Deputeti i VV-së arsyeton reagimin e Sami Kurteshit, flet për zbardhjen e rastit Dehari kur ta marrin pushtetin - Bota Sot
Deputeti i VV-së arsyeton reagimin e Sami Kurteshit, flet për zbardhjen e rastit Dehari kur ta marrin pushtetin

Intervista

Deputeti i VV-së arsyeton reagimin e Sami Kurteshit, flet për zbardhjen e rastit Dehari kur ta marrin pushtetin

Më: 31 gusht 2019 Në ora: 14:58
Arbër Rexhaj

Dje ishte edhe dita e fundit për zyrtarizmin e koalicioneve parazgjedhore në mes të subjekteve politike. Një koalicion shumë i përfolur mes LDK-së dhe LVV-së nuk u arrit. Këto dy subjekte tani do të garojnë të vetme në zgjedhjet e 6 tetorit.

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në legjislaturën e gjashtë, Arbër Rexhaj në një intervistë për Gazetën Express tha se LDK iu frikësua një koalicioni me VV-në edhe pas kompromisit të bërë nga Albin Kurti.

Rexhaj tha se nuk përjashtohet mundësia e një koalicioni paszgjedhor mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.

Ai foli edhe për akuzat ish-deputetit të LVV-së Sami Kurteshi, i cili me anë të një postimi akuzoi edhe Isa Mustafën për vdekjen e dyshimtë të aktivistit Astrit Dehari disa orë pas refuzimit të LDK-së ndaj ofertës së Albin Kurtit për koalicion parazgjedhor.

Rexhaj tha se Kurteshi nuk e ka sulmuar LDK-në, dhe data e djeshme 30 gusht ka qenë rastësi e arrestimit të gjashtë aktivistëve të Vetëvendosjes dhe nuk kishte asgjë tendencioze.

Cila mendoni se është arsyeja kryesore që LDK refuzoi propozimin e Kryetarit të VV-së Albin Kurti?

Rexhaj: Personalisht kam shpresuar se do të arrihej një koalicion parazgjedhor me LDK, por ditëve të fundit dhe veçanërisht dje nuk pati gatishmëri nga ana e LDK-së për të shkuar në këtë drejtim. Oferta e Lëvizjes dërguar nga Kryetari Kurti ishte mjaft gjentelmene, hoqëm dorë nga njeriu më i votuar në Kosovë për ta mandatuar për kryeministër vetëm për t’i ndihmuar punës së koalicionit, por u refuzua edhe kjo, hoqëm dorë edhe nga numri 1 në listë, por edhe kjo u refuzua. Ende nuk i di arsyet e vërteta pse LDK ju frikësua një bashkëpunimi parazgjedhor mes nesh, por ajo që mu duk e dhimbshme ishte se si Agim Veliu, nënkryetari i parë ishte përgjigjur negativisht në propozimin tonë ende pa folur vet LDK-ja, vet kryetari Isa Mustafa dhe vet Vjosa Osmani, nuk e di kujt i konvenoi më së shumti ky mosbashkëpunim.

A ka marrëveshje mes VV-së dhe LDK-së që gjatë fushatës të mos ketë gjuhë sulmuese ndaj njëra tjetrës?

Rexhaj: Ne nuk bëjmë marrëveshje e as dakordime të fshehta, ajo për çka kemi tentuar të pajtohemi sigurisht se i keni parë në media, por edhe përmes deklarimeve tona. Ne jemi të fokusuar të sjellim një qeverisje në Kosovë që lufton krimin e korrupsion dhe sjell zhvillim e mirëqenie për qytetarët. Ne do ta sulmojmë dhe kemi bërë gjithnjë sulm ndaj çdo mendësie të qeverisjes që sjell krim e korrupsion në Kosovë dhe mjerim e varfëri për vendin. Ne nuk mund të bëjmë pakt me të keqen. Kjo është e sigurt.

A do të mund të ndodhë një koalicion mes LDK-së dhe VV-së pas zgjedhjeve?

Rexhaj: Ka disa javë që kemi thënë që ideja e koalicionit parazgjedhor ishte për të fituar para zgjedhjeve, ndërkohë ne besojmë fuqishëm, por edhe sipas sondazheve të fundit, se Lëvizja është aktualisht subjekti i parë në vend. Pas zgjedhjeve sigurisht se do të jetë mundësi e mirë për një koalicion me LDK-në, por është ende herët të flasim për atë fazë. Tash do të shpalosim projektin tonë për një Kosovë ndryshe.

Pas refuzimit nga LDK-ja të propozimit të bërë nga Albin Kurti, deputeti i partisë suaj, Sami Kurteshi shkroi se Isa Mustafa është njëri nga përgjegjësit për vdekjen e Astrit Deharit. Si e komentoni këtë deklaratë të Sami Kurteshit pikërisht pasi nuk u arrit marrëveshja mes LDK-së dhe VV-së?

Rexhaj: Së pari duhet të them që data 30 gusht 2016 është data kur Astrit Dehari me aktivistë të tjerë u arrestuan dhe u burgosën padrejtësisht. Ishte rastësore që 30 gushti i këtij viti të ishte afati i fundit për koalicione parazgjedhore. Pra rikujtimi i aktivistit tonë të vrarë në burg nuk ishte sulm ndaj refuzimit të LDK-së. Ky nuk ishte qëllimi as i Sami Kurteshit. Madje ai kishte nxjerr të njëjtin postim si të 30 gushtit të vitit të kaluar dhe nuk kishte asgjë tendencioze.

A do të kërkoni zbardhjen e vdekjes së dyshimtë të Astrit Deharit nëse do të qeverisni së bashku me LDK-në?

Rexhaj: Edhe nga qeverisjet që e kanë kapur shtetin dhe drejtësinë kemi kërkuar një gjë të tillë, sot kur po flasim ende po zhvillohen ekspertiza të jashtme sa i përket zbardhjes së vrasjes së shokut tonë në burg. Është absolutisht e qartë, në një qeverisje ku është Lëvizja sigurisht se do të kërkojmë me ngulm të zbardhet ky rast.

A do të jeni në listën për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje?

Rexhaj: Siç e keni parë ne sot kemi publikuar një thirrje publike për të gjithë anëtarët tanë që të gjithë të interesuarit mund të kandidojnë në qendrat përkatëse në lidhje me kandidimin për deputet. Pra është e drejtë që e garanton statuti jonë, e drejtë kjo që nuk e gjen nëpër subjektet e tjera. Ndërkaq në lidhje me kandidimin tim sigurisht se do të i njoftoj edhe strukturat e Lëvizjes por edhe publikun ditët në vijim./Express

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...