Çfarë deklaronte komandanti i parë i KFOR’it, një vit pasi kishte hyrë NATO’ja në Kosovë

Intervista

Çfarë deklaronte komandanti i parë i KFOR’it, një vit pasi kishte hyrë NATO’ja në Kosovë

Më: 9 qershor 2019 Në ora: 21:06
Gjenerali Sër Mike Jackson

Në njëvjetorin e hyrjes së NATO-s në Kosovë, Komandanti i parë i trupave paqeruajtëse në Kosovë, KFOR, gjenerali Sër Mike Jackson, kishte thënë se ka disa arsye përse presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviq pranoi më 1999 kushtet e Perëndimit, por kurrë nuk do ta dimë me siguri se përse.

Në një intervistë për BBC-në në shqip, gjenerali Xhekson, kryekomandant i trupave tokësore britanike, foli edhe për atë që ai e quan diskutim të gjallë me komandantin suprem të NATO-s kur rusët hynë të parët në Prishtinë në qershor të 1999-ës.

Ragip Luta i BBC-së ishte në zyrën e gjeneralit Jackson në Salisbury dhe fillimisht i kërkoi të përshkruante ndjenjën e zhvillimit të negociatave për dorëzimin e ushtrisë kundërshtare duke qenë se jo shumë komandantë ushtarakë kanë rast të tillë në karrierën e tyre:

Gjenerali Jackson: Ju thoni dorëzim, unë mendoj se ne duhet të jemi të kujdesshëm, natyrisht. Marrëveshja e Kumanovës nuk ishte marrëveshje për dorëzim si e tillë. Ajo ishte marrëveshje ushtarake për të vënë në fuqi parimet të cilat ishin caktuar nga G-8 e të cilat Beogradi duhej t’i pranonte në mënyrë që t’i jepej fund veprimit ushtarak kundër tyre. Pra ishte situatë mjaft unike dhe natyrisht ishin pesë ditë shumë intensive me negociata para se të arrihej marrëveshja. Një ditë e kaluam në një kafene të vogël afër vendkalimit kufitar në Bllacë dhe pas kësaj katër ditë në aeroportin ushtarak të Kumanovës.

BBC: A ka pasur ndonjë moment kur ju të keni qenë të frikësuar se negociatat mund të dështonin edhe pse liderët politikë e kishin pranuar marrëveshjen në Beograd?

Gjenerali Jackson: Më kujtohet shumë mirë se në mbrëmjen e ditës së dytë delegacioni i palës jugosllave paraqiti një amendament tjetër për negociata që ishte krejt jashtë parametrave të parimeve të G-8 dhe më kujtohet kur kam thënë se kjo është plotësisht e papranueshme dhe negociatat u ndërprenë. Ato nuk përfunduan, por pala tjetër u detyrua të shkojë të konsultohet me Beogradin dhe ne vendosëm nje mekanizëm të ndërlidhjes. Por në atë fazë unë isha i brengosur se ndoshta ka pasur ndonjë ndryshim të qëndrimit në Beograd.

BBC: Negociatat filluan së pari në kafenenë afër vendkalimit kufitar. Kush e zgjodhi kafenenë?

Gjenerali Jackson: Ne e zgjodhëm. Të gjitha këto ndodhen shumë shpejt. Informatat tona ishin se vend-takimi duhej të ishte në vendkalimin kufitar të Bllaces. Ne shkuam shpejt për të gjetur një vend dhe menduam se kjo kafene e vogel do të ishte pikë fillimi.

BBC: A e dinit se pronari i kafenesë ishte shqiptar?

Gjenerali Jackson: Natyrisht, po. Por ne e morëm kafenenë me qira, ishte biznes … s’kishte problem për këtë!

BBC: Pastaj u vendos që të ndërrohet vendtakimi. Përse u bë kjo?

Gjenerali Jackson: Mendoj se ishin të paktën dy arsye për këtë. E para, sepse delegacioni jugosllav duhej të udhëtonte nëpër Kosovë dhe mendonin se kjo ishte e rrezikshme per ta. E dyta, nuk ishte mjaft e madhe, nuk kishte hapësirë të madhe për parkim. Një fakt tjetër shumë me rëndësi po ashtu për delegacionin e Beogradit, ishte se telefonat celulare nuk punojnë në atë zonë sepse është një luginë e thellë. Kështu ne propozuam që ta ndërrojmë vendin dhe pala tjetër ishte e kënaqur me këtë. Pastaj shkuam në Kumanovë, që ishte shumë më mirë në çdo aspekt.

BBC: Pra nuk ishin serbët ata që kërkuan ndërrimin e vendtakimit vetëm për shkak se pronari ishte shqiptar?

Gjenerali Jackson: Jo, kjo nuk ka pasur të bëjë me atë fare. As që është ngritur si vështirësi.

BBC: Çfarë mendoni, përse presidenti jugosllav Millosheviç pranoi marrëveshjen?

Gjenerali Jackson: Mendoj se ka disa arsye. Mbase kurrë nuk do ta dimë të sigurtë, vetëm nese ai do të vendosë të shkruaj ndonjë libër një ditë. Nuk e di, por mendoj se ishin disa presione mbi të. Ishte e qartë se veprimi ushtarak që po ndërmerrej kundër regjimit të Beogradit si në Serbi ashtu dhe kundër Ushtrisë Jugosllave në Kosovë, përbënte një presion të madh mbi të. Mendoj se ai ka shpresuar që NATO do të përçahej nën trysninë e konfliktit, por një gjë e tillë nuk ndodhi. Pati shumë diskutime, por si aleancë ishte e qartë se po funksiononte mirë dhe ai duhet ta ketë kuptuar që nuk mund të shpresonte për përçarje. Gjithnjë e me shumë kishte tregues se NATO nuk do të ndalej thjesht me veprime ushtarake nëse ai nuk zbrapsej. Aleanca po fillonte të shikonte mundësitë e çuarjes se konfliktit deri në fund nëse kishte nevojë edhe me operacione tokësore kundër Ushtrisë Jugosllave, konflikt të cilin ai e ka ditur se do ta humbiste. Ndërkohë duhet të kujtojmë rolin shumë të rëndësishëm të Rusisë në skenën diplomatike në fazën e përfundimit të konfliktit. Si rezultat i takimit të G-8 në Shën Petërsburg me 6 maj dhe njoftimit të atyre parimeve, u caktuan dy të dërguar po ashtu, presidenti Ahtisaari i Finlandës dhe zoti Çërnomërdin i Rusisë. Këta dy zotërinj u angazhuan në diplomaci dhe mendoj se zoti Millosheviç e pati shumë të qartë se nuk mund të priste ndihmë nga Rusia dhe mendoj se e kishte të vështirë të pajtohej me këtë. Në fund duhet të mos harrojmë se kundër tij po ashtu ishte ngritur padia nga Gjykata Ndërkombëtare në ditët e fundit të muajit maj. Pra kishte një numër presionesh mbi të. Mund të shtoj po ashtu, se gjatë kësaj periudhe ekonomia jugosllave po shkatërrohej. Disa prej partnerët e tij tregtarë mendoj se do të ishin shumë të palumtur me humbjen e përfitimeve.

BBC: Kohët e fundit një raport i Pentagonit vuri në dukje se ushtrisë jugosllave nuk i janë shkaktuar shumë dëme me sulmet ajrore.

Gjenerali Jackson: Është e vërtetë dhe unë i kam parë ato raporte dhe mendoj se duhet thënë se dëmet që i janë shkaktuar ushtrisë jugosllave kanë qënë më të vogla se sa është menduar fillimisht. Mendoj se të gjithë e kanë shumë të qartë se bombardimet strategjike kundër objektivave strategjike në vetë Serbinë kanë qënë shumë të dëmtuara.

BBC: Nga fundi i konfliktit ka pasur gjithnjë e më shumë njoftime se trupat britanike po bëheshin gati për ndërhyrje tokësore. A është e vërtetë?

Gjenerali Jackson: Unë thashë më lartë se ka pasur gjithnjë e më shumë prova publike se NATO po fillonte të shqyrtonte se çfarë do të duhej të bënte për të detyruar Millosheviçin që të pranonte ato parime, nëse veprimet ushtarake vetëm nga ajri nuk do ta detyronin. Me fjalë të tjera të vazhdonte konflikti edhe në tokë si nga ajri. Eshtë e vërtetë se një numër shtetesh po e shqyrtonin këtë me shumë seriozitet dhe Britania e Madhe, kryeministri Bler e ka thënë këtë publikisht se do të ndiqte atë rrugë, nëse do të ishte i detyruar.

BBC: Kur hytë në Kosovë më 12 qershor, një njësit rus mbërriti në Prishtinë me shpejt. U krijua një ndjenjë që të kujtonte Berlinin pas Luftës së Dytë Botërore. Ka patur spekulime se rusët do të ngulnin këmbë në ndarjen e Kosovës dhe rritej ndjenja se ekzistonte rreziku që konflikti të përshkallëzohej në Luftë të Tretë Botërore. Çfarë ndjenje kishit ju në terren?

Gjenerali Jackson: Shtypi ka folur shumë për këtë, por mendoj se e kanë ekzagjeruar më shumë se ç’ishte. Unë nuk kam prova për ekzistencën e planeve për ndarjen e Kosovës siç sugjeruat ju. Mendoj se ajo që ndodhi këtu ishte se Rusia ishte shumë e shqetësuar që të mos shpërfillej në këtë proces të zgjidhjes së konfliktit. Tashmë kam folur për rolin e zotit Çërnomërdin në këtë. Ne po ashtu duhet të kujtojmë se Rusia qe shumë e zemëruar me NATO-n, për arsyen se kishte ndërmarrë veprimet ushtarake pa rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve te Bashkuara. Unë besoj se qëndrimi rus ishte se ata dëshironin ta bënin të qartë se edhe ata kishin një rol në të gjithë këto zhvillime. Ne gjithmonë kemi pritur që në Kosovë të ketë një kontingjent rus në KFOR. Qysh në Rambuje ka qënë shumë e qartë se do të jetë një kontingjent rus siç ishte një në Bosnjë thuajse që nga fillimi. Kështu e gjithë kjo doli në fokus kur ai grup i vogël i rusëve u vendos në aeroportin e Prishtinës. Për mua aeroporti nuk kishte ndonjë rëndësi të madhe në atë kohë. Ka patur shumë bomba të pa shpërthyera në të, ndaj nuk kishim plane që ta përdornim aeroportin për tre katër javë derisa të kryenim atë që ishte gjëja kryesore, të zbatonim marrëveshjen, të siguronim tërheqjen e Ushtrisë Jugosllave dhe Forcave të Ministrisë së Brendshme nga Kosova dhe që KFOR-i të hynte i tëri në Kosovë. Kështu u shndërrua në problem që vërtetë nuk ishte. Eshtë e qartë se ka pasur disa ndjenja të tilla në qeveri etj. Por ashtu sic ishte doli shume mire. Unë isha në gjendje të takoja komandantin rus në mbrëmjen e 12 qershorit për të vendosur lidhjen me të dhe brenda disa ditëve ne e asimiluam kontingjentin rus në KFOR. Veçmas u arrit marrëveshja e Helsinkit e cila përcaktonte komandën dhe kontrollin, për cilat zona do të jenë përgjegjës rusët etj, etj. Do të dëshiroja t’i shprehja mirënjohje kontingjentit rus gjatë kohës sa isha atje. Jam i sigurt se ai po vazhdon të punojë plotësisht në kuadër të KFOR-it dhe po bën punë të mirë dhe është i paanshëm po ashtu.

BBC: Ka patur po ashtu spekullime se komandanti suprem ju ka dhënë urdhër që të merrni aeroportin dhe ju nuk i jeni bindur urdhërit. A ka ndonjë të vërtetë në këtë?

Gjenerali Jackson: Duhet ta kuptoni se në operacione shumëkombëshe sic është KFOR-i, shtetet që sigurojnë forcat për atë forcë të përgjithshme, janë shtete sovrane. Ato mbajnë komandën e plotë të këtyre forcave dhe është e drejtë e tyre të thonë nëse ato duan të marrin pjesë në këtë operacion dhe në ç’masë. Eshtë e vërtetë, e pranoj, se ka patur siç do ta quaja diskutim të gjallë rreth asaj se si të zgjidhet kjo situatë. Por në fund të fundit shtetet që përbënin KFOR-in atë kohë nuk besonin se një masë konfrontuese ndaj veprimit të rusëve ishte përgjigja e duhur. Unë e përshkrova se çfarë bëmë, vendosëm shumë herët lidhje dhe integruam kontingjentin rus në KFOR.

BBC: Me gjithë përvojën që keni pasur në Kosovë, a mendoni se ia ka vlejtur që NATO të ndëhyjë?

Gjenerali Jackson: Shpesh herë më bëjnë këtë pyetje dhe derisa situata është siç sapo e përshkrova, ajo nuk është ideale, por shumë larg saj. Rendi dhe ligji janë problem në Kosovë. Veprimet që po ndërmerren nga disa shqiptarë të Kosovës mendoj se janë jashtëzakonisht të këqija. Megjithatë kam menduar për këtë kohë jo vëtëm para një viti, por edhe më herët. Çfarë do të kishte ndodhur sikur NATO të mos ndërhynte? Si do të ishte situata sot në Kosovë. Mua nuk më pëlqen të mendoj për atë, sepse mendoj do të mund të bëhej vërtetë shumë keq sikur forcat serbe të vazhdonin të silleshin ashtu siç silleshin. Prandaj nuk ka patur alternativë tjetër perveç se NATO të veprojë. Dhe siç po e them, ndonëse nuk kemi një situatë ideale, instinkti më thotë se situata që kemi është shumë më e mirë se sa sikur të mos kishim vepruar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat