PANhajnia ua ka vjedhur jetën qytetarëve, LDK duhet të lëvizë drejt ngritjes së mocionit

Intervista

PANhajnia ua ka vjedhur jetën qytetarëve, LDK duhet të lëvizë drejt ngritjes së mocionit

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 10 korrik 2019 Në ora: 08:04
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se idetë e rrezikshme të Presidentit Thaçi dhe neglizhenca e qeverisë me në krye Ramush Haradinajn, duhet të ndalen me një angazhim të përbashkët. Ajo ka folur rreth bashkëpunimit ndërmjet grupeve parlamentare opozitare, për ta rrëzuar qeverinë. Ka treguar edhe se kur opozita e ka në plan dorëzimin e mocionit për rrëzimin e qeverisë.

Po ashtu, Haxhiu ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar “Zajednicën” dhe aventurat e rrezikshme të Presidentit Thaçi. Ajo ka treguar po ashtu nëse mund të konsiderohet e vdekur ideja për korrigjimin e kufijve.

“Bota sot”: Gjykata Kushtetuese e shpalli të jashtëligjshëm ekipin negociator të përbërë me Serbinë, çka pas këtij vendimi të kushtetueses?

Albulena Haxhiu: Aktgjykimi Gjykatës Kushtetuese ishte i drejtë madje i njëjti as nuk le hapësira interpretimi tutje sepse është shumë i qartë. Dhe është pikërisht kjo Gjykatë që rrëzoi edhe Zajednicën por edhe aventurat e rrezikshme të Presidentit Thaçi.

“Bota sot”: Kush duhet ta drejtojë dialogun me Serbinë zonja Haxhiu?

Albulena Haxhiu: Sipas Kushtetutës, e cila konfirmohet edhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, politika e jashtme hartohet dhe përfaqësohet nga Qeveria apo kryeministri pra është në dorën e Qeverisë kjo kompetencë kushtetuese dhe kjo nuk është diçka fakultative por detyrim dhe këtë detyrim e ka konfirmuar edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese. Por siç duket Kryeministri po refuzon t'i kryej obligimet e tij kushtetuese pra po dëshmon pazotësi andaj duhet të largohet sa më parë.

“Bota sot”: Presidenti Hashim Thaçi solli në Kuvend një rezolutë me të cilën kërkoi bashkimin e Preshevës, Medvgjeës e Bujanovcit, me Kosovën, si e keni parë ju këtë situatë?

Albulena Haxhiu: Presidentit Thaçi kurrë në mend nuk i ra Lugina, e sidomos në periudhën 2011-2017 pra në periudhën 6 vjeçare të dialogut me Serbinë, janë nënshkruar 33 marrëveshje dhe bash asnjëra nuk ka të bëj me të drejtat e tyre dhe asnjëherë nuk ka folur për shtypjen e diskriminimin që ju bëhet shqiptarëve të Kosovës Lindore. Tani flet për Luginën por vetëm për mashtrim asgjë më shumë. Komisioni për Arsim ka bërë një vizitë tani së fundi në Luginë, kërkesat e tyre i kanë prezantuar edhe në seancë prandaj ne do ta mbështesim rezolutën e Komisionit sepse Presidenti nuk ka të drejtë kushtetuese t'i mbivendoset Kuvendit me rezoluta. Këto veprime ai i bën sa për konsum publik dhe hedhje hi syve të qytetarëve e sidomos atyre të Kosovës Lindore, i njëjti është në një gjendje të rëndë politike, si asnjëherë më parë ndaj i duhen këto veprime për mbijetesë por kjo qasje është e papranueshme.

“Bota sot”: Kur do të votohet rezoluta për Luginën e Preshevës e hartuar nga ju?

Albulena Haxhiu: Sapo të ketë seancë të Kuvendit.

“Bota sot”: A ka vdekur ideja për shkëmbim territoresh?

Albulena Haxhiu: Projekti i rrezikshëm i Presidentit Thaçi duket që ka dështuar por nuk mund të themi që ka vdekur. Angazhimi jonë do të jetë i vazhdueshëm për moslejimin e këtyre pazareve.

“Bota sot”: Sa është unike opozita zonja Haxhiu?

Albulena Haxhiu: Kemi një bashkëpunim të mirë me gp të LDK. Kemi koordinime për seanca të përbashkëta, por patjetër që kemi dallime sepse jemi subjekte të ndryshme dhe kemi strategji të ndryshme. Jemi duke u angazhuar bashkërisht në mocionin për rrëzimin e Qeverisë, por nuk kemi pajtime për kohën e dorëzimit. Ne jemi shumë të interesuar ta dorëzojmë sa më parë madje para pushimit zyrtar të Kuvendit.

“Bota sot”: A llogaritni edhe në votat e PSD-së?

Albulena Haxhiu: Nënshkrimet e tyre i kemi aktualisht.

“Bota sot”: Pse nuk duhet të rrëzohet qeveria me votat e Listës serbe dhe a është kjo pika në të cilën nuk gjeni gjuhë të përbashkët me LDK-në?

Albulena Haxhiu: Ne mendojmë që nuk duhet të kemi ndonjë marrëveshje apo bashkëpunim me LS për rrëzim të Qeverisë, besoj kështu mendojnë edhe LDK. Por në kohën kur mocioni hidhet në votim, të gjithë deputetët kanë të drejtë të marrin pjesë në votim.

“Bota sot”: Një koalicion me Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për qeverisjen e ardhshme të vendit, sa është e mundur të realizohet kjo?

Albulena Haxhiu: Nuk është që kemi diskutuar për ndonjë koalicion. Ne jemi shumë të interesuar që ta largojmë koalicionin PAN, sepse i njëjti përveç aferave e skandaleve, mjerimit e degradimit, s'ka sjellë gjë të mirë për vendin e qytetarët. Por besoj që Kosova fillon rrugën për së mbari nëse Lëvizja VETËVENDOSJE!, del subjekti i parë me mbështetje nga qytetarët dhe merr drejtimin e qeverisjes.

“Bota sot”: Cilat janë kushtet tuaja për të hyrë në koalicion me LDK-në?

Albulena Haxhiu: Për këtë vendosin organet e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Siç e thash ende nuk e kemi shtruar për diskutim.

“Bota sot”: Çfarë po ndodhë me protestat e Lëvizjes Vetëvendosje, pse janë lënë në rend të dytë?

Albulena Haxhiu: Besoj që kemi pafund arsye për të protestuar sikurse edhe më duhet të them që nuk kemi monopol mbi protestat. Nuk i përjashtojmë asnjëherë sepse i shohim si mjetin më demokratik të shprehjes së vullnetit të popullit.

“Bota sot”: A keni ndonjë datë konkrete për ngritjen e mocionit, pasi duket se diskutimi i kësaj çështjeje po fillon të bëhet paksa monoton, për shkak se është stërzgjatur?

Albulena Haxhiu: Sa më parë, aq më mirë. LDK duhet të lëvizë në këtë drejtim.

“Bota sot”: Si është qeverisur deri sot me vendin zonja Haxhiu?

Albulena Haxhiu: Mënyra se si është krijuar Qeveria Haradinaj, pazaret me LS, Radojiqiqin etj por edhe me vet subjektet e individët që janë pjesë e kësaj qeverie, kanë qenë dëshmia e qartë do të jetë Qeveria më e papërgjegjshme dhe më e korruptuar dhe e zhytur në vendime skandaloze e të dëmshme. Si pasojë e mjerimit, degradimit, mungesës së zhvillimit, mungesës së drejtësisë dhe barazisë, qytetarët po e lëshojnë vendin për të kërkuar jetë më të mirë, atë jetë që ia ka vjedhur PANhajnia. Por, ne duhet të krijojmë arsye që ata që janë larguar nga vendi, të kthehen duke ju garantuar siguri, drejtësi, mirëqenie e barazi. Kjo mund të bëhet kur ka vullnet.

“Bota sot”: Si kryetare e Komisionit për Legjislacion, si e vlerësoni punën e ministrit të drejtësisë?

Albulena Haxhiu: Ministria e Drejtësisë ka vite që drejtohet nga PDK, pra së pari Kuçi, pastaj Hoxha e tani Tahiri. Dhe ka vite kur e njëjta mendësi e mbrapsht, është ndjekur pothuajse në secilin vit dhe tani ka një degradim të fushave që mbulon MD. Pra në vazhdimësi janë munduar këtë Ministri ta kthejnë në shërbim të tyre. Siç duket qëllimshëm Ministri aktual ka keqkuptuar në masë të madhe kompetencat e tij. Po keqpërdorë kompetencat e tij, për të vazhduar kapjen e sistemit. Skandali i fundit me rekrutimin e noterêve të rinj është vula e degradimit. Fatkeqësi që Kosova ka në krye të institucioneve njerëz të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat