Hykmete Bajrami: Do të ketë festë dhe fuqizim në fund të zgjedhjeve në LDK si dhe rrëzim të Qeverisë

Intervista

Hykmete Bajrami: Do të ketë festë dhe fuqizim në fund të zgjedhjeve në LDK si dhe rrëzim të Qeverisë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 16 korrik 2019 Në ora: 13:09
Hykmete Bajrami

Qeveria do të rrëzohet së shpejti dhe me vota të deputetëve shqiptarë, por duke mos iu mohuar askujt e drejta e votimit për rrëzimin e saj. Kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetën “Bota sot”, deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami. Ajo ka fajësuar Presidentin dhe Kryeministrin për hapjen e çështjes së kufijve, e cila thotë se u ndalua falë opozitës dhe miqve ndërkombëtarë. Në këtë intervistë, ajo po ashtu ka folur për procesin zgjedhor brenda LDK-së, taksën, derisa ka mohuar lajmin se LDK ka hequr dorë nga posti i kryeministrit, për t’ia lënë atë Lëvizjes Vetëvendosje.

“Bota sot”: Si e vlerësoni gjendjen aktuale politike në vend?

Hykmete Bajrami: Gjendja aktuale është më e keqja që nga paslufta: ka degradim në secilën fushë; janë ndalur komplet njohjet ndërkombëtare për shtetin tonë; nuk kemi arritur që të integrohemi në asnjë organizëm rajonal apo global. Marrëdhëniet tona me Serbinë dhe çështja e dialogut është në pikën e saj me të ulët. Për interesa të Presidentit e fajin e Kryeministrit u hap çështja e kufijve e cila falë opozitës dhe miqve ndërkombëtarë arriti që të stopohet. Imazhi i vendit po përkeqësohet çdo ditë për shkak të skandaleve të kësaj Qeverie të cilat ndodhin në baza ditore e për ketë në çdo ditë po e humbasim edhe mbështetjen e miqve ndërkombëtarë. Prej ditës së parë të Qeverisë së PAN-it nuk ka raport ndërkombëtar në të cilin Kosova s’ka pësuar regres. Kanë rënë investimet e huaja direkte, është rritë papunësia, të rinjtë po ikin nga vendi.

“Bota sot”: Së fundmi u publikua lajmi se Zoran Zaev ka zbuluar planin për ndarjen e Kosovës nga Thaçi, Rama, Vuçiq, Putin dhe Erdogan. Si e komentoni këtë? A mendoni se do të mund të realizohet një plan i tillë?

Hykmete Bajrami: Kryeministri i Maqedonisë në bisedën e publikuar tregoi gjendjen reale në të cilën ndodhet Kosova dhe rajoni dhe ambiciet personale të njerëzve për ta copëtuar Kosovën në favor të ndonjë këmbimi ose shfajësimi për të kaluarën. Por, është opozita, posaçërisht LDK-ja në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, në rastin konkret, Gjermaninë, me të cilën ka stopuar këtë plan të keq për Kosovën. Një plan i tillë do ta zhbënte shtetin e Kosovës, do ta rrezikonte atë që është arritur më 2008 me shpalljen e Pavarësisë dhe konfirmimin e saj në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Dhe, është mirë që dështoi plani për ndarjen e Kosovës edhe nga ekipi antikushtetues, në krye me Fatmir Limajn e Shpend Ahmetin. Ky dhe faktet tjera tregojnë se Ramush Haradinaj s’mund dhe s’po di të udhëheq me shtetin, po largohet nga përgjegjësia edhe e udhëheqjes së dialogut. Prandaj, duhet të realizohet plani dhe kërkesa e LDK-së që vendi të shkojë në zgjedhje, Qeverinë ta udhëheq LDK-ja dhe Kryeministri i ardhshëm të marrë kompetencat edhe në dialog. Ky Kryeministër dhe kjo Qeveri kanë shkelur Kushtetutën dhe duhet të shkojnë në shtëpi.

“Bota sot”: Në ndërkohë që presidenti është i përfshirë në planin për ndarje të Kosovës, këtë e kundërshton kryeministri Haradinaj. Sa i konvenojnë vendit përplasjet mes krerëve të shtetit?

Hykmete Bajrami: Ajo çka i konvenon vendit tonë fragjil është që asnjëherë nga askush të mos hapet tema e ndarjes. Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Deklarata e Pavarësisë, Opinioni i GJND-së dhe pakoja a Ahtisarit e njohin Republikën tonë në kufijtë aktual, të tillë e duan dhe e njohin rreth 2 milionë kosovarë që jetojnë në Kosovë. Fajtorët për këtë gjendje janë dy persona. I pari është Presidenti që ka tentuar ta çojë përpara një plan antikushtetues. Fajtori i dytë është Kryeministri që ka dhënë dorëheqje prej dialogut në momentin kur ka marrë pozitën e shefit të Qeverisë. Çështja e dialogut është detyrë e Kryeministrit por jo e këtij të tanishmit që ka dhënë dorëheqje nga udhëheqja e dialogut. Bisedimet duhet t’i udhëheqë jo Ramush Haradinaj, por, një Kryeministër pas zgjedhjeve të reja, të cilat do t’i fitojë LDK-ja. Sepse e vetmja parti normale, e vetmja parti që sjell normalitet në këtë vend, e vetmja parti që ka vizion për këtë vend, po dëshmohet për çdo ditë se është LDK-ja. Jo partitë tjera që kryejnë edhe veprime kriminale për të ardhur në pushtet, jo partitë tjera që përdorin nëntokën për të marrë udhëheqjen e këtij vendi. LDK dallon prej këtyre partive sepse kërkon besimin te qytetarët, jo te dhuna, jo te nëntoka, jo te krimi, jo te korrupsioni.

“Bota sot”: Vazhdimisht keni qenë kundër qeverisë Haradinaj. A do të rrëzohet qeveria këtë vit apo në cilin muaj pritet të rrëzohet

Hykmete Bajrami: E kam thënë para disa ditësh se rrëzimi i Qeverisë do t’iu ndihmonte edhe partive në pushtet të ndalin keqpërdorimet e skandalet. Sepse Qeveria e Haradinajt është Qeveri e skandaleve. Kjo Qeveri më e madhja në rajon dhe historinë e vendit është Qeveri e keqpërdorimeve të parasë publike, keqpërdorimeve të pozitave zyrtare, e përbërë nga njerëz të akuzuar. Qeveri e cila kërcënon prokuror, e cila e ka ngulfatur sistemin e drejtësisë në vend. Qeveri e cila e degradoi arsimin që në ditët e para të ardhjes në pushtet, e degradoi ekonominë, e zaptoi noterinë më familjarë të politikanëve. Thënë thjeshtë, një ditë jetë e kësaj Qeveria është një vit prapa për vendin tonë. Ramush Haradinaj ia ka humbur edhe vlerën skandalit sepse për çdo ditë bën një skandal të ri që mbulon të vjetrin. Dhe, rrëzimi i kësaj Qeverie, besoj është çështje javësh, pasi opozita si kurrë më parë do të vazhdojë koordinimin edhe me deputetë të pushtetit, për ta ndalur këtë degradim.

“Bota sot”: A doni të pranoni votat e Listës Serbe për rrëzimin e Qeverisë, derisa me to ishte rrëzuar edhe Qeveria Mustafa?

Hykmete Bajrami: Kjo Qeveri ka ardhur në pushtet me votat e Listës serbe. Lista Serbe ka më shumë pushtet me PAN-in se me çdo Qeveri. Ne do të synojmë rrëzimin e kësaj Qeverie me votat e deputetëve shqiptarë dhe kjo do të ndodhë. Por, askujt s’kemi të drejtë t’ia ndalojmë votimin e rrëzimit të kësaj Qeverie.

“Bota sot”: Në media është raportuar se LDK ka hequr dorë nga posti i kryeministrit për t'ia dhënë VV-së, cila është e vërteta? A është LDK e gatshme të udhëheqë me vendin?

Hykmete Bajrami: Ky është vetëm spekulim i argatëve të pushtetit. LDK dhe VV të vetmen çështje që po e bisedojnë është rrëzimi i kësaj Qeverie. LDK sipas të gjitha sondazheve, numrit të deputetëve në Kuvend dhe zgjedhjeve të fundit lokale është partia e parë. Nëse populli dëshiron që të udhëhiqet nga LDK, LDK nuk ka asnjë arsye që ta deformojë vullnetin e tij. Kryeministri i ardhshëm do të jetë i LDK-së pa asnjë dyshim sepse LDK do të jetë e para.

“Bota sot”: Si po shkon procesi zgjedhor brenda LDK-së?

Hykmete Bajrami: Jemi në përmbyllje të procesit, së shpejti Kryesia e Partisë do ta caktojë datën e Kuvendit Zgjedhor, ka pasur disa probleme në disa nëndegë, por në fund secila degë ka arritur që procesin ta përmbyllë me sukses. Në mandatin e ardhshëm do të punohet në regjistrimin e anëtarësisë dhe nuk do të ketë më probleme të tilla.

“Bota sot”: Kë e mbështesni ju për kryetar të partisë?

Bajrami: Kandidaturat shpallen ne Kuvend, në ketë moment ende nuk e dimë se kush saktësisht do të konkurrojë. Por, e rëndësishme është që në fund të këtij procesi të dalim edhe më të bashkuar. Sepse ne në LDK kundërshtar e kemi këtë pushtet. Secili që pret diçka jo të mirë në fund të zgjedhjeve në LDK do të zhgënjehet. Sepse në fund, do të ketë festë, fuqizim të LDK-së dhe rrëzim të Qeverisë.

“Bota sot”: Flasim pak për taksën. A mendoni se i ka humbur efekti dhe si e shihni atë nga këndi i ish ministres se MTI-së?

Hykmete Bajrami: Kjo Qeveri nuk ka bërë asgjë deri me tani për të ndihmuar zhvillimin e sektorit privat. Taksa ka qenë masë politike në raport me Serbinë, nuk është ndërmarrë për të ju ndihmuar bizneseve. Në muajt e parë natyrisht ka ndikuar në rritjen e kërkesës për produkte vendore por kjo ka zgjatur vetëm derisa tregtarët kanë gjetur furnitorë të tjerë.

Tani Presidenti ka ratifikuar edhe Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Turqinë e cila pritet ta zë krejt hapësirën e lirë tregtare në vend dhe do t’i vë në presion të madh të gjithë prodhuesit vendorë. Ne jemi vend i ekonomisë së tregut, por liberalizimi i tregut duhet të bëhet paralelisht me fuqizimin e sektorit privat. Ndërkohë që Kosova e ka liberalizuar krejt tregun, PAN-i nuk ka bërë asgjë për sektorin privat përpos keqpërdorimit të taksave të bizneseve që ato i paguajnë shtetit.

“Bota sot”: Liberalizimi i vizave nuk po ndodhë prej vitesh. Kush është fajtori për këtë?

Hykmete Bajrami: Unë di një gjë; në kohën kur Haradinaj hidhte gaz lotsjellës në Kuvend, në emër të Kullës e Çakorrit sikur të ishte votuar demarkacioni me Malin e Zi, Kosova do ta kishte liberalizimin e vizave. Ramushi erdhi në pushtet, e harroi edhe Kullën edhe Çakorrin, e votoi demarkacionin por situata në BE dhe në vendet anëtare të BE-së ndryshoi, kështuqë fajtorin e dinë krejt. Tash me ketë Qeveri jo vetëm BE-ja është skeptike por skepticizmi ka kapluar secilin qytetar të vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat