Lluka: Nga 14 prilli 2020 Kosova e aktivizon linjën energjetike me Shqipërinë

Intervista

Lluka: Nga 14 prilli 2020 Kosova e aktivizon linjën energjetike me Shqipërinë

Zejnepe Bekteshi Nga Zejnepe Bekteshi Më 1 gusht 2019 Në ora: 12:05
Valdrin Lluka

Në një intervistë për gazetën “Bota sot”, Ministri në detyrë i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka deklaruar se gjysmë mandati nuk është i mjaftueshëm që të bëhen ndryshimet e nevojshme në një dikaster të caktuar. Ai ka thënë se përgjatë këtij, gjysmë-mandati janë bërë punë të mira, që do të kenë efekt në një periudhë afatgjate. 

Tutje, Lluka ka folur edhe për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, i cili sipas tij, është një projekt që do të sjell të mira ekonomike. Ai gjithashtu ka folur edhe për problemet e Telekomit të Kosovës dhe për punësimet e fundit në të. Po ashtu, ai ka thënë se nga 14 prilli 2020 Kosova e aktivizon linjën me Shqipërinë pasi që ne arrijmë t’i kontrollojmë vetë kufijtë energjetik.

“Bota sot”: Z. Lluka çfarë mund të na thoni për këtë gjysmë mandati punë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik?

Valdrin Lluka:Normalisht që për t’i bërë ndryshimet një ministër ose një parti politike në vend gjysmë mandati nuk është i mjaftueshëm, sepse procedurat janë të tilla që marrin kohë, për shembull një ndryshim i legjislacionit apo një paraqitje e një ligji të ri për një projekt të caktuar. Edhe pse mandati është i shkurtër dy vite, mendoj që janë bërë disa punë të mira në këtë mandat, punë që do të kenë efekte pozitive në vend në një periudhë afatgjate. Vlen të ceket nënshkrimi i marrëveshjeve për ndërtimin e termocentralit “Kosova e re”, një projekt i  tillë nëse përfundohet me sukses do të ketë të paktën për një periudhë 40 vjeçare një impakt shumë të mirë edhe në ekonomi të vendit, por ajo që është me rëndësi do të ketë stabilitet të energjisë në vend, ku e dimë që sot bizneset kanë sfida për shkak të ndërprerjes së energjisë që e kemi. Pastaj është ligji për efiçiencë të energjisë që e kemi filluar dhe e kemi përfunduar në këtë mandat i cili e themelon fondin për efiçiencë elektrike,  i cili po ashtu është themeluar si fond dhe pritet funksionalizimi tash në muajin shtator, është punësuar bordi, është punësuar kryeshefi ekzekutiv dhe tashmë edhe stafi së shpejti. Fondi për efiçencë të energjisë ka arritur t’i thithë donacionet rreth 10 milionë nga Bashkimi Evropian dhe 5 milionë nga Banka Botërore në formë të kredisë. Unë mendoj se nëse menaxhohet ashtu siç duhet ky fond brenda 5 viteve do të ketë kapacitet 100 milionë euro për të investuar në efiçiencën e energjisë, që është jashtëzakonisht mirë për vendin, për arsye se jo vetëm që rrit komoditetin e institucioneve të ndryshme, por  gjithashtu kursen edhe sa i përket faturave të energjisë elektrike. Po ashtu, fillimi i procedurave për ristrukturimin dhe privatizimin e Telekomit të Kosovës një gjë që është bërë gjatë këtij mandati, ne e dimë që ndërmarrjet publike në vazhdimësi kanë pasur sfida, këtë mandat kemi vendosur rregulla të reja, ku shpenzimet e bëra nga bordi janë zvogëluar jashtë mase dhe janë ndaluar, për shembull dhënia e bonuseve që ka dhënë mundësi të menaxhohet pak më mirë. Trepça gjithashtu vlen të theksohet që statuti i saj është finalizuar, është filluar dhe finalizuar gjatë këtij mandati një gjë që nuk është arritur me vite të tëra. Një gjë tjetër që është shumë me rëndësi dhe e kam përzemër është projekti ... apo Ekonomi digjitale e Kosovës që është një projekt me Bankën Botërore rreth 25 milionë dollar dhe ky projekt ka filluar në janar të këtij viti dhe pritet të zgjasë tri deri në pesë vite, ku parasheh se Kosova do të bëhet lidere në botë sa i përket mbulueshmërisë me kabllo optikë apo fiber optik, pra janë  mjaftë shumë projekte që i mbulojmë, që kanë filluar dhe përfunduar gjatë këtyre dy viteve dhe  po të ishin edhe dy vite shtesë në këtë mandat unë besoj se edhe rezultatet dhe projektet e mia do të shiheshin nga qytetarët dhe nga të gjithë ne.

“Bota sot”: Sa do të zgjas periudha e ndërtimit të Termocentrali “Kosova e Re“. A do të ketë ndikim ky termocentral në ekonomin e vendit?

Valdrin Lluka: “Kosova e re” është një projekt që do të thithë kapital të huaj nga jashtë, rreth 1.3 miliardë euro. 1.3 miliardë euro nëse e shikojmë sipas madhësisë së produprotuktit vendor është shumë jashtëzakonisht e madhe, pra do të ndikonte për një rritje të GJDP-së në formë direkte të paktën për 5 vitet apo 4 vite të kohës së ndërtimit. Do të kishte në mënyrë direkte rritje të GJDP-së, por gjithashtu rritje të punësimit që ndikon në rritje të produktivitetit dhe të ardhurave të qytetarëve  që po ashtu do të ndikonte pozitivisht në rritjen e protoproduktit vendor. Përveç kësaj, e mira më e madhe është stabiliteti energjetik në vend dhe siguria nacionale e energjisë. Ne sot që po flasim edhe pse kemi dy termocentrale Kosovën A dhe B, Kosova importon rreth 18 % të energjisë elektrike në vend kryesisht ky import vjen nga Serbia, rreth 50 milionë euro në vit ne importojmë nga Serbia. Në kohën kur ne kemi rezervat më të mëdha në botë, pothuajse vendi i pestë në botë sa i përket rezervave të thëngjillit ne jemi shtet importues i energjisë elektrike dhe kjo nuk ka sens.  Ne gjenerojmë aktivitet ekonomik për një vend tjetër, ne gjenerojmë punësim për një vend tjetër dhe nuk i bëjmë ato brenda shtëpisë sonë. Prandaj, unë mendoj se termocentrali “Kosova e re” do të ketë impakt shumë të madh dhe pozitiv edhe në këtë aspekt, do ta rrisë prodhimin e energjisë elektrike, që do të thotë energjinë elektrike nuk kemi nevojë ta importojmë por ta prodhojmë. Mundësi tjetër është stabiliteti i energjisë elektrike në vend, ku sot kemi hulumtime të ndryshme që tregojnë që rreth 300 milionë euro janë humbje të bizneseve vendore prodhuesve për shkak të ndërprerjeve të paplanifikueshme. Pra eliminimi i të gjitha këtyre normalisht që ndikon pozitivisht në vend dhe në ekonomin e vendit.

 “Bota sot”: Keni thënë se  nëse Kosova nuk e miraton ndërtimin e këtij termocentrali,  duhet të paguaj 19.6 milion euro pasi janë shpenzuar miliona euro për hulumtime tjera. Sa ka kapacitet Kosova të paguajë këtë shumë?

Valdrin Lluka:Ne si përfaqësues të Qeverisë së Kosovës në këtë projekt, jemi duke u siguruar që Kosova në asnjë formë mos të dështojë me këtë projekt, dhe unë besoj që me inciativat tona edukuese që kemi filluar t’i dërgojmë te deputetët e Kosovës të “7 numrat e gazetës” të themi, për të shpjeguar gjithë procesin e termocentralit “Kosova e re”. Në vazhdimësi duke biseduar me ta, besoj që jemi në një pozicion të mirë, me përjashtim të njërës prej partive që është kundër zëshëm këtij projekti, tjerat parti.

Partia Vetëvendosje dhe PSD-ja në parlament janë shprehur kundër, por përndryshe tjerat të gjitha janë në rregull, që do të thotë 2/3 e votave i kemi në parlament në setapin aktual. Duke supozuar që edhe setapi i ardhshëm do të jetë pak a shumë i ngjashëm, nuk parashoh ndonjë problem që Kosova të dështojë me projektin “Kosova e re”. Nga ana tjetër, përgjegjësia kryesore e kompanisë “Contour Global” është gjetja dhe përmbyllja financiare, përveç 45 milionë euro që duhet t’i fus të vetat është edhe pjesa tjetër e kredisë rreth 900 milion euro. Gjetja e kësaj kredie është sfidë pas tërheqjes së Bankës Botërore, janë gjitha agjencionet të shteteve të ndryshme në dispozicion, janë duke u përmbyllur ato marrëveshje, prapëseprapë një ndër sfidat kryesore të këtij projekti është kjo pjesë. Nëse kjo përmbyllet me sukses nuk parashoh ndonjë dështim të projektit apo ndonjë sfidë tjetër. Nëse mbyllja financiare dështon, atëherë kjo do të thotë se mund të dështojë projekti, por me faj të kompanisë “Contour Global”, do të thotë që ne nuk panalizohemi dhe i marrim të gjitha studimet lidhur me këtë projekt që kanë vlerë rreth 7.5 milionë euro investim i marrim në pronësim të Qeverisë së Kosovës.

“Bota sot”: Si po shkon marrëveshja për energjinë në mes Kosovës dhe Shqipërisë?

Valdrin Lluka:Marrëveshja  në mes Kosovës dhe Shqipërisë, nuk shkon, nuk implementohet, për arsye se nuk është futur në funksion lidhja e transmisionit në mes të Kosovës dhe të Shqipërisë sepse ajo është bartësi kryesor për ta futur në funksion këtë marrëveshje. Fatmirësisht, tashmë së fundmi organizata evropiane për transmisione ka aprovuar dhe e ka votuar kërkesën tonë që të ndahemi nga Serbia si bllok i veçantë energjetik, pra të jemi bllok kontrollues. Kosova vetë dhe kjo është aprovuar dhe futet në funksion me 14 prill 2020, kjo do të thotë se nga 14 prilli 2020 Kosova e aktivizon linjën me Shqipërinë pasi që ne arrijmë t’i kontrollojmë vetë kufijtë energjetik. Deri më sot apo deri me 14 prill 2020, për ne sa herë që dëshirojmë të importojmë energjinë në Kosovë, neve duhet të na jap të drejtën Serbia për lejimin e energjisë transite dhe si të tillë edhe energjia që kalon transit nga Gjermania që shkon në Greqi përmes Kosovës, të gjitha mjetet i inkason Serbia që janë mjete ta themi që e paguan autostradën  energjetike. Kjo është vlerë rreth 12 milionë euro totalisht, pra nga 14 prilli 2020 kostoja jonë do të fillojë vetë t’i inkasojë këto mjete, pa pasur nevojë të shkojnë në Serbi dhe kjo hap rrugën me Shqipërinë, aktivizohet linja dhe çka është më e rëndësi edhe më tepër është aktivizimi i bursës energjetike në Shqipëri, sepse bursa energjetike në Shqipëri do të jetë e bashkë themeluar nga Shqipëria dhe Kosova për t’u shfrytëzuar nga këto dy shtete./Vijon

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat