Dijana Toska: Ju rrëfej vizitën historike të Papa Françeskut në Maqedoninë e Veriut

Intervista

Dijana Toska: Ju rrëfej vizitën historike të Papa Françeskut në Maqedoninë e Veriut

Nga: Anila Dedaj Më: 13 maj 2019 Në ora: 00:30
Dijana Toska

Filantropja dhe njohësja e marrëdhënieve të Vatikanit me shqiptarët Dijana Toska rrëfen për “Shekulli”-n detaje nga vizita e Atit të Shenjtë në Maqedoninë e Veriut. Takimi me të afërmit e Shën Terezës, bashkëbisedimi me të rinjtë dhe “porosia” ndaj politikanëve të vendit

 “Kur gjithçka duket e palëvizshme, e amullt, kur problemet personale të shqetësojnë, situata shoqërore nuk të jep përgjigjen e duhur, nuk është mirë të dorëzohesh! Ëndërroni ëndrra të mëdha që i japin shpresë botës së lodhur. Të plakur para kohe! Ëndërroni, së bashku, të krishterë e myslimanë,ëndrrën e vëllazërimit ndërmjet gjithë kombeve, gjithë të rinjve, gjithë njerëzve!”.

Prej vizitës së Atit të Shenjtë në Shkupin e Shën Terezës këtë të martë, ndër të tjera, janë këto fjalët që kanë impresionuar më shumë filantropen dhe njohësen e marrëdhënieve të Vatikanit me shqiptarët, Dijana Toskën. “Janë mesazhe universale që përcolli gjatë bashkëbisedimit që pati me rininë”, rrëfen ajo, teksa nënvizon se, kjo vizitë shënon një ngjarje historike, edhe për faktin se mesazhe të tilla paqeje, jepen nga një vend multireligjioz si Maqedonia e Veriut. Toska tregon për “Shekullin” detaje nga 7 maji, vizitën në ish-lagjen e katolikëve, “porosinë” e Papës kundrejt politikanëve , përkuljen e Atit të Shenjtë para gurit të parë të Shenjtërores së Nënë Terezës, takimin me të afërm të saj dhe jo vetëm.

Znj. Toska, Maqedonia e Veriut vizitohet për herë të parë në historinë e saj, nga Papa Françesku. Sipas jush, çfarë rëndësie ka një ngjarje e tillë?

Ishte ngjarje historike, një konfirmim për rrugën europiane të Maqedonisë së Veriut; një përgëzim për përmbylljen gati 30-vjeçar të konfliktit me Greqinë dhe një dëshmi e përqendrimit të vëmendjes në rivendosjen e paqes dhe miqësisë në Ballkan, por edhe për të treguar se Trakia dhe Dardania ishin toka ku lindi krishterimi në Europë. Kjo vizitë ishte e një rëndësie të veçantë për tërë rajonin, sepse përçonte mesazhin e paqes në një vend multireligjioz, multietnik e multikulturor, diversitete këto që krijojnë një mozaik ku çdo gurë është i nevojshëm për ta ruajtur bukurinë si tërësi. Siç porositi vet Papa, “kjo bukuri do ta arrijë shkëlqimin më të madh kur do ta bartni dhe do ta mbillni dashurinë në zemrat e gjeneratave të reja, për të jetuar dhe vepruar bashkërisht; atëherë do të keni ardhmëri të ndritshme në familjen europiane – vëllazëri ku nuk do të ketë indiferencë dhe shpifje, por shpresë, altruizëm e dashuri për njerëzit”.

Simbolika e këtij takimi prek edhe vendin ku u mbajt mesha, që më herët ka qenë lagje e madhe e katolikëve shqiptarë, kur Shkupi ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës.

Mesha e Shenjtë u mbajt në qendrën e dikurshme të Dardanisë, në mëhallën e katolikëve shqiptarë, aty ku ishte Kisha e Zemrës së Krishtit e ku u pagëzua e lutej Gonxhe Bojaxhiu. Ati i Shenjtë, nga qendra e Shkupit, ballë për ballë Lekës së Madh luti Shën Terezën të na e dhurojë edhe ne hirin; ta dëgjojmë britmën e të varfërve, të shtypurve, të sëmurëve. Apeloi tek bashkëkombësit e saj që ta ndjekin rrugën e paqes dhe të dashurisë për njëri-tjetrin. Luti Shën Terezën që të lutet për këtë qytet, për këtë popull, për të gjithë ata që dëshirojnë të bëjnë vepra dashurie.

Në një vend si Maqedonia e Veriut, kur tanimë numri i katolikëve është shumë i vogël në raport me besimtarët ortodoksë e myslimanë, çfarë përcillet nga kjo përzgjedhje jorastësore e Papa Françeskut?

“Mendojeni Gonxhe Bojaxhiun”, u tha Papa të rinjve. “Kur jetonte këtu, nuk mundte as ta përfytyronte se si do të ishte jeta e saj. Por, nuk pushoi kurrë së ëndërruari e së luftuari për ta zbuluar fytyrën e dashurisë së saj të madhe ndaj Jezusit. I kishte këmbët të ngulura mirë këtu, në tokën e saj, por nuk rrinte duarkryq. Donte të bëhej laps i vogël në duart e Zotit. Secili nga ju, si Nënë Tereza, është i thirrur ta ndërtojë jetën me duart e veta, ta marrë seriozisht jetën dhe ta bëjë atë vërtet të bukur. Askush nuk mund t’i bëjë ballë jetës si i izoluar; nuk mund ta jetojë fenë e ëndrrat pa bashkësinë, i vetëm me zemrën e vet, apo i mbyllur ndërmjet katër mureve. Të gjithë kemi nevojë për një bashkësi që do të na mbështesë, do të na ndihmojë për të ecur përpara, krah për krah njëri-tjetrit. Të bashkuar. Pa mure. Ju lutem, ëndërroni bashkërisht, jo të vetëm; mos lejoni t’jua rrëmbejnë ëndrrat. Bashkimi bën fuqinë; bashkimi të ndihmon t’i përballosh të gjitha sfidat e shoqërisë së sotme”, porositi rininë nga Shkupi, nga kryeqendra Dardanisë, Papa Françesku.

Një nga momentet më të veçanta të kësaj vizite ishte edhe ndalesa e Atit të Shenjtë në Shtëpinë Përkujtimore “Nënë Tereza”, ku pati mundësi të takohej edhe me të afërmit e Shën Terezës. Çfarë ndikimi ka sipas jush ky takim shpirtëror, për imazhin e Shkupit si vendlindja e Shën Terezës?

Qëndrimi stoik, pastaj përkulja dhe bekimi i gurit të parë të Shenjtërores Nënë Tereza, para shtatores së saj, ishin mesazhe të thëna pa fjalë, që Papa ia dërgoi botës e cila po vuan për dashuri. Pastaj, në kapelën e ndërtesës – ku ishin të pranishëm liderët e bashkësive fetare të vendit, dy kushërinj të Shën Terezës e natyrisht edhe Nëna eprore e Motrave të Bamirësisë me tri rregulltare – Papa lartoi lutjen në nderim të Shenjtores shqiptare. Mbi altar ishin ekspozuar një relike, disa nga sendet e saj personale dhe pesë qirinj – simbol i pesë konfesioneve fetare që bashkëjetojnë në këtë shtet. Në fund, në oborr, Papa u takua me 100 të varfër, të asistuar nga Misionaret e Bamirësisë – Urdhër ky i themeluar nga vet Nënë Tereza. U përsëritën edhe fjalët e paharrueshme të Shën Terezës: “Të varfëritë janë njerëz të mëdhenj, kanë kombësi, gjuhë, fe, përvoja të ndryshme – të dhimbshme e tronditëse – por janë të bashkuar nga e njëjta shpresë”. Gjithsesi me vlerë janë edhe mesazhet universale që përcolli Ati i Shenjtë në bashkëbisedimin që pati me rininë: “Kur gjithçka duket e palëvizshme, e amullt, kur problemet personale të shqetësojnë e situata shoqërore nuk ta jep përgjigjen e duhur, nuk është mirë të dorëzohesh! Ëndërroni ëndrra të mëdha që i japin shpresë botës së lodhur e të plakur para kohe! Ëndërroni, së bashku, të krishterë e myslimanë, ëndrrën e vëllazërimit ndërmjet gjithë kombeve, gjithë të rinjve, gjithë njerëzve”!

Gjatë fjalës së tij, Papa theksoi se “bashkëjetesa në Maqedoninë e Veriut është shembull në Europë”. Si do ta komentonin një “porosi” të tillë të Papës?

Politika, me gjithë ndikimet e sforcuara nga jashtë, jo rrallëherë ka luhatur besimin mes popujve që jetojnë e bashkëjetojnë në këtë shtet shumetnik. Pastaj, edhe pse Maqedonia e Veriut me Kushtetutë është shtet laik, politika – sa herë që ka nevojë – përdor e keqpërdorë komunitetet fetare për interesa ditore politike, por edhe personale. Grupe të ndryshme religjioze, të importuara nga jashtë, sikur kanë arritur të mbjellin edhe fara tjera mes nesh. Dhe, këto amalgama të panjohura, artificiale e të imponuara, sikur kanë luhatur bilancin e natyrshëm religjioz që ka bashkëjetuar ndër shekuj në këto troje. Prandaj, kjo porosi e Papës vjen në vendin dhe kohën e duhur si një mësim sesi duhet funksionuar religjionet në një demokraci, dhe si ndërgjegjësim i politikanëve për t’i kushtuar vëmendje më të madhe diversitetit kulturor si vlerë që siguron paqe shtetërore e shpirtërore (sidomos tani kur Maqedonia e Veriut është pozicionuar kah civilizimi europian).

Papa Françesku dha edhe një mesazh të qartë për politikanët, kur tha: “Më jep shpresë pamja e të rinjve, larg përçarjeve të së kaluarës dhe të tashmes, me vështrimin e ngulur larg në horizontet e pafundme të jetës; që ia kushtojnë kohën shërbimit, të varfërve, mbrojtjes së jetës, të familjes, të rinjve që nuk dorëzohen përballë korrupsionit e luftojnë për një jetë të ndershme, të drejtë, e plot dritë”.

Papa Françesku u përcoll me Himnin e Shën Terezës, ideatorja e të cilit jeni ju. Ky himn ka shoqëruar edhe momente të tjera, si Shenjtërimin e saj. Ç’mund të na thoni për vlerat dhe emocionet që përçon “Lamtumira” e Shën Terezës – pas Vatikanit në Shkup?

Poezia “Lamtumirë” të cilën e shkroi Gonxhja jonë teksa po ndahej nga nëna, motra dhe trojet shqiptare, ngërthen në vete mesazhe të dala nga shpirti saj i njomë. Ato ishin frymëzim që ta shndërroj në himn.

E kam thënë edhe herë të tjera se çdo intelektual i mirëfilltë, në një moment historik për kombin, ka dëshirë të reflektojë, të realizojë ndoshta një ëndërr që do të linte gjurmë për brezat që do të vinë. Ky moment ishte pikërisht në prag të shenjtërimit të Nënë Terezës. Një ide timen desha t’ia fal kombit tim; desha të jemi të bashkuar në këtë hapërim hyjnor kombëtar, e t’i falënderohemi bijës sonë për lavdinë universale që na e dhuroi.

Himni do të jetë dhuratë për njerëzimin, nga shpirti shqiptar, si dëshmi e dashurisë sonë të madhe ndaj njerëzimit, paqes, tolerancës, dashurisë dhe vetëm dashurisë. Ky testament moral i njerëzimit, që kombi shqiptar po ia dhuron botës, u bë realitet fal përkushtimit dhe sakrificës që tregoi gjithë ekipi realizues, i cili do të jetë krenar sa herë e kudo që do të interpretohet himni në botë.

Në Vatikan u mblodhën bijtë e shqipes, të shpërndarë si kokrrat e shegës nëpër botë, për ta shkruar një pjesë të lavdishme të historisë tonë; për të nderuar Nanën tonë; për të ndarë gëzimin dhe bekimin e të Shenjtës tonë bashkë me 140 milionë shikues nga mbarë rruzulli tokësor; për ta dëgjuar Himnin – fjalët e “Lamtumirës” në gjuhën shqipe të dala shpirti i njomë që po shenjtërohej në praninë e bijave dhe bijve të gjakut të vet.

Përderisa Ati i Shenjtë po mbante meshën e shenjtë në qendër të Shkupit, unë po komentoja në një studio televizive – nën tingujt e Himnit të Nënë Terezës – rëndësinë e kësaj vizite apostolike, me emocione të përziera dhimbjeje e krenarie. Fatkeqësisht, Kisha shqiptare katolike nuk i mbijetoi si duhet tranzicionit, ndaj nuk pati kush të rikujtojë dhe respektojë gjurmët dhe ndikimin e krishterimit në kulturën dhe letrat shqipe; t’i kujtojë të gjitha personazhet të cilët në botën e besimit fetar kanë kontribuuar në ndërtimin e qytetarisë së këtij shteti. Kontributi i katolikëve shqiptarë në edukim, arsimim, kulturë, religjion… flet për krishterimin që nga kohët apostolike në regjionin e Dardanisë, me kryeqendër Shkupin.

Familjet katolike shqiptare, që me shekuj ruajtën fenë dhe gjuhën e të parëve, që 20 vite janë të privuar nga e drejta e tyre elementare për ta dëgjuar në gjuhën shqipe fjalën e shenjtë. Në kishën e Nënë Terezës, Pjetër Bogdanit, Gaspër Gjinit, në Arqipeshkvin e dikurshme të Shkupit të Pjetër Mazrekut, Andrej Bogdanit e Lazer Mjedës… Mesha qe plot 20 vite nuk mbahet në gjuhën shqipe, në mungesë të vullnetit për të sjellë nga Kosova apo Shqipëria një prift shqiptar i cili do të vazhdonte traditën dhe historinë shqiptare në këto troje. Prandaj, mbetem me shpresë që mesazhet e Atit të Shenjtë do të jenë një reflektim i ripërtrirjes mendore e shpirtërore, aq shumë të nevojshme për shoqërinë tonë në përgjithësi, e në veçanti për pushtetin e për klerikët e katandisur të cilët duhet të jenë në shërbim të qenies njerëzore – ndërtimit të paqes e ardhmërisë së pabarabartë për të gjithë, pavarësisht përkatësisë kombëtare e fetare.

Himni i Nënë Terezës është gjithashtu pjesë e një pulle postare të cilën e keni realizuar po ju e që në vitin 2017 është e përzgjedhur si pulla më përmbajtjesore me karakter fetar, nga juria e Çmimit Ndërkombëtar të Arteve të Filatelisë “San Gabriello”. Mund të na thoni diçka më tepër rreth saj?

Jam drejtore ekzekutive e OJQ-së “Little People of Kosova”, që u themelua më vitin 2002 me qëllim të avancimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Në mesin e këtyre njerëzve takova artistë të vërtetë, të gatshëm të punojnë dhe të shprehin aftësitë e tyre krijuese. Punonin reklama televizive, video-klipe, animacione… E mahnitur me talentin që gjeta mes tyre, u desh vetëm pak t’i stimuloj, ndihmoj dhe të loboj që puna e tyre të njihet dhe të vlerësohet në opinion. Kështu, arritëm bashkërisht, për herë të parë në vitin 2007, që Posta e Kosovës të emitojë pullat postare dedikuar Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara. Pastaj organizuam ekspozita të fotografive artistike të personave me aftësi të kufizuara – në SHBA, Gjermani, Suedi, dhe për disa herë në Kosovë.

Kur më 2007 u emituan katër pullat postare, të parat në botë të punuara nga njerëzit me aftësi të kufizuara (dhe ekskluzivisht nga mendja, shpirti dhe dashuria e madhe e tyre ndaj jetës), temat ishin nga problemet e përditshme me të cilat ata ballafaqohen. Atëherë ato për mua ishin sukses i ditës, ndërsa sot paraqesin gjurmë të një kohe, të identitetit, të luftës për dinjitet, të historisë e gjeografisë përtej kufijve. Kanë dimension universal, prandaj për mua jeta është akt besimi, sikurse edhe dashuria ndaj kulturës, artit, të bukurës…

Unë nuk jam njohëse e mirë e filatelisë dhe nuk e kam studiuar ndonjëherë, por tani jam e bindur që përveç rolit të saj të rëndësishëm në promovimin e artit e të kulturës, ajo denjësisht mund t’i shërbejë njerëzimit duke promovuar paqen e tolerancën mes njerëzve, pa dallim mes gjinive, racave apo religjioneve. Religjioni është burim dhe inspirim i madh për t’i dërguar mesazhe të qarta botës. Dhe, nuk ka gjë më humane sesa që të preket ndërgjegjja e qenies njerëzore përmes dashurisë që predikon çdo fe. Dhe, ajo mund të shpërndahet në çdo cep të botës, përmes urave lidhëse që ka ndërtuar misioni i filatelisë.

Për mua, pulla postare paraqet një mision të privilegjuar, me përgjegjësi shumëdimensionale. Kemi punuar katër pulla dedikuar Shenjtërimit të Nënë Terezës, të cilat i ka dizajnuar Hilmnijeta Apuk – fituesja e Çmimit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut – por vetëm njëra prej tyre është emituar nga Posta e Kosovës.

Në pullën postare është përfshirë poezia “Lamtumirë” e shndërruar në himn, për të përcjell mesazhe paqeje e dashurie, që lut Zotin për mirësi e dashuri për njerëzimin. Si autore e Himnit të Nënës Terezë dhe pullës postare të vlerësuar me çmimin e parë në botë, ndihem e privilegjuar që puna ime po vlerësohet dhe se po më jepet mundësia që t‘i shërbej kauzës së njerëzimit. Prandaj, e falënderoj përjetësisht secilin që ma ofron këtë mundësi fisnike. Himnit të Nënë Terezës do t’i kushtohet edhe një film dokumentar, si dhe një monografi, për të përmbyllur kështu një mbarëkombëtar.

Znj. Toska, përpjekjet tuaja për të lartësuar figurat e kombit shqiptar janë të vazhdueshme. Çfarë ju nxit në një mision të tillë?

Edukata e shëndosh familjare. Nënë Tereza e krahasonte veten me një pikë uji në det, por thoshte se “nëse nuk është ajo pikë, detit do t’i mungojë diçka”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat