Gaxherri: Koalicionet duhet të bëhen pas zgjedhjeve, LDK ka mbështetje të fuqishme për të dalë e para

Intervista

Gaxherri: Koalicionet duhet të bëhen pas zgjedhjeve, LDK ka mbështetje të fuqishme për të dalë e para

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 30 korrik 2019 Në ora: 20:04
Besa Gaxherri

Ramush Haradinaj mori shkas nga ftesa e Gjykatës Speciale për të dhënë dorëheqje, por që duke e ditur se opozita ishte në proces e sipër të përgatitjes së mocionit për rrëzimin e qeverisë, ai u mundua të përfitojë politikisht dhe t’i ik shkarkimit. Kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetën “Bota sot”, deputetja nga radhët e LDK-së, Besa Gaxherri, duke shtuar se zgjedhjet janë alternativa e vetme, sado që presidenti mundohet t’i ik procesit. Sa i përket zgjedhjeve, ajo ka thënë se LDK është e gatshme dhe se do të shkojë e vetme në zgjedhje. Ndërsa, sa i përket kuvendit zgjedhor të LDK-së, ajo ka thënë se kushdo që të zgjidhet do të jetë i pranueshëm dhe do vazhdojnë tutje.

“Bota sot”: Së fundmi Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale. Mendoni se ishte vetëm kjo arsyeja?

Besa Gaxherri: Zotëri Haradinaj, mori shkas nga ftesa e Gjykatës Speciale për të dhënë dorëheqje por siç dihet për të gjithë opinionin, përveç se opozita ishte në proces e sipër duke përgatitur mocionin për shkarkimin e qeverisë edhe koalicioni PAN nuk funksiononte, mazhoranca pakicën në Kuvendin e Kosovës nuk kishte kuorum as për të filluar seancën pa opozitën, janë afër 70 pika të rendit të ditës të filluara e të pa përfunduara për shkak të mungesës së numrit të deputetëve të mazhorancës.

Kuvendi me muaj të tërë është mbledhur vetëm për seanca të jashtëzakonshme apo urgjente nga opozita, shtuar kësaj përplasjet e përfaqësuesve institucional pra presidenti dhe krye kuvendari kundër kryeministrit. Si dhe presioni i faktorit ndërkombëtar, zt. Haradinaj shfrytëzoi rastin nga ftesa që ju bë nga Gjykata Speciale si i dyshuar dhe dha dorëheqje. Mendoj se me këtë akt ai u mundua të përfitojë politikisht dhe t’i ik shkarkimit.

“Bota sot”: Pas dorëheqjes së Haradinajt opozita po kërkon zgjedhje, ndërsa që presidenti Thaçi ende nuk është deklaruar për këtë çështje?

Besa Gaxherri:Pas kësaj dorëheqje zgjedhjet nacionale janë alternativa e vetme, sado që presidenti dhe PDK mundohen t’i ikin këtij procesi.

“Bota sot”: Presidenti ka thirrur takim me partitë për të diskutuar për gjendjen aktuale politike në vend. A do t’i përgjigjeni ftesës dhe çka prisni nga ky takim?

Besa Gaxherri:Tashmë është e ditur dhe e vërtetuar se presidenti i vendit është larg përmbushjes së obligimeve të tij Kushtetuese për t’i unifikuar partitë, ai nuk gëzon kredibilitet e as besim tek partitë politike në vend, prandaj veprimet e tij janë jashtë interesimit të LDK-së.

“Bota sot”: A është LDK e gatshme nëse mbahen zgjedhjet në shtator?

Besa Gaxherri:LDK është në fund të procesit zgjedhor brenda partisë dhe pas përfundimit të kuvendit zgjedhor që do mbahet në fillim të muajit gusht do jetë e gatshme dhe shumë e përgatitur për zgjedhje kurdo që vendoset për t’i mbajtur ato.

“Bota sot”: Sipas jush, më mirë të shkoni në zgjedhje si parti e vetme apo në koalicion parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje?

Besa Gaxherri:Unë mendoj dhe besoj se këshilli i përgjithshëm do vendos që LDK të shkojë e vetme në zgjedhje, koalicionet duhet të bëhen pas zgjedhjeve, LDK ka kapacitete dhe mbështetje të fuqishme për të dalë subjekti i parë politik në këto zgjedhje dhe për të qeverisë vendin për mandatin e ardhshëm.

“Bota sot”: Së shpejti do të mbahet de Kuvendi Zgjedhor i LDK-së. Kë mbështesni ju për kryetar të partisë?

Besa Gaxherri:LDK është subjekti politik më i etabluar tashmë në Republikën e Kosovës, ka 30 vite përvojë në zhvillimin e demokracisë dhe shtet ndërtimit, fatbardhësisht në këtë subjekt politik ka mjaft intelektual e politikanë me përvojë që ta udhëheqin këtë parti. Statuti i LDK-së saktëson se kandidaturat shpallen në kuvend dhe kështu do të jetë. Për mua cilido që të fitojë shumicën e votave do jetë i pranueshëm dhe do vazhdojmë tutje.

“Bota sot”: Flasim pak për vizat. Liberalizimi ende nuk ka ndodhur, pavarësisht deklarimeve dhe afateve kohore që janë dhënë. Kush mendoni se është fajtori?

Besa Gaxherri: Qeveria në shkuarje ka shumë premtime te pa përmbushura një ndër to është edhe liberalizimi i vizave. Siç jemi të gjithë dëshmitarë kjo qeveri ka degraduar shumë sa i përket luftës se korrupsionit dhe krimit të organizuar, drejtësia në vend është në stadin e pa pranueshëm, cilësia e arsimit tejet e dobët, shërbimet shëndetësore shumë keq, prandaj mendoj se BE ka pasur arsye të ankohet por procesit të liberalizimit i kanë borxh edhe institucionet e BE-së.

BE, këtë vit ka pasur zgjedhjet dhe ka arsyetuar në një formë veten për vonesë dhe burokraci të pa kuptueshme ndaj këtij procesi në raport me popullin e Kosovës, Kosova i ka përmbush kriteret e kërkuara për liberalizim gjithmonë me kontributin e opozitës aktuale, andaj ky proces duhet të përmbyllet sa më shpejt pa asnjë kompromis tjetër.

“Bota sot”: Sa keni shpresë që Gjykata Speciale do t’i zbardhë vrasjet e zyrtarëve të LDK-së?

Besa Gaxherri: LDK, është parti institucionaliste dhe këto vrasje kërkon që të zbardhen përmes drejtësisë dhe vetëm drejtësisë. Është e pa pranueshme që tashmë kanë kaluar 20 vite dhe për këta zyrtarë, ushtarakë, patriotë e intelektualë nuk ka drejtësi. Një gjë duhet ta dimë të gjithë se pa zbardhjen e këtyre vrasjeve shtetësia e Kosovës do të jetë gjithmonë e dyshimtë, ne duhet të japim shembull se në këtë vend ka siguri dhe drejtësi për të gjithë, se në këtë vend respektohen vlerat dhe kush guxon t’i prek ato do të dënohet. Presim zbardhje të këtyre vrasjeve dhe deri sa të zbardhen kurrë nuk do të ndalemi.

“Bota sot”: Taksa ka ndikuar negativisht në ekonominë e Serbisë, ndërsa në anën tjetër SHBA kërkon heqjen e saj. A mendoni se duhet të hiqet apo të qëndrojë në fuqi taksa?

Besa Gaxherri:Taksa është veprim i qëlluar në raport me Serbinë në aspektin politik, ne kemi kërkesë nga SHBA për ta rishikuar këtë vendim, duhet të negociohet me SHBA dhe ky veprim i taksës mund të zëvendësohet me ndonjë veprim tjetër por Serbia duhet ta pranojë sovranitetin e Kosovës.

“Bota sot”: Cila është zgjidhja sipas jush për dialogun me Serbinë që është pezulluar prej kohësh?

Besa Gaxherri:Dialogu me Serbinë nuk mund të vazhdojë si deri tani, as me strategjinë e veprimit të deri tanishëm e as me njerëzit e njëjtë të cilët i kanë humbur kredibilitetin Kosovës.

Përfaqësuesit e Kosovës kanë humbur besimin tek populli i Kosovës por edhe tek faktori ndërkombëtar si dhe kanë dëmtuar imazhin. Presidenti i Republikës se Kosovës ka dëmtuar shumë këtë proces, andaj ai duhet të largohet nga ky proces.

Procesi i dialogut me Serbinë duhet të mbyllet sa më shpejt, me njohje reciproke, brenda kufijve aktualë të Kosovës, pa cenuar sovranitetin kushtetues, nëse Serbia nuk është e gatshme ta mbyll këtë proces në këto kushte Kosova duhet të largohet nga dialogu dhe të mendoj ta zhvillojë vendin pa u marrë më me Serbinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat