Eurodeputetja Fajon tregon çka po ndodhë me vizat për Kosovën

Intervista

Eurodeputetja Fajon tregon çka po ndodhë me vizat për Kosovën

Më: 6 korrik 2019 Në ora: 15:29
Tanja Fajon

Deputetja e Parlamentit Evropian, socialdemokratja Tanja Fajon, në një intervistë për Express ka folur për zhvillime e fundit brenda Bashkimit Evropian, emrat e rinj që pritet të vihen në krye të institucioneve më të larta të Evropës, dialogun Kosovë-Serbi dhe çështjen e liberalizimit të vizave.

Eurodeputetja sllovene thotë se do të vazhdojë përpjekjet e saj si gjithmonë për të shtyrë përpara agjendën e liberalizimit të vizave për Kosovën, duke thënë se ka shpresa që presidenca finlandeze që kryeson me BE-në gjatë këtyre muajve do të ketë mirëkuptim për lëvizjen e lirë të qytetarëve. Megjithatë ajo thotë se është në dorën e politikanëve që të jenë të përgjegjshëm për zbatimin e  të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizim.

Sa i përket dialogut të Brukselit, Fajon thotë se i vjen keq për situatën e krijuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke dhënë një porosi për të dy shtete që t’i kthehen urgjentisht dialogut, pasi sipas eurodeputetes situata aktuale nuk i kontribuon përparimit të rajonit.

Ajo thotë se liderët e dy shteteve duhet të tregohen të guximshëm për të gjetur një zgjidhje të nevojshme e cila në rend të parë do të ishte në interes të qytetarëve.

Ndërkohë për zhvillimet e brendshme në BE pas zgjedhjeve dhe ndryshimin e kokave të udhëheqësisë së institucioneve të BE-së, Fajon ka kritika të shumta.

Sipas saj nuk janë respektuar praktikat e deritanishme për zgjedhjen e krerëve të institucioneve të BE-së. Ajo ka thënë se presidenti i Francës, Emanuel Macron së bashku me kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borisov, prapa dyerve të mbyllura, bashkë me vendet e V4-ës (Çekinë, Sllovakinë, Hungarinë dhe Poloninë), kanë vendosur për emrat, duke anashkaluar propozimin e Social Demokratëve që Frans Timmermans të jetë në krye të Komisionit Evropian.

Tanja Fajon thotë se nuk mund të paragjykojë se cili mund të jetë qëndrimi i Komisionit Evropian për Kosovën, dhe se për një gjë të tillë thotë se duhet të shihet përbërja e ardhshme e KE-së dhe agjenda e tyre që do të vendosin për politikën e zgjerimit.

Si i shihni emrat e rinj, dhe çfarë ndikimi mendoni se do të kenë ata në rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian?

Tanja Fajon: Jam e zhgënjyer me marrëveshjen e arritur nga udhëheqësit e qeverive të martën e kaluar në Bruksel. Së pari, liderët vendosën të mos e respektojnë “Spitzenkandidat”-in ( personin që kryeson listën apo kandidatin kryesor). Ky ishte një proces demokratik në të cilin ne qartazi i vendosim emrat e kandidatëve që do të mund ta udhëhiqnin Komisionin Evropian. Ne Socialdemokratët e vendosëm një figurë të njohur politike dhe një zë të fuqishëm pro evropian për sundimin e ligjit, Frans Timmermans.

Qytetarët tanë evropianë votuan në bazë të programeve të tyre dhe e patën një zgjedhje transparente. Mua më vjen keq që Macron dhe Orban me vendet e V4-ës( Çekinë, Sllovakinë, Hungarinë dhe Poloninë) në fund e morën vendimin në duart e tyre dhe prapa dyerve të mbyllura për një emër krejtësisht të ri, Ursula von der Leyen-in.

Sipas mendimit tim, ata i tradhtuan qytetarët tanë. Së dyti, në krye të institucioneve më të larta të BE-së për herë të parë nuk ka liderë që vijnë nga pjesa lindore e Evropës Qendrore ose nga shtete anëtare më të vogla ose më të reja. Kjo është e papranueshme dhe paraqet zhgënjim të madh.

Nuk dua ta paragjykoj drejtimin e ardhshëm të Komisionit Evropian sa i përket rrugës së Kosovës drejt integrimit në BE pasi fillimisht duhet ta përkrahim presidenten e re të KE-së. Sot, ende nuk është e qartë që Parlamenti Evropian do të votojë në favor të zonjës der Leyen. Duhet të presim gjithashtu edhe për përbërjen e ardhshme të Komisionit Evropian dhe të shohim se sa lart do të vendoset çështja e zgjerimit në agjendë.

Çfarë do të ndodh me liberalizimin e vizave. Për presidencën finlandeze duket se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk do të jetë prioritet gjatë mandatit të tyre, cili është mesazhi juaj?

Tanja Fajon: Unë do t’i vazhdoj përpjekjet për ta çuar përpara çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Njëkohësisht, politikanët përgjegjës në rajon duhet të bëjnë gjithçka për zbatimin e të gjitha kritereve të nevojshme. Puna duhet të vazhdojë në të dyja anët, duhet të mbesim seriozë dhe të përkushtuar. Kam shpresa të mira që presidenca finlandeze do të ketë shumë mirëkuptim për rajonin, kufijtë dhe rëndësinë e lëvizjes së lirë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar që nga nëntori i 2018-ës. Dhe nuk ka shenja që mund të ketë një rikthim pozitiv nga të dy palët. A mendoni se një sitautë e tillë po krijon probleme dhe cila është thirrja juaj si deputete e Parlamentit Evropian, për Prishtinën dhe Beogradin?

Tanja Fajon: Mua më vjen keq për gjendjen e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo gjendje nuk kontribuon për përparim dhe lehtësira për jetë më të mirë të njerëzve dhe marrëdhënie të mira fqinjësore në të dyja anët. U bëj thirrje Prishtinës dhe Beogradit që ta gjejnë një zgjidhje, ta vazhdojnë dialogun sa më shpejt që është e mundur dhe të përmbahen nga përçarjet dhe nga retorika e veprimet nacionaliste. Jam shumë mirë e vetëdijshme për gjendjen e ndërlikuar në terren, prandaj kemi nevojë që liderët tanë të jenë të guximshëm dhe vërtet ambiciozë për ta gjetur zgjidhjen e nevojshme, e cila në rend të parë do të ishte në dobinë e qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat