Sherifi flet para takimit Limaj – Haradinaj, thumbon LDK-në, s’përmend vija të kuqe ndaj PDK-së

Intervista

Sherifi flet para takimit Limaj – Haradinaj, thumbon LDK-në, s’përmend vija të kuqe ndaj PDK-së

Më: 20 gusht 2019 Në ora: 12:44
Bilall Sherifi

Bilall Sherifi, shefi i deputetëve të Nismës Socialdemokrate dhe sekretari i këtij subjekti, në një intervistë të shkurtër, ka folur rreth takimit Limaj – Haradinaj, që do të mbahet sot.

Ai ka thënë se sot nuk pritet ndonjë marrëveshje Nisma – AAK, derisa nuk ka preferuar të flasë as për telashet që këto dy subjekte i kishin pasur para dorëheqjes së Haradinajt.

Sherifi nuk është përgjigjur në pyetjen për ndonjë bashkëpunim të mundshëm me AKR-në e Pacollit, por është kujdesur t’ia çojë një mesazh thërres LDK-së për zhvillimet në vitin 2014. Partia e Limajt po e mban si kartë të hapur koalicionin me PDK-në.

Intervista e plotë:

Nisma Socialdemokrate u pa si partneri i parë në koalicion me AAK-në, deri dje kur ajo nënshkroi marrëveshje me PSD-në e Shpend Ahmetit? Në të njëjtën ditë ndodhi edhe takimi Limaj – Mustafa. Në cilën pjesë momentalisht po rreshtohet Nisma, pra me kë ju përputhen qëndrimet dhe cilën do ta preferoni si partner në koalicion?

Takimi për një kafe mes Limajt dhe Mustafës ka qenë i caktuar ditë më parë dhe fakti që në të njëjtën ditë u nënshkrua marrëveshja mes AAK-së dhe PSD-së është koincidencë dhe asgjë më shumë! Nisma Socialdemokrate është duke punuar që në zgjedhje të shkojë e vetme. Aktualisht jemi në fazën e konsultimeve me strukturat e partisë. Pas përfundimit të konsultimeve me strukturat tona, atëherë do të mund të dalim me një vendim përfundimtar. Unë personalisht kam vizituar shumicën e degëve në nivel vendi dhe me sa kam parë shumica e tyre kërkon që Nisma të garojë e vetme në këto zgjedhje. Megjithatë, vendimi përfundimtar i takon strukturave drejtuese të partisë!

A keni marrë ende ftesë nga Haradinaj e Ahmeti për koalicion, si dhe a ka gjasa që i njëjti të nënshkruhet, duke ditur se kreu i AAK-së, ka sot takim me të parin e Nismës?

Po, kemi marrë, madje ftesa është edhe publike! Limaj sot do të takohet me Hardinajn dhe do të bisedojnë për të gjitha temat që preokupojnë partitë tona dhe vendin tonë! Në pyetjen se a ka gjasa që të nënshkruhet koalicioni, unë sot mund të ju them se asgjë nuk mund të nënshkruhet përderisa për të nuk ka vendosur kryesia e partisë!

Në vazhdimësi po dëgjojmë qëndrime se po shqyrtoni mundësinë që të shkoni të vetëm në zgjedhje, derisa Nisma po përflitet edhe si parti që do të përbëjë qeverinë e ardhshme, me cilindo prej partive që dalin të parët? A ekziston ende rreziku për mos kalim të pragut, si dhe si i komentoni këto deklarata?

Do të filloj nga kjo e fundit, rreth pragut. NISMA ia ka vendosur vetes një prag prej 10 DEPUTETËVE dhe po punojmë qe të kalojmë pragun qe ia kemi vendosur vetes tone. Për NISMEN përveç pragut tone 10+ pragje tjera nuk ekzistojnë! Prandaj, sikur edhe thash me larte po punojmë pa ndërprerë që në zgjedhje te garojmë e vetme! Duke pasur parasysh te gjitha sondazhet që janë bere këto dy vite mund të themi pa asnjë dilemë se NISMA do të jetë vendimtare për të krijuar qeverinë e ardhshme!

Momentalisht vetëm Nisma dhe PDK ende nuk janë rreshtuar krahas ndonjë partie për zgjedhje. Kemi një bashkëpunim VV-LDK dhe një koalicion PSD-AAK? A keni vija të kuqe për partinë e Kadri Veselit?

Tanimë të gjithë e dimë që bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 partisë që del e para në zgjedhje i takon propozimi për kryetar të kuvendit dhe mandatari për kryeministër. Duke pasur parasysh këtë fakt partitë që nuk dalin të parat kanë dy alternative para vetes, ose të bëjnë koalicion me atë që del e para ose të bllokojnë krijimin e institucioneve. NISMA konsideron që bllokimi i institucioneve për muaj të tërë nuk është rruga që duhet ndjekur! Nisma është e përcaktuar që të mos bllokojë krijimin e institucioneve. Nuk kemi nevojë të ecim dy herë në të njëjtën rrugë, sepse përvoja e vitit 2014 na ka treguar se bllokada nuk funksionon. Apo, thënë ndryshe, bllokada funksionon derisa LDK ‘’për interes të vendit” ta thejë atë.

Kemi parë së fundmi një paralajmërim nga vendet e QUINT-it për taksën e dialogun. Në rast se Nisma vazhdon në qeveri, çka duhet të ndodhë me taksën, të hiqet apo të mbetet në fuqi?

Serbia përveç pengesave që i ka bërë Kosovës në shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit, ajo në vazhdimësi ka zhvilluar një luftë shumë agresive diplomatike kundër shtetit të Kosovës, prandaj taksa\tarifa është vënë si një përgjigje ndaj veprimeve të Serbisë. Nëse do të mund ta shprehja me një fjali çështjen e taksës do ta përkufizoja kështu: Luftës agresive diplomatike të Serbisë kundër Kosovës, Kosova i është përgjigjur me luftë tregtare!/Express

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat