Gërxhaliu: Nuk ndërtohet përmendorja e lavdisë me pare të hajnisë

Intervista

Gërxhaliu: Nuk ndërtohet përmendorja e lavdisë me pare të hajnisë

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 24 qershor 2019 Në ora: 12:09
Safet Gërxhaliu

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, njohësi i ekonomisë, ish-kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka akuzuar rëndë krerët e shtetit, të cilët i ka fajësuar për gjendjen e rënd në të cilët është Kosova.

Gërxhaliu thotë se, Kosova e ka një të ardhme të zymtë ngase i është shkatërruar edukimi, shëndetësia dhe ekonomia.

Sipas tij, në Kosovë është gjendje alarmante sa i përket zhvillimit ekonomik, por më mirë nuk jemi as në aspektin e sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit të organizuar e korrupsionit.

Ai ka folur edhe për mërgimtarët të cilët në vit dërgojnë rreth 2 miliard euro në Kosovë.

“Dhe sot është turpi më i madh të thuhet se shqiptarët kudo në botë dërgojnë 600-700 milionë euro, ndërsa e vërteta është se diaspora shqiptare kudo në botë e mbështet aspektin social në Kosovë me minimum 1.8 deri në 2 miliardë euro, dhe kjo është garancia e mbijetimit të shtetit në aspektin social, kjo është ajo që e mbanë popullatën, sepse sa për buxhetin që kalon në Parlament situata kishte me qenë një situatë mizore dhe e tëra kjo është duke reflektuar në atë masë sa që shqiptarët që nuk ballafaqohen vetëm me shtresë, por sëmundja më e rrezikshme që e ka kapluar Kosovën është ankthi, çka nesër, ku nesër dhe si nesër?”, thotë Gërxhaliu.

Ai ka folur edhe për taksën e vendosur nga Kosova për produktet serbe.

“Ndërsa, vendimi për taksën është vërtet vendimi më i gabuar që është marr në Kosovën e pasluftës, sot Kosova është në një situatë ku vërtetë Serbisë i ka bë favorin më të madh nga fakti se shumë miq dhe sponsor të pavarësisë së Kosovës, janë kundër një mase të tillë, shumë miq janë ata që apelojnë qoftë për suspendim, qoftë për pezullim, qoftë hiqje dhe në këtë drejtim kam dro dhe i kam paralajmërua se Kosova do ta përjetoj edhe me rastin e taksës situatën e demarkacionit, kur u humben tri vite dhe në fund u vendos e njëjta që u sulmua”, thotë tutje Gërxhaliu.

Gërxhaliu ka bërë edhe një paralele mes vitit 1999 dhe 2019, ku thotë se, vjen në shprehje mjerimi intelektual ose vdekja e intelektualitetit në Kosovë.

“Derisa në vitit 1999 Kosova është paraqit qoftë në skenën ndërkombëtare në Amerikë, në Evropë kudo me një elitë intelektualësh duke filluar nga një akademik, i cili ka qenë një kokë Idriz Ajeti, Fehmi Agani, Pajazit Nushi, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova dhe kalibrat e tjerë të skenës politike, ndërsa paramendoni tash në vitit 2019 Kosova paraqitet me një Ramush, me një Hashim dhe me një Behgjet”, ka theksuar Gërxhaliu ndër tjera në intervistën dhënë gazetës “Bota sot”.

“Bota sot”: Zoti Gërxhaliu, ku është Kosova sot në aspektin ekomomik, politik dhe integrues?

Safet Gërxhaliu: Po e them me keqardhje që në një intervistë timen të kaluarën e kam thënë që, sikur kish me u bë apel që me iu qas në mënyrë rrënjësore Kosovës dhe si duhet të hartonim strategji për të shkatërruar Kosovën dhe ardhmërinë e saj, nuk e besoj që do të kish me ekzistua ndonjë institut me kredibilitet që kish mujt të mendoj më keq e më zi me ia bë Kosovës se qysh po ia bënë politika aktuale në Kosovë dhe politikanët në mënyrë kontinuale që nga viti 99. Një shteti që i shkatërrohet edukimi, një shteti që i shkatërrohet shëndetësia dhe mbi të gjitha që i shkatërrohet ekonomia, ardhmërinë e ka të zymtë. Mirëpo e tëra kjo reflekton në një fakt tjetër që kemi një garniturë të politikanëve të cilët shumë ma tepër tentojnë që ta zbukurojnë të kaluarën sesa ta ndërtojnë ardhmërinë dhe besoj që të gjithë duhet ta kuptojnë që nuk mund të ndërtohet përmendorja e lavdisë me para nga kuleta e hajnisë. Prandaj besoj që emëruesi i përbashkët i zgjidhjes së problemit kryesor në Kosovë është sundimi i rendit dhe ligjit dhe për fat të keq sot i kemi të gjitha këto dukuri negative me të cilat ballafaqohet Kosova mu si përgjigje në atë që sundimi i rendit dhe ligjit është në çdo nivel.

Në aspektin ekonomik vërtet është një situatë e cila Kosovën e karakterizon në aspektin ma negativ, është një rënie e investimeve te huaja e cila vërtet e ka arrit rekordin e vet negativ, është një rritje e korrupsionit dhe ekonomisë së kriminalizuar që është shndërro në sëmundje kancerogjene të Kosovës dhe e tëra kjo bëhet në lidhje dhe e monitoruar nga politika dhe çarqe të caktuara rreth politikës, dhe në këtë drejtim kur kemi një situatë të tillë, është e pamundur të kemi vende të reja të punës, është e pamundur të përmirësojmë bilancin e pagesave si një ndër shtyllat kryesore dhe mbi të gjitha dëmtohet imazhi, dhe kur e ke një imazh të dëmtuar është e pamundur të jesh atraktiv për investitorët e huaj. Në veçanti është një situatë alarmante nga fakti që vendet e rajonit janë shumë agresive në tërheqjen e investitorëve dhe investimeve të huaja. Shikoni Serbinë, shikoni Maqedoninë, Malin e Zi, por shikoni edhe Shqipërinë, janë vërtet duke pasur rezultate enorme pozitive, ndërsa në Kosovë politika dhe politikanët merren me vetvete dhe për shtet e zhvillim ekonomik iu intereson që të flasin vetëm para mediave, por për ekonomi dhe zhvillim ekonomik duhet të bëhet më tepër sesa të flitet. Prandaj besoj, një shteti që i dërrmohet ekonomia është utopike që të mendohet se do të ketë stabilitet politik, është e pamundur të mendohet se do të ketë stabilitet social dhe mbi të gjitha është e pamundur dhe utopike të mendohet që do të përshpejtojnë proceset integruese. Nuk jetohet vetëm me eksportim të parasë së gatshme, por besoj që Kosova shpëton falë një realiteti që në Kosovë nuk po pranohet si realitet.

E para është fakti se Kosova i ka dy buxhete. Një buxhet i cili çdo vit miratohet në Kuvendin e Kosovës, pra të propozuar nga Qeveria i cili është në funksion të funksionimit të armatës publike e cila është në funksion të politikës, dhe kuptohet një buxhet i cili është shumë më tepër i dedikuar për t’u grabitur, për t’u keqpërdorur dhe për t’u shfrytëzuar për interesa të grupeve të caktuara.

Por fakti në Kosovë është tjetër, se Kosova e ka buxhetin e dytë, dhe ai buxhet është që vjen nga diaspora. Dhe sot është turpi më i madh të thuhet se shqiptarët kudo në botë dërgojnë 600-700 milionë euro, ndërsa e vërteta është se diaspora shqiptare kudo në botë e mbështet aspektin social në Kosovë me minimum 1.8 deri në 2 miliardë euro, dhe kjo është garancia e mbijetimit të shtetit në aspektin social, kjo është ajo që e mbanë popullatën, sepse sa për buxhetin që kalon në Parlament situata kishte me qenë një situatë mizore dhe e tëra kjo është duke reflektuar në atë masë sa që shqiptarët që nuk ballafaqohen vetëm me shtresë, por sëmundja më e rrezikshme që e ka kapluar Kosovën është ankthi, çka nesër, ku nesër dhe si nesër? Dhe për fat të keq duhet të konstatohet se sot në Kosovë kemi po thuajse një milion banor, sepse Kosova është shndërruar në një shtet për të ikur dhe, ajo se çka është më interesante ikin intelektualët, njerëzit e punësuar dhe mbesin vetëm militantët partiak të cilët vërtet marrin paga pa asnjë kontribut, janë të siguruar në të ardhmen dhe vlera dhe intelektualiteti i mbështetur në civilizim dhe kulturë është duke u larguar nga Kosova për fat të keq. Sot mund të shkoni nëpër universitetet të ndryshme në Evropë dhe gjetiu profesor shqiptar të cilët janë njerëzit më të suksesshëm, por paramendoni ata njerëz kanë qenë të padëshiruar, të papranuar dhe të refuzuar në Kosovë. A nuk është një mjerim që është duke e përcjellur Kosovën? Paramendoni kemi ardhë në një stady ku nga aparati politik në konkurese të ndryshme thotë mos e pranoni këtë student se është shumë inteligjent dhe i mençur dhe na dëmton. Në vend që të kërkohet vlera dhe të investohet do të thotë në atraktimin e intelektualëve dhe njerëzve të dijës, ne ata njerëz me shkas i largojmë sepse ata që vendosin në Kosovë janë të tillë dhe tentojnë t’i kenë të paditurit rreth veti, sepse këta njerëz nuk e din se çka është kritika ose nuk e kuptojnë që latinët e vjetër kritikën e definojnë si anë të mësuarit dhe kritika nuk është armiqësi, por ata janë që e ushqejnë servilitetin dhe paditurinë dhe në këtë mënyrë definitivisht e ngulfatin ardhmërinë e Kosovës. Mbi të gjitha se në çfarë mjerimi sot është ekonomia e Kosovës e dëshmon fakti që nuk ka absurd më të madh që njerëzit e profileve të ndryshme të lidhur me politikën sot e hapin një restorant, dhe në atë hapjen e tij marrin pjesë prej Presidentit e deri te kryetari i Parlamentit, Kryeministri dhe krejt kabineti qeveritar për hapjen e një restoranti. A nuk është kjo dëshmia më e mirë e cila e dëshmon se në çfarë mjerimi jemi. Në vend që të kemi hapje të fabrikave, në vend që të kemi përcjellje të eksporteve, në vend që të kemi punësime, institute, laboratorë të ndryshme, në vend që të kemi inovacione dhe të kemi brend në aspektin e punësimit, ne sot komplet aparati shtetëror shkon në hapje të një restoranti, a nuk është kjo që kish mujt me quajtë Migjeni bukuria që vret e realitetit në Kosovë.

“Bota sot”: Cila mund të jetë strategjia për thithjen e investitorëve të huaj dhe rritjen e punësimit në Kosovë?

Gërxhaliu: Me këtë çasje institucionale ku politika merret me vetvete dhe me njerëzit afër tyre është e pamundur të ndryshoj. Ne jemi të vetëdijshëm se në Kosovë ka nepotizëm, ka burokraci, jemi të vetëdijshëm që në Kosovë ka meritokraci, por emëruesi i përbashkët i zgjidhjeve të këtyre problemeve është sundimi i rendit dhe ligjit. Derisa nuk do të kemi sundim të rendit dhe ligjit si garanci e funksionimit të shtetit normal, ne flasim për investime të huaja por ato do të shkojnë në rajon. Kemi raste të shumta që brende të ndryshme botërore janë sill me vite nëpër Kosovë dhe nuk kanë gjetur mbështetje e sot janë aktive dhe punësojnë me dhjetëra mijëra punëtorë, qoftë në Maqedoni, Serbia, Mal të Zi por edhe në Shqipëri dhe janë ik nga Kosova, sepse vendosja e të paditurve në pozita kyçe jo vetëm që e dëmton Kosovën në aspektin gjeneral por ata gjenerojnë burokraci, dhe ajo burokraci primitive është helmi që tentojnë të helmojnë investitorët e huaj. Prandaj duhet të kuptohet që pasurit e një shteti, pasurit natyrore janë të rëndësishme, por mbi të gjitha është faktori njeri. dhe nëse faktorit njeri të merituar nuk i lajmë vend të merituar në një pozitë të caktuar vërtet na presin sfida të mëdha.

Paramendoni e kemi sot një situatë ku Kosova eksporton vetëm para të gatshme, dhe si mund të ketë mirëqenie dhe krijim të vendeve të reja të punës në qoftëse brenda vitit eksporton më tepër se 3 miliardë euro para të gatshme, dhe ato nuk janë para të buxhetit, ato janë parat që vijnë nga diaspora, dhe në qoftëse bisedoni me ministrin e Financave, ai do të iu thotë se ka rritje të ekonomike. Shikoni, Kosovës i duhet rritje ekonomike substanciale jo vetëm numerike çfarë këta e paraqesin sepse aktualisht i vetmi indikator ekonomik që ka rritje janë shpenzimet dhe, a mund të ketë qëndrueshmëri dhe stabilitet substancial vetëm me rritje të shpenzimeve. Prandaj është koha edhe paraja më e sinqertë që hynë në Kosovë e diasporës ta ketë një destinim të caktuar dhe të jetë në funksion të zhvillimit, të krijimit të vendeve të reja të punës, në funksion të përmirësimit të imazhit të Kosovës dhe të mirëqenies dhe jo gjithmonë të jetë e gjykuar paraprakisht për tu eksportuar e gatshme qoftë në vende të rajonit, qoftë në vende të ndryshme të Evropës. Prandaj besoj se në këtë drejtim është koha kur duhet që sundimi i rendit dhe ligjit të jetë më aktiv dhe mbi të gjitha ta kemi shansin që vlerat intelektuale të jenë në pozita dhe jo gjithmonë meritokrat dhe pjesë e krimit të jenë ata që do ta orientojnë Kosovën drejtë ardhmërisë dhe zhvillimit ekonomik.

“Bota sot”: Si e vlerësoni vendosjen e taksës nga kryeministri Haradinaj për Serbinë?

Gërxhaliu: Në rend të parë duhet të kuptohet që pengesat për të bërë biznes dhe tregti me Serbinë kanë qenë vërtet evidente dhe të adresuara, mirëpo nuk janë aktuale vetëm pengesat mes Kosovës dhe Serbisë dhe anasjelltas. Sot kemi pengesa edhe më të mëdha në rajon sa i përket Bosnjës dhe Malit të Zi, kemi pengesa edhe më të mëdha mes Bosnjës dhe Shqipërisë, po kemi probleme më të mëdha mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, prandaj besoj që një situatë të tillë është dashur të shfrytëzohet për një dialog me konstruktiv, më argumentues dhe Kosova të jetë e përfaqësuar në instanca rajonale më profesionale dhe në këtë drejtim besoj që rekomandimi më kryesor kish me qenë që, të ketë një rishikim të marrëveshjes Cefta, ose të ketë një Cefta plus, ose të ketë një ridraftim. Ndërsa, vendimi për taksën është vërtet vendimi më i gabuar që është marr në Kosovën e pasluftës, një taksë e cila e kam thënë edhe në ditët e para që është taksë 100% politike, është një taksë e cila rrit popullizëm dhe është kalkulim për vota në zgjedhjet e ardhshme dhe mbi të gjitha në aspektin ekomomik është një taksë e cila e ka goditur qytetarin e Kosovës, mbi të gjitha e ka godit biznesin dhe ata që merren me prodhim, prandaj kur bien vendime të tilla duhet gjithmonë të ketë analiza dhe cenarium, cenari hyrës A, B, C dhe këtu nuk ka pas asnjë analizë por ka qenë një fontanë e dikujt dhe e dyta nuk duhet të flitet gjithmonë për cenario hyrës, duhet të ketë edhe cenario dalës, dhe sot Kosova është në një situatë ku vërtetë Serbisë i ka bë favorin më të madh nga fakti se shumë miq dhe sponsor të pavarësisë së Kosovës, janë kundër një mase të tillë, shumë miq janë ata që apelojnë qoftë për suspendim, qoftë për pezullim, qoftë hiqje dhe në këtë drejtim kam dro dhe i kam paralajmërua se Kosova do ta përjetoj edhe me rastin e taksës situatën e demarkacionit, kur u humben tri vite dhe në fund u vendos e njëjta që u sulmua. Unë besoj që sa më tepër që të zgjatë një taksë e tillë qytetarët do të ballafaqohen me probleme të shumta, Kosova në aspektin politik dhe diplomatik do të jetë më e izoluar dhe në veçanti sa i përket liberalizimit është utopike të mendohet që me këtë garniturë të mendohet që liberalizimi do të jetë i përshpejtuar.

“Bota sot”: Si e shihni deklaratën e kryeministrit Haradinaj sa i përket hapjes së vendeve të reja të punës?

Gërxhaliu: Në qoftëse e analizon që kemi rënie të investimeve të huaja direkte, në qoftëse e analizon që kemi ulje të eksporteve, në qoftëse e analizon që kemi informalitet dhe ekonomi të kriminalizuar, atëherë janë dy fusha ku kryeministri mund të bazoj rritjen e punësimit.

E para, është rritja e të punësuarve në administratë publike e pakontrolluar, qoftë me kontrata të përkohshme të afatgjate dhe, eksodi që është duke e përcjell Kosovën me largimin e të rinjve.

Por të flitet sot se Kosova e ka ulur shkallën e papunësisë është tipike qasje politike, është populiste dhe një kampanjë, parapërgatitje për zgjedhje. Prandaj vërtet Kosovës nuk i bëhet nderë me demagogji të tillë, nuk i bëhet nderë me manipulime të tilla, sepse në fund të fundit përballë të vërtetës qëndron vetëm e vërteta. Populli sheh, populli njeh, populli lexon dhe populli nuk harron!

“Bota sot”: Çka mund të na thoni në lidhje me Samitin e Berlinit dhe këtë të Parisit të organizuar nga Angela Merkel dhe Emannuel Macron?

Gërxhaliu: Unë besoj se Kosova në aspektin rajonal dhe integrues, qoftë në aspektin politik nuk ka qenë në pozitë më të vështirë asnjëherë që nga viti 1999. Mirëpo, mua nuk më habit një fakt i tillë kur e di që kush na udhëheq. Në rend të par duhet të kuptohet se sot dikush nëse kundërshton vendimin e Gjermanisë, vendimin e Francës dhe miqve të betuar siç janë Amerika, ose është i krisur, ose është i paditur ose është i zhgënjyer që nuk ka realizuar do të thotë planet dhe strategjitë e veta, qoftë në interes të dikujt tjetër e më së paku në interes të Kosovës. Dhe në këtë drejtim të kundërshtohen apelet e tilla është vërtet turpi më i madh që i bëhet Kosovës.

Duhet të kuptohen këto tri gjëra; e para, Kosova është produkt edhe i bashkësisë dhe diplomacisë ndërkombëtare. E dyta, duhet të kuptohet që luftën e bëjnë trimat, por duhet e treta që shtetin e ndërtojnë të mençurit dhe ku është Kosova sot? Unë nuk e kam problem vetëm refuzimin nga kjo politikë e pakoordinuar dhe e përçarë, sepse këta i bashkon vetëm interesi dhe jo atdhedashuria dhe ardhmëria e Kosovës.

Unë e kam një problem nga një dimension krejt tjetër, dhe në qoftëse tërhiqet një paralele mes vitit 1999 dhe vitit 2019, vjen në shprehje mjerimi intelektual ose vdekja e intelektualitetit në Kosovë. Derisa në vitit 1999 Kosova është paraqit qoftë në skenën ndërkombëtare në Amerikë, në Evropë kudo me një elitë intelektualësh duke filluar nga një akademik, i cili ka qenë një kokë Idriz Ajeti, Fehmi Agani, Pajazit Nushi, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova dhe kalibrat e tjerë të skenës politike, ndërsa paramendoni tash në vitit 2019 Kosova paraqitet me një Ramush, me një Hashim dhe me një Behgjet. Dhe çka pret nga faktori ndërkombëtar kur ata paraprakisht i kanë CV e çdo njërit dhe çka mund të lexosh në CV e këtyre njerëzve. Pra ky është problemi që duhet të analizohet dhe dua të besoj që ndryshimi i fatit të Kosovës është në duart e votuesve të Kosovës, Nuk e di se çka duhet të ndodh që populli të vetëdijesohet dhe të ketë kujdes së kon e voton.

E lexova para disa dite një artikull interesant i një vjedhësi i cili vuante 12 vjet burg diku në burgjet Evropiane, dhe thotë se “nga qelia ime e përcjelli Ballkanin, dhe është e habitshme se ne si vjedhës gjithmonë kemi analizua se ku do të vjedhim” dhe tash paramendo vet qytetarët e zgjedhin vjedhësin përmes votave. Ai bëhet nderë Kosovës në këtë drejtim? Unë dua të besoj që miqtë ndërkombëtarë dhe gjaku i pastër i Kosovës do të jetë prapë ai që do të fitoj dhe për inati të politikanëve aktual dhe të armiqve Kosova do të mbijetoj si shtet.

“Bota sot”: Z. Gërxhaliu, liderët në Kosovë ka vite e vite që festojnë liberalizimin e vizave, mirëpo qytetarët siç e dimë të gjithë nuk e kanë ende lirinë e lëvizjes në shtetet e BE-së, madje njëherë nuk ka shpresë që do të ndodh liberalizmi? Çfarë mund të na thuani ju sa i ka plotësua Kosova kriteret në këtë aspekt?

Gërxhaliu: Në rend të parë duhet të kuptojmë se për integrime duhet të bëhet më tepër sesa të flitet. E dyta, Bashkimi Evropian paraqet kritere dhe e treta, një porosi për politikbërësit në Kosovë, Aristoteli thotë vetëm fillimi i një pune apo procesi është 50% i kryer, por vetëm 0,01 % e pakryer nuk është asgjë e kryer. Dhe në këtë drejtim nuk i bën nderë gënjeshtra që po i servohet popullit duke thënë se janë plotësua 95 % e kritereve, mirëpo mos harroni nuk është plotësuar kriteri kryesor dhe ai është lufta kundër krimit të organizuar që, e ka burimin mu të këta politikbërës që derdhin lot krokodili kinse pse nuk ka liberalizim. Pra në këtë drejtim, nuk duhet të humbet kohë në kërkim të arsyes për dështim, duhet të kemi kurajo për tu ballafaquar me realitetin, dhe realiteti pse Kosovës i mungon liberalizimi nuk janë qytetarët, nuk janë fëmija, është kjo garniturë e politikanëve që më së paku e ka vendin të jetë në politikë, e ka vendin diku tjetër.

“Bota sot”: A po iu konvenon këtyre politikanëve kjo gjendje?

Gërxhaliu: Definitivisht në këtë drejtim këta janë ata që më së shumti e duartrokasin një situatë të tillë. Në rend të par lypët hapësirë për të debatuar dhe për të shituar biseda sterile, në rend të dytë sot ka forma të ndryshme të migrimit, dhe po e shihni që vlerat e Kosovës janë duke migrua dhe në këtë drejtim sa më tepër që do të kemi largim nga radhët e intelektualëve në forma të ndryshme, sepse liberalizimi është shndërruar në mollë të ndaluar dhe molla e ndaluar është më e ëmbla atëherë, mbesin veteranët, mbesin politikanë, mbesin ata që janë të vendosur nëpër administratë publike, ata që udhëheqin ndërmarrjet publike dhe e tëra kjo është garanci për vota se po të mbesin intelektualët në Kosovë dhe të rinjtë që mendojnë me kokë të vete me siguri që nuk do të jetë votë e garantuar për politikanët në Kosovë.

“Bota sot”: Si mund të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni, pa ndryshu Qeveria, pasi që nga paslufta pothuajse e kemi të njëjtën?

Gërxhaliu: Për momentin është vërtete utopike të mendohet se do të ketë kthesa. Ju po e shihni që komplet koalicioni aktual është i përbërë nga një kalibër i njëjtë i njerëzve. Kjo është një situatë e cila nuk jep optimizëm, por dua të besoj që duhet vërtet të rinjtë të fillojnë dhe të mendojnë pak më ndryshe. Ardhmëria e Kosovës e ka një emër pak më ndryshe, jo kjo që është. Derisa nuk do të ketë vlera në rend të parë të sundimit, rendit dhe ligjit përmes edukimit dhe përmes shtyllave tjera të funksionimit të shtetit, ne do të vazhdojmë të jemi këta që jemi, por Kosova do të zbrazet, dhe në qoftëse në këtë mënyrë do të vazhdoj migrimi i pakontrolluar që për fat të keq dhe me qellim minimizohet dhe tentohet të fshehët nga politika aktuale është vërtet shqetësuese. Si mund ta ndijë vetëm sot një i ri, një intelektual kur dëgjon politikanët duke thënë që nuk lejojmë korrigjimin e listave të veteranëve të rrejshëm, nuk lejojmë largimin e ministrave të korruptuar, nuk lejojmë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe Evropa është fajtore pse ne nuk jemi atje, është diçka që vërtetë më nuk pranohet as te qytetarët e aq më pak në Evropë.

“Bota sot”: Sa jemi te rendi dhe ligji, si e shihni iniciativën e Kadri Veselit për largimin e të gjithë atyre që kanë aktakuzë, mirëpo ne kemi ministra të tillë të cilët nuk po shkarkohen?

Gërxhaliu: Në rend të parë duhet të kuptohet se këta njerëz dhe politikbërësit aktual në Kosovë, pa marr parasysh nga cila parti vinë i bashkon e kaluara dhe e tashmja. E kaluara e luftës e cila është shumë mistike dhe jotransparente dhe këta dinë njëri për tjetrin. Dhe e dyta, ajo e pasluftës që ka të bëjë me krim dhe korrupsion, prandaj në këtë drejtim është shumë vështirë të epet një koment dhe të definohet situata aktuale. Por sidoqoftë si qytetarë i thjeshtë i Kosovës, çdo herë kur dëgjohet ndonjë deklaratë për sundim, rend dhe ligjin dhe për dënim të kriminelëve e duartrokas dhe besoj e ka në aspektin psikologjik atë ndjesinë e vet.

Por ajo çka është shqetësuese është fakti se sot në Kosovë, shumë ma të lehtë e ki me u marrë me krim dhe me qenë pjesë e krimit sesa me luftua krimin, prandaj besoj që është një mision i cili prapë kërkon një fuqizim dhe ndryshime rrënjësore në sundimin e rendit dhe ligjit. Nuk mund të pritet luftë aktive në krim të organizuar dhe korrupsion nga ata që janë pjesë e krimeve dhe ekonomisë së kriminalizuar.

“Bota sot”: Për fund, kemi raste nga politikanët që në vendimet e dënimeve që marrin i shohim se janë skandaloze, pasi për raste të njëjta qytetarët e thjeshtë dënohen jashtëzakonisht më shumë. Pra politikanët marrin dënime qesharake, dënohen me kusht ose me para, e qytetarët me burgim?

Gërxhaliu: Kjo dëshmon se drejtësia është në funksion të politikës. Në këtë drejtim është e pamundur të pritet që do të ketë efekte pozitive në këtë drejtim derisa politikanët inkorporuar në krim janë të mbrojtur dhe të mbështetur nga aktualiteti politik ndërsa për qytetarët flitet vetëm kur është vota dhe është kampanja zgjedhore, prandaj besoj që është koha kur duhet të kemi ndryshim dhe ndryshimet me emër, kur vërtet pakica agresive duhet të jetë e mundur nga shumica pasive.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat