Sejdiu: Jam i gatshëm ta marr përgjegjësinë e liderit të LDK’së

Intervista

Sejdiu: Jam i gatshëm ta marr përgjegjësinë e liderit të LDK’së

Më: 28 korrik 2019 Në ora: 14:54
Fatmir Sejdiu

Ish-presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, i ka renditur tri arsye pse ka vendosur t’i hyjë garës për Kryetar të LDK’së. Ka thënë se Lidhja Demokratike s’duhet të sillet më në mënyrë inerte përballë zhvillimeve politike. Ka thënë se LDK’së i duhet një ristrukturim i mirëfilltë i vetvetes. Ka thënë se pastaj partia duhet ta japë një ofertë programore.

Sejdiu ka thënë se është i gatshëm ta marrë udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Por ka thënë se gjithçka do të zyrtarizohet në Kuvend.

“Siç kam thënë disa herë, unë e kam shprehur gatishmërinë time që ta marr përgjegjësinë e udhëheqjes së LDK-së”, ka thënë Sejdiu në një intervistë.

“Deri në ditën e mbajtjes së kuvendit, unë do t’i analizoj të gjitha rrethanat lidhur me kandidaturën time. Ato, siç edhe është rregulli, paraqiten në kuvend”, ka shtuar ai.

Cili është vlerësimi juaj për krejt procesin zgjedhor dhe për datën 3 gusht si ditën kur do të votohet për Kryetarin e LDK’së? 

Fatmir Sejdiu: Për aq sa e kam përcjellë, interesimi i anëtarësisë së LDK-së për të marrë pjesë në këtë proces ka qenë i madh. Është vërejtur se diku-diku edhe nuk u është krijuar mundësia e pjesëmarrjes së të gjithë të interesuarve, prandaj kjo e ka pamundësuar edhe shprehjen e vullnetit të tyre për të qenë pjesëmarrës aktivë në këtë proces, pra për ta realizuar të drejtën e tyre për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Kam përshtypjen se është harxhuar energji e madhe sidomos në orientimin se kush do të zgjidhet së fundi kryetar i LDK-së dhe se për këtë qëllim kush do të delegohet deri në Kuvendin e përgjithshëm për të dhënë atë verdikt final, pra zgjedhjen e kreut të LDK-së. Mendoj se përgjithësisht ka munguar debati dhe analiza e nevojshme për punën e bërë, të mirat dhe të metat e saj gjatë katër vjetëshit të kapërcyer dhe më e rëndësishmja për perspektivën që na pret.  

Disa zyrtarë të LDK’së kanë kërkuar nga ju që të kandidoni për Kryetar të Partisë. Cili është qëndrimi juaj për 3 gusht –  do të jeni në garë për Kryetar të LDK’së? 

Po është e vërtetë se ka kërkesa të shumta edhe nga njerëz në struktura, pra të zgjedhur në pozita të rëndësishme në nivel degësh, por njëkohësisht ka kërkesa të shumta nga anëtarësia e gjerë dhe qytetarët mbështetës e simpatizantë të LDK-së. Ndihem i nderuar për konsideratat e shprehura nga ta, si dhe besimin që kanë ndaj meje. Pavarësisht disa zhvillimeve  që kanë ndodhur në disa vitet e fundit,  për të cilat nuk dua të flas, unë asnjëherë nuk kam shkëputur komunikimet me anëtarësinë e LDK-së dhe po kështu  me njerëz nga strukturat e LDK-së të niveleve të ndryshme.

Siç e kam thënë disa herë, unë kam shprehur gatishmërinë time që të marrë përgjegjësinë e udhëheqjes së LDK-së. Konsideroj se e njoh në thellësi dhe shumë mirë gjithë zhvillimin dhe dellin e veprimtarisë së saj reale tash e tridhjetë vjet, që duhet të vihet në funksion të zhvillimit dhe të perspektives së mëtejme të LDK-së dhe të Kosovës. Nuk kam kursyer gjithë qenien time për realizimin e projektit të LDK-së për lirinë e vendit dhe ndërtimin e Kosovës së pavarur e sovrane si shtet i demokracisë moderne. Deri në ditën e mbajtjes së Kuvendit unë do të analizoj të gjitha rrethanat lidhur me kandidaturën time. Ato, siç edhe është rregulli, paraqiten në Kuvend. Të shohim.

Pse duhet të jeni prapë Kryetar i LDK’së?

Fatmir Sejdiu: Janë shumë faktorë që kam parasysh dhe që nxisin për shprehje të gatishmërisë.  Së pari, siç e kam thënë disa herë, gjendja në LDK  karshi situatës së përgjithshme në të cilën gjendet vendi e që është jashtëzakonisht sfiduese, është jo krejt adapte, posaçërisht duke ditur mundësitë reale që ajo i ka. LDK tash e disa vite jo rrallë është sjellur në mënyrë inerte dhe jashtë interesimit që të jetë promotore e zhvillimeve kualitative, pavarësisht nëse ka qenë pozitë, apo opozitë. Vlerësoj se qasjet e tilla nuk janë të dobishme për LDK-në dhe për vendin. Është koha që të ndërrohen këto praktika dhe me një lidership të guximshëm të zhvillohen politika të daljes nga situata në të cilën gjendet vendi. LDK-ja nuk mund të sillet se nuk po ndodhë asgjë në vendin tonë, i cili fatkeqësisht po përjeton një kohë shumë të vështirë. Më e vështira pas nëtëdhjetëenëntëshit. Këtu veçanërisht duhet të kihen parasysh edhe marrëdhëniet me miqtë e përhershëm të saj, vendet që i kemi pasur krah nesh si popull në kohët e liga që  kemi përjetuar.

Së dyti, LDK –ja ka nevojë në ristrukturim të mirëfilltë të vetvetes me një serë reformash, që duhet të nisin që nga regjistrimi i anëtarësisë së saj reale, me  kujdesin e posaçëm që duhet kushtuar ripërtërirjes së natyrshme të saj me gjeneratën e re, si dhe ndërlidhjes midis brezave, për të realiziuar edhe një tranzicion normal në proceset e marrjes së përgjegjësive. Kjo nënkupton edhe rishikimin e Statutit të saj, i cili fatkeqësisht përmban një sërë dispozitash jo edhe krejt demokratike.
Së treti, LDK-ja duhet të japë ofertë të re programore, ofertë kjo që do t’u përgjigjet kërkesave të kohës duke u mbështetur në tabanin e saj historik, të zhvilluar mbi parimet për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës që synon integrimin e shpejtë dhe të plotë euroatlantik.

Pati karrige në disa kuvende të LDK’së nëpër degë sidomos në Mitrovicë, Vushtrri e Prishtinë. Pse  ishin këto skena dhe sa e kanë dëmtuar partinë këto zhvillime? 

Fatmir Sejdiu: Është raportuar për disa zhvillime e skena të tilla. Nuk gjej ndonjë arsye tjetër, përveç interesimit të madh për procesin dhe pamundësitë, e ndoshta edhe në ndonjë vend mosdashjes së krijimit të “hapësirës së bollshme demokratike”. E kam vërejtur se ka pasur aty këtu edhe interesime përtej rregullave, të individëve të caktuar që të imponojnë zgjedhjen e të preferuarve të tyre. Dua të shpresoj se Kuvendi i Përgjithshëm do të zhvillohet si duhet.

Kryetari në largim e ndoshta edhe në ardhje i LDK’së, Isa Mustafa ka shënuar vetëm humbje të zgjedhjeve prej se ka marrë LDK’në. Ka humbur tri palë zgjedhje nacionale, e ka humbur Prishtinën, e rrëzuan prej Qeverisë. Ka mundësi që i njëjti prapë të jetë në krye të Partisë?

Fatmir Sejdiu: Nuk do të mirrem me emra të përveçëm, pra as me kreun e tanishëm të Partisë. Dua të besoj se delegatët e Kuvendit do të kenë parasysh tiparet dhe potencialet e përgjithshme që kanë konkurentët eventual dhe mbi këto premisa të vendosin në përputhje me interesin e LDK-së dhe të Kosovës për lidershipin e ardhshëm, duke qenë se LDK po zgjedhë lidership që do të vihet në ballë të sfidave të mëdha që ka vendi./Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat