Shpend Ahmeti nuk përjashton mundësinë e një koalicioni me Vetëvendosjen - Bota Sot
Shpend Ahmeti nuk përjashton mundësinë e një koalicioni me Vetëvendosjen

Intervista

Shpend Ahmeti nuk përjashton mundësinë e një koalicioni me Vetëvendosjen

Më: 31 korrik 2019 Në ora: 15:37
Shpend Ahmeti

E ndodhur para një situate ku kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje, Kosova ka nevojë urgjente që të shkojë në zgjedhje. Kështu pohon kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti. Për të, më e dëshirueshmja do të ishte një koalicion parazgjedhor i bllokut të majtë.

Kritika adreson për Partinë Demokratike të Kosovës, teksa thotë se vijat e kuqe i kanë vendosur vetëm për këtë subjekt politik, nuk përjashton mundësinë e një koalicioni edhe me Lëvizjen Vetëvendosje, që dikur ishin pjesë e saj.

Në një intervistë për KosovaPress, i pari i PSD-së, i sheh zgjedhjet si të vetmen alternativë për të dalë nga situata në të cilën ndodhet Kosova.

Meqenëse nuk beson në një formulë tjetër qeverisëse, Ahmeti thotë se PSD është duke u përgatitur për zgjedhje.

Ahmeti: Kemi filluar përgatitjet tona për zgjedhjet

“Një subjekt politik duhet të jetë gjithmonë gati për zgjedhje. Dhe, ky rasti i fundit i dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj, tregon se pse duhet të jenë partitë të përgatitura gjithmonë. Sepse jo gjithçka varet prej partisë, pra gjithmonë ka faktorë të jashtëm që mund ta çojnë vendin në zgjedhje. Pra, ne kemi qenë gati, por tash duhet të mobilizohemi edhe më shumë dhe kemi filluar përgatitjet tona për zgjedhjet, sepse nuk mendojmë se do të ketë ndonjë formulë tjetër qeverisëse. Prandaj, po bëhemi gati”, thotë Ahmeti.

Ai nuk preferon të flas shumë për koalicionet parazgjedhore, porse megjithatë nuk e përjashton një mundësi të tillë.

Sipas tij, derisa të caktohet data e zgjedhjeve duhet të mendojnë që të garojnë të vetëm.

Ahmeti: Nuk mund të bazohemi në koalicione parazgjedhor, por nuk i përjashtojmë mundësitë

“Ne duhet të mendojmë thuajse do të garojmë vet. Nuk mund të bazohemi asnjëherë në koalicione parazgjedhor. Kjo nuk do të thotë se nuk do të bëjmë, por, njëherë i mobilizojmë strukturat tona të jemi gati për zgjedhje dhe të fillojmë diskutimet me subjektet tjera, veçanërisht pas atij vendimit të gjykatës Kushtetuese që vetëm koalicioni fitues e ka të drejtën të propozojë kryetarin e Kuvendit. Por, mbetet të shohim këto ditë pasi që të kemi të qartë datën e zgjedhjeve të fillojë diskutimi”, shprehet ai.

Ahmeti nuk e përjashton mundësinë për një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ahmeti: Mund të kemi koalicion me Vetëvendosjen

“Unë nuk e përjashtoj asnjëherë (koalicionin me VV-në). Mendoj që kur pyet a është i mundshëm, nuk e di në këto rrethana politike. Por, a do ta konsideronim, patjetër se po”, thotë ai.

Sa i përket një koalicioni me AAK-në, të cilën e ndihmuan kur i dhanë votat për buxhetin, Ahmeti thotë se deri më tani nuk kanë pasur ndonjë diskutim. Teksa tregon se preferon një koalicion të së majtës.

E megjithëkëtë, Ahmeti i sheh të vogla gjasat që një koalicion i tillë të ndodhë, ndërsa nuk jep as emrin e kandidatit që do të dëshironte të kishte ky koalicion i së majtës.

Ahmeti: Preferoj një koalicion parazgjedhor të bllokut të majtë

“Për mua do të ishte më e dëshirueshmja do të ishte një koalicion parazgjedhor i bllokut të majtë. Megjithatë ne jemi socialdemokrat, Nisma është socialdemokrate dhe po ashtu Vetëvendosja është subjekt i majtë. Kështu që, po ta shikonim një zhvillim politik, do të ishte ndoshta më e dëshirueshme. Por, për shkak të rrethanave duhet të shohim diskutime e mundësi të tjera. Për neve janë 6 pika programore që i kemi futur si tepër të rëndësishme për programin qeverisës dhe për qeverinë e ardhshme. Ato do të jenë kushtet tona për të diskutuar çfarëdo koalicioni”, thotë Ahmeti.

Ai përsërit se PSD ka vendosur vija të kuqe vetëm për PDK-në.

Ahmeti: PDK duhet ët kalojë në opozitë

“Ne e konsiderojmë përgjegjëse për situatën që e kemi sot Partinë Demokratike të Kosovës dhe do të ishte mirë, e kam thënë dhe vazhdojë ta them, edhe për PDK-në edhe për Kosovën, që PDK-ja të kalojë në opozitë”, vlerëson ai.

Duke komentuar vonesën e presidentit Hashim Thaçi, për t’i ftuar në konsultime subjektet politike në vend, Ahmeti thekson se nuk sheh ndonjë arsye për të vonuar takimin me subjektet politike.

Ahmeti: Nuk e di çka presim

“Nuk e di çka presim. Nuk është mirë për Kosovën sepse kemi punë për të kryer. Janë obligimet që i kemi edhe në rrafshin ndërkombëtar dhe do të ishte mirë që sa më shpejt t’i kemi zgjedhjet”, shprehet ai.

Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi dje ka takuar përfaqësuesit e KDTP-së dhe ata të VAKAT nga grupi parlamentar 6+, Ministrin Mahir Yagcilar dhe deputetët Duda Balje dhe Bahrim Sabani. Ndërsa, sot, e mërkurë, është takuar me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, ku kanë biseduar për afatet kushtetuese në rast se mbahen zgjedhjet. Pas takimit, Daka ka deklaruar se nuk kanë biseduar për ndonjë datë të caktuar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...