Haziri: Le ta harrojnë partitë tjera që mund ta rrënojnë kalanë e quajtur LDK

Intervista

Haziri: Le ta harrojnë partitë tjera që mund ta rrënojnë kalanë e quajtur LDK

Nga: Kushtrim Maliqi Më: 22 qershor 2019 Në ora: 07:59
Nga e djathta nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, në intervistë për gazetën “Bota sot”, me gazetarin Kushtrim Maliqi

Në një intervistë ekskluzive për gazetën  “Bota sot”, kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka folur gjatë për zhvillimet aktuale politike në vend në përgjithësi, e në veçanti në Lidhjen Demokratike të Kosovës, e cila po kalon nëpër proces zgjedhor, ku kemi parë edhe zhvillime aspak të këndshme, siç ishin ato të fundit ku pati edhe konflikt fizik mes të pranishmëve.

Haziri tutje ka folur edhe për temat e rëndësishme që e preokupojnë vendin, siç është zgjidhja problemit Kosovë-Serbi, duke e komentuar takimin e Berlinit si dhe pritshmëritë për takimin e ardhshëm që pritet të mbahet në Paris. Haziri ka folur edhe për akuzat që qarkullojnë kundër tij, se është person i afërt me presidentin Hashim Thaçi, pasi që ka pasur raste kur mënyra se si iu ka qasur disa problemeve politike, ka qenë e ngjashme me të Thaçit, e megjithatë, Haziri ka thënë se këto zëra vijnë nga njerëz jashtë LDK-së dhe se kanë për qëllim dëmtimin e ndikimit të tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës, për çka, ka thënë se nuk do t’ia dalin.

"Bota sot”: Kryetar, a mund të na bëni një përmbledhje të shkurtër të situatës aktuale politike në vend, sidomos në këtë gjashtë mujor të parë të këtij viti?

Lutfi Haziri: Republika e Kosovës, mund të them se deri sot, situatë politike më të rëndë nuk ka pasur ndonjëherë, duke pasur raportin e institucioneve më të rëndësishme të vendit mes vete, që prej Qeverisë dhe Kuvendit, i cili realisht është një relacion shumë i çuditshëm politik, e që reflekton shumë në mos koordinim kur është çështja e dialogut e territorit të Republikës, gjithashtu, edhe raportet ndërkombëtare të vendit. PAN-i, në kuvend funksionon me numra minimal, mund ta quajmë shumicë parlamentare, por pakicë politike duke e shfrytëzuar urën të cilën e ka ndërtuar PSD-ja me 12 deputet, por që ajo që i përcjell vazhdimisht, mund të themi që është jostabiliteti. Raporti i dytë është ai i tensionimit të raporteve me ndërkombëtarët, me BE-në, që përfshinë Komisionin Evropian dhe Këshillin e Ministrave, duke e vendosur në rrafsh edhe moszbatimin e marrëveshjes së Stabilizim Asociimit apo MSA, e cila merr obligime në vendosjen dhe marrjen e masave për reforma, mosmarrja e një date për liberalizimin e vizave, raportet jashtëzakonisht të tensionuara me NATO-n, mund të themi lirisht se deri në këtë gjendje, me këto raporte kemi ardhur për herë të parë dhe më e keqja është se ky koalicion, kjo shumicë nuk i ka punët mirë as me popullatën dhe mund të them se kjo është më e keqja.

Qytetarët, shoqëria, çdo ditë e më tepër po shprehin pakënaqësitë e tyre për mënyrën se si po udhëhiqet vendi nga PAN-i. Në këtë kontekst, në rrafshin e parë nuk vendoset vetëm ekzekutivi, por është ai që koordinohet nga kryetari i kuvendit, kryetari PDK-së, i sapoemëruar nga subjekti i tij dhe natyrisht kjo reflekton edhe në kuvend me një gjendje kaotike, pa respektim të orareve dhe me një kulturë tjetër nga ajo që jemi mësuar.

“Bota sot”: Si e vlerësoni takimin e Berlinit, si dhe paralajmërimin për një takim të radhës në Paris, në ndërkohë që kryeministri nuk pranon ta heq taksën, e në anën tjetër Serbia thotë se nuk futet në dialog pa e hequr taksën?

Lutfi Haziri: Samiti i Berlinit për Ballkanin dhe paralajmërimi i vazhdimit të atij samiti për një takim të ardhshëm në Paris, nga bashkë kryesuesi, presidenti francez, është përpjekje që hapi i dytë i zgjidhjes së problemeve politike në Ballkan, pas asaj të Maqedonisë Veriore dhe të Greqisë, tash edhe problemi Serbi-Kosovë, të shkon drejt një normalizimi.

Dialogu ka hyrë në një agjendë të paqartë, pa parime të definuara të negociatave eventualisht dhe pa një orar, apo tajming. Edhe më tutje kemi qëndrime kundërshtuese brenda PAN-it, është qëndrimi i kryeministrit karshi presidentit të Kosovës, por edhe i presidentit karshi kryetarit të kuvendit, e të gjithë ata bashkë kanë qëndrim të kundërt edhe me opozitën e vendit, LDK-VV nuk janë pjesë e kësaj dhe ne do të jemi gardian të mbrojtjes së kushtetutës së republikës. Në rrafshin e dytë, tërheqja e qeverisë amerikane me një hap prapa karshi dialogut është një mundësi që evropianët me e rritë rrolin e tyre në dhënien e fuqisë për zgjidhjen e problemeve. Por, ajo çka mund të them është se asnjë problem, jo vetëm në Ballkan, nuk mund të zgjidhet pa pjesmarrjen e Amerikës. Nëse kemi parasysh qëndrimin dualist të Serbisë, edhe me Evropë e edhe me Rusi e edhe me SHBA, atëherë është e qartë se një rol aktiv i SHBA-së, do të jetë kritik për zgjidhjen e këtij problemi.

Përpjekje ka me pasë, pasi që presidenti Macron përfaqëson një shtet i cili ka fuqi në BE, ajo lokomotiva e Evropës është Gjermania, kuptohet sidomos për ne, por partia e tij dhe liberalët do të kenë rrol kritik në Parlamentin Evropian, Komisionin Evropian dhe në Këshillin e Ministrave në të ardhmen. BE e ka në agjendë Samitin e Kroacisë të Zagrebit, para atij të Parisit, i cili me presidenten kroate, çështja e Kosovës dhe Serbisë, mund të merr një dimension krejt tjetër.

“Bota sot”: Përveç kryetar i Komunës së Gjilanit, jeni njëherit edhe njëri ndër figurat më të rëndësishme të partisë më të madhe në vend, Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sa ka unitet sot në LDK, kur po mbahen zgjedhjet e brendshme, kemi parë situata të pakëndshme që kanë rezultuar edhe me konflikte fizike, si i komentoni?

Lutfi Haziri: Në fakt, ne jemi në përfundim të një procesi të gjatë zgjedhor, LDK i ka 45 degë si dhe 980 nëndegë, Forumi i Rinisë si sektor i grupmoshave, si dhe Forumi i Gruas si sektor i përfaqësimit gjinor, në anën tjetër edhe Forumi i Bizneseve si grupe të interesit të cilat ne i kemi të organizuara, të gjitha këto janë një mekanizëm jashtëzakonisht masiv dhe me mbështetje qytetare.

Ne jemi në prag të tridhjetë vjetorit të themelimit të lëvizjes së parë politike të shqiptarëve në Ballkan që kanë goditur komunizmin jo vetëm jugosllav, por edhe atë të bllokut lindor në përgjithësi, me ç’rast ka pasur agjendë të qartë të çlirimit dhe pavarësimit të vendit. Natyrisht që në fazën në të cilën po kalojmë është jashtë pritjeve tona, po manifestohet me disa incidente të pakëndshme, të dhunshme dhe të papranueshme. Të gjitha rastet si ato të Ferizajt, Mitrovicës apo të Matit në Prishtinë, janë vetëm katër nëndegë, nga 980 gjithsej, por këto e kanë njollosur dhe damkosur në masë të madhe të gjithë atë proces të bardhë në 976 nëndegët e tjera të cilat në mënyrë aktive dhe masive që kanë marrë pjesë, pasi që sot askush nuk flet për procesin e mirë nëpër të cilin kanë kaluar ato 976 degë, por po flasin për ato incidente që kanë ndodhë në ato 4 degë.

Masat të cilat i kemi ndërrmarrë janë më rigoroze se kurdoherë, nuk tolerojmë që anëtarë të subjekteve tjera si AAK, PDK, AKR apo element tjera të SHIK-ut, “të konvertuar” në parti politike, me hy e me dëmtu reputacionin e LDK-së, për shkak të frikës do të thosha apo panikut që e ka kapur PAN-in, LDK po kthehet si parti e parë pas 12 vjetëve.

“Bota sot”: Thatë që jeni në përmbyllje të procesit zgjedhor, por është ende shumë e pa qartë figura e ardhshme se kush do ta udhëheq LDK-në. Kush do të jetë kryetar i ardhshëm?

Lutfi Haziri: Ne kemi kryetar, kryesi, organe në detyrë deri në kuvendin e ardhshëm. Kuvendi i ardhshëm i ka gjithsej 365 delegat, janë edhe 15 degë për t’u përfunduar, ka mbetur pjesa e fundit e grupit të degëve, që janë shumica e degëve ku pritet të ketë rezultate të mira. Natyrisht, kur të përfundojnë zgjedhjet nëpër degë, kryesia e ka për obligim thirrjen e kuvendit LDK-së. Sipas rregullave të cilat kemi me i zbatuar deri në fund, kandidaturat paraqiten para delegatëve në kuvendin e degëve, ndërsa për LDK-në, para kuvendit të LDK-së. Deri atëherë, vetë kandidimet dhe iniciativat për kandidime të njëanshme nuk janë të mirëpritura dhe mund të them se na kanë shkaktuar problem, këtë e kemi parë edhe në Ferizaj siç e ceka më lart edhe në Mitrovicë e edhe në Prishtinë, janë disa kandidime të cilat po shkaktojnë përçarje. Zgjedhjet nuk janë proces ku njerëzit ndahen, ato duhet të jenë proces i cili i bashkon njerëzit, janë mundësi që ata të cilët janë në struktura, të hapin dyert për të rijnë, janë mundësi ku grupmoshat e gratë mund të japin kontributin e tyre, janë raste për me korrigju gabime e me forcu subjektin, me një fjalë janë manifestim solemn politik. Të gjithë ata që po e zgjatin dorën e dhunës dhe fluturojnë karrige si elementet të jashtme, nuk mund ta dëmtojnë imazhin e LDK-së, përkundrazi ne kemi me vazhduar ta pengojmë çdo element i cili ka për qëllim ta damkos Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kandidaturat e LDK-së do të dalin vetëm në kuvendin e LDK-së, ku do kenë mundësi të gjithë ata që duan, sipas procedurave.

“Bota sot”: Kryetar, pse vazhdimisht emri juaj lidhet si person i afërt me presidentin Hashim Thaçi. E kemi edhe rastin e fundit ku ju jeni pro korrigjimit të kufirit, ku jeni optimist se Kosova Lindore i bashkëngjitet Republikës së Kosovës?

Lutfi Haziri: Është atakim, vjen nga jashtë LDK-së dhe kanë për qëllim ta dëmtojnë rolin tim brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës. Unë jam rritur, po e kaloj pjesën më të madhe të jetës time si pjesë e LDK-së, së bashku me gjeneratë, nuk jam i vetëm, jam bashkë me një gjeneratë edhe të moshës, por edhe politike. Kujtoni vitin 2007, kur ka qenë qeverisja LDK-AAK, kur në atë kohë unë kam qenë zëvendëskryeministër i LDK-së në atë qeveri për tri vite e gjysmë, kam pasur atakime nga grupe të caktuara se ‘unë e mbështes dhe përcoj qëndrime të AAK-së dhe të të z. Haradinaj’. Në fakt unë kam qenë përfaqësuesi më i lartë i Lidhjes Demokratike në atë qeveri me grupin më të madh politik, por unë në atë qeveri e kam përcuar interesin e LDK-së.

Ju kujtohet ai deklarimi i z. Thaçi se ministrat e qeverisë LDK-AAK, nuk mund të jenë pjesë e qeverisë LDK-PDK, unë jam një prej të parëve që jam larguar njëanshëm prej asaj qeverie për shkak të njollosjeve të tilla. Populli thotë se ato fore më nuk i han askush. Tash kjo tendencë apo këto pretendime vijnë nga koluaret që nuk kanë të bëjnë me LDK-në. Nga ata që I frikësohen rolit tim në LDK. Pra, ka të bëjë më shumë me raporte të cilat përçojnë frikë politike sesa me seriozitet. Unë I shohë kështu.

Në anën tjetër, sa i përket kauzave politike, sic është bashkimi i Kosovës Lindore me Republikën e Kosovës apo edhe kauza tjera, unë mund të dalloj nga LDK-ja, por jam konsistent në qëndrimet e mija e në anët tjetër, jam lojal ndaj qëndrimeve të LDK-së deri në fund. Asnjëherë, asnjë vendim nuk e kam thyer, por në kauza politike jam i pathyeshëm. Po ashtu, sa i përket këtij raporti të bashkëpunimit LDK e PDK, historia ka përfunduar me rrënime, herën e parë LDK është tërhequr nga qeveria njëanshëm, herën e dytë PDK në mënyrë tinëzare ka organizuar mocion për ta rrëzuar qeverinë, komunikimet politike apo raportet politike nuk duhet me i shfrytëzu për të njollosur dikë pasi që sot jetojmë në botën e internetit dhe lajmet e këqija e të pabaza qarkullojnë shumë lehtë. Por, kjo nuk e ndryshon kurrë një gjë, unë vazhdoj të mbes njëri prej gurëve të vegjël në kalanë e madh që quhet LDK. Le ta harrojnë paritë tjera se mund ta rrënojnë këtë kala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat