Eksperti gjerman: Samiti i Parisit do të mbahet, rinisja e dialogut të jetë garanci se po shkohet drejt finales së vërtetë - Bota Sot
Eksperti gjerman: Samiti i Parisit do të mbahet, rinisja e dialogut të jetë garanci se po shkohet drejt finales së vërtetë

Intervista

Eksperti gjerman: Samiti i Parisit do të mbahet, rinisja e dialogut të jetë garanci se po shkohet drejt finales së vërtetë

Më: 13 qershor 2019 Në ora: 14:20
Bodo Weber

Eksperti gjerman i politikave për demokratizim dhe zhvillim që ndërlidhen me rajonin e Ballkanit Perëndimor, Bodo Weber, thotë se Samiti i Parisit do të mbahet, pasi që kancealarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emanuel Macron, nuk kanë hequr dorë nga nisma për një takim Kosovë – Serbi në Paris. Këto deklarata analisti gjerman i ka bërë në një intervistë ekskluzive për Express, ku ndër të tjera ka thënë se rinisja e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të jetë një garanci që po shkohet drejt një finaleje të vërtetë.

Teksa ka folur për afatet kohore, Weber thotë se ato janë të një rëndësie dytësore, megjithatë potencon se në rast të rifillimit të negociatave, procesi nuk duhet të zgjasë më shumë se dy vjet.

Ndër të tjera eksperti gjerman për Ballkanin, në këtë intervistë, ka folur për idenë e korrigjimit të kufijve dhe treshen Thaçi – Mogherini – Vuçiq, involvimin amerikan, si dhe synimin rus që të mos ketë fare marrëveshje.

Më 6 qershor, kryeministri Ramush Haradinaj është takuar në Berlin me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Haradinaj pas takimit ka thënë se Merkel nuk i ka kërkuar heqje të taksës, ndërkohë ka shtuar se çështja e liberalizimit të vizave vazhdon të jetë e komplikuar, edhe pse është dhënë një mbështetje e plotë nga Gjermania. Në anën tjetër nga kabineti i Merkelit nuk është dhënë asnjë deklaratë për media rreth takimit. A mendoni se ka ndonjë arsye për këtë, a mendoni se ka shkuar diçka keq në Berlin?

Gjithashtu ka pasur raportime që Samiti i Parisit mund të anulohet, për shkak të qëndrimeve të palëkundura të Kosovës dhe Serbisë?

Weber: Jo, asgjë nuk ka shkuar keq në takimin e Berlinit. Ai ishte një takim pune, si pjesë e serisë së takimeve të zyrtarëve gjermanë dhe francezë para Samitit të Parisit, prandaj fakti që zyra e kancelares nuk ka lëshuar komunikatë publike, nuk duhet të zgjojë asnjë dyshim. Takimet janë pjesë e një procesi eksplorues për të përcaktuar kornizën e takimit të Parisit, që në fund nënkupton hap përpara për rinisjen e negociatave për një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse, duke përcaktuar një kornizë të negociatave kuptimplote. Pas dy vitesh dialog, synimi i treshes (Mogherini – Thaçi – Vuçiq) për të arritur një “zgjidhje” përmes shkëmbimit të territoreve ka shkuar në drejtim absolutisht të gabuar. Kjo nuk është e lehtë, thjesht sepse dy liderët nga Prishtina dhe Beogradi ecën drejt një procesi të rremë.

A mendoni që Berlini dhe Parisi janë dorëzuar sa i përket takimit të caktuar në fillim të korrikut, apo mendoni se do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për t’i rikthyer në dialog Prishtinën dhe Beogradin, për arritjen e një marrëveshjeje?

Weber: Merkel dhe Makron definitivisht nuk kanë hequr dorë nga Samiti i Parisit. Janë duke u zhvilluar bisedime për shtyrjen e Samitit për në fund të verës, por nga ajo që kam dëgjuar së fundmi, duket që Berlini dhe Parisi janë pajtuar që të mbetet data e caktuar e Samitit në korrik. Derisa nuk është e parëndësishme që të kemi shefat e rinj të institucioneve të BE-së në Bruksel, iniciativa franko-gjermane nuk do të presë dhe nuk duhet të presë derisa Komisioni i ri Evropian të fillojë punën. Unë dhe organizata ime kemi konstatuar se përgjatë kësaj përvoje dhjetëvjeçare me institucionet e BE-së dhe politikën e zgjerimit, se nëse BE-ja ua lë institucioneve të Brukselit një iniciativë politike, janë krijuar telashe. Frederika Mogherini dhe ekipi i saj i cili ua ka rrëmbyer institucioneve të tjera të BE-së negociatat për dialog në dy vitet e fundit, përfshirë qeveritë e shteteve anëtare, ka qenë mbase shembulli më ekstrem i kësaj udhëheqje. Prandaj është e rëndësisë së madhe që dy nga shtetet anëtare me më ndikim e kanë marrë një nismë për t’i kthyer nën kontroll procesin e negociatave si dhe në binarë drejt negociatave serioze për arritjen e një marrëveshje vërtet gjithëpërfshirëse për normalizimin e plotë të raporteve Kosovë – Serbi. Ky është një proces që nuk duhet dhe nuk mund të presë derisa presidenti i Komisionit Evropian dhe përfaqësuesit e lartë të marrin zyrtarisht detyrën.

A ka ndonjë afat deri kur mund të arrihet një marrëveshje?

Weber: Jo nuk ka dhe nuk duhet të ketë afat kohor. Rinisja e bisedimeve duhet të sigurojë që marrëveshja finale duhet të jetë vërtetë finale, dhe vërtetë gjithëpërfshirëse, që  ndërton bazë për bashkëjetesë paqësore të Serbisë dhe Kosovës për dekadat që vijnë. Afati kohor është i rëndësisë dytësore. Edhe pse unë jam i bindur se nëse negociatat kthehen në një kornizë kuptimplote, një proces i tillë nuk duhet të zgjasë më shumë se 1 apo 2 vjet.
A mendoni që SHBA-ja, Gjermania dhe anëtarët tjerë të QUINT-it do të diskutojnë dhe koordinohen për çështjen e Kosovës, si mendoni që do të shkojnë gjërat tutje?

Weber: Unë besoj që vullneti i Shteteve të Bashkuara mund të jetë tashmë duke u kthyer në një rol përkrahës në raport me BE-në për të arritur një marrëveshje përfundimtare.

A do të përfshihet edhe Rusia në procesin e dialogut për arritjen e një marrëveshje Kosovë-Serbi?

Weber: Nuk jam i sigurt, Rusia nuk është e interesuar në asnjë proces konstruktiv që drejtohet nga Perëndimi dhe veçanërisht jo për ta sjellë Serbinë më afër integrimeve .

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...