bota sot”: Si e vlerësoni Kosovën dy dekada pas luftës, a po shkon në vend amaneti i të rënëve?

Hisen Berisha: Vendosuni në atmosferën e luftës: Serbia nuk kishte nënshkruar Rambujen, urdhëroi dëbimin masiv të shqiptarëve, ishte autori masakrave, Izbicës, Mejës, Reçakut, Krushës etj. A mund të rrinim duke parë ka qielli?

“Bota sot”: Në kontekst të kësaj çka ishte objektiv i kësaj lufte dhe sa u përmbush ai? Një oficer i Shqipërisë ka vënë dilema për këtë?

Hisen Berisha: Misioni i kësaj lufte ishte çlirimi i Kosovës, e thash më sipër se dekorata presidenciale në 20 vjetorin e saj tregon edhe suksesin e saj. Zëri që e citoni është zëri i vetmuar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Megjithatë, z. Goxhaj, ju dha mundësia të bënte diçka për Kosovën. Ai është një teoricien i mirë që ka nevojë t’iu bëjë përditësim (update) njohurive të tij që i ka demantuar koha teknologjike dhe doktrinarë, për të qenë i harmonizuar me standardet e ushtrive të kohës. Por, Koloneli Goxhaj nuk la ndonjë gjurmë për tu theksuar në luftën për çlirimin e Kosovës.

Po të flasim me gjuhën tekniko-ushtarake lidhur me objektivat e një lufte, atëherë dua të sqarojë se çdo luftë ka tre nivele objektivash e që janë: ai strategjik; Operativë dhe taktike.

Në nivelin strategjik objektiv yni dhe i çdo lufte të karakterit çlirimtarë është dhe ishte çlirimi i Kosovës. Në aspektin operativ ishte zhvillimi i kapaciteteve tona luftarake dhe shtrirja e luftës me kapacitetet tona në përmasa vendore deri në armatën e Kosovës. Kurse në nivelin taktik, ne kishim detyra konkrete që na u dhanë me urdhrin për sulm që nga kapja e objektivave të afërm në fazën e parë të sulmit që u realizuan në ditën e parë, me eliminimin e të gjitha pozicioneve siguruese të Kazermës ushtarake si dhe pozicioneve përgjatë vijës kufitare nga 2 Korriku mbi Qafëmorinë deri te rrasa e zogut mbi Rrasen Koshare. Kapja e këtyre objektivave na mundësoi që kazerma të mërej ditën e dytë të luftimeve dhe brenda ditës së 11 prillit të arrijmë të riorganizojmë sistemin e zjarrit, plotësimin e kapaciteteve dhe zhvillimin e njësive për kapjen e objektivave te ardhshme dhe përmbushjen e objektivit final të Betejës përkatësisht luftës.

I tërë operacioni ishte organizuar në tre drejtime operative: DO 333, që mbulonte zonën nga “Gusha e Batushës” deri në “Shkallën e Radanit”, në Qafe Morinë; DO 555, që përfshinte “Gushen e Batushës” deri në “Oplaz” të Junikut, dhe DO 777 që përfshinte “Rrasën e Koshares”, deri në “Rrasen e Zogut”.

Zhvillimet e luftimeve dhe hapja në krah të luftimeve nga forcat serbe, me dislokimin ne zonën e luftimit të Korpusit të Prishtinës apo Rajonit të tretë ushtarak prej afro 15 mijë trupa, me urdhrin e Komandantit të Operacionit u zhvilluam edhe DO 999, që mbulonte zonën e luftimit nga Rrasa e Zogut deri në tre kufi.

Tre drejtimet e para operative u komanduan që më Urdhrin për Sulm të Shtabit të GO3. Ndërsa, DO 999, u komandua me urdhrat plotësues që lëshoi Shtabi i GO3, përkatësisht Brigada 138 Agim Ramadani, gjegjësisht Komandanti i operacionit, Rrustem Berisha.

“Bota sot”: Si e vlerësoni Kosovën dy dekada pas luftës, a po shkon në vend amaneti i të rënëve?

Hisen Berisha: Krijimi i ushtrisë së Kosovës plotëson pjesërisht amanetin e dëshmorëve, anëtarësimi i kësaj ushtrie në NATO plotëson amanetin e tyre. Ne po punojmë intensivisht që djemtë e Kosovës të jenë sa më parë përkrah ushtrive aleate të UÇK në NATO.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat