Ragmi Mustafa: Nuk takoj asnjë politikan në Kosovë e Shqipëri, nëse ai takim nuk sjell dobi për shqiptarët e Kosovës Lindore

Intervista

Ragmi Mustafa: Nuk takoj asnjë politikan në Kosovë e Shqipëri, nëse ai takim nuk sjell dobi për shqiptarët e Kosovës Lindore

Nga: Kushtrim Maliqi Më: 28 korrik 2019 Në ora: 08:28
Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve, Ragmi Mustafa, gazetari Kushtrim Maliqi

Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve, Ragmi Mustafa ka folur për disa çështje kruciale në tri Komunat shqiptare në Serbi. Ai ka folur për atë se sa po arrin KNSH të realizojë rrolin e saj unifikues të faktorit politik shqiptarë në tri komuna. Gjithashtu ka folur edhe për marrëdhëniet me qeverinë si atë të Republikës së Shqipërisë ashtu edhe të Kosovës.

“Bota sot”: Si e vlerësoni situatën aktuale politike në Luginën e Preshevës?

Ragmi Mustafa: Një gjë të cilën mund ta konstatojmë, është ajo se gjendja e shqiptarëve në këtë kohë, sigurisht se është më e rënduar se që ka qenë në të kaluarën.

Sot, diskriminimi është shumë me perfid se që ka qenë në të kaluarën, kjo e krijon një situatë diskriminuese karshi shqiptarëve.

Tashmë është institucionalizuar gjuha e urrejtjes, antishqiptare, albano-fobe përmes përfaqësuesve më të lartë të Serbisë.

Serbia përmes figurave të saj në pushtet, karshi shqiptarëve përdorë gjuhë pezhorative, e kjo tregon për qasjen e Qeverisë së Serbisë ndaj shqiptarëve, pasur parasysh se asnjë ministër tjetër apo anëtarë i qeverisë serbe, nuk është distancuar nga deklaratat e Ministrit Vulin, të cilat ai i kishte përdorur për shqiptarët.

Me 14 korrik të vitit të kaluar, shqiptarët kanë aprovuar deklaratën politike me të cilën kanë kërkuar që çështje e Luginës së Preshevës të përfshihet në dialog Kosovë-Serbi, krahas kësaj përfshirje të gjendet një zgjidhje, zgjidhje kjo e cila gjen mbështetje në dokumentet që kanë aprovuar shqiptarët në të kaluar, theks të veçantë ka referendumi i vitit 1992, e që ka të bëjë me shprehjen e vullnetit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkëngjitje me Republikën e Kosovës.

Ajo që tash për tash është shumë e rëndësishme, ka një fluks të diasporës, do të doja ti falënderoja pasi që vazhdon ta mbështes me mjetet (remitencat) që sjellin në vendlindje, janë të pa zëvendësueshme, dhe të domosdoshme për familjarët e tyre këtu.

Zgjedhjet për Komunën e Medvegjës janë shpallur, ajo që është një përshtypje fillestare, faktori politik serb në Medvegjë është unifikuar dhe mobilizuar jashtëzakonisht shumë, neve na mbetet një punë e madhe dhe një angazhim i të gjithëve që të bashkëpunojmë dhe ti bashkërendojmë veprimet që të formulojmë një qasje të përbashkët, është e rëndësishme pasi që përmes pasivizimit, po u mohohet atyre edhe e drejta civile, rrjedhimisht edhe e drejta për të votuar, kohëve të fundit kemi një trend të fshirjes të personave nga listat zgjedhore, me ç’rast nuk mundesh as të zgjedhësh, e as të jesh i zgjedhur.

Kemi vazhdimësi të prezencës së forcave speciale të xhandarmerisë, kjo gjendje është e pa-tolerueshme, pasi që jep sinjale për ndërkombëtarët ose investitorët, duke iu paraqitur një pasqyrë të një territori post-konfliktual dhe të pa-sigurt për investime apo zhvillim biznesesh. Ajo që besoj dhe që jam thellë i bindur, ka indikatorë që e japin këtë si fakt, që jemi skajshmërisht të diskriminuar, si në pengesat dhe vështirësitë në realizimin e drejtave individuale dhe kolektive edhe atë si përfaqësim, arsim, tekste, diploma, punësim, ekonomi, si dhe mori problemesh tjera.

“Bota sot”: Sa po arrin që Këshilli Nacional I Shqiptarëve në Serbi të luaj rrolin e saj unifikues për faktorin politik shqiptarë në këto vendbanime me shqiptarë?

Ragmi Mustafa: Edhe për shkak të diskriminimit, por sigurisht edhe për shkak të mos-unitetit të faktorit politik shqiptarë, sot, numrin e anëtarëve në këtë këshill e kemi tejet të vogël. Unë besoj që në çështje kruciale, shqiptarët janë unik, kemi shumë argumente që mbështesin këtë që po e them,. Pra, filluar nga platforma politike e vitit 2006 e deri në deklaratën politike 2018, ku kanë marrë pjesë të gjithë përfaqësuesit politik në Luginën e Preshevës, pavarësisht që është organizim joformal, prapë e ka rëndësinë e vetë. Ka deformim në prezantim të kërkesës, varësisht prej mënyrës së si më pas politikanët shprehen, qesin disa kushte, ide apo ku e di unë, megjithatë, esencialisht pavarësisht të gjithave në fund të ditës, për çështje jetike kemi qenë unik. Kjo është përparësi. Ka një “luftë” të madhe politike mes vete, etiketime e fyerje të ndërsjella për të cilat duhet të punojmë të tejkalojmë, por prapë, unë mendoj që nuk duhet të kemi politikë moniste, duhet të kemi politikë të hapur me ide të hapura dhe të pranueshme.

Unë nuk besoj në politikë të skandaleve, sepse në përmbajtje asgjë të mirë për qytetarët, thjeshtë ofrojnë spektakël. Më 4 Janar kam marrë iniciativë me faktorin politik shqiptarë, e kam ftuar edhe kryetarin e Komunës së Preshevës, i jemi drejtuar zonjës Mogherini, Komisionit Evropian, i jemi drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës, ku kërkonim që më 8 janar të prezantohemi në bisedime, por i pari i Komunës së Preshevës, kishte refuzuar, pse, qysh e tek, unë nuk e di, por është çështja e tij. Ka pasur edhe iniciativa tjera, por unë kam konsideruar që është e padrejtë refuzimin nga ai qoftë edhe rastin e mospjesëmarrjes për seancën e fundit të Kuvendit i Shqiptarëve të Luginën e Preshevës vitin e kaluar që përfaqëson të gjitha subjektet politike.

Kemi një disproporcionalitet të kontributit të kontributit të Komunave të Preshevës dhe Bujanocit, për Këshillin Nacional Shqiptarë, pasi që Komuna e Preshevës nuk i ka përmbush as ato që janë premtuar, ndërkohë që Komuna e Bujanocit për dallim prej asaj të Preshevës, e ka përmbushur më shumë se asaj që kanë premtuar, pavarësisht se dihet botërisht se shqiptarët janë më shumë të koncentruar në Preshevë.

“Bota sot”: Kemi parë një aktivitet të shtuar kohët e fundit të KNSH-së, në raport me Republikën si të Kosovës ashtu edhe të Shqipërisë. Çfarë në të vërtet keni punuar?

Ragmi Mustafa: Ajo që ne kemi dashur të bëjmë dhe që shpresojmë që ta bëjmë e t`ia dalim, është që të unifikojmë zërin e Luginës së Preshevës, karshi kërkesave ndaj Kosovës por edhe ndaj Shqipërisë, si bazë për të funksionuar në të ardhmen. Në parim, ne e ndjekim një gjë, ne nuk bëjmë fotografi e gjëra të tjera për të bërë aparencë, por punë të cilat kontribuojnë për të mirën e qytetarëve. I qasemi në mënyrë strategjike çdo problemi, kemi theksu nevojën e involvimit të drejtpërdrejt të Republikës së Shqipërisë, kemi ndërtuar raporte të shkëlqyera me ministrin Gent Cakaj si dhe ministren Besa Shahini për sa i përket teksteve në gjuhën shqipe. Unë besoj se kjo qasje nga ana e kabinetit Rama është e duhura, duhet të vazhdojmë në këtë ritëm, të realizojmë projekte, duke krijuar një bazë të mjaftueshme të fondeve për të kontribuar në lidhjen e urave dhe zhvillimit të jetës normalisht në këto tri Komuna.

Është shumë e rëndësishme që këto marrëdhënie të mos ndërtohen sa për aparancë, çdo figure apo ministri i them me fillim se nuk janë i interesuar t`iu takoj nëse nuk kryejmë punë që u shërben qytetarëve. Pra kanë qenë këto, mënyra e financimit të KNSH si dhe çështja e teksteve mësimore. Kemi edhe tema tjera, të cilat do ti trajtojmë edhe me ministrat tjerë, në të ardhmen në kuadër të një platforme sistematike.

Njëjtë kemi vepruar edhe me Republikën e Kosovës, me ministrin e arsimit kemi biseduar për kuotat e studentëve ku më ka premtuar se do ti rrisë deri në 2 apo 3 %, shpresoj që do ta mbajë fjalën. Këshilli dita ditës po e merr rrolin e saj, po nxjerr dokumente të rëndësishme për shqiptarët, po mundohemi të jemi gardian të çështjes shqiptare, kemi reaguar vazhdimisht në raste kur janë cenuar të drejtat e shqiptarëve në tërë Serbinë, kemi kërkuar të ndërpritet albanofobia si gjuhë e urrejtjes por edhe si ndërmarrje sistematike kundër shqiptarëve në përgjithësi, kjo tregon vetëm një qasje fashiste kundër shqiptarëve dhe që duhet të ndryshohet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat