Zëvendësministri Musliu: Ka moskoordinim në koalicionin PAN, këto janë arsyet

Intervista

Zëvendësministri Musliu: Ka moskoordinim në koalicionin PAN, këto janë arsyet

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 9 maj 2019 Në ora: 17:09
Prof. Dr. Bashkim Musliu

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, zëvendësministri në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Prof. Dr. Bashkim Musliu ka folur për ndotjen e ambientit në vend, faktorët dhe shkaqet. Ai, po ashtu ka treguar nëse ka edhe përçarje në koalicionin qeverisës. Musliu ka përmendur edhe dukurinë e nepotizmit dhe ka përmendur edhe mënyrën se si mund të luftohet kjo dukuri.

“Bota sot”: Aktualisht vendi ndodhet në krizë politike. Sipas jush cila është zgjidhja për të dalë nga kjo krizë?

Bashkim Musliu: Kriza politike nënkupton prapakthim në shumë fusha. Domethënë më pak siguri, më pak zhvillim ekonomik; ndryshime negative në zhvillimet politike, në fushën e mjedisit etj. Ne nuk e kemi pasur asnjëherë gjendjen aq të mirë sa të prapakthehemi (përjashtim bën gjendja morale dhe psikologjike).

Çdo ditë dëgjojmë opinione se jemi në situatë të rëndë, të pashpresë. Me cilën kohë e bëjmë krahasimin? Kur kemi pasur siguri më shumë? Kur kemi pasur rrugë më të mira? Kur kemi pasur kaq shumë fëmijë me mbipeshë? Kur i kemi pasur tryezat më të mbushura (edhe pse ka edhe varfëri të skajshme dhe përqindja e të papunëve është më e larta në Evropë)?

Mendoj se situata në të cilën jemi nuk është e mirë, por më thoni ju se kur (në cilin vit, në cilën dekadë, në cilën kohë) ka qenë më mirë? Po të punonim më shumë dhe më me ndershmëri atëherëgjendja do të ishte tërësisht ndryshe.

Pra, më shumë se sa me krizë politike kemi të bëjmë me krizë ekonomike dhe veçanërisht me krizë morale. Fatkeqësisht edukimi ynë moral është korruptuar, ndërkaq edukimi në frymën kombëtare është zvetënuar.

Krizat politike mund të tejkalohen brenda një dite, por krizat ekonomike dhe veçanërisht ato morale nuk tejkalohen pa përkushtim të jashtëzakonshëm. Dhe kërkojnë kohë.

“Bota sot”: Po flitet për përçarje në koalicionin PAN? A është i qëndrueshëm koalicioni qeverisës?

Bashkim Musliu: Aty ku mediat bëjnë lajmin dhe jo lajmet mediat flitet e përflitet për çdo gjë. Për të përshkruar funksionalitetin e PAN-it fjala përçarje ndoshta është e tepruar, ndërsa fjala moskordinim është e butë.

Mendoj se është shenjë e demokracisë kur në një koalicion ka qëndrime të ndryshme lidhur me politikën e brendshme, por kjo nuk vlen për politikën e jashtme.

Ka shumë arsye që moskoordinimi i mjaftueshëm brenda PAN-it të mos kthehet nëpërçarje. Megjithëkëtë, në një ambient ku shumëçka varet nga egoizmi individual edhe Nostradamusi do ta humbte punën.

“Bota sot”: Jeni treguar disa herë kritik ndaj personave e dukurive jo të mira për Kosovën. Si mund të luftohen këto dukuri?

Bashkim Musliu: Jam treguar kritik ndaj dukurive të caktuara. Edhe në shkencë, por edhe në politikë duhet të kundërshtohen idetë, por jo personat që kanë artikuluar ato ide.

Kemi jetuar me shekuj të robëruar. Ky fakt ka rënduar tepër psikologjinë dhe mentalitetin tonë. Shekujt e robërisë nuk mund të tejkalohen për 20 vjet liri.

Ka dy mënyra për të luftuar dukuritë dëmsjellëse: ndëshkimi sipas ligjit dhe vetëdijesimi përmes edukimit. Mendoj se duhet të punohet në të dyja fushat.

“Bota sot”: Ditët e fundit janë publikuar disa raste nepotizmi. Sipas jush çfarë duhet ndërmarrë ndaj këtyre rasteve?

Bashkim Musliu: Nepotizmi s’është fjalë e gjuhës shqipe. Domethënë bashkë me fjalën e kemi marrë edhe dukurinë. Kjo nuk na shfajëson.

Nepotizmi në Kosovë asnjëherë s’ ka qenë në gjendje shoku. Ka filluar ( po flasim për kohën e pasluftës) që në qeverinë e parë të pasluftës dhe ende nuk ka marrë ndonjë goditje që kërkon numërimin. Dallimi është se kohëve të fundit mediat e kanë trajtuar më shumë dhe më shpesh këtë dukuri.

Kundër nepotizmit është shkruar e folur shumë, por është punuar pak. Kur flitet e përflitet shumë për një dukuri ajo sikur bëhet normale dhe bëhet aq normale sa krijohet përshtypja sikur nuk je normal nëse nuk je kontributdhënës i saj!

Çfarë duhet të bëjmë?

Të përcaktohen qartë kriteret për një vend pune; të zvogëlohet pesha e intervistës, pasi aty vlerësimi mund të jetë tepër subjektiv; anëtarët e komisionit të mos jenë pothuajse gjithnjë të njëjtit dhe të caktohen ditën e intervistës; anëtarë të komisionit pranues, potencialisht, të jenë një numër i madh i të punësuarve në një institucion të caktuar.

“Bota sot”: Ju jeni zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit. Kush po e dëmton më së shumti ambientin?

Bashkim Musliu: KEK-u, Ferronikeli, makinat e vjetra, qytetarët...

“Bota sot”: Si mund të jetë një ambient i pastër sipas jush?

Bashkim Musliu: Nuk mund të ketë ambient të pastër pa respektuar ligjin, pa i ndëshkuar ndotësit që nuk respektojnë standardet e kërkuara që lidhen me emetimin e gazrave. Dhe, natyrisht, pa vetëdijesimin e qytetarëve se oborri ynë është Kosova dhe jo vetëm trualli ku e kemi shtëpinë.

“Bota sot”: A më tepër po e dëmtojnë vendin udhëheqësit joadekuat apo një ambient i dëmshëm?

Bashkim Musliu: Pyetja është sugjestionuese. Megjithëkëtë, ambienti varet nga pushtetarët dhe jo anasjelltas. Por në kuptimin figurativ edhe pushtetarët varen nga ambienti.

Në Kosovë duhet të ndryshojë mentaliteti qeverisës, sepse kot ndërrohen qeveritarët pa u ndërruar mentaliteti. Mentaliteti politik, qeverisës por edhe në jetën e përditshme karakterizohet nga ‘mençuria’ servile nga arti i maskimit, nga mendime të pakrehura, nga ligjërimi i mbështetur në interesin dhe intrigën, prandaj kemi nevojë për një dietë shpirtërore e cila do të na rizgjojë, që do të na përtrijë kombëtarisht, kulturalisht dhe politikisht. Mentalitetin e ndërron arsimimi dhe edukimi, domethënë formimi libror. Ndryshimi i tij imponon mentalitetin qeverisës, i cili shtetin e ka më të rëndësishëm se pushtetin; i cili drejton, por nuk sundon; i cili të vërtetën e ka mbi partinë dhe ndershmërinë e parimësinëi ka parime në të cilat e mbështetë qeverisjen.

Në pyetjen tuaj se kush po e dëmton më tepër vendin, përgjigjja ime është kjo: Kosovën po e dëmtojnë më së shumti propaganduesit e zhgënjimit.

“Bota sot”: A ka Ministria e Mjedisit ndonjë plan të afërt për pastrimin e vendit?

Bashkim Musliu: Para pak muajsh ka përfunduar aksioni “ Ta pastrojmë Kosovën” Me gjithë punën që është bërë shumë vende të pastruara janë kthyer pothuaj në gjendjen e mëparshme. Të pastrosh nuk është e vështirë, por ta mbash ambientin e pastër është sfidë në vete, sepse pa vetëdijen qytetare se ambienti i pastër nuk është nevojë, por është domosdoshmëri pothuajse do të jetë e pamundur të jetojmë në një ambient që e dëshirojmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat