Rexhep Selimi: Së pari të shkarkohen Thaçi e Veseli, pastaj Grabovci e të tjerët - Bota Sot
Rexhep Selimi: Së pari të shkarkohen Thaçi e Veseli, pastaj Grabovci e të tjerët

Intervista

Rexhep Selimi: Së pari të shkarkohen Thaçi e Veseli, pastaj Grabovci e të tjerët

Më: 23 qershor 2019 Në ora: 17:10
Rexhep Selimi

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, lë të nënkuptojë se protesta e thirrur kundër Qeverisë Haradinaj, nuk do të mbahet deri të përfundojë sezoni veror. Ndërkohë, kjo parti po mban tubimet me qytetarë. Thekson se vendi duhet të shkojë sa më shpejt në zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse pozita nuk e ka shumicën e votave dhe Qeveria është e mbushur me skandale e korrupsion.

Kur pyetet lidhur me vendimin e PDK-së për shkarkimin e personave që kanë aktakuza, deputeti Selimi thotë se Kryeprotagonistë të aferës “Pronto” janë presidenti Thaçi dhe kreu i Kuvendit Veseli. Sipas tij nuk ka kuptim të shkarkohen nga detyrat dhe përgjegjësitë publike Beqaj apo Grabovci, “të cilët nuk kanë bërë asgjë tjetër, përveç se i kanë zbatuar urdhrat e Thaçit e Veselit”, shprehet Selimi.

“Pra, Veseli do të duhej që shembullin ta jepte me dorëheqjen e tij dhe me kërkesën për dorëheqje të Thaçit, e pastaj të të gjithë të tjerëve që janë të përfshirë në aferën “Pronto””, thotë Selimi në një intervistë.

Thaçi nuk e ka plan bashkimin kombëtar të shqiptarëve, vlerëson Selimi. Sipas tij, këtë ide Thaçi po e keqpërdorë për t’i ndryshuar kufijtë.

Para disa javësh Vetëvendosje filloi të mbante tubime me qytetarë për të organizuar protestën kundër qeverisë Haradinaj. A po vazhdojnë të mbahen tubimet dhe kur pritet të mbahet kjo protestë, pasi për të më nuk po raportohet as në media?

Rexhep Selimi: Fushata “Kundër Panhajnisë” ka nisur në këtë pranverë dhe do të vazhdojë me intervale të ndryshme për aq sa të ketë nevojë, përderisa në pushtet të jetë Koalicioni PAN. Në kuadër të kësaj fushate, ne kemi zhvilluar aktivitete pothuajse në të gjitha komunat e Kosovës dhe në kryeqytet, por kjo do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Për itinerarin do të njoftohet opinioni në momentin e duhur. Është e kuptueshme edhe se tani jemi në sezonin veror dhe jo çdo stinë është njësoj e përshtatshme.

Protesta e fundit kundër Aleksandër Lumezit nuk mblodhi shumë protestues, a keni frikë se edhe kjo e thirrur kundër Qeverisë mund të përfundojnë njejtë?

Rexhep Selimi: Protesta kundër padrejtësisë në emër të drejtësisë që u organizua pranë Zyrës së Kryeprokurorit Lumezi ishte e dizajnuar dhe e përgatitur si e tillë. Pra, nuk ishte shpallur paraprakisht si protestë gjithëpopullore e formatit të asaj të 29 shtatorit, kur u mbushën sheshet e Prishtinës. Lëvizja “Vetëvendosje” ka organizuar dhe do të organizojë protesta të formateve të ndryshme dhe aksione politike të ndryshme. Kështu ka bërë edhe në të kaluarën, kështu do të bëjë edhe në të ardhmen. Pra, ajo protestë u zhvillua ashtu siç u planifikua.

Cilat janë gjasat që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, marrë parasysh se tash e një kohë po bashkëpunoni me opozitën për ta çuar Ramush Haradinajn në shtëpi?

Rexhep Selimi: Prej ditës se parë të Qeverisë Haradinaj, ekzistojnë parakushtet që vendi të shkojë në zgjedhje. Edhe sot, ashtu si edhe më herët, ekzistojnë së paku tri parakushte që vendi duhet të shkojë në zgjedhje. 1.Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, kur qeveria dhe koalicioni qeverisës nuk e kanë shumicën parlamentare në kuvend. Ata nuk janë të gatshëm që me votat e tyre ta kalojnë asnjë ligj me shumicë të thjeshtë. 2. Kuvendi duhet të shpërndahet dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, kur Kuvendi i Kosovës ka dalë nga funksionimi duke mos mundur të procedojë asgjë në përputhje me mandatin e këtij institucioni. Me mungesën e shumicës dhe të kuorumit, edhe pse jemi duke shkuar drejt mbylljes së sesionit pranveror, ende nuk është arritur që të votohen as ligjet e vitit të kaluar të sesionit vjeshtor. 3. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje kur qeveriset nga një koalicion qeverisës i dështuar dhe i përcjellë me skandale, korrupsion dhe paaftësi, siç është Qeveria Haradinaj. Prandaj, në kuadër të këtij qëllimi, ne po angazhohemi si subjekt politik në bashkëpunim edhe me opozitën që vendi të shkojë në zgjedhje sa më shpejt që është e mundshme.

Kadri Veseli ka shkarkuar nga partia dhe qeveria bashkëpunëtorët e tij që janë nën aktakuza. Si e shihni nismën e Veselit, a besoni se e ka seriozisht?

Rexhep Selimi: Po të duhej të zbatohej ky kriter nga kryetari i PDK-së, referuar aktakuzave për aferën “Pronto”, atëherë do të duhej që dorëheqjet të fillonin nga kryeprotagonistët e “Pronto”-s, Veseli e Thaçi. Çfarë kuptimi ka të shkarkohen nga detyrat dhe përgjegjësitë publike Beqaj apo Grabovci, të cilët nuk kanë bërë asgjë tjetër, përveç se i kanë zbatuar urdhrat e Thaçit e Veselit? Pra, Veseli do të duhej që shembullin ta jepte me dorëheqjen e tij dhe me kërkesën për dorëheqje të Thaçit, e pastaj të të gjithë të tjerëve që janë të përfshirë në aferën “Pronto”. 

Pas shkarkimit të Besim Beqajt dhe zyrtarëve tjerë të PDK-së që kanë probleme me ligjin, a ka diskutuar kryesia e Vetëvendosjes se duhet një veprim i tillë edhe partisë suaj?

Rexhep Selimi: Jo vetëm në Kryesi, por që nga fillimi, Lëvizja “Vetëvendosje” e ka adresuar në opinion krimin e cilitdo nivel, me theks të veçantë krimin dhe korrupsionin në nivelet më të larta të shtetit. Këtë do ta bëjmë edhe në të ardhmen dhe nuk do të ndalemi asnjëherë, derisa të vihet drejtësia në vend.

Presidenti Hashim Thaçi po e promovon idenë e bashkimit kombëtar. A do të bashkëpunonit me PDK-në për ta arritur këtë nismë?

Rexhep Selimi: Thaçi nuk e do bashkimin kombëtar. Ai vetëm sa po mundohet ta përdor e keqpërdor bashkimin kombëtar si kërcënim ndaj bashkësisë ndërkombëtare në kushtëzim të idesë së tij për ndryshim kufijsh me Serbinë. Thaçi, duke qenë kryeministër, ministër i jashtëm dhe sot president, nuk ka bërë asnjë veprim që e afron Kosovën me Shqipërinë drejt realizimit të bashkimit kombëtar. Pikërisht, ky njeri e ka bërë të kundërtën, ka vepruar gjithmonë që Kosova dhe Shqipëria të jenë sa më të ndara, duke biseduar në vazhdimësi me Serbinë për përafrim. Nuk mund ta bëjë bashkimin e shqiptarëve përçarësi më i madh i shqiptarëve, siç është Thaçi.

Bashkimi kombëtar i shqiptarëve nuk arrihet në bisedime me Serbinë, siç ka bërë Thaçi në vazhdimësi.

Thaçi nuk e ka plan bashkimin kombëtar të shqiptarëve. Ai po tenton thjesht t’i mashtrojë shqiptarët me deklarata për bashkim kombëtar dhe, në anën tjetër, ta kënaqë Vuçiqin me veriun e Kosovës dhe Zajednicën.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...