Zgjedhjet opsioni më legjitim, Kosova nuk sheh ditë të mira, pa shkuar PAN në opozitë - Bota Sot
Zgjedhjet opsioni më legjitim, Kosova nuk sheh ditë të mira, pa shkuar PAN në opozitë

Intervista

Zgjedhjet opsioni më legjitim, Kosova nuk sheh ditë të mira, pa shkuar PAN në opozitë

Valon Rogova Nga Valon Rogova Më 23 korrik 2019 Në ora: 08:34
Korab Sejdiu

Deputeti i  pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, në një intervistë ekskluzive për Bota sot, ka thënë se Kosova është në pozitën më të keqe që prej shpalljes së pavarësisë së saj, në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar.

Sipas tij, do të duhen shumë përpjekje për të rimëkëmbur dëmet e shkaktuara nga Qeveria PAN.

Ai ka potencuar se në mungesë të një Qeverie, duhet të vazhdojnë insistimet dhe përgatitjet për zgjedhje, të cilat shpresojmë do ta nxjerrin një qeveri legjitime që pastaj edhe mund të vazhdojë dialogun me Serbinë.

“Bota sot”: Si do ta përshkruanit qeverisjen e koalicionit PAN gjatë mandatit të saj qeverisës?

Korab Sejdiu: Jam deklaruar edhe më parë lidhur me këtë qeverisje të PAN. Kosova sot është në pozitën më të keqe që ka qenë që nga shpallja e pavarësisë, si në rrafshin e brendshëm ashtu edhe atë ndërkombëtar. Dhe kjo falë skandaleve dhe keqqeverisjes veçanërisht në dy vitet e fundit. Do të duhen shumë përpjekje dhe kohë që qeveritë e ardhshme të riparojnë dëmet e shkaktuara nga Qeveria PAN. Por pasë parasysh zhvillimet gjeopolitike, dhashtë Zoti që ato të mund të riparohen.

“Bota sot”: Ramush Haradinaj, dha dorëheqje për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale. Ju, si do ta komentonit këtë situatë?

Korab Sejdiu: Kanë ekzistuar 1,000,000 arsye pse Ramush Haradinaj është dashtë të jep dorëheqje nga pozita e Kryeministrit, por askush nuk ka dashtë që kjo dorëheqje të vie për arsye të ftesës nga Dhomat e Specializuara. Asnjë shqiptar nuk mund t’i gëzohet ftesave nga Gjykata Speciale për dikë. Kjo Gjykatë është rrënjësisht e padrejtë – por është një realitet i pakthyeshëm të cilin e krijuam edhe ne dhe me të cilin realitet tani duhet të përpjekemi denjësisht. Ish-KM Ramush Haradinaj i uroj sukses në ballafaqim me këtë padrejtësi. Lufta e popullit të Kosovës është dëshmuar dhe do të dëshmohet sërish se ka qenë e drejtë dhe e pastër.

“Bota sot”: Grupi Negociator u shpallë i jashtëligjshëm nga Gjykata Kushtetuese. Cili ka qenë qëndrimi juaj për këtë vendim të Gjykatës?

Korab Sejdiu: Në fakt, u shpall antikushtetues. Dhe ky aktgjykim është në përputhje të plotë me atë që kam deklaruar që nga kalimi klandestin i ligjit në fjalë, dhe themelimit të “delegacionit shtetëror”. Pra, në këtë rast, Gjykata vendosi ashtu edhe si kemi pritur, si dhe në përputhje të plotë me obligimet kushtetuese që ka.

“Bota sot”: Hashim Thaçi, duket se e ka lënë anash për ca kohë idenë e tij për shkëmbim territoresh me Serbinë. A ka vdekur kjo ide sipas jush apo rrezikon që të ndodh në një të ardhme të afërt?

Korab Sejdiu: Ideja e Thaçit dhe Vuqiçit për ndarjen e Kosovës ka marrë një goditje të rëndë kohëve të fundit, falë diligjencës së opozitës në Kosovë dhe miqve ndërkombëtar që ka Kosova. Mirëpo, duhet të kemi kujdes të shtuar sepse nuk mund të themi se kjo ide është e vdekur në tërësi, për aq kohë sa Presidenti mbetet në postin e tij dhe vazhdon me përpjekjet e tij për mbijetesë personale dhe politike.

“Bota sot”: Në anën tjetër, ai ka kërkuar vazhdimin e dialogut pavarësisht “ngërçit” të krijuar pas dorëheqjes së Haradinajt, si e keni parë ju këtë tendencë?

Korab Sejdiu: Dialogu nuk mund të vazhdojë pa Qeveri, pasi që edhe Gjykata Kushtetuese u deklarua se Kushtetuta e vendit kërkon që me këtë çështje të merret Qeveria, respektivisht Kryeministri. Prapë po them, se duhet të kemi kujdes të shtuar gjatë këtij vakuumi qeveritar, dhe të mos lejojmë në asnjë mënyrë që ta përdorë Presidenti si pretekst për tu rikthyer në skenën e dialogut. Kemi përgjegjësi të gjithë që të mos e lejojmë një gjë të tillë që të ndodhë. Duhet t’i bëhet e qartë atij, veçanërisht pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, se ai nuk ka vend në dialog. Po ashtu, në mungesë të një Qeverie, duhet të vazhdojmë insistimet dhe përgatitjet për zgjedhje, të cilat shpresojmë do ta nxjerrin një qeveri legjitime që pastaj edhe mund të vazhdojë dialogun me Serbinë.

“Bota sot”: A shkon vendi në zgjedhje të reja pas dorëheqjes së Haradinajt, apo ka opsione të tjera siç është zëvendësimi i kryeministrit, gjë e cila ka filluar të përmendet mjaft aktualisht?

Korab Sejdiu: E vërteta është se ekzistojnë mundësi kushtetuese që të mos shkohet në zgjedhje. Mirëpo, pavarësisht mundësive të tjera kushtetuese, opsioni i vetëm që mbetet legjitim në rrethanat e krijuara është shkuarja në zgjedhje. Vetëm shpresoj që të mos kemi ndonjë lojë politike ku krijohet ndonjë krizë institucionale, ku nuk themelohet ndonjë Qeveri e re, por edhe nuk shpërbëhet Kuvendit me 2/3 e deputetëve, duke krijuar ndonjë ngërç edhe më të madh institucional, i cili pastaj mund të keqpërdorët nga forcat e errëta të skenës sonë politike.

“Bota sot”: Aktualisht po ashtu po përmenden edhe koalicionet e mundshme për qeverisjen e ardhshme të vendit, sipas jush cila do të duhej të ishte ajo qeveria “ideale” që aq shumë po kërkohet?

Korab Sejdiu: Kosova duhet të ecë përpara pa humbur kohë. Mendimi i im personal është se kjo arrihet me krijimin e menjëhershëm të koalicionit parazgjedhor në mes të LDK dhe VV, që do të garonte me prioritete, kabinet dhe program qeveritar të identifikuara qartë dhe paraprakisht për qytetarët. Ky bllok politik do të garantonte ndër të tjera një shumicë stabile shqiptare në Kuvend, themelimin e shpejtë të qeverisë së ardhshme, si dhe shpëtim për Kosovën nga errësira në të cilën gjendet aktualisht. Çdo opsion tjetër krijon rrethana të cilat janë ambient i përshtatshëm për vazhdim të gjendjes aktuale, vonesa, bllokada, pazare, e veprime të tjera të dëmshme për vendin dhe qytetarët. Kosova nuk do të sheh ditë të mira, pa shkuar PAN në opozitë së paku nja dy mandate!

“Bota sot”: Sa është unik Grupi parlamentar i LDK-së për një koalicion me Vetëvendosjen?

Korab Sejdiu: Unë nuk jam kompetent të flas në emër të grupit tonë parlamentar, dhe ju udhëzoj që për këtë çështje të kontaktoni shefin e grupit tonë paralamentar.

 “Bota sot”: Cila do të jetë e ardhmja juaj politike?

Korab Sejdiu: Unë do të vazhdoj të kontribuoj për fuqizimin e Kosovës dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të vendit. Nëse veq përfundon mandati i kësaj legjislature dhe shkojmë në zgjedhje, unë shumë shpejt do të vendosi se në cilin format do ta jepi këtë kontribut.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...