Isufi: AAK s’ka vija të kuqe ndaj askujt, Haradinaj s’ka pengesa të bëhet kryeministër - Bota Sot
Isufi: AAK s’ka vija të kuqe ndaj askujt, Haradinaj s’ka pengesa të bëhet kryeministër

Intervista

Isufi: AAK s’ka vija të kuqe ndaj askujt, Haradinaj s’ka pengesa të bëhet kryeministër

Më: 15 gusht 2019 Në ora: 17:28
Ahmet Isufi

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi në një intervistë për Express ka folur për koalicionet që mund të bëhen para zgjedhjeve, dorëheqjen e Ramush Haradinaj nga pozita e kryeministrit e raportet me partitë e PAN-it, veçanërisht me PDK-në e Kadri Veselit.

Kë e konsideron AAK kundërshtarë në këto zgjedhje, vijat e kuqe, pozicionimi i Ramush Haradinaj për taksën, si dhe reagimi i ndërkombëtarëve për këtë masë.

Ahmet Isufi tutje, derisa ka folur për sondazhet e fundit, ka thënë se të njëjtat janë të porostitura nga parti të caktuara, pasi që rezultatet po dalin në favor të tyre.

Intervista e plotë:

Dje thatë se AAK në koalicion me NISMA’n dhe PSD’në do t’i mundte të gjithë kundërshtarët. Sa është real ky koalicion parazgjedhor, a keni folur me këto parti apo vetëm është një taktizim që po e bëni për t’iu përgjigjur takimeve të partive tjera?

Isufi: Në parim jemi me shku vetëm në zgjedhje, por kjo nuk varet kryekëput nga AAK-ja, por edhe nga partitë tjera politike. Edhe nëse ndodh një koalicion parazgjedhor, nuk do të bëhet me partitë e mëdha por me ato më të vogëla, saktësisht me ato që ju i citoni. Nuk kemi biseduar ende me ndonjërën prej tyre për këtë çështje. Me këto parti jemi më afër se me cilëndo tjetër. AAK nuk vepron me taktizime, është e hapur, transparente dhe me vizion të qartë për të ardhmen e vendit. Çdo veprim i aleancës, do të jetë në përputhje të plotë me interesin e qytetarëve dhe në ruatje të tërësisë territoriale, zhvillimit ekonomik dhe integrimit të Kosovës në mekanizma të rëndësishëm ndërkombëtar.

Meqë i përmendet kundërshtarët, kë e konsideroni kundërshtarë në këto zgjedhje?

Isufi: Jam për një terminologji më të lehtë, jo kundërshtar. Jemi në prag të zgjedhjeve të parakohëshme, dhe jemi në garë. Pra, oferta më e mirë për popullin le të triumfojë. Është vlerësim i qytetarëve anekënd Kosovës se qeveria Haradinaj i ka munguar Kosovës, andaj konsiderojmë se do të rikonfirmohet Haradinaj si kryeministër dhe nuk shohim ndonjë parti politike garuese që mund t’i bëjë konkurencë aleancës.

Çfarë janë raportet me partitë e PAN’it veçmas me PDK’në. Përvec disa fjalëve të rënda që Kadri Veseli i tha në studion e zërit të Amerikës ndaj Ramush Haradinajt nuk ka pasur ndonjë konfrontim më të madhë gjatë qeverisjes dhe sic dihet arsyeja për prishjen e qeverisë është Haga e jo ndonjë zënkë me PDK ose dikë tjetër nga koalicioni? Duke pasur parasysh këtë a ka mbetur përsëri vend që të bëni koalicion me PDK’në?

Isufi: Arsyeja e dorëheqjes së Haradinajt nga posti i kryeministrit ka ardhë si rezultat i ftesës nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale. Kjo ka ndodh për arsyet që tanimë janë të njohura. Nuk ka pas zënka mes parnerëve të koalicionit. Deklaratat e liderëve të partive politike nuk dua ti komentoj asnjëherë. Kemi parimet tona si subjekt dhe si individë, dhe jemi përgjegjës veç për ato që ne i themi. E thash në fillim; parimisht jemi me shku vetëm në zgjedhje, porse kjo nuk varet nga ne. Nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik.

A keni ju si AAK vija të kuqe ndaj dikujt në këto zgjedhje?

Isufi: Jo, jo, nuk kemi. Madje, as që duhet të ketë vija të kuqe për partitë shqiptare. Secila ka programin e vet politik, ofertën zgjedhore dhe që të gjitha kanë synim mirëqenien e qytetarëve, mirëpo jo të gjitha munden me u përballë me tema. Këtë e bënë veç aleanca, veç kryeministri Haradinaj. Tanimë është dëshmuar kjo.

Fakt që Ramush Haradinaj është në situatë konfrontuese me ndërkombëtarët për shkak të taksës dhe ka një ftesë nga Haga, a i bie që AAK kësaj here do të mbetet në opozitë?

Isufi: Prap shfaqet problemi në terminologji. Nuk ka situatë konfrontuese, ka pas këshilla. Taksa ndaj prodhimeve serbe dhe atyre boshnjake, përveç që ka pas efekte pozitive brenda, e ka faktorizua Kosovën edhe jashtë. Nuk ka qenë e lehtë për kryeministrin Haradinaj të jetë konsistent sa i përket temave të mëdha, por këmbëngulësia në të drejtën e popullit dhe shtetit, krijon partneritet serioz me shtete te fuqishme, pavarësisht ndonjë fërkimi gjatë rrugës. Haradinaj ka pasur një ftesë për tu intervistuar, dhe nuk besojmë se do të kapërcehet ftesa si e tillë, dmth nuk besojmë se do të ketë aktakuzë, sepse disa herë Haradinaj ka dalë i pafajshëm pikërisht për të njëjtat shpifje të orkestruata nga Serbia. Andaj, nuk shoh asnjë problem që Haradinaj të jetë kryeministër i Kosovës, natyrisht, me besimin e plotë të sovranit.

Ka shumë sondazhe  që po dalin tash. LDK pretendon se është e para, dikush tjetër thotë se ajo është në garë me Vetëvendosjen për vendin e parë, ndërsa thuhet se AAK dhe PDK po luftojnë për vend të tretë, ndërkohë që një zyrtar i AAK dje tha se partia e juaj është e para në sondazhe? Cili është komenti i juaj?

Isufi: Tanimë është bë praktikë që parti të caktuara politike të porosisin sondazhe të cilat janë në favor të tyre. AAK-në si parti e parë e kanë nxjerrë sondazhe nga organizata kredibile, marzhi i gabimeve të tyre mund të jetë me përqindje shumë të vogël. Aleanca çdo ditë po rritet. Është subjekti i vetëm politik që çdo ditë po mbledh rreth vetës shumë njerëz nga të gjitha profilet; sportistë të njohur, ekonomistë e juristë, mjekë e bujqë, inxhinierë e arkitektë, student. Pra, janë vendimet që qeveria Haradinaj i ka marrë, arsye që vëmendja e qytetarëve është kthyer kah AAK-ja. Nuk ka asnjë dyshim, aleanca është shndërruar në alternativë e vetme, në shpresë për popullin, për pasuritë natyrore, është shndërruar në gardiane e sovranitetit të shtetit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...